Patozi: Secili ka zgjedhur 21 janarin e vet

Ish deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi, me anë të një statusi në Facebook ka komentuar ngjarjet historike të 21 janarit ndër vite, duke sjellë në kujtesë çdo 21 Janar që ka lënë gjurmë në histori, ndërsa ka vënë theksin se secili ka zgjedhur 21 janarin e vet.

Patozi shkruan se kjo klasë politike edhe pas 100 vitesh e turpëron misionin historik dhe të rëndësishëm për vendin që pati Kongresi i Lushnjës, ndërsa në lidhje me vdekjen e Ibrahim Rugovës, Patozi cilëosn se edhe kur përkujtohet dhe vlerësohet figura e tij, nuk harrohet të sulmohet edhe armiku i sotëm, një deklaratë që lidhem me ish kryeministrin Sali Berisha, i cili gjatë përkujtimit të vdekjes së Rugovës, nuk harroi të sulmojë kryeministrin Rama “si vegël të Beogradit në Tiranë”. Për Patozin asnjë nga këto përkujtime nuk janë bërë për të respektuar vlerat, por për të sulmuar dhe përplasur historinë në fytyrë kundërshtarit të tyre.

“Secili ka zgjedhur 21 janarin e vet, jo për të respektuar vlerat dhe parimet që mbron, por për t’ia përplasur historinë në fytyrë kundërshtarit. Madje edhe kur flitet për një vdekje të qetë në shtrat si ajo e themeluesit të shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova, sërish kihet parasysh armiku i sotëm.
Do të mjaftonte kjo ndarje preferencash përkujtimore dhe rrëfimet diametralisht të kundërta të “veteranëve” për ta ndjerë veten të turpëruar si shqiptarë. Në këtë ditë krenaria për Kongresin e Lushnjës do të kishte kuptim vetëm për nxënësit e fillores, sepse gjithë të tjerët do ta krahasonin automatikisht me parlamentin e sotëm dhe do të ulnin kokën.

100 vjet janë tmerrësisht shumë për të mos nxënë se në një vend normal patriotët dhe tradhtarët nuk e emërojnë vetë njëri-tjetrin dhe se engjëjt apo djajtë e kulluar nuk ekzistojnë.
Por mbi të gjitha, se askush nuk do të gjykohet nga ato që thotë për veten dhe për ata që ka përballë, por vetëm për atë që ka bërë për popullin e vet. Dhe kjo vlen për 21 janarin dhe për çdo datë tjetër me të kuqe apo me të zezë të kalendarit tonë. Koha ikën shpejt dhe ajo është gjithmonë e pamëshirshme për gënjeshtarët” shkruan Patozi.

“Pakti nuk ndryshon asgjë”, Patozi: Opozita ka 6.5 vite e pa përfaqësuar

Astrit Patozi i Bindjes Demokratike e cilësoi uljen në një tryezë të PS-PD-LSI dhe Rudina Hajdarit që përfaqëson opozitën parlamentare një lajm të mirë dhe pozitiv për vendin, por shtoi se pas kësaj ka një të keqe të madhe, “ajo për të mos ndryshuar asgjë nga sistemi zgjedhor”. I ftuar në emisionin “Real Story” në News 24, Patozi tha se këto forca duhet të uleshin shumë më parë dhe pa pasur një bilanc kaq tragjik nga pas, si djegia e mandateve dhe molotovët e hedhur nga opozita. Patozi tha se ato e kishin më të lehtë të uleshin kur ishin të gjithë në parlament, madje mes tyre mund të arrini gjithçka, por zgjodhën ta bëni atë pas një viti, ku tryezës iu shtuar edhe Rudina Hajdari.

Çdo gjë që ndodh mes PS dhe PD prek të gjithë shoqërinë shqiptare dhe të ardhmen e saj. Unë e përshëndes dhe e cilësoj një lajm pozitiv që ata u ulën. Do doja të kishte ndodhur më parë pa djegien e mandatave dhe molotovët. Kjo ishte një ko0sto e madhe për demokratët, pasi Bylykbashi dhe Damiani ulur ishin para se të digjeshin mandatet dhe e vetmja shtesë është Rudina Hajdari” u shpreh Patozi.

