21 vjet nga vrasja, politikanët përkujojnë Azemin më të ndarë se kurrë

AKTUALITET


Politika është e ndarë edhe në përkujtimin dhe homazhet e mbajtura në nder të heroit të Demokracisë, Azem Hajdari. 12 shtatori shënon 21 vjetorin e vrasjes së Hajdarit, ndërsa politika ka vendosur të bëjë homazhet në nder të tij, e ndarë. Kuvendi, nën kujdesin e Gramoz Ruçit, ka zhvilluar homazhe në orën 9:00 te Varrezat e Dëshmorëve në varrin e ish deputetit Azem Hajdari, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha grupeve parlamentare. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe e bija e Azem Hajdarit, Rudina Hajdari e cila është pjesë e kuvendit të Shqipërisë. Ajo vendosi një kurore më lule tek varri të atit, ndërsa ishte e shoqëruar me deputetët e opozitës së re. Pjesë e ceremonisë përkujtimore kanë qenë edhe deputetet socialistë si Mimi Kodheli apo Vasilika Hysi.

Pak minuta më vonë në orën 09:15 ka qenë presidenti Meta që ka përkujtuar heroin e demokracinë me një kurorë me lule, por ai ka zgjedhur ta vendos tek memoriali i tij, pranë selisë së vjetër të Partisë Demokratike. Meta mbajti një fjalë të shkurtër duke e cilësuar Azem Hajdarin si liderin që solli pluralizmin politik në vend dhe se ky pluralizëm duhet të mbrohet me çdo kush.


Sot ishte një detyrim për ta nisur ditën me nderimin e kujtimit të Azem Hajdarit, të liderit të lëvizjes studentore që solli pluralizmin politik. Zgjedhjet e lira duhen të mbrohen me çdo kusht’, tha Meta shkurt për mediat duke i dhënë edhe një herë një mesazh mazhorancës se me dekretin e tij për shfuqizimin e 30 qershorit, pas të cilit ka nisur edhe një proces shkarkimi për kreun e shtetit, ka mbrojtur vendin për të mos u kthyer në diktaturë, pasi në zgjedhje garonte vetëm një parti.

Për homazhet e Azem Hajdarit duket se edhe selia blu do të ndjek një tjetër program. Demokratët me në krye Lulzim Bashën kanë zhvilluar homazhet në orën 10:00 tek memoriali i tij pranë ish selisë së PD, ku të pranishëm ishte edhe familja Hajdari së bashku me Rudina Hajdari.  Edhe pse tashmë të largët mes tyre, Basha dhe Rudina Hajdari i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit. I pranishëm në ceremoni ka qenë edhe ish lideri i PD, Sali Berisha, i cili është shfaqur i përlotur.

Pas vendosjes së kurorave te memoriali i Azem handarit, Basha tha për mediat se amaneti dhe sakrifica e tij janë shembull frymëzimi për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie europiane.

“Sot shqiptarët nderojnë Azem Hajdarin, liderin e lëvizjes studentore të ’90, që u vra mizorisht nga kriminelët e veshur me uniformën e shtetit. Amaneti dhe sakrifica e Azem Hajdarit janë përjetë shembull frymëzimi për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie europiane dhe demokratike, ku qytetarët janë zotë të fateve të tyre me një politikë të ndarë nga krimi, ku kriminelët të jenë para drejtësisë dhe pas hekurave dhe fatet e vendit të merren me përgjegjësi të plotë nga ata që shqiptarët i gjykojnë me votë të lirë dhe të ndershme. E sotmja është po kështu edhe një thirrje për bashkim mes të gjithë shqiptarëve të ndershëm, demokratëve dhe socialistëve të ndershëm që kurrë nuk e kanë pranuar politikën e lidhur me krimin dhe vjedhjen me ligj si politikën e vetme për t’u bërë bashkë për të hapur rrugën e Shqipërisë si gjithë Europa.” tha Basha

Azem Hajdari ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike, partia e parë opozitare në vend pas periudhës së diktaturës. Hajdari,  ish-udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990 është nderuar me një sërë medaljesh presidenciale dhe njihet si heroi i Demokracisë. Ai u vra në Tiranë në 1998 dhe është një nga themeluesit e  pluralizmit politik në Shqipëri. / RealStory




Skip to toolbar