Bllokohet aeroporti i Prishtinës? Sindikata njofton grevë pa afat

Sindikata e punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP) ka paralajmëruar grevë të përgjithshme dhe pa afat që nis ditën e dielë për shkak se ende nuk janë përmbushur këkesat e punëtorëve për pagesa më të mira për orët e punës.

Gjatë tre ditëve të kaluara punëtorët e aeroportit kanë zhvilluar greva disa orëshe, ndërsa të dielën kanë njoftuar se greva do të jetë e përgjithshme dhe pa afat deri në plotësimin e kërkesave. Ky njoftim paralajmëron bllokim të punës në aeroport çka do të sjellë edhe bllokim të fluturimeve në rast se palët nuk do të gjejnë kompromis deri një dielën.

“Të dashur kolegë, edhe pas tre ditëve greve menaxhmenti nuk ka reflektuar pozitivisht ndaj kërkesave tona, ndaj konsiderojmë se rruga jone drejt realizimit të tyre duhet të vazhdojë.

Fakt është sepse ne nuk kemi pasur te drejte ligjore që ta vazhdojmë grevën për arsye se është dashur te lajmërohej 72 ore me herët, sepse është obligim ligjor dhe ne si sindikaliste jemi çdoherë ne respektim te ligjshmërisë.

Kuvendi, me date 21.08.2019 ka vendosur se greva do te vazhdoje ditën e diel, duke filluar nga ora 7:00 dhe do te vazhdoje deri ne realizimin e kërkesave tona te ligjshme”, njofton sindikata e aeroportit Adem Jashari në Prishtinë.

Punëtorët e aeroportit kërkojnë kompensim për rrezikshmërinë në punë, pagesa të njëjta për përshkrimin e njejtë të punës, ngritja e pagave, pagesë për përvojën e punës, pagesë shtesë për punën gjatë fundjavës si dhe pagesë shtesë për ushqimin gjatë punës.

Të mërkurën, në ditën e tretë të grevës, janë anuluar tri fluturime, ai për në Zurich, ai për Dusseldorf dhe ai për Stuttgart. Nëse deri të dielën palët nuk arrijnë në kompromis parashikohen anulime të shumta fluturimesh çka sjell bllokim të aeroportit dhe kosto të lartë financiare.

Protesta të dhunshme në Hong Kong, pezullohen fluturimet ndërkombëtare

Skena të dhunshme janë regjistruar të martën në aeroportin e Hong Kongut mes protestuesve dhe policisë.  Dhuna shpërtheu në aeroportin e Hong Kongut të martën kur mijëra protestues vërshuan brenda terminalit, duke shkaktuar një ndërprerje të madhe udhëtimesh.

Një burrë mbeti i plagosur rëndë, pasi u rrah nga protestuesit, ndërsa u dërgua në spital për mjekim. Disa aktivistë kanë pretenduar se personi i dhunuar ka qenë një efektiv i policisë i veshur civil, që ndodhej mes protestuesve.

Protestuesit kanë bllokuar disa mjete policie, duke bërë që efektivët e Hong Kongut të reagojnë duke goditur me shkopinj gome personat që u kishin bllokuar rrugën. Në mbrëmje, komisioneri i të Drejtave të Njeriut  në OKB kritikoi përdorimin e forcës së policisë jashtë “normave dhe standardeve ndërkombëtare”.

Qindra fluturime u anuluan ose u pezulluan pasi protestat antiqeveritare shkaktuan kaos. Një udhëtar raportoi se ai dhe gruaja e tij kishin ngecur në aeroport për dy ditë. Protestuesit, të veshur me të zeza, kanë bllokuar pjesë të aeroportit ndërsa demonstratat që kanë tronditur qytetin me javë të tëra gjetën rrugën e tyre në qendrën kryesore të transportit. Fluturimet nga Hong Kong u ndërprenë për herë të parë të hënën pasdite kur mijëra protestues pushtuan terminalin.