Patozi tha se bilanci i kësaj tryeze ishte i frikshëm, pasi opozita i dha një mandat politik PS 6.5 vite pa përfaqësim, 2.5 vite në parlament dhe 4 vite të plota pa përfaqësimi lokal. Megjithatë ai shtoi se ulja në këtë tryezë u bë pikërisht për të mos ndryshuar asgjë nga sistemi zgjedhor.

Nëse kjo quhet fitore nga opozita nuk di çfarë të them, por më mua është humbje kohe diskutimi i saj. Sot njerëzit janë më të qetë pasi mund të thonë lirshëm se “shqiptarët po merren vesh si njerëz”. Lajmi i keq është se ata janë ulur për të mos ndryshuar asgjë nga ky sistem zgjedhor” tha Patozi.

Patozi: Shiko Kosovën sot, për të kuptuar Shqipërinë nesër

Nga Astrit Patozi

Kosova votoi qartësisht për ndryshimin, por zgjedhjet po harrohen që kur u mbajtën dhe vendi ende nuk po e ka qeverinë e re. Tashmë euforia triumfaliste e çasteve të para, plot me patos patriotik dhe entuziazëm futurist, i ka lënë vendin kalkulimeve të rëndomta pragmatiste, por edhe shndërrimi gradual i poezisë në prozë nuk duket se po ndihmon shumë.

Uroj shumë që zgjidhja të gjendet sa më shpejt, mundësisht në ditët e mbetura të këtij viti, ndonëse shenjat nuk janë shumë të mira. Ndërkohë, edhe me kaq sa po ndodh, ne të gjithë e kemi marrë të plotë mesazhin.

Është shembulli më elokuent për të parë dhe kuptuar se e keqja ka shkuar shumë larg në këto viset tona arbnore. Ku, me sa duket, edhe vullneti i shprehur pastër i sovranit, është i pamjaftueshëm për ta shkundur nga rrënjët statuskuonë. Që do të thotë se ai mund të plotësohet vetëm atëherë, kur nuk bie ndesh me interesat dhe me llogaritë e politikës së vjetër ballkanike.

Në Kosovë sot gati sa nuk po thonë që nuk duhet të ndryshojë politika nga vota e popullit, por vullneti i këtij të fundit duhet korrigjuar që të përshtatet me hallet e udhëheqësve të vet. Aq e fortë dhe këmbëngulëse është rezistenca për të mos lëshuar asnjë centimetër nga llogoret e politikës arkaike, edhe pse ajo është përgjegjëse për të gjitha dështimet dhe mossukseset e shtetit më të ri të Europës.

E pra, e gjitha kjo po ndodh në Kosovë, pas një palë zgjedhjesh çliruese, të cilat u panë gjerësisht që mund të shërbenin si frymëzim edhe për të tjerët. Përfytyro çfarë bëhet në këtë Shqipërinë tonë të lodhur, ku nuk ndjehet të fryjë as edhe një fllad i lehtë për të konsumuar qoftë edhe aktin e parë të ndryshimit: për të pasur zgjedhje normale dhe të pakontestuara, që prodhojnë një rezultat ndëshkues për politikanët e korruptuar.

Në Tiranë sot flitet për gjithçka tjetër, përveçse për një reformë të thellë zgjedhore, e cila ishte, jo vetëm një nga kushtet e forta të Bundestagut për Shqipërinë, por do të ishte edhe parakushti themelor për të shpresuar realisht se mund të kishim zgjedhje normale në vitin 2021 (sepse këtë gjoja kërkesën e ndonjë opozitari për zgjedhje të parakohshme nuk e besoj fare).

