Dosja e pronave, Lala: Nëse hetohet, prek politikën në nivele të larta

Gazetarja e News 24, bëri një deklaratë të fortë në “Real Story”, duke u shprehur se nëse SPAK do të hetojë atentatin e prokurorit Arjan Ndoja, do të hapet “Kutia e Pandorës”. Sipas saj, ngjarja e Durrësit ka trembur politikanë të niveleve të larta, të cilët kanë përfituar prona në bregdetin e Durrësit.

“Nëse SPAK do e hetojë këtë ngjarje, unë besoj se do ketë zyrtarë të lartë që do ndëshkohen deri në majat e politikës. Përfitues të këtyre pronave që ka përfituar ky personazhi, janë prona që kanë kaluar në duar të dyta e të treta, ka vila të ndërtuara, ka biznesmenë, politikanë, ka resorte që janë duke u ndërtuar atje. Hapja e kësaj “Kutie të Pandorës”, realisht po tremb politikën dhe biznesin në këtë vend. Kam parë një lloj reaksioni. Nën zë njerëzit më kanë thënë; mirë bëri që ndodhi kjo ngjarje, se na kanë rrahur dhe na kanë marë pronat”, tha gazetarja.

Sipas saj, nëse do të ketë një prokuror që do të hetojë deri në fund këtë dosje, do të ketë dënime në nivele të larta. “Nëse do ketë një prokuror që do e çoj deri në fund, mendoj se të ndëshkuarit do jenë në nivele shumë të larta. Nuk bëhet fjalë për këtë qeveri apo atë të shkuarën, por për 29 vite. Kjo nuk është vetëm histori e Durrësit, por e gjithë bregdetit. Ata kriminel që japin para për fushatat, çfarë presin të nesërmen, presin benefite nga pushteti. Ky i famshmi ka vëllain drejtor të postës së Durrësit. Është vjedhur posta e prokurisë, është vjedhur pikërisht për një nga këto dosjet”, tha ndër të tjera Klodiana Lala.

Këtë mendim e përforcoi gazetari Alfred Peza, i cili shkoi më tej, duke shtuar se dalja nga sistemi e opiztës ishte për të bllokuar reformën në drejtësi. “Trembja e politikës kishte lidhje me atë që ndodhi para 30 qershorit. Dalja nga sistemi ishte për bllokimin e sistemit të drejtësisë. Ishte zyrtari i DASH, që erdhi që ofroi garanci për ngritjen e SPAK. Një nga kushtet që ka vendosur SHBA për klasën politike në Shqipëri, është mbështetja pa kushte e reformës në drejtësi. Deri tani nuk e kemi. Mungesa e mbështetjes tregon frikën e politikës ndaj reformës në drejtësi. Por e kanë të kotë, brenda këtij muaji ngrihet SPAK dhe institucionet e tjera”, tha Peza./Realstory.al/

Peza: Rasti Ndoja, shëmbëlltyra e lidhjes së krimit me drejtësinë

Gazetari Alfred Peza deklaroi në “Real Story” se rasti i atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja tregon lidhjet e botës së errët të krimit me sistemin e drejtësisë. Ai solli në vëmendje faktin, se deri më tani, Vettingu largoi nga sistemi i drejtësisë 60% të prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë paraqitur në proces.

“Rasti i atentatit tregon sesi njerëzit e drejtësisë kanë lidhje me krimin. Kjo mund t’i ndodhte çdo prokurori. Mesa duket ka qenë aq e shpeshtë raporti mes prokurorit dhe njerëzve kriminalë sa ky ishte prokuror i paralajmëruar, për faktin se marrëdhëniet drejtësi – krim janë kaq të tmerrshme. Kjo është edhe arsyeja pse po bëhet vettingu, për të shembur këtë drejtësi të kalbur. Rezulton se 60 për qind që nuk kanë kaluar vettingun, që do të thotë se kanë lidhje kriminalë. Një nga kriteret është edhe ajo që nuk duhet të rrijë me një person që rri me kriminalë”, tha Peza.