Protestat në Hong Kong kanë nisur prej disa muajsh, shka i të cilave u bë ligji për ekstradimet mes Hong Kongut dhe Kinës, por më pas protestuesit kanë shtuar listën e kërkesave, duke përfshirë edhe çështje të tjera që lidhen me të drejtat e njeriut. Prej disa javësh, protestat kanë degjeneruar në akte dhune, ku si pasojë ka pasur shumë persona të plagosur.

Grabitja e aeroportit në Brazil, CNN: E ngjashme me atë në Rinas

Një film i denjë për Hollywood, kështu është cilësuar grabitja e arit që u bë në aeroportin e San Paolos në Brazil. Në një kohë rekord prej 2 minuta e 30 sekonda, 8 persona të armatosur arritën që të merrnin 750 kilogram ar.

Ajo që bie në sy është ngjashmëria e kësaj vjedhje me atë të ndodhur në prill në aeroportin e Rinasit në Tiranë.

Këtë ngjashmëri nuk ka hezituar ta theksojë edhe CNN, që në një shkrim të saj cilëson “ Grabitësit ishin veshur si agjentë, erdhën me një mjet që ngjante me mjetet e policisë federale të Brazilit,  dyshohet se kanë pasur akses në informacionin e brendshëm rreth operacioneve të aeroportit dhe nën kërcënimin e armëve arritën të vidhnin një sasi të madhe ari që kishte një vlerë mbi 40 milionë euro.”

 Ky përshkrim është thuajse i njëjtë me ngjarjen e ndodhur në Rinas, ku “autorët ishin maskuar si policë, erdhën me një fugon me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, dyshohet se kishin informacion të brendshme në lidhej me transportin e parave dhe e gjithë vjedhja u krye në një kohë rekord në më pak se 4 minuta.”

Dy skena shumë të ngjashme grabitje, por që në atë të Rinas rezultoi me vrasjen e kreu i bandës, Admir Murataj.

Rama bën premtimin: Do rikthejmë aeroportin e Korçës

Kryeministri Edi Rama u ka premtuar banorëve në Korçë, se do të ndërtojë stadiumin “Skënderbeu” dhe do të ketë një aeroport të vogël turistik që do të ndihmojë të rrisë edhe më shumë fluksin e turistëve dhe do të plotësojë kornizën e këtij qyteti të bukur.

“Duhet të rikthejmë për Korçën aeroportin. Sot që flasim kemi një kantier në Kukës, aeroporti i Kukësit është në ndërtim. Në aeroportin e Vlorës kemi hasur disa probleme me palën tjetër megjithatë kemi avancuar dhe me padiskutim do të rifillojmë ndërtimin. Jemi në proces për të hapur rrugën për aeroportin e Sarandës. Dhe në Korçë ku uleshin avionët e vegjël në 1924, dhe ku ka një fluks turistësh që rritet, është e domosdoshme që të bëhen të paktën dy gjëra: E para një zonë e re turistike dimërore për skitë sepse mundësitë janë fantastike dhe një zonë turistike e klasit të lartë për Korçën ka ardhur koha të ndërtohet, e dyta edhe një aeroport i vogël turistik plotëson kornizën e këtij qyteti të një turizmi qytetar.” –tha Rama

TIA hap garën për kompanitë e sigurisë në aeroport

Pas ngjarjeve të ndodhura në Rinas dhe grabitja e mijëra eurove, ka bërë që Aeroporti i Rinasit të interesohet për një tjetër kompani të sigurisë së aeroporti, por këtë herë me eksperiencë ndërkombëtare.

TIA ka hapur garën duke ftuar kompani ndërkombëtare për shërbimin e sigurisë në aeroport. Në tender ftohen të marrin pjesë kompani me përvojë ndërkombëtare në fushën e sigurisë në aeroporte. TIA kërkon të lidhë kontratë 5 vjeçare me një tjetër kompani për shërbimin e sigurisë në aeroport por këtë radhë me eksperiencë ndërkombëtare. Kompania që do të përzgjidhet fituese duhet ndër të tjera të kryej edhe një sërë shërbimesh.

