Data
13 tetor është një ditë pushimi për KQZ-në, jo një ditë zgjedhjesh lokale sipas
dekretit të presidentit. Për gazetarin Sokol Balla kjo datë është një iluzion i
presidentit, pasi zgjedhjet janë bërë më 30 qershor edhe pse ishin të cunguara
nga mungesa e opozitës.
Z.Balla, pas votimeve të 30
qershorit, të cilat u zhvilluan në bojkot të opozitës dhe pas anulimit të tyre
me dekret nga presidenti, një datë tjetër zyrtare e dekretuar prej tij është në
fuqi, ajo e 13 Tetorit. Çfarë do të ndodhë me këtë dekret sipas jush? A do ketë
zgjedhje të reja më 13 tetor? Si e vlerësoni rolin e presidentit në këtë krizë?
Zgjedhje patëm në 30 qershor, qenë të cunguara si zgjedhje demokratike
për shkak të aksionit të dështuar të Bashës. Kolegji Zgjedhor, organi më i lartë
pa të drejtë rekursi i vendimeve për zgjedhjet e ka zgjidhur këtë dilemë.
Presidenti, i cili ka nisur një rrugëtim të tij për kushedi se ku, shpalli një
dekret të tretë për një palë zgjedhje dhe tani kërkon edhe zgjedhje
presidenciale në një Republikë, ku kreu i shtetit zgjidhet nga parlamenti.
Nëse Gjykata Kushtetuese ngrihet para 13 tetorit dhe nëse vlerëson
dekretet e Metës si kushtetuese, ndoshta kjo datë hyn në kalendar. Deri atëherë
mbetet pjesë e iluzioneve apo deluzioneve të presidentit dhe që po ua përçon
dhe disa partive të vogla, për zgjedhje në 13 tetor, një ditë pushimi edhe për
KQZ. As Gjykata Kushtetuese nuk merr vendim deri në 13 tetor dhe askush nuk do
dalë atë ditë për votime, vetëm nëse presidenca bën kuti votimi me kartona dhe
cakton Tedi Blushin për të drejtuar nga Facebook-u procesin. Po pastaj këtu
hyjmë te patologjitë klinike, unë kam mbaruar shkollën për gazetar, jo për
doktor.
Zgjedhjet e 30 qershorit krijuan
një precedent duke i lënë në dorë gjithë pushtetin lokal një partie dhe duke
bërë zgjedhje me një kandidat në disa qytete, gjë që rrëzon parimin kryesor të
zgjedhjeve demokratike. A besoni se faktori ndërkombëtar që i pranoi zgjedhjet
në këto kushte do t’i certifikojë ato si të lira dhe demokratike?
Faktori ndërkombëtar do certifikojë procesin teknik, por procesin
politik dhe mundësinë e zgjedhjes e shkatërruan partitë politike, më saktë ata
që bojkotuan. Ndërkombëtarët certifikimin ua kanë lënë institucioneve
shqiptare, njëlloj si gjetjen e zgjidhjes së krizës.
Kriza po thellohet mes palëve
dhe nuk duket se ka shenja dialogu mes tyre. Por nga ana tjetër vihet re një
përgatitje elektorale me PS-në që riorganizoi partinë dhe me PD-në që ka nisur
një tur në rrethe. A mos ka nisur një fushatë për një palë zgjedhje të reja
parlamentare të parakohshme, që kërkohen me ngulm dhe nga opozita? Sa shanse ka
të ndodhë kjo dhe si mund të shkohej drejt zgjedhjeve të parakohshme?
Mazhoranca ka marrë pjesë në zgjedhje. Partia Demokratike jo. Nuk di
për çfarë po përgatitet PD-ja kur s’pranon asnjë negociatë me Ramën
kryeministër. Rama nuk ikën se e thotë Basha. E provoi këtë 6 muaj dhe tani po
rrezikon të ikë vetë, pas lëvizjes së lajmëruar kundër tij në bazën e PD në
shtator. Nuk më rezulton që zyrtarisht opozita do zgjedhje të parakohshme. Ka
zëra individualë, por Basha me sa di, kërkon qeveri tranzitore dhe jo zgjedhje.
Gjithsesi, nëse do vijë ajo ditë që Basha vërtet do të kërkojë të hyjë në
zgjedhje do të bëjmë të gjithë festë, pa përjashtim.
Një tjetër datë e rëndësishme
është shënuar në kalendar në tetor, ajo e 18 tetorit kur pritet një tjetër
përgjigje nga Brukseli për çeljen e negociatave. Sa shanse ka sipas jush
Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive pas disa refuzimesh dhe a është vetëm
kriza politike ndikuese në këtë përgjigje apo pesha kryesore i bie qeverisë për
plotësimin e kushteve?
Nuk ka patur refuzim, ka patur disa herë shtyrje. Herë për fajet tona,
herë për hallet e Europës. Unë mendoj se tetori është një datë optimiste për
marrjen e datës për çeljen e negociatave. Kujtoj se de facto negociatat kanë
filluar prej dy vjetësh, për dy kapitujt më të rëndësishëm mos gaboj, 23 dhe
24. Për sa u përket përgjegjësive, në raport-progres cilësohet ku është
përgjegjësia e ekzekutivit dhe aty ai ka marrë vlerësimin pro hapjes. Kur vjen
puna te Shqipëria, sigurisht përgjegjësi kanë të gjithë, por me kaq herë sa po
na e shtyjnë këtë punë, pak rëndësi ka kush e ka përgjegjësinë, të vetmit të
shqetësuar duken Ilir Meta dhe Olti Curri./MAPO/