Më tej, Alfred Peza deklaroi se Kryeministri Edi Rama tha të vërtetën në lidhje me implikimin e prokurorit Arjan Ndoja me botën e krimit. “Edi Rama tha se prokurori i Durrësit është shëmbëlltyra e drejtësisë me krimin e organizuar. Dhe doli se drejtësia ka lidhje me krimin. Kryeministri tha vetëm këtë të drejtë. Është kapur një përfaqësues i drejtësisë në një makinë me një përfaqësues të krimit të organizuar”, deklaroi Peza./Realstory.al/

Atentati ndaj prokurorit, Qafoku: Duhet një megaproces hetimor

Gazetari Roland Qafoku deklaroi në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se rasti i atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, mund të shërbejë për të nisur një proces rrënjësor të hetimit të lidhjes së krimit të organizuar me sistemin e drejtësisë. Ai përmendi rastin e dy simboleve të drejtësisë italiane, që u vranë nga mafia në Siçili, Borselino dhe Falcone. Sipas Qafokut edhe në Shqipëri duhet të nis një proces rrënjësor.

“Edhe sikur prokuroria dhe policia ta zbardhnin këtë ngjarje, asnjëherë nuk do jetë zbardhur plotësisht se brenda kësaj ngjarjeje ka dhjetëra ngjarje të tjera apo skandale, apo abuzime që lidhen me pronat, shitje, blerje, falsifikime në zonën e Durrësit. Pra, edhe në qoftë se do kemi një konkluzion final të policisë kriminale dhe të prokurorisë së Krimeve të Rënda që i zbuluam autorët dhe me shumë mundësi nesër pritet një lloj deklarate, nga të dhënat dhe informacionet që unë kam dy personat e shoqëruar deri më tani janë duke u verifikuar dhe duke u krahasuar të gjitha shenjat që kanë lënë”.

“Pra edhe nëse do kemi konkluzion final që ky është autori apo këta janë 2 autorët asnjëherë ngjarja nuk do jetë e zbardhur plotësisht. Brenda kësaj ngjarjeje ka disa ngjarje të tjera që lidhen me pronat me shitjen e blerjen. Me lidhjet e përfaqësuesve të shtetit me pjesën kriminale që funksionojnë në qytetin e Durrësit. Kjo ka nevojë për një megaproces si ai Falcone dhe Boreslino në Itali. Shteti asnjëherë nuk është marrë seriozisht për të hetuar krimet në qytetin e Durrësit”, deklaroi Qafoku./Realstory.al/

Sokol Balla: Të gjithë bashkë, në një makinë

Nuk ka përkufizim më të saktë të Shqipërisë dhe të situatës së drejtësisë dhe raportit të saj të sëmurë me politikën, sesa ngjarja e të premtes në plazhin e Durrësit, kur një mjet i prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, po me pasagjer jo vetëm atë, por edhe një personazh të botës së errët, u godit me armë, në një atentat mesa duket të mirëmenduar, po ku pati vetëm të plagosur dhe shumë dilema të lëna pas. Prokurori akuzohej pak javë më parë nga qeveria për bashkëpunim me kriminelë për tjetërsim pronash, ndërsa personazhi tjetër akuzohet nga opozita, po për tjetërsim pronash, në kurriz të një biznesnmeni të madh të huaj, të dhunuar, si pasojë më pas i larguar nga Shqipëria.

Në këto kushte është thuajse e pamundur të kuptosh, nëse atentati kishte për qëllim të njëjtë sulmi të dy, secilin veç e veç apo të dy bashkë. Eshtë e pamundur shkencërisht të provosh nëse prokurori u godit pasi u ekspozua nga sulmi i kryeministrit dhe zëvendësit të tij, apo nëse u godit pasi akuzat ndaj tij janë të vërteta. Sa për bashkëudhëtarin e tij, nga mënyra sesi atentati është zhvilluar, duket se ai mund të ketë qenë objektivi i vërtetë, dhe kjo sigurisht s`ka lidhje me ekspozimin që mund t`i ketë bërë opozita, sesa me aktivitetin e tij të larmishëm në kronikën e zezë. Por e frikshme ama është të mendosh, se autorët nuk janë shqetësuar të ruajnë shënjestrën, dhe kanë goditur të gjithë. Çka të shtyn të mendosh se prokurori është quajtur në rastin më të mirë një dëm anësor i parëndësishëm, ose edhe më keq: i konsideruar me indiferencë pjesë e një larjeje hesapesh në parim, mes vjedhësve të mëdhenj të  pronave.

