Çështja “Babale”, të martën pretenca e prokurorisë. Nën hetim dhe Salianji

Të martën në datën 10 dhjetor, Gjykata e Tiranës e ka caktuar si ditën kur Prokuroria do të duhet të japë pretencën për çështjen Xhafaj-Babale, raporton News 24. Për këtë çështje janë disa të akuzuar, mes tyre dhe ish-deputeti demokrat Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi.

Çështja e njohur si “Babale” u bë një temë e nxehtë e politikës shqiptare, duke e bërë situatën më të polarizuar, pasi opozita pretendonte se ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj kishte mbrojtur vëllanë e tij, Agron Xhafaj, të dënuar me 7 vjet e 4 muaj burg në Itali.

Pasi u publikua audio-përgjimi, Agron Xhafaj u dorëzua tek autoritetet italiane dhe është në qeli, ndërsa Prokuroria nisi paralelisht një hetim. Opozita tha se këto hetime bëhen për të mbrojtur trafikantët e drogës dhe për të kërcënuar ata që kanë kurajon të denoncojnë.

Akuza zyrtare e Prokurorisë është “kallëzim i rremë në bashkëpunim” dhe parashikon burgimin deri në 5 vjet heqje lirie për ish-deputetin Ervin Salianji, akuzuar si organizator, së bashku me gazetarin Jetmir Olldashi dhe të pandehurit Veliu dhe Alizoti.

Dosja “Babale”, dëshmon Alibeaj: S’më takon mua të bëj ekspertizën e videos

Ish deputeti Demokrat, Enkelejd Alibeaj ka dëshmuar para trupës gjyqësore në lidhje me çështjen “Babalja”. Alibeaj gjatë dëshmisë së tij thotë se e publikoi audio përgjimin bashkë me kolegët e tij, Ervin Salianji dhe Gazmend Bardhi në cilësinë e drejtorit të departamentit për rendin dhe sigurinë publike.

Edhe pse video rezultoi e pavërtetë, Alibeaj tha se nuk ishte detyra e tij të bënte ekspertizën e videos, por kishte detyrim moral politik që ta publikonte.

 Në lidhje me përfshirjen në çështjen “Babalja” dhe audio-përgjimet e publikuara do të dëshmojë edhe sekretari i Përgjithshëm i PD, Gezment Bardhi në seancat e 30 korrikut.

Procesi gjyqësor në ngarkim të të pandehurve Albert Veliu dhe Fredi Alizoti, vijon me pyetjen e  dëshmitarëve.

Skip to toolbar