“Unë do jem kryeministër Europian”, Basha: S`bëhet shtetit me parukiere e noterë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, takoi këtë të premte fermerët e “Urës Vajgurore”. Para tyre, Basha u prezantua se do të sillet si “Kryeministër europian”, kur ai të vijë në pushtet. “Kjo qeveri ka ndërtuar një mekanizëm me kriminelët që blejnë votën. Por ka edhe njerëz që e shesin votën. Unë kam për detyrë që sa herë shitet vota, keni shitur fëmijët tuaj, keni shitur gjakun tuaj, keni shitur djersën tuaj. Dhe për atë grusht mielli, grusht lekësh që shisni 4 vjet, keni shitur veten tuaj njësoj siç shiten bagëtitë në tregun e Roskovecit apo Milotit. Unë kam për detyrë t’ju them se përpara keni një alternativë europiane, një parti europiane, një kandidat për kryeministër europian që është gati t’ju ndihmoj, që di t’ju ndihmoj, që do t’ju ndihmoj, që ka vendosmërinë t’ju ndihmoj”, tha Basha.

Basha vijoi sulmet ndaj Arta Vorpsit, anëtares së Gjykatës Kushtetuese që është zgjedhur nga KED, pasi Ilir Metës i skadoi afati për plotësimin e vakancës. Basha tha se “shteti nuk bëhet me noterë dhe parukiere”. “Nuk është gjykata ime, është gjykata juaj. Me noterë e parukierë siç i tha Presidenti nuk bëhet shtet. Sot ka dy mënyra, një mënyrë është të bësh sikur bën teatër bashkë me ta dhe asgjë nuk kishin për të ndaluar. Nëse prisni të dal në duel me Ramën të zgjidh problemet, atëherë nuk kemi arritur asgjë. Unë nuk ju shkrij së qeshuri me batuta, as nuk bëj foto me Ronaldon. Unë punoj e përpiqem për ju. Ngrihuni shkoni thyejuni turinjtë atyre që vijnë për t’ju blerë votën, dhe të mos tërhiqemi për asnjë centimetër  dhe ta çojmë këtë betejë deri në fund”-tha mes tjerash, Lulzim Basha.

Më tej, Lulzim Basha shpalosi programin me 5 pika të Partisë Demokratike për fermerët. “Ndryshimet e TVSH-së do të marrin fund. Terrori për të pajisur fermerin me NIPT do të marrë fund. Fermeri do të indentifikohet me nr personal të indentifikimit. Çdo vit do të ndajmë 100 milionë euro në buxhet vetëm për t’ju subvencionuar dhe që nuk do të kalojë nëpërmjet grumbulluesve por dretpërdrejt tek fermeri në bazë të prodhimit. Në paketën tonë për arsimin e lartë do të zerohen tarifat për bachelor dhe master, bursë mbështetëse për fëmijët tuaj të cilët duan të marrin aftësi profesionale në sektorët që i shërbejnë zhvillimit rural. Aksesi i prodhimeve tuaja në treg do të jetë i garantuar. Nuk do të kletë më barriera, monopole dhe trarë të fshehur që çojnë në kalbjen e produkteve. Në infrastrukturë, siç do të rezervojmë 100 milionë euro për subvencionet, do të rezervojmë 50 milionë euro çdo vit. Ky do të jetë minimumi”, tha Basha.

Reforma Zgjedhore, katër ambasadorë trokasin në zyrën e Bashës

Katër ambasadorët, e ngarkuara me punë e SHBA-së, Leyla Moses-Ones, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, ambasadori i Britanisë, Duncan Norman dhe ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingraf zhvilluan një takim rreth 90 minuta në zyrën e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në selinë blu.

Pas takimit nuk pati prononcime për mediat, por mendohet se temë e diskutimeve mes Bashës dhe ambasadorëve të ishte reforma zgjedhore, situata politike dhe ngjarjet aktuale në vend.

Në lidhje me Reformën Zgjedhore, opozita e bashkuar zhvilloi një ditë më parë një mbledhje me grupin e saj të punës për këtë reformë për të diskutuar në lidhje me votimin dhe numërimin elektronik të votave. Pas mbledhjes Bylykbashi këmbënguli që mazhoranca duhet të shqyrtojë planin e paraqitur nga opozita me 5 pika për të ecur para me reformën zgjedhore. Ai tha gjithashtu se opozita e bashkuar ka propozime konkrete që do të shmangnin fenomenin e shit-blerjes së votës.