Qofsha i gabuar, por nuk kam as më të voglën pritshmëri për një reformë apo marrëveshje të qenësishme, që do të hapte një kapitull të ri për shtetin e së drejtës dhe të rendit demokratik në këtë vend. Sepse e shikoj dhe ndjej që nuk ka asnjë grimë vullneti për të prishur qetësinë e sistemit të kalbur të kryetarokracisë, i cili shërben si gjenerator për korrupsionin, arrogancën, padrejtësinë dhe abuzimin e frikshëm me pushtetin në Shqipëri.

Sot ka më shumë vlerë dhe merr më shumë vëmendje debati për fituesen e Festivalit të Këngës në RTSH apo rrahjen e Laert Vasilit, sesa perspektiva tmerrësisht e zymtë e Republikës sonë, e cila edhe kështu siç është, mezi po mbahet në këmbë.

Të më falin patriotët e xhindosur në të dy anët e kufirit nga Mini-Shengeni Ballkanik, por edhe nëse ai është realisht një problem, jam i bindur se do të kishte qenë gabimi më i vogël i Edi Ramës dhe i kësaj qeverie në këtë kohë qameti dhe tërmeti për Shqipërinë.

Ndaj edhe më vjen të qesh kur dëgjoj dhe lexoj optimistë romantikë, të cilët i tregojnë publikut ëndrrat e tyre me një Shqipëri të lulëzuar, që po lind gërmadhash, herë duke e lidhur këtë me mrekullitë që do të ndodhin pas ngritjes së SPAK-ut, e herë me vendime që janë marrë në kancelaritë më të fuqishme të botës për të shpëtuar shqiptarët nga pengmarrësit e tyre.

Shihni Kosovën sot për ta kuptuar më mirë Shqipërinë nesër! Atje, edhe pse e kanë bërë gjysmën e rrugës, çfarë nuk po heqin për të dalë në breg (gjithmonë nëse do t’ia dalin). Ndërkohë ne jemi ende shumë larg hallit të tyre, sepse nuk kemi bërë as hapin e parë, të paktën për të shpresuar në zgjedhje të pranueshme, që mund të sillnin ndryshimin.

Patozi: Për të pasur një Shqipëri më të mirë duhet një “tërmet” tjetër

Nga Astrit Patozi

Për disa ditë me radhë, që pas mëngjesit të 26 nëntorit, Shqipëria realisht ngriu si me telekomandë. U ndaluan si me magji vrasjet, vjedhjet, sherret banale, jo vetëm ato të politikës, madje edhe aksidente automobilistike pothuajse nuk pati.

Gati po krijohej iluzioni sikur shoqëria kishte nisur të reflektonte pozitivisht ndaj dobësive të veta për shkak të tragjedisë së madhe, që shkaktoi tërmeti. Saqë e kishte frymëzuar me të drejtë ndoshta edhe Mustafa Nanon, i cili në një monolog të tijin ia blatonte këtë efekt solidaritetit, që u shfaq ndër shqiptarët në respekt të atyre që u goditën më fort prej fatkeqësisë.

Por koha rrodhi shpejt dhe ja ku jemi sot. Të gjithë duket se janë rikthyer në jetën “normale”, me të njëtin përkushtim dhe me të njëjtin ritëm si më parë. Në lajmet e kronikës së zezë kanë shpërthyer sërish krimet e zakonshme, me gjak dhe pa gjak, në rrugë janë shtuar aksidentet, ndërkohë që politika është pozicionuar me të njëtin pasion në llogoret e vjetra.

Me sa duket ajo stepje e përkohshme e instikteve dhe veseve të kësaj nahisë sonë për pak ditë nuk ka pasur shumë lidhje me ndonjë shpërthim të papritur humanizmi, por ka qenë thjesht efekt i ndjenjës kolektive të frikës. Janë nga ato çaste të rralla, kur njeriu tkurret nga pafuqia e vet për të ndaluar apo parashikuar forcën e natyrës ose të Plotfuqishmit. Por deri këtu, sepse harresa pastaj bën punën e vet.

Ndaj edhe është e kotë të presim mrekullli të gjata, që mund të lindin prej gërmadhave të fatkeqësive. Sepse ligjet e natyrës dhe ligjet e shoqërisë janë të ndara.