– Kontrollin e pasagjerëve dhe bagazheve të dorës
– Skanimi i bagazheve
– Ngarkimin e mallrave dhe postës
– Kontrollin e automjeteve në aeroport, stafin, ekipet dhe kontrollin e dokumenteve të udhëtimit
– Ruajtja dhe patrullimi i aeroportit
– Monitorimi i aeroportit përmes sistemeve të sigurisë

Gara për kompaninë e re do ta zgjas 4 javë dhe shërbimi është planifikuar të fillojë në korrik të 2019.
Pas një vlerësimi të kujdesshëm të brendshëm, TIA do të njoftojë dhe ftojë vetëm kandidatët e përzgjedhur, nëse në gjykimin e TIA-s ata e përmbushin treguesin e përvojës minimale, rreth procedurave të mëtejshme që duhet të ndiqen duke përfshirë detaje lidhur me natyrën e shërbimeve dhe kriteret në lidhje me kërkesat teknike, financiare dhe ligjore që duhet të përmbushen nga kontraktori i mundshëm.

Rama, mesazh Metës me juntë ushtarake

Presidenti Meta kërkoi informacion se ku mbështet në Kushtetutë vendimi për mbrojtjen e aeroportit me forca ushtarake, por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Rama.

Përmes një fotoje në instagram, Rama shkruan se në shumë aeroporte të botës ka prani të forcave ushtarake, ndërsa i cilësoi marrëzira të gjitha deklaratat për shkelje të Kushtetutës dhe juntë ushtarake.

“Forcat ushtarake në aeroportet e Parisit, Venecias, Frankfurtit dhe Amsterdamit, janë vendosur ashtu si në plot vende të tjera të Europës dhe botës demokratike, si reagim ndaj akteve cënuese për sigurinë e infrastrukturave aeroportuale dhe qytetarëve që i përdorin ato. Ndërkohë beretat e kuqe të policisë sonë ushtarake janë vendosur thjesht në ruajtje të perimetrit të jashtëm të sigurisë. Prandaj kush flet për shkelje kushtetute, gjendje lufte, juntë ushtarake e marrëzira të tjera si këto, le të gjejë ndonjë arsye tjetër për të treguar se sa shumë i dhimbsen Kushtetuta dhe standardet demokratike” – shkruan Rama, bashkëngjitur fotos nga forcat e sigurisë në aeroportet ndërkombëtare.

Pak kohë më parë presidenti Ilir Meta deklaroi se ishte gati të sakrifikonte, nga dorëzimi i mandatit si President deri tek “sakrifikimi i jetës si Salvador Alende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas”.

“Kjo gjë nuk i takon Presidentit”. Xhaçka i përgjigjet Metës

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka folur nga Rinasi për vendimin që ushtria të garantojë sigurinë e aeroportit, ku edhe i ka kthyer përgjigje presidentit, Ilir Meta.

Sipas saj presidenti i Republikës do të marrë informacionin e duhur, por vendimi nuk është në kompetencën e tij.

Në deklaratën e saj, Xhaçka ka sqaruar se nuk jemi në gjendje lufte, por për shkak se konçensionari nuk garanton dot sigurinë e aeroportit, që është një objekt i rëndësisë së veçantë, këtë gjë do ta bëjë ushtria.

“Kam ardhur në komandën e Forcave të Armatosura për të marrë informacion dhe për të parë gjërat që po planifikohen deri në masat përfundimtare që do marrë kompania koncensionare. Nuk ka dislokim trupash, nuk kemi luftë, nuk kemi as emergjencë, kemi cënim të sigurisë të një objekti të rëndësisë së veçantë. Jemi të detyruar të garantojmë sigurimin e perimetrit përmes policisë ushtarake. Nuk është nevoja të evokohet Kushtetuta apo ligje të ndryshme. Prioriteti  ynë është sigurimi i qytetarëve”, tha Xhaçka.

“Asesi kjo gjë nuk i takon Presidentit, kompetencat i ka dikush tjetër. Jemi këtu për të parë zbatimin e Ligjit”, sqaroi ministrja.

Pak më parë presidenti Meta i ka kërkuar informacion Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA se ku është bazuar në kushtetutë vendimi për ruajtjen e aeroportit me forca ushtarake.

Skip to toolbar