Pas publikimit të shkresës së Prokurorisë së
Përgjithshme nga Partia Demokratike, ku vërtetohej se Agim Kajmaku ishte i njëjti
person me shtetasin Jorgo Toto, i arrestuar dhe hetuar në Greqi, Realstory.al mësoi
se e njëjta shkresë e Prokurorisë ka mbërritur dhe në Komisionin Qendror të
Zgjedhjeve. Tashmë, pritet që KQZ të mblidhet për të marrë një vendim në lidhje
me z.Kajmaku, i cili më herët ka herdhur poshtë akuzat se ishte i dënuar apo
hetuar në shtetin fqinj. Ndërkohë, Realstory.al tentoi të kontaktonte
kryebashkiakun e Vorës për të marrë një prononcim prej tij në lidhje me
verifikimin e Prokurorisë së Përgjithshme, por ai nuk u përgjigj.
Ndërkohë, në shkresën e publikuar nga Partia
Demokratike, sipas Prokurorisë, “Zyra Qendrore e Kombëtare e INTERPOL Tiranës,
me shkresën Nr. 10709/6, datë 24/09/2019; ka sqaruar se nga informacioni i
marrë nga zyra homologe INTERPOL Athinë rezulton se nga krahasimi i gjurmëve të
gishtërinjve të shtetasit Agim Kajmaku, me gjurmët e gishtërinjve që ndodhen në
databazen e të dhënave kriminale në Greqi ka përputhshmëri të plotë me ato të
shtetasit Jorgo Toto”, thuhej në këtë shkresë.
Gjithashtu theksohej se “se subjekti Agim
Kajmaku ka pasur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal
në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor penal në zhvillim. Kjo,
sepse ai është arrestuar, në flagrancë dhe ka dalë para gjykatës greke ku është
bërë e ditur e gjithë procedura që do të ndiqej ndaj tij”, thuhet në shkresë.
Në këto kushte, Agim Kajmaku është subjekt i ligjit të Dekriminalizimit. Sipas ligjit për dekriminalizimin, pasqyrimi i të dhënave të rreme në formularin e vetëdeklarimit, i cili plotësohet nga kandidatët për kryetar bashkie, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim sipas nenit 190 të Kodit Penal”. Ndërkohë, Neni 190 i Kodit Penal flet pikërisht për falsifikimin e formularëve dhe në pikën 1 të tij deklarohet se falsifikimi i tyre dënohet nga 6 muaj deri në 4 vite burg.
Pak pasi Partia Demokratike publikoi letrën e
Prokurorisë së Përgjithshme, ku vërtetohej se personi Agim Kajmaku ishte i njëjti
me Jorgo Toton, reagoi kryebashkiaku i Vorës, që akuzohet për deklarim të rremë
në formularin e vetëdeklarimit. Me anë të një shkrese zyrtare, Agim Kajmaku i
drejtohet Prokurores së Përgjithshme Arta Marku, duke sqaruar se nuk kishte
dijeni për procesin gjyqësor në ngarkim të tij që zhvillohej në Greqi. Kajmaku
sqaron në letër, se pasi ishte informuar nga media për hetimet ndaj tij, ai
kishte kërkuar nga Gjykata e Janinës informacion në lidhje me këtë çështje.
“Si subjekt i interesuar menjëherë jam paraqitur pranë autoriteteve përkatëse greke dhe kam kërkuar informacion lidhur me pretendimet e mësipërme. Nga informacionet e marra ka rezultuar se në ngarkim ekzistonte një çështje penale e pezulluar nga autoritetet përkatëse të distriktit të Artës, Greqi, lidhur me një ngjarje të datës 13 janar 2003, për të cilën unë nuk kam patur dijeni më parë. Me kërkesën time nëpërmjet përfaqësuesit ligjor është kërkuar heqja e pezullimit, vënia në lëvizje e kësaj çështje dhe dërgimi i saj për gjykim pranë gjykatës kompetente përkatëse. Mbi këtë bazë çështja është gjykuar nga Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda Janinë, e cila në pëfundim të këtij hetimi ka vendosur në datë 12 shtator 2019 shpalljen të pafajshëm të të akuzuarit për aktin e vënies në qarkullim të monedhave të falsifikuara që pretendohet se është kryer në Arta, Greqi datë 13 janar 2003”, shkruan Kajmaku.
Ndërkohë, lidhur me mospasqyrimin e të dhënave
të sakta në “Formularin e Vetëdeklarimit”, Agim Kajmaku shprehet se kjo gjë ka
ndodhur për shkak të mospasjes dijeni për çështjen. “Lidhur me mospasqyrimin e
të dhënave të sakta në “Formularin e Vetëdeklarimit” të fakteve lidhur me ndonjë
masë sigurimi ose urdhër kërkimi ndaj personit tim sqaroj se një gjë e tillë ka
ndodhur për shkak të mungesës së plotë të dijenisë time lidhur me fakte të
tilla sikundër del edhe nga përmbajtja e shkurtimit të vendimit duke qenë se i
gjithë procesi hetimor është zhvilluar në mungesën time. Në dijeninë time
ngjarja e vitit 2003 është trajtuar administrativisht nga ana e autoriteteve
policore greke dhe çdo gjë ka përfunduar aty pa u përfshirë ndonjë autoritet gjyqësor”,
shprehet Agim Kajmaku, duke pretenduar se në ngarkim të tij nuk pati kurrë proces
gjyqësor, të paktën në dijeninë e tij.
Megjithatë, Prokuroria e Përgjithshme pretendon të kundërtën. Në shkresën e saj, thuhet se Kajmaku “nga verifikimet e kryera konfirmohet se subjekti Agim Kajmaku ka patur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor penal në zhvillim. Kjo, sepse ai është arrestuar në flagrancë dhe ka dalë para gjykatës greke ku i është bërë e ditur e gjithë procedura që do ndiqet ndaj tij. Nga ana tjetër rezulton se subjekti ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti para autoriteteve shqiptare, duke ndryshuar në datë 30.03.2004 emër/mbiemër nga “Jorgo Toto” në “Agim Kajmaku”, si dhe duke mos e deklaruar këtë fakt në Formularin e Vetëdeklarimit”, thuhet në shkresën e Prokurorisë.
/Realstory.al/