UEFA njoftoi të premten se Presidenti i saj, Aleksandër Ceferin do të marrë pjesë në ndeshjen e parë të Shqipërisë në Arenën Kombëtare ditën e diele. 17 Nëntori do të përfaqësojë një moment historik për futbollin shqiptar me Arenën Kombëtare në Tiranë, stadiumi i ri i caktuar për zhvillimin e ndeshjes së parë zyrtare, ndërkohë që pritësit mirëpresin me entuziazëm kampionët e Kupës së Botës, Francën.
Stadiumi, me një kapacitet prej 21.690 personash, do të jetë stadiumi më i madh në vend dhe do t’u japë tifozëve të futbollit, si të klubeve ashtu edhe të kombëtares, mundësinë për të parë ndeshjet në një mjedis modern. Përurimi zyrtar i stadiumit ka tejkaluar imagjinatën e mbështetësve të futbollit në të gjithë vendin, me biletat që u shitën me shpejtësi brenda pak ditëve.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin do të jetë një nga të ftuarit e nderit për ndeshjen e parë zyrtare të Arenës, dhe ai shprehet i lumtur që Tirana tashmë ka një stadium që publiku shqiptar e meriton vërtet.
“Në mënyrë që fubollit të mbetet popullor dhe të tërheqë sa me shumë të rinj në stadiume, është e domosdoshme që tifozët të kenë mundësinë që ti shikojnë ndeshjet në një ambjent të sigurtë dhe të rehatshëm. Stadiumi Air Albania është një xhevahir i vërtetë dhe do të doja t’i shprehja përgëzimet e mia Federatës Shqiptare të Futbollit dhe aktorëve të tjerë që janë përfshirë në mbikëqyrjen dhe përfundimin e kësaj arene të mrekullueshme” u shpreh Z. Čeferin.
“Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm si brenda dhe jashtë fushës në drejtim të zhvillimit të futbollit. Tashmë të rinjtë në të gjithë vendin mund të ëndërrojnë që një ditë të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë stadium të mrekullueshëm”, shton më tej Cerfin, citohet nga deklarata e UEFA.
Gjatë viteve të fundit, “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçi” në Shkodër janë rikonstruktuar plotësisht dhe kanë pritur ekipin kombëtar. Ndërkohë, stadiumi “Zeqir Ymeri” në Kukës është duke u rikonstruktuar, sipas projektit të financuar bashkërisht nga FSHF dhe UEFA, nën udhëheqjen e organit drejtues evropian të futbollit që mbulon pothuajse 50% të kostove totale që vijnë nga programi i ndihmës HatTrick i UEFA-s.
“Ndeshja e së dielës do të jetë një moment historik për futbollin në Shqipëri, pasi më në fund mbështetësit nga i gjithë vendi do të mund të ndjekin Kombëtaren tonë të luajë në një arenë fantastike dhe moderne. Do të dëshiroja të shprehja mirënjohjen time ndaj UEFA-s për mbështetjen financiare që ata kanë dhënë si edhe për mbikëqyrjen e projektit, duke na ofruar ekspertizë tejet të vlefshme”, tha presidenti i FSHF dhe njëkohësisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Armand Duka.