Tërmeti i 26 nëntorit është e sigurt që do t’i bëjë më të forta dhe më të sigurta shtëpitë dhe pallatet e shqiptarëve në të ardhmen.

Por që ky vend të bëhet më i mirë, më i pakorruptuar, më i drejtë, më i lirë dhe më demokratik ka nevojë për tërmet të një lloji tjetër.

Referendumi Metës, Patozi: Nuk ka burrë nëne të pres i pashqetësuar të hënën

Nga Astrit Patozi

Presidenti i Republikës duhet falenderuar sinqerisht që na e dha pushim deri të hënën, me gjithë situatën dramatike, që po kalon Shqipëria, pas ngjarjeve politike të fundit. Por problemi qëndron se ne e kemi të pamundur të jetojmë dhe të flemë të pashqetësuar, kur na thuhet se kushtetuta është në rrezik.

Deri tani, gjestit qetësues të Presidentit, që shkoi të hante hurma të papara Elbasani për weekend, i është përgjigjur vetëm Lulzim Basha, i cili ka një javë që ka ikur nga Shqipëria dhe ende nuk ka njoftim se kur do të kthehet. Nuk thotë kot fjala e urtë popullore se “miku i mirë njihet në ditë të vështira”.

Gjithë ne të tjerët jemi duke vrarë mendjen se cila do të jetë zgjidhja vendimtare për shpëtimin e kushtetutës dhe nuk ka burrë nëne që të presë i qetë deri të hënën. Që do të thotë se po na mbeten në fyt hurmat e Elbasanit, sado të buta dhe të shijshme qofshin.

E para, se kemi hallin si do të shkojmë deri tek referendumi, pasi në kushtet kur secili shqiptar ka një kushtetutë të vetën, te cilën e lexon dhe e interpreton si t’i dojë kokrra e qejfit, kemi frikë se e drejta do t’i takojë në fund atij që ka në dorë shkopin e policit.

Por edhe po ta zëmë se e kaluam me sukses pengesën e parë, mbetet problem i madh se cila do të jetë pyetja e referendumit, në mënyrë që populli të marrë realisht fatet e veta në dorë për të shpëtuar një herë e mirë nga përdhuesit e brendshëm dhe nga “palaçot” ndërkombëtarë, që i kanë nxirë jetën për 30 vjet rresht.

Ndaj edhe do të ishte më mirë një fund i tmerrshëm sot, sesa një tmerr pa fund, deri të hënën. Unë për vete jam që tani me Presidentin e Republikës, pa e pritur fare të hënën, i cili thotë se e keqja kryesore për Shqipërinë filloi me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës.

Mbetet vetëm që të pres dy ditë të tjera thjesht për të parë se si do të formulohet pyetja magjike, që do t’i kthejë Shqipërisë sovranitetin dhe lirinë e munguar, pas kaq e kaq përpjekjesh dhe sakrificash të heronjve dhe dëshmorëve të saj në kohën e demokracisë.

Patozi ironizon “dekretin” e Metës: Tani dhe Basha të bëjë një Gjykatë…

Vendimi i presidentit Ilir Meta për të dekretuar Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese duke krijuar kështu një ngërç për funksionimin e kësaj gjykate, ka sjellë reagimin e Astrit Patozit, i cili ironizon “dekretin” e tij të fundit. Patozi cilëson se vendi nga dy vite mungesë të Gjykatës Kushtetuese, sot “për të mbrojtur interesin publik” nuk do ketë një po dy Gjykata Kushtetuese, një të Metës dhe të Ramës. Madje ai nuk kursen ironitë ku shprehet që të krijojnë edhe një të tretë për Lulzim Bashën.

Hahaha. Çfarë shteti qesharak! Kishim dy vjet pa Gjykatë Kushtetuese fare, kurse tani, me sa duket, do të kemi dy të tilla njëherësh. Njërën, sipas Edi Ramës, dhe tjetrën, sipas Ilir Metës. E sigurt është se që të dyja po ngrihen për të mbrojtur interesin publik, ndaj dhe protagonistët duhen falenderuar me gjithë zemër për kontributin dhe sakrificën.

