Në mbledhjen e
qeverisë të zhvilluar mëngjesin e së martës, kryeministri Rama ka kërkuar që
prokuroria të nxjerrë fajtorët dhe përgjegjësit për shembjen e pallateve gjatë
tërmetit, ndërsa ka komentuar edhe propozimet e Bashës për përballimin e kësaj
situate. Rama tha se opozita është tronditur nga tërmeti dhe nuk ka fantazi në
propozimet që bën, duke i cilësuar ato, gajasje.
“Opozita që
pretendon të qeverisë vendin jo vetëm që nuk ka pranuar të ulet në tryezë për
të ballafaquar idetë dhe nëse janë më të mirat do të marrim idetë e tyre. Deri
tani jemi njohur me tre pika që do të qenkëshin zgjidhja dhe është një
komponent i gjithë ekranit të madh që dita fillon duke qarë dhe mbaron duke
qeshur. Tre pikat janë ushqim për buzëqeshje, nuk dua të them gajasje se nuk
dua të ndihen keq kolegët e opozitës. Por të thuash të mblidhen 500 inxhinierë,
po pse 500 dhe jo 600? Pika e dytë, të bëhet urgjent identifikimi i dëmeve, po
por bëhet, është bërë Durrësi si ajo lagja para OKB-së që dëgjon të gjitha
llojet e gjuhëve dhe sheh të gjitha racat. Edhe ajo pika e tretë është qamet,
të mos financohen oligarkët, vijon loja…dhe 150 milionë të mos i marrin
oligarkët. Po çfarë janë këto para, të ndalojmë kontrollin shëndetësor bazë, të
ndalojmë dializën, financimin për instrumentet mjekësore, të marrim makina
qepëse për të qepura barqe për ata që duhet të operojnë mëlçinë. Dhe t’u themi
se kemi ca të pastrehë prandaj barkun po ua hapim me gërshërë dhe qepim me
makinë qepëse. Do të ndalojmë analizat edhe të fusim edhe një sistem për të
hedhur fall për të thënë se shiko se më duket e ke diku poshtë problemin se më
del një kupë me kokë poshtë dhe se më duket se shtatzënë. Të ndalojmë edhe
kantierin e Rrugës së Arbrit. Pse sepse nuk kanë fantazi më shumë se kaq. I
mirëkuptoj se edhe ata kanë problemet e tyre nga tërmeti. I ftoj me përulësi të
vijnë në tryezë të diskutojmë për idetë”, deklaroi Rama.
Kryeministri ra
dakord me kërkesën e presidentit, se prokuroria duhet të nxjerrë fjatorët e kësaj
situate, ndërsa ironizoi justifikimet e ndërtuesve që kanë falimentuar dhe nuk
mund të kryejnë dëmet e shkaktuara nga tërmeti.
“Paralelisht sikur
e kemi diskutuar dje në Këshillin e Sigurisë të thirrur nga Presidenti, urojmë
që prokuroria të bëjë të gjithë punën e nevojshme për të identifikuar
përgjegjësitë përkatëse.
I bëj thirrje të
gjithë ndërtuesve publikisht që të mos i shmangen përgjegjësisë. Mos gënjejnë
veten se me shpresën se kjo gjë mund të kalojë pa u lagur. Disa prej tyre më
kanë çuar mesazh duke nxjerrë lloj- lloj bishtash por më ka bërë përshtypje
arsyetimi se jemi të falimentuar, të shesin shtëpitë e tyre, të marrin kredi, të bëjnë ç’të duan, por liria është më
e shtrenjtë se pasuria dhe nëse nuk reagojnë me humanizëm dhe përgjegjshmëri
mund ti humbin të dyja”, theksoi Rama.
Kryeministri
ngarkoi ministrin e Brendshëm që së bashku me policinë kriminale të përpilojë
raporte për dëmet e shkaktuara dhe listën e personave shtëpitë e të cilëve do të
riparohen.
“Ministri i
Brendshëm duhet të ndjekë edhe procesin e identifikimit dhe të vënies së
përgjegjësisë me policinë kriminale dhe të gjitha strukturat e tjera që
përfshihen. Nga institutit i ndërtimit që duhet të japë indikacionet dhe me
prokurorinë sa të jetë e mundur. Dua edhe raportin për çdo kat që është mbi
lejen e ndërtimit brenda perimetrit të emergjencës. Duhet të kemi një listë
shumë të saktë të personave që do të futen te rindërtimi. Të fillojmë të
kthejmë në shtëpi nga hotelet ata që janë nga frika dhe nuk e kanë banesën e
dëmtuar. Kujdes nga të moshuarit, nëse shikoni se nuk janë mirë, mos insistoni,
prandaj duhet edhe psikologët të japin opinionet e tyre. Ashtu sikur edhe ata
që janë të pastrehë më pare”, tha Rama.
Kryeministri më tej
vlerësoi punën e bërë nga grupet ndërkombëtare në terren për identifikimin e
godinave që kanë nevojë për riparime, ndërsa tha se edhe kancelarja gjermane
Merkel, i kishte premtuar ekspertë nga Gjermania.
“Është bërë një
punë voluminoze nga grupet e inspektimit. Grupet ndërkombëtar kanë qëndruar me
orë të zgjatura në terren duke kuptuar nevojën tonë për një intensitet të
lartë. Grupe të tjera do të vijnë sot dhe në vijim. Dje Merkel ka kërkuar edhe
nga të gjithë landet që të përfshihen në këtë operacion për të dërguar
ekspertët për të verifikuar standardet e sigurisë së godinave”, tha Rama.