Bllokohet aeroporti i Prishtinës? Sindikata njofton grevë pa afat

AKTUALITET


Sindikata e punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP) ka paralajmëruar grevë të përgjithshme dhe pa afat që nis ditën e dielë për shkak se ende nuk janë përmbushur këkesat e punëtorëve për pagesa më të mira për orët e punës.

Gjatë tre ditëve të kaluara punëtorët e aeroportit kanë zhvilluar greva disa orëshe, ndërsa të dielën kanë njoftuar se greva do të jetë e përgjithshme dhe pa afat deri në plotësimin e kërkesave. Ky njoftim paralajmëron bllokim të punës në aeroport çka do të sjellë edhe bllokim të fluturimeve në rast se palët nuk do të gjejnë kompromis deri një dielën.


“Të dashur kolegë, edhe pas tre ditëve greve menaxhmenti nuk ka reflektuar pozitivisht ndaj kërkesave tona, ndaj konsiderojmë se rruga jone drejt realizimit të tyre duhet të vazhdojë.

Fakt është sepse ne nuk kemi pasur te drejte ligjore që ta vazhdojmë grevën për arsye se është dashur te lajmërohej 72 ore me herët, sepse është obligim ligjor dhe ne si sindikaliste jemi çdoherë ne respektim te ligjshmërisë.

Kuvendi, me date 21.08.2019 ka vendosur se greva do te vazhdoje ditën e diel, duke filluar nga ora 7:00 dhe do te vazhdoje deri ne realizimin e kërkesave tona te ligjshme”, njofton sindikata e aeroportit Adem Jashari në Prishtinë.

Punëtorët e aeroportit kërkojnë kompensim për rrezikshmërinë në punë, pagesa të njëjta për përshkrimin e njejtë të punës, ngritja e pagave, pagesë për përvojën e punës, pagesë shtesë për punën gjatë fundjavës si dhe pagesë shtesë për ushqimin gjatë punës.

Të mërkurën, në ditën e tretë të grevës, janë anuluar tri fluturime, ai për në Zurich, ai për Dusseldorf dhe ai për Stuttgart. Nëse deri të dielën palët nuk arrijnë në kompromis parashikohen anulime të shumta fluturimesh çka sjell bllokim të aeroportit dhe kosto të lartë financiare.




Skip to toolbar