Problemi i vetëm që ka dalë është se pse të mos kishim edhe një Gjykatë Kushtetuese tjetër, sipas Lulzim Bashës. Me këtë rast, ekuilibri do të ishte i plotë, por edhe suksesi i garantuar’ shkruan Patozi.

Presidenti Meta dekretoi të mërkurën si anëtare të re të Gjykatës Kushtetuese Marsida Xhaferllarin jashtë çdo afat ligjor dhe një anëtare që ishte jashtë liste. Ndërkohë që për të njëjtën vakancë sipas ligjit të Gjykatës Kushtetuese është emëruar në mënyrë automatike Arta Vorpsi, pas përfundimit të afatit kohor 30 ditor.

Patozi: Kosova, na bën të ndihemi të turpëruar

Nga Astrit Patozi

Kosova zgjodhi dje qartësisht ndryshimin, më shumë se sa rotacionin politik. Sepse nuk votoi thjesht opozitën, por mbi të gjitha shpresën se dikush tjetër mund të jetë më i mirë se qeveria. Ndryshimi dhe rotacioni janë dy gjëra të ndryshme, të cilat jo gjithmonë mund të shkojnë bashkë me njëra-tjetrën. Shqiptarët e Kosovës vendosën dje të qeverisen prej atyre që ditën të ndryshojnë edhe duke qenë në opozitë. Në përmbajtje dhe në formë dhe kjo ka ndodhur me të dyja partitë fituese. Ndaj edhe jo rastësisht ato u shpërblyen.

Kjo vlen të kuptohet prej të gjithë atyre që mendojnë se për të fituar mjafton të jesh e keqja më e vogël dhe thjesht ke nevojë për durimin e caktuar në pritje të radhës. Që do të thotë se për të mundur patjetër qeverinë duhet të përgatitesh për të sjellë ndryshimin dhe jo thjesht rotacionin. Sepse nuk është aspak çudi që, duke pritur që ajo të rrëzohet vetë, të mos arrish as njërën nga të dyja.

Në fakt, jemi e njëjta racë dhe i njëjti popull. Me të njëjtat virtyte dhe vese, me të njëjtën ADN dhe predispozitë genetike, dhe natyrisht me të njëjtët heronj dhe tradhtarë. Madje po të krahasoheshim me një familje, Kosova do të kishte qenë vëllai i vogël dhe më i përvuajturi nga fati historik. Prej të cilit me të drejtë do të kërkohej dhe pritej që gjithmonë ta mbante kokën e kthyer nga shteti amë për t’u orientuar drejt.

Por sot na bën të ndjehemi të turpëruar, kur shikojmë se me çfarë qetësie dhe pjekurie përjetohen dhe kapërcehen zgjedhjet në anën tjetër të kufirit, që ndan shqiptarët me njëri-tjetrin. Ndërkohë, që në këtë nahinë tonë ne nuk biem dakord as të përcaktojmë rregullat për të hyrë në garë, se për rezultatin nuk bëhet fjalë fare të merremi vesh. Dhe pyetja është se kush e bën diferencën. Mos u lodhni kot të gjeni arsye të mëdha gjeopolitike dhe as ndonjë mallkim të lashtë perëndish, që na ka veçuar, jo vetëm nga Europa, ku duam të shkojmë, por edhe prej Kosovës sonë.

It’s the system, stupid! Është thjesht sistemi i gabuar politik, i cili në Shqipëri praktikisht i ka dhënë të gjitha provat se ka falimentuar. Ndërkohë që, jo vetëm mbrëmë, nga Prishtina ke pasur mundësi të shohësh, se si modeli i duhur funksion dhe prodhon demokraci e maturi politike për t’u marrë shembull.

Ndaj edhe jemi katandisur në një shtet gjysmagjel, ku nga njëra anë, qeveria nuk po di çfarë të bëjë me një mbipushtet, që i ka mbetur në dorë, dhe nga ana tjetër, opozita e vetëpërjashtuar, që nuk po di si të rikthehet aty ku e ka vendin.

Dhe megjithë këtë krizë të pashembullt, që po gërryen çdo ditë shoqërinë, nuk shihet ende asnjë shenje serioze se mund të ketë ndonjë reflektim. Ndaj edhe sot të gjithë flasin me krenari për Kosovën, duke treguar me gisht kundërshtarin e vet në Tiranë, të cilit i faturojnë me lehtësi të admirueshme shkaqet dhe përgjegjësitë e kësaj ngecjeje spektakolare.

Kjo është arsyeja se përse sot në Shqipëri nuk ka nevojë të lodhesh shumë për ta kërkuar Albin Kurtin. Sepse atë e gjen menjëherë, jo vetëm në të gjitha partititë tona politike, por edhe në kioskat e vogla të lagjeve periferike, ku konsumohet raki me qofte. Puna është se është e pamundur t’i gjesh, edhe po t’i kërkosh me qiri, Kadri Veselin dhe Ramush Hajredinajn, sepse ata nuk ekzistojnë. Sepse në këtë vend është më e lehtë të humbasësh gjithmonë, sesa ta pranosh humbjen qoftë edhe vetëm një herë.

Patozi: Një sqarim për idjotët e Lulit

Organi zyrtar i Partisë Demokratike, “Rilindja Demokratike”, në një artikull të saj,  shkruante se “Rama shpërblen shërbëtorin Patozi, i jep zyra dhe palestër”. Ndaj këtij artikulli, reagoi kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi. “Një sqarim i detyruar dhe shterrues për të gjithë idjotët e Lulit”, e nis shkrimin e tij në Facebook Patozi. Më tej, ai konfirmon se, po, Qeveria i ka dhënë zyrat, por, Astrit Patozi shkruan se ky është detyrim ligjor që buron nga ligji “Për partitë politike”.

“Pa as më të voglën dëshirë, por në respekt të publikut, që bombardohet pa mëshirë me marrëzi politike dhe me fake news, jo vetëm në rastin tërmeteve, sqarojmë si më poshtë: Pajisja me seli në Tiranë e Bindjes Demokratike është një detyrim ligjor i qeverisë së Republikës së Shqipërisë, i cili buron nga ligji “Për partitë politike”. Që do të thotë se mospajisja do të kishte qenë shkelje flagrante e këtij ligji. I vetmi “nder” që na ka bërë qeveria e Edi Ramës është se na ka dhënë një ambjent, që nuk na pëlqen fare, në një zonë gjithashtu të papërshtatshme të periferisë së kryeqytetit, dhe për më tepër me disa muaj vonesë, që nga momenti kur na kishte lindur e drejta, sipas ligjit”, shkruan Patozi.

Më tej, Patozi bën dhe një paralelizëm për fondet që merr PD nga buxheti i shtetit, përcaktuar në ligj. Sipas kreut të  BD, nëse do ndiqej “logjika e idjotëve të Lulit, edhe fondet që marrin partitë nga buxheti do quheshin “dhurat”.

“Në rast se do të ndiqnim logjikën e idjotëve të Lulit, që e paskan trajtuar si një “dhuratë” të Edi Ramës, ne duhet të konsideronim të tillë edhe çdo fond nga buxheti i shtetit, që merr Partia Demokratike apo çdo forcë tjetër politike, sipas ligjit. Meqë marrokët e Lulit po thonë se ky është ngë privilegj i qeverisë për Bindjen Demokratike, ne ftojmë çdo subjekt politik, që shkon me mendjen e tyre dhe që ka një seli në Tiranë, të vijë e t’i ndërrojmë kokë për kokë zyrat, duke filluar nga nesër, po të duan”, shkruan Patozi.

Në fund, ai sqaron se ambientet e punës së Bindjes Demokratike, do të vijojnë të mbetet shtetërore, ndërsa “thumbon” dhe kreun e PD, kur shprehet se “as kemi ndërmend që të ndërtojmë ndonjë pallat të paligjshëm, të cilin edhe po na e prishën, mund të na e dëmshpërblejë pastaj qeveria me miliona euro”.

“Ambjentet e punës së Bindjes Demokratike do të vijojnë të mbeten pronë shtetërore edhe pasi ne të vendosemi atje. Ato, as i marrim dot me vete në shtëpi, dhe as kemi ndërmend që të ndërtojmë ndonjë pallat të paligjshëm, të cilin edhe po na e prishën, mund të na e dëmshpërblejë pastaj qeveria me miliona euro. Ndaj i ftojmë idjotĕt e Lulit të mos mërziten kot, sepse aty i kanë, dhe mund të na i marrin prapë, gjithmonë, nëse do t’u vijë ndonjëherë në këtë jetë rasti, që ta kenë ata në dorë”, përfundon ai.

NJË SQARIM I DETYRUAR DHE SHTERRUES PËR TË GJITHË IDJOTËT E LULITPa as më të voglën dëshirë, por në respekt të…

Gepostet von Astrit Patozi am Samstag, 28. September 2019

Ka vetëm një mënyrë për të ‘fituar’ prej raportit të OSBE/ODIHR

Nga Astrit Patozi

Zgjedhjet e 30 qershorit ishin edhe më të këqija, se sa ato përshkruhen në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it. Dhe këtu nuk ka ndonjë gjë për t’u çuditur, sepse afro 250 vëzhgues të huaj nuk mund t’i shihnin dhe konstatonin të gjitha shkeljet në një proces zgjedhor problematik dhe tërësisht të zhbalancuar, i cili kishte nisur mbrapsht që në çastin kur disa forca kryesore politike morën vendimin për të bojkotuar. Por ky raport realist nuk të jep shumë mundësi për t’u krenuar, sepse është njësoj sikur dikush të fërkojë duart se i doli fjala që e zuri ujkun duke ngrënë, pasi më parë i kishte varur atij mëlçitë në qafë.

30 qershori është një histori për t’u harruar, si për ata, që nuk po i gëzohen dot fitores “publiçitare” të 61 bashkive, të cilët dëshmuan se i vjedhin votat edhe kur nuk kanë fare kundërshtar përballë, po ashtu edhe për të tjerët, që po thonë se kanë fituar me 85 qind, mëgjithëse nuk morën pjesë në zgjedhje fare. Raporti nuk e thotë, por e lë të nënkuptohet qartë, se të dyja palët janë pjesë e përgjegjësisë për produktin dhe rezultatin e deformuar të 30 qershorit. Natyrisht, secili mund të shkëpusë prej raportit vetëm paragrafët, që i pëlqejnë apo interesojnë, dhe kjo ka ndodhur pothuajse gjithmonë me të gjitha dokumentet ndërkombëtare për Shqipërinë.

Por kjo nuk e ndryshon fare nevojën emergjentë të vendit për të lënë pas një epokë të palavdishme dhe shumëvjeçare me zgjedhje të manipuluara për shkak të sistemit tonë politik, i cili ndodhet në fazën fundore të degradimit. Raporti OSBE/ODIHR-it është një arsye më shumë se përse kjo qeveri nuk meriton të qëndrojë asnjë ditë të vetme në pushtet, por në një vend të lirë ky objektiv arrihet vetëm përmes zgjedhjeve. Ndaj edhe ai nuk mund të shërbejë kurrësësi si një justifikim për të përligjur mospjesmarrjen në procesin e shumë debatuar të 30 qershorit, dhe aq më pak si një shtysë për teka apo trille të tjera, që mund të dalin për të shmangur apo shtyrë zgjedhjet e radhës.

Shqipëria po vuan sot pasojat e një krize të fortë përfaqësimi, të cilën 30 qershori, për shkak të kontekstit politik të paprecedent, e theksoi edhe më shumë. Dhe e vetmja rrugë për ta zgjidhur krizën politike në një vend demokratik është vota. Nëse duam që raportin e OSBE/ODIHR-it ta lexojmë me realizëm duhet të nisim që sot betejën për zgjedhje të parakohshme, sepse nuk ka më dilema për kalbëzimin e plotë të “Rilindjes”, si filozofi dhe si praktikë qeverisëse. Por, sigurisht, që zgjedhjet e reja nuk do të kishin asnjë kuptim pa një reformë të plotë dhe rrënjësore, e cila në radhë të parë duhet të çrrënjosë pushtetin absolut të kryetarëve të partive, duke mos u dhënë praktikisht asnjë mundësi njerëzve të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

Ne nuk kemi nevojë edhe për një palë zgjedhje të tjera të dështuara për t’u bindur se komisionet e votimit dhe të numërimit, duke filluar që nga KQZ-ja, nuk mund të lihen prapë në mëshirën e miilitantëve politikë dhe për këtë mjafton të lexojmë raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it. Oferta e qartë dhe e detajuar për një sistem të ri politik, që nis me zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës dhe vijon me një reformë të thellë zgjedhore, duhet të jetë hapi i parë i opozitës për t’i dhënë vendit një zgjidhje afatgjatë për këtë krizë të rëndë politike. Në rast se kjo gjë nuk ndodh, gjithkush në Shqipëri ka të drejtë të mendojë se edhe opozita është e interesuar për ta ruajtur statuskuonë e kryetarokracisë dhe se ajo thjesht po pret kohën se mbase një ditë mund të vijë në pushtet, për të gëzuar të njëtat privilegje kushtetuese dhe ligjore, të cilat prej 6 vjetësh po i keqpërdor, jo pa sukses, Edi Rama.

Patozi: Akuzat e opozitës, refrene vjeshte

Gjykatës Kushtetuese, si shpresa për të zgjidhur krizën në vend, apo krijimi i SPAK për të luftuar korrupsionin në nivele të larta, që pritet të marrin jetë këtë vjeshtë duket se nuk e kanë bindur fort kreun e Bindjes Demokratike, Astrit Patozi.

Ai nuk i ka kursyer ironitë as për qeverinë, por as akuzat e forta për opozitën jashtë parlamentit, ku sipas tij, njëra premton se do i jepet zgjidhje sistemit të kalbur të drejtësisë dhe tjetra premton se do të rrëzojë qeverinë e korruptuar duke ndenjur në rrugë.

“Këto janë refrene, që përsëriten çdo vjeshtë dhe nuk mbahen kurrë” thotë Patozi, i cili deklaron se shtatori muaji i “mrekullive” dhe premtimeve të mëdha pas çdo sezoni veror për ndryshime të mëdha politike, në fakt nuk ndodhin asnjëherë.

“Nuk mbahet mend sa vite u bënë që në vjeshtë premtohen të ndodhin zhvillime të papara politike, për të cilat flitet se do t’ia ndryshojnë si me magji faqen Shqipërisë. Ato nuk realizohen kurrë, por kjo nuk i pengon aspak fantazistët për t’ia nisur nga e para, sa herë që mbarojnë ditët e nxehta të verës.

Duke na kujtuar një melodi të vjetër të viteve të fundit të komunizmit me titullin patetik “Mirupafshim në shtator”, ndër të rrallat krijime të huaja, që konsideroheshin muzikë e parrezikshme dhe e lejuar nga regjimi i asaj kohe.”- shkruan Patozi, i cili nuk heziton të akuzojë se këto premtime bëhen nga po të njëjtat persona që në fakt janë edhe shkaktarët e vërtet të krizës, duke shënjestruar drejtpërdrejtë opozitën jo parlamentare.

“E bukura qëndron se këto ngjarje të kaq shumë ëndërruara pritet të vijnë nga të njëjtët personazhe dhe forca politike, që fajësohen dhe mbahen përgjegjëse për gjendjen dëshpëruese të vendit deri më 31 gusht.

A thua se për ta ka qenë problem stina, që na kanë sjellë peshqesh kriza dhe skandale të tilla të rënda, të cilat në çdo vend tjetër do t’i kishin hedhur në plehra disa herë të gjitha qeveritë e korruptuara, bashkë me opozitat e paafta korresponduese.”- shkruan Patozi

Skip to toolbar