Ajo çka e rëndon situatën, janë veprime të tjera para kësaj ngjarjeje, që vejnë fokusin dhe njëherë në tokat e gjera të ultësirës mes Durrësit dhe Ishmit, pronësia e të cilave nuk u zgjidh kurrë dhe si e tillë u la në dorë të bandave dhe drejtësisë së korruptuar dhe përfundoi në rastin më të mirë, në toka për mbjellje hashashi dhe aeropista të sajuara për trafik kanabisi. Vetëm pak ditë para atentatit gjyqtarja e durrësit Joana Qeleshi, autorja e vendimit të gjykatës që ka ngjallur sherrin mes personazhit të errët që udhëtonte me prokurorin dhe një pale tjetër në fshatin Draç të Ishmit, dha dorëheqjen dhe u fut në punësim privat. Sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Sikur asgjë të mos ndodhte pak ditë më vonë, sigurisht edhe si pasojë e atij vendimi. A është ky shembulli më i fundit i aktivitetit kriminal më të organizuar në vend, dhe a kishte të drejtë Adriatik Llalla, kur e quante Durrësin kryeqytetin e krimit të organizuar në vend?

Mesa duket po. Dhe e pamë dhe e përjetuam të gjithë, kur u mor vesh atentati ndaj makinës së Ndojit. Krimi, Drejtësia, Politika: të gjithë në një makinë. Me emëruesin e përbashkët: Vjedhjen. Tjetërsimin. Grabitjen. Në emër të Ligjit, por edhe me forcën e Armëve. Lajmi i mirë i vetëm është së paku Vettingu do të kursejë shpenzime në shqyrtimin e Ndojit. Siç vetë e ka pranuar, me personazhin në makinë e lidhte njohje e vjetër dhe kaq mjafton, që ai të shkarkohet. Lajmi i keq është se Adriatik Llalla paska pasur të drejtë dhe se Vettingu nuk do mjaftojë për të shpleksur një lëmsh interesash, që nuk dihet akoma se ku e ka lidhur cepin e tij të parë. /Realstory.al/

Kallashnikovët te makina e braktisur, u përdorën ndaj prokurorit Ndoja

Detaje të reja zbardhen nga hetimet për atentatin mafioz në drejtim të prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja dhe dy personave të tjerë që ndodheshin në makinë, shoferi Andi Maloku dhe miku i tij Aleksandër Laho, person me precedent penal i njohur dhe me nofkën “Rrumi”.

Nga analizimi i armëve të gjetura në makinën e autorëve të braktisur në Shkafanë të Ishmit, u pa se ka një përputhje të madhe me armët e përdorura në vendngjarje ku u qëllua ndaj prokurorit Ndoja. Ekspertët balistik thanë se ka përputhje të lartë ndërmjet gëzhojave të gjetura në vendin e atentatit dhe armëve të sekuestruara në automjetin e braktisur nga autorët në Ishëm. Madje është bërë edhe një krahasim i dytë për të hequr çdo dyshim duke analizuar përputhshmërinë e gjilpërës së automatikut Kallashnikov model 56 dhe shenjës së lënë në kapsollën e gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes. Sipas ABC News, policia ka kryer edhe analizimin e gjurmëve papilare që janë gjetur në shishen e benzinës, me të cilën do të digjnin mjetin, por edhe fijeve të flokut të gjetura në makinë, në maskat e përdorura etj.