Basha sulmon Mini-Shengen: Propagandë anti-europiane

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha reagoi në lidhje me samitin e Ohrit, ku u diskutua në lidhje me krijimin e Shengenit Ballkanik bazuar në 4 liritë kryesore të BE, lëvizshmëria pa barriera e mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit. Për Bashën, këto deklarata të kryeministrit Rama në Ohër, nuk janë gjë tjetër vetëm propaganda anti-europiane, me të cilat ai po mundohet të zëvendësojë dështimin me negociatat dhe integrimin në BE. Basha hodhi akuza ndaj kryeministrit Rama se është përgjegjës i varfërimit dhe prapambetjes ekonomike të shqiptarëve.

Lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit është thelbi i integrimit europian dhe Europës së bashkuar. Parakushte për lëvizjen e lirë janë demokracia, sundimi i ligjit dhe garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Dështimi me integrimin europian nuk mund të zëvendësohet nga propaganda anti-europiane e një autokrati të korruptuar, shkaktar i prapambetjes ekonomike dhe varfërimit të qytetarëve shqiptarë. Ka ardhur koha që Shqipëria të nxjerrë në dritë potencialin e saj të vërtetë!” shkruan Basha.

Vetë kryeministri Rama ka hedhur poshtë të gjithë zërat se ky samit rajonal në Ohër është formë presioni ndaj Bashkimit Europian, por sqaroi se ky bashkëpunimi me vendet e rajonit nuk është plan i momenteve të fundit. Rama tha se forcimi i marrëdhënieve tregtare, ekonomike dhe lëvizshmërisë së lirë të njerëzve do i afrojë edhe më shumë drejt BE-së, si një nga prioritetet kryesore që kanë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Elisabeta Imeraj akuzon prokurorët për dosjen “Basha”: Vepruan me kokën e tyre, ka parregullsi

Dosja e hetimit për lobimin rus të kryetarit të opozitës Lulzim Basha është bllokuar në prokurorinë e Tiranës dhe nuk i është dërguar ende gjykatës. Mes tre prokurorëve të çështjes Kolë Hysenaj, Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako ka pasur debate të forta në lidhje me dosjen. Përplasjet bënë që prokurori  Kolë Hysenaj të mos e firmosë atë, si dy kolegët e tjerë Karanxha dhe Tako. Rastin e konfirmoi drejtuesja e Prokurorisë Tiranë, Elisabeta Imeraj, e cila tha se dosja ka disa parregullsi procedurale dhe për këtë nuk është dërguar ende në gjykatë. E kontaktuar nga BIRN, Imeraj akuzoi dy prokurorët Karanxha dhe Tako se janë vetë-shpallur prokurorë të çështjes dhe kanë përjashtuar kolegun e tyre Hysenaj. Madje edhe rrëzimi i akuzës për “pastrim parash” është bërë me firmën e vetëm dy prokurorëve dhe jo Kolë Hysenajt.

Për hetimin e kësaj çështje ka urdhër për ngritjen e një grupi hetimor me tre prokurorë të cilët janë: Kolë Hysenaj, Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako. Për arsye shëndetësore nuk kam qenë në punë këto ditë, por konstatoj se dy prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako kanë vendosur apriori dhe kanë marrë iniciativë të vetë-shpallen prokurorë të çështjes, duke e përjashtuar kolegun e tyre. Dosja nuk është dërguar ende në gjykatë, madje nuk është qepur ende. Patjetër që prokurorët kanë të drejtë të vendosin bazuar në ligj dhe në bindjen e tyre të brendshme, por duhet të jemi në rregull edhe nga ana procedurale,” tha Imeraj, e cila shtoi se “Prokurorët në fjalë nuk kanë njoftuar as zëvendësuesin tim gjatë këtyre ditëve që nuk kam qenë në detyrë për arsye shëndetësore.”

Për shkak të konfliktit midis prokurorëve, fati i dosjes hetimore mbetet i paqartë, i bllokuar aktualisht në   Prokurorinë e Tiranës pa një vendimmarrje finale.

Prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako firmosën vendimin për dërgimin e çështjes për gjykim për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve” nga ana e Bashës dhe dy drejtuesve të tjerë të partisë së tij, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi. Hetimet ndaj Bashës nisën në nëntor të 2017, në lidhje me pagesat për lobim të kryera nga ana e PD-së me një shumë prej 675 mijë dollarësh, para që nuk ishin deklaruar si shpenzime në bilancin që PD ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Kreu i PD Lulzim Basha i mohoi këto akuza duke deklaruar se “janë të stisura politikisht”, ndërsa ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, gjithashtu i pandehur, Arben Ristani tha se “as ka firmosur dhe as ka vulosur akte e dokumente, prandaj nuk ka si të ketë falsifikuar.”

Falsifikimi i dokumenteve sipas nenit 190/3 i Kodit Penal parashikon burg nga 3 deri në 7 vjet në rast se të pandehurit gjenden fