Avokati Idajet Beqiri: Azem Hajdari nuk ishte planifikuar të vritej atë natë, Berisha e nxori në pritë

Avokati Izet Haxhisë, Idajet Beqiri, i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” deklaroi se Azem Hajdari nuk ishte planifikuar të vritej atë natë.

Beqiri tha se ish-kryeministri e ish-presidenti Berisha e ka nxjerrë në pritë Hajdarin.

“Azem Hajdari nuk ishte planifikuar të vritet atë ditë. Ka prova të padiskutueshme për këtë gjë. Hajdarin e nxori tjetër kush aty. Ai do thirret dëshmitar aty e do thotë. Berisha e nxori. Izet Haxhia e di të vërtetën. Ai di gjithçka si ndodhën ngjarjet.

Azem Hajdari vetë e ka drejtuar gishtin nga Sali Berisha, në prani të Muharrem Hakajt, të parit të fisit të Haklajve.  Atë ditë do kishte takim në lidhje me vrasjen e Shkëlqim Haklajt. Edhe si mbrojtje do të kërkojmë që Berisha të vijë në gjyq e të dëshmojë”, u shpreh avokati Beqiri.

Sali Berisha dëshmitar për vrasjen e Azem Hajdarit/ Gazetarja zbulon detaje: Ja për çfarë do të pyetet

Dosja e Azem Hajdarit është hapur sërish, ndërsa për të dëshmuar mbi këtë ngjarje të bujshme është thirrur edhe ish-kryeministri e ish-presidenti i vendit Sali Berisha.

Gazetarja Klodiana Lala shprehet se Berisha do të thirret të dëshmojë në këtë proces, e do të pyetet për bisedën që ka pasur me Zenel Nezën, dëshmitar kyç në ngjarje dhe ish trurpojë i Azem Hajdarit.

“Prokuroria dhe gjykata ka dhënë dënim për Izet haxhinë. Haxhia është i paraburgosur. Procesi ka nisur në procesin zero. Rezulton se Fatmir Haklaj është vrasësi, por ai është ekzekutuar dhe nuk ka përse gjykata të hyjë në këtë mes, pasi nuk ekziston personi që akuzohet.  Gjithçka ka ndodhur afër selisë së PD-së.

Zoti Berisha ka shkuar të vizitojë Zenel Nezën, truprojë i Azem Hajdarit. Ky është thelbi duhet të dihet se çfarë është diskutuar e për këtë Berisha mund të thirret për t’u pyetur. në këtë proces të ri, Prokuroria kërkon që Berisha të pyetet. Në listën e Prokurorisë janë edhe ish-deputetë të PD-së etj. Prokurori do të përpiqet të hetojë çështjen mbi bazën e prokurorëve paraardhësve”, deklaroi gazetarja Lala.

NË KËRKIM TË VAKSINAVE – NGA SOKOL BALLA

Shqipërisë i duhen vaksinat. I duhen sigurisht për pandeminë dhe qeveria thotë se do të na i sigurojë ato ndoshta brenda muajit dhjetor. Por Shqipërisë i duhen edhe vaksina të tjera. Para pandemisë, vaksina më e përfolur ishte reforma në drejtësi. Sot kjo reformë ka dhënë një rezultat fiktiv, por të rëndësishëm, që ka lidhje me një ngjarje aq të rëndësishme të 22 viteve më parë, saqë, nëse ajo zgjidhet, do të fillojë të ndajë përfundimisht politikën nga krimi. Pasi do të sqarojë nëse vrasja e Azem Hajdarit ishte thjesht një ngjarje kriminale, apo nëse ishte një atentat politik, i inskenuar me dinakëri dhe i përdorur më pas politikisht, për të thyer me arkëmortin e tij, dyert e pushtetit.

Prokuroria ka vendosur të thërrasë Sali Berishën dhe ta pyesë atë lidhur me ngjarjet e vrasjes së Azemit, në 12 shtator 1998. Do ta pyesë, pasi ditët e fundit, janë publikuar pamjet, kur ish kryeministri interviston Zenel Nezën, i vetmi i mbetur gjallë nga ai atentat, ndërsa rikuperonte në spital nga plagët e marra. Berisha shihet duke e intervistuar Nezën, i cili më pas ndihmohet të arratiset jashtë Shqipërisë e që atëherë, nuk është parë më. Por lajmi është se Sali Berisha është thirrur të dëshmojë, njëlloj si Jaho Mulosmani. I dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e Azemit, tani njëlloj, i barabartë në dëshminë e tij, si Sali Berisha. Jaho nga burgu, Saliu nga rrugica e “tij”, në Bllokun e ri të Tiranës prapa Piramidës. 20 vjet më parë Doktori i famshëm sfidonte Prokurorinë dhe tallej me hetuesit, të cilët nuk guxonin t’i shkonin as në selinë e PD, por pinin kafe te parkingu i selisë Blu. Po sot, a do ta bëjë ai këtë gjë dot? 20 vjet më parë ai shkoi dhe dorëzoi dëshminë e tij në Ambasadën Amerikane, ndërsa sot, ndoshta rastësisht, ambasadorja amerikane paralajmëroi dhe njëherë armiqtë e reformës se drejtësia e re nuk kishte më frikë prej tyre. Mesa duket vaksina e reformës po fillon e jep frytet e veta.

Njëlloj si vaksina e COVID, e cila duket për fat të keq, shpresa e vetme qqë të shpëtojmë shëndetin dhe ekonominë nga Lufta e Tretë Botërore që ka nisur që në shkurt. Gati 400 të vdekur, 200 të shtruar në spital dhe mbi 30 mijë të papunë, janë një faturë e rëndë për një vend si Shqipëria. Por a jemi ne gati për një valë të dytë infektimesh? Greva e protesta mjekësh e infermierësh, që denoncojnë sipas tyre premtime të pambajtura, një numër i madh uniformash të bardha, që mësojnë gjermanisht në vend që të hanë bukë në pushimin e drekës, nuk premtojnë një gjë të mirë apo një dimër të qetë. Menaxhimi i deritanishëm i krizës ka sigurisht bashkëpërgjegjëse edhe papërgjegjshmërinë tonë si qytetarë, por ne në 25 prill 2021, do jemi votues dhe jo të votuar. Qeveria e di mirë këtë, si di mirë se Presidenti bëri çmos, që zgjedhjet dhe fushata të jenë sa më afër, periudhës më të keqe të një vale të dytë të mundshme të pandemisë. 

Ndaj ashtu si Trump në Amerikë, edhe qeveria po sheh me ankth nga vaksina. Si shpëtimi i vetëm nga një sëmundje, që edhe brenda pafuqisë së saj dhe fuqisë së panjohur të virusit, ajo nuk na ruajti dot. Si gjithmonë, ashtu si vaksina e drejtësisë, edhe kjo e koronës do të vijë nga jashtë. Të shpresojmë që kësaj radhe, do të funksionojnë. Jemi lodhur nga dështimet!*

*EDITORIAL I LEXUAR NE FILLIM TE PUNTATES SE PERNATSHME TE REAL STORY NE NEWS24

Vrasja e Azem Hajdarit, prokuroria e Tiranës kërkon dëshmitar Sali Berishën në gjyqin ndaj Izet Haxhisë

Nis procesi ndaj Izet Haxhisë, i cili dyshohet për vrasjen e Azem Hjdarit, ish-deputetit të Partisë Demokratike.

Mësohet se Prokuroria e Tiranës kërkon thirrjen si dëshmitar të ish-kryeministrit Sali Berisha, ku Haxhia ka qenë truproja i tij si dhe i Jaho Mulosmanit.

Në 2006-n, Izet Haxhia u arrestua në Turqi, ndërsa në maj të këtij viti ai u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin me 25 vite burg që ka marrë nga të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar për bashkëpunim në vrasjen e deputetit Azem Hajdari.

Dosja e Izet Haxhisë përfundon te SPAK

Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë për dosjen e Izet Haxhisë, duke kërkuar që hetimet t`i vijojë Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas Report Tv, Prokuroria e Tiranës e ka arsyetuar vendimin duke u shprehur se “vrasja e ish-deputetit Azem Hajdari të përfaqësohet në gjyq nga Krimet e Rënda, pasi nuk është në kompetencën e tyre vrasja e një ish-deputeti”. Në fakt, dosja pritet të përfundojë në Prokurorinë e Posaçme Anti-Krimit të Organizuar dhe Anti-Korrupsion (SPAK), pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të shkrihet pas pak javësh sapo të krijohet SPAK.

Gjithashtu, me shkrirjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, do të shkrihet dhe Gjykata  e Krimeve të Rënda, e cila do të kthehet në Gjykatën e Posaçme. Izet Haxhia është një nga tre të dënuarit për vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari. Ai ka fituar të drejtën për rigjykim, ndërsa procesi për të ka nisur nga e para. Ndërkohë, atij i është rrëzuar kërkesa që vendimi përfundimtar në ngarkim të tij të jepet nga gjykatës që kanë kalur Vettingun.

Izet Haxhia ka vetëm pak muaj që është ekstraduar nga Turqia në Shqipëri, me kërkesë të drejtësisë shqiptare, pasi ishte i dënuar me 25 vite në mungesë për vrasjen e Azem Hajdarit. Tashmë pritet që kjo dosje, ashtu si shumë dosje të tjera të bujshme që presin ende drejtësi, të përfundojë në dorën e prokurorëve të SPAK, që me gjasa do të jetë gati në fillim të muajit tetor.

21 vjet nga vrasja, politikanët përkujojnë Azemin më të ndarë se kurrë

Politika është e ndarë edhe në përkujtimin dhe homazhet e mbajtura në nder të heroit të Demokracisë, Azem Hajdari. 12 shtatori shënon 21 vjetorin e vrasjes së Hajdarit, ndërsa politika ka vendosur të bëjë homazhet në nder të tij, e ndarë. Kuvendi, nën kujdesin e Gramoz Ruçit, ka zhvilluar homazhe në orën 9:00 te Varrezat e Dëshmorëve në varrin e ish deputetit Azem Hajdari, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha grupeve parlamentare. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe e bija e Azem Hajdarit, Rudina Hajdari e cila është pjesë e kuvendit të Shqipërisë. Ajo vendosi një kurore më lule tek varri të atit, ndërsa ishte e shoqëruar me deputetët e opozitës së re. Pjesë e ceremonisë përkujtimore kanë qenë edhe deputetet socialistë si Mimi Kodheli apo Vasilika Hysi.

Pak minuta më vonë në orën 09:15 ka qenë presidenti Meta që ka përkujtuar heroin e demokracinë me një kurorë me lule, por ai ka zgjedhur ta vendos tek memoriali i tij, pranë selisë së vjetër të Partisë Demokratike. Meta mbajti një fjalë të shkurtër duke e cilësuar Azem Hajdarin si liderin që solli pluralizmin politik në vend dhe se ky pluralizëm duhet të mbrohet me çdo kush.

Sot ishte një detyrim për ta nisur ditën me nderimin e kujtimit të Azem Hajdarit, të liderit të lëvizjes studentore që solli pluralizmin politik. Zgjedhjet e lira duhen të mbrohen me çdo kusht’, tha Meta shkurt për mediat duke i dhënë edhe një herë një mesazh mazhorancës se me dekretin e tij për shfuqizimin e 30 qershorit, pas të cilit ka nisur edhe një proces shkarkimi për kreun e shtetit, ka mbrojtur vendin për të mos u kthyer në diktaturë, pasi në zgjedhje garonte vetëm një parti.

Për homazhet e Azem Hajdarit duket se edhe selia blu do të ndjek një tjetër program. Demokratët me në krye Lulzim Bashën kanë zhvilluar homazhet në orën 10:00 tek memoriali i tij pranë ish selisë së PD, ku të pranishëm ishte edhe familja Hajdari së bashku me Rudina Hajdari.  Edhe pse tashmë të largët mes tyre, Basha dhe Rudina Hajdari i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit. I pranishëm në ceremoni ka qenë edhe ish lideri i PD, Sali Berisha, i cili është shfaqur i përlotur.

Pas vendosjes së kurorave te memoriali i Azem handarit, Basha tha për mediat se amaneti dhe sakrifica e tij janë shembull frymëzimi për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie europiane.

“Sot shqiptarët nderojnë Azem Hajdarin, liderin e lëvizjes studentore të ’90, që u vra mizorisht nga kriminelët e veshur me uniformën e shtetit. Amaneti dhe sakrifica e Azem Hajdarit janë përjetë shembull frymëzimi për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie europiane dhe demokratike, ku qytetarët janë zotë të fateve të tyre me një politikë të ndarë nga krimi, ku kriminelët të jenë para drejtësisë dhe pas hekurave dhe fatet e vendit të merren me përgjegjësi të plotë nga ata që shqiptarët i gjykojnë me votë të lirë dhe të ndershme. E sotmja është po kështu edhe një thirrje për bashkim mes të gjithë shqiptarëve të ndershëm, demokratëve dhe socialistëve të ndershëm që kurrë nuk e kanë pranuar politikën e lidhur me krimin dhe vjedhjen me ligj si politikën e vetme për t’u bërë bashkë për të hapur rrugën e Shqipërisë si gjithë Europa.” tha Basha

Azem Hajdari ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike, partia e parë opozitare në vend pas periudhës së diktaturës. Hajdari,  ish-udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990 është nderuar me një sërë medaljesh presidenciale dhe njihet si heroi i Demokracisë. Ai u vra në Tiranë në 1998 dhe është një nga themeluesit e  pluralizmit politik në Shqipëri. / RealStory

Skip to toolbar