Nëpërmjet analizave të AND-së, Laboratori i Policisë Shkencore do bëjë një krahasim edhe me arkivat e Interpolit, për profilin gjenetik të autorëve, të cilët mund të rezultojnë të dënuar në vendet e Bashkimit Europian.

Makina “Mercedes Benz” me targa AA 342 LM ishte vjedhur në Tiranë dy javë më parë, dhe është burimi i provave më të mëdha për prokurorët, ku fatmirësisht autorët nuk arritën dot në kohë t’i shkatërronin.

Dritëhijet në 15 vjet të një prokurori, që priste vettingun

Arjan Ndoja, prokurori që mbeti i plagosur gjatë atentatit të së premtes, nuk është një emër që lindi rishtazi pas deklaratës së kryeministrit Rama për KÇK, i cili për hir të së vërtetës, nuk ia përmendi emrin, por që një ditë më vonë, ia publikoi zëvendëskryeministri Braçe. Historia e prokurorit Ndoja dhe dritëhijet për të nisin shumë më herët, rreth 15 vjet më parë.

Arjan Ndoja ka punuar nga viti 2001 deri në vitin 2004 si prokuror. Në vitin 2004, prokurori Arjan Ndoja u shkarkua nga detyra nga Dhori Sollaku dhe në atë kohë, sipas deklarimit të pasurisë, ka deklaruar vetëm pagën e tij prej 75 mijë lekësh dhe të bashkëshortes së tij prej 20 mijë lekësh dhe asnjë lloj biznesi apo të ardhure tjetër, ndërkohë që në vitin 2008 ai zotëron një pasuri prej 780 mijë eurosh, një pjesë e të cilave e shndërruar në suita banimi në Tiranë dhe në Lezhë, lokale në zonën turistike të Shëngjinit dhe në makina luksoze.

Një shumëfishim i tillë i pasurisë brenda një kohe kaq të shkurtër, është i pabesueshëm edhe sikur prokurori Ndoja të ketë fituar ndonjë lotari. Është më tepër se qesharak fakti që ai deklaron se ka mundur të vendosë këtë pasuri duke punuar si avokat, ndërsa rezulton se një punë të tillë e ka deklaruar pranë organeve tatimore vetëm për një periudhë 3 mujore.

Por le t’i marrim faktet me radhë. Pas shkarkimit në 2004, Ndoja hap një betejë ligjore për t’u rikthyer në detyrë, betejë që e fiton në vitin 2007 dhe në vitin 2008 riemërohet prokuror në Durrës, ku vazhdon detyrën edhe sot. Por me marrjen e detyrës, atij iu desh të deklaronte dhe një herë pasurinë. Pas katër vitesh, ai deklaron një pasuri që arrinte në total 780 mijë euro, ndërkohë që kolegët e tij dhe të gjithë shqiptarët janë të vetëdijshëm se një gjë e tillë është krejtësisht e pamundur. Edhe në vitin 2008, të ardhurat e të gjithë anëtarëve të familjes së prokurorit me një matematikë të thjeshtë nuk do ta justifikonin shumën e konsiderueshme prej 750 mijë eurosh që ai zotëron, edhe nëse do të mblidheshin për një periudhë njëshekullore. Por, përveç kësaj, rezulton se Ndoja ka punuar si avokat në punë të zezë ose i paregjistruar që nga viti 2004 kur u shkarkua nga detyra, deri në vitin 2006 kur është regjistruar si subjekt.

Gjatë gjithë kësaj kohe për të cilin ai pretendon se ka mundur të grumbullojë shumën prej 750 mijë eurosh, ai ka shmangur taksat, duke konsumuar në këtë mënyrë veprën penale të evazionit fiskal. Për këtë në vitin 2008, pati edhe një hetim, i cili nisi pas një ankese të bërë nga një qytetar, i cili quhet Kadri Voga dhe rezulton se është babai i Edmond Vogës. Ky i fundit për disa vite ka punuar si shofer i prokurorit Ndoja, ndërsa i ati pretendonte se para se Ndoja të rikthehej në prokurori, kishte kërkuar që i biri të firmoste me të një kontratë fiktive për një borxh rreth 70 mijë euro. Megjithatë, kjo kontratë fiktive solli një sherr të madh në familje dhe babai me të birin nuk folën për disa vite. Kadri Voga vijoi betejën gjyqësore që ta rrëzonte këtë kontratë fiktive, sipas të cilës nëse nuk kthente borxhin i biri, Ndoja do të përfitonte gjysmën e një lokali, që ndodhet në zonën e Krujës.

Voga e humbi betejën ligjore për kontratën, por me disa lëvizje, prokurori kaloi në pronësi, jo vetëm gjysmën e lokalit, por të gjithin. Këtu nisi një tjetër betejë ligjore, e cila ka vijuar deri në fund të vitit 2018, kur prokurori Ndoja ndjeu aromën e vettingut. Në fund të këtij viti, pas disa vitesh gjyqe, ai vendos që lokalin, për të cilin kishte luftuar me vite të tëra, t’ia dhuronte djalit të Kadri Vogës, i cili llogaritet në një vlerë 150 mijë euro në total.

Megjithatë, sërish duket se llogaritë e tij nuk dalin për të kaluar vettingun, veç denoncimeve të bëra për evazion fiskal, ai pati edhe një konflikt me avokatin Ilia Ilia, për të cilin ka përfunduar në gjyq Edmond Voga, ish shoferi i prokurorit dhe tashmë pronari i lokalit, ndërsa prokurori vazhdon të jetë nën hetim. Mosdeklarimi dhe mosjustifikimi i të ardhurave, që sipas hetimeve të mbyllura në vitin 2008, nuk përbënin vepër penale, me reformën në drejtësi dhe me procesin e vettingut përbëjnë një provë të pakontestueshme për shkarkimin e tij.

Ndërkaq, sikur të mos kishin mjaftuar këto probleme me pasurinë, tashmë atij i është shtuar edhe problemi me pastërtinë e figurës, duke pasur parasysh se me kë shoqërohej pikërisht të premten, kur iu bë atentat, me një person me precedentë penalë.

Dhe pikërisht duke parë këtë të shkuar vetëm me disa fakte që tashmë dihen edhe nga kolegët e Ndojës, lind natyrshëm pyetja, a ishte atentat ndaj një prokurori?

Atentati ndaj prokurorit, shoqërohet një person në polici

Policia shoqëri një person që dyshohet se është i përfshirë në ngjarjen e tre ditëve më parë, ku prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja iu bë atentat. Ndonëse Policia e Shtetit nuk ka dhënë informacione zyrtare, raportohet se personi i shoqërur është nga Fushë Kruja.

Shoqërimi i tij është bërë pas provave të mbledhura në vendin e ngjarjes por dhe në mjetin e lënë në Shkafanë të Durrësit, që dyshohet se ishe i autorëve të atentatit ku mbeti i plagosur prokurori Arjan Ndoja, shoferi i tij Andi Maloku dhe personi i njohur si “i forti i Sukthit”, Landi Muharremi.

Natën që ndodhi ngjarja në mbikalimin e Shkozetit në Durrës, policia gjeti pak orë më pas një mjet tip Benz në fshatin Shkafanë. Brenda mjetit u gjendën dy armë zjarri kallashnikov, dy maska dhe dy shishe benzinë, që dyshohet se do të përdoreshin për djegien e mjetit.

Megjithatë, autorët nuk e dogjën makinën dhe provat brenda saj, duke i dhënë mundësi grupit hetimor që të grumbullojë fije floku dhe gjurmë gishtash që mund të hedhin dritë mbi autorët e ngjarjes së rëndë në Durrës.

Megjithatë, grupi hetimor është skeptik lidhur me këtë fakt, pasi dyshon se mjeti mund të mos jetë djegur qëllimish për ë shpërqëndruar grupin hetimor. Hetimet për atentatin ndaj Prokurorit Arjan Ndoja janë duke u drejtuar nga prokurorët Martini dhe Hajdarmataj në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Zbardhet skema e atentatit, një makinë tjetër u sigurua që prokurori u vra

Atentati ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoja, i cili udhëtonte së bashku me shoferin e tij Andi Maloku dhe i “forti” i Sukthit, Landi Muharremi i njohur dhe si “Rrumi” ka qenë i mirëmenduar ku disa persona bashkëpunuan që autorët të humbasin gjurmët.

Prita ishte ngritur te mbikalimi i Shkozetit 3 km larg vendit nga ku Ndoja hëngri drekën në një restorant në zonën e Plazhit, ndërsa autorët e ruanin gjatë gjithë kohës. Sipas ABC News, prokurori Ndoja pasi u ngrit nga restoranti përshkoi rrugën duke u larguar drejt unazës së qytetit për të hyrë në autostradë në drejtim të Tiranës. Autorët përdorën dy automjete gjatë sulmit, ku njëri është përdorur për të ulur shpejtësinë e mjetit udhëtonte prokurori. Më pas nga mjeti tip Mercedez Benz, dy persona gjuajtën me kallashnikov. Drejtimi i tyre ishte në ndenjësen e parë, ku ishte ulur Ndoj, ndërsa në pjesën prapa makinës ndodhej personi me precedent kriminal Landi Muharremi i njohur me nofkën “Rrumi”.

Dëshmitarët okular thanë në polici se pak çaste pasi u krye atentati, afër vendit të ngjarjes ndaloi një automjet tip “Skoda”, për t’u siguruar se objektivi ishte eliminuar. Ekspertët e kriminalistikës dyshojnë se, autorët janë mbështetur edhe nga persona të tjerë për t’u larguar dhe të humbur gjurmët.

Megjithatë autorët lanë shumë prova materiale pas, që pritet të ndihmojnë prokurorët në zbardhjen e ngjarjes dhe autorëve.

Atentati ndaj prokurorit, dinamika, pistat e hetimit dhe detajet e sulmit

Atentati me kallashnikov ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja zgjati jo më shumë se 60 sekonda në zonën e mbikalimit të Shkozetit. Në fuoristradën e prokurorit ndodhej shoferi i tij Andi Maloku dhe i “forti” i Sukthit, Landi Muharremi, ku të tre mbetën të plagosur gjatë sulmit me armë. Gjendja e Malokut është e rëndë dhe ndodhet në Tiranë për trajtim të specializuar, ndërsa prokurori Ndoja dhe personi me precedent penal i njohur si “i forti” i Sukthit Muharremi ndodhen jashtë rreziku për jetën.

Dy prokurorët, Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj nga Krimet e Rënda, po hetojnë atentatin në 4 pista të ndryshme. Ata e kanë përqendruar hetimin në pistën e konflikteve personale të personave si Ndoja, Muharremi apo Maloku; atentat për shkak të detyrës së prokurorit; përplasje të grupeve kriminale; konfliktet për pronat.

Vetë Ndoja ka dëshmuar se nuk është ai objektiv i sulmit, pasi nuk ka asnjë konflikt dhe ka refuzuar kategorikisht që të lidhë atentatin për shkak të detyrës së tij. Ndoja ka thënë se ka qenë duke drekuar në një restorant në Durrës kur në tryezë më pas janë ulur edhe Maloku dhe Muharremi.

Kam qenë duke drekuar në një restorant. Erdhi Maloku e Muharremi e një tjetër dhe janë ulur në restorant. Më pas u nisëm drejt Tiranës. Nëse do të më adresoheshin mua, nuk kishin arsye të më vrisnin në autostradë. Mua mund të më vrisnin në derë të shtëpisë, në prokurori. Nuk ka arsyeje që të më sulmonin në autostradë”, ka dëshmuar Ndoja para kolegëve të tij që po hetojnë çështjen. Ndërsa Landi Muharremi nuk ka dhënë ende dëshminë e tij pasi plumbi e ka prekur në zonën e nofullës.

Autorët e atentatit patën nën vëzhgim shënjestrën e tyre gjatë gjithë paradites së të premtes dhe ndoqën çdo lëvizje të prokurorit derisa hapën zjarr me breshëri plumbash ndaj makinës së tij. Pamjet filmike në zonë tregojnë se në atentat ishin dy makina, ku njëra i preu rrugën makinës së Ndojës dhe tjetra hapi zjarr me breshëri kallashnikovi. Pamjet filmike fiksuan automjetin që ndjek nga pas në një distancë të shkurtër fuoristradën e prokurorit dhe më pas ecën paralelisht me makinën e Ndojës , e parakalon në anën e kundërt dhe hap zjarr. Ishin manovrat e shoferit Andi Maloku, që iu shpëtuan jetën Ndojës dhe Lahos, i cili spostoi makinë drejt një kanali, 20 metra larg vendit të sulmit. Në vendin e ngjarjes u gjetën 20 plumba, 6 prej të cilëve depërtuan makinë, duke plagosur 3 personat brenda.

Autorët, të pajisur me maska dhe armë, u larguan nga rruga e Ishmit, duke shmangur rrugët që monitorohen nga kamera sigurie apo bizneseve rrotull. Një nga makinat e autorëve tip “Benz”, ngjyrë gri me targa AA342 LM u gjet në Ishëm e pa djegur. Kjo ndodhi pasi një banorë i zonës aty iu foli autorëve duke thënë ‘se çfarë po bëjnë’. Kjo bëri që autorët të largohen me shpejtësi dhe të lënë brenda makinës gjurmë të shumta që do të ndihmojnë prokurorët të zbardhin autorët dhe ngjarjen e rëndë. Targa e makinës së autorëve, AA342 LM është e vjedhur në një qytet tjetër të Shqipërisë. Brenda automjetit të autorëve, u gjetën 9 gëzhoja, dy automatikë kallashnikov dhe një pistoletë 9 mm, 2 maska dhe 2 shishe benzinë. Këto prova janë dhe shpresa më e madhe e prokurorisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Prokuroria thotë se atentati ka qenë i porositur dhe autorët dyshohet se janë vrasës me pagesë, nga veriu i vendit ose nga Kosova. Mbi 20 persona u shoqëruan në lidhje me zbulimin e detajeve mbi atentatin, mes tyre dhe anëtari i bandës së Lul Berishës, Julian Meçe, i cili u përfshi në një atentat në muajin qershor. Meçe u pyet nga grupi hetimor, si person që mund të ketë dijeni për rrethanat e ngjarjes dhe më pas u la i lirë.

Sulmi ndaj prokurorit, gjendet mjeti dhe dy armët e atentatit

Sipas gazetës Tema, policia gjeti makinën që dyshohet se është përdorur në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Makina është gjetur e padjegur në fshatin Shkafanë në Ishëm, ku ndryshe nga ngjarje të mëparshme kriminale, ajo nuk është djegur.

Po sipas gazetës, brenda makinës tip Benz me ngjyrë gri dhe targa të falsifikuara, janë gjetur dy armë automatike AK47 dhe dy maska, gjë që të bën të dyshosh se kanë qenë dy persona.

Autorët, duket se për shkak të nxitimit nuk e kanë djegur mjetin, që dyshohet se është përdorur në atentatin ndaj Arjan Ndoja dhe dy personave të tjerë. Targat e makinës dyshohet se janë të falsifikuara. Policia ende nuk ka dhënë detaje për emra konkretë lidhur me ngjarjen.

Prokurori Arjan Ndoja ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa u vizitua në spital nga drejtues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë së Shtetit, të cilët po punojnë për kapjen e autorëve.

Ndërkohë, Aleksnadër Laho (Landi Muharremi) ndodhet ende në sallën e operacionit për shkak të plagëve të marra, por dhe ai raportohet se është jashtë rrezikut për jetën. I vetmi që mbeet në rrezik për ejtën është shoferi i prokurorit, Andi Maloku, i cili ka marrë një plumb në shtyllën kurrizore.

Skip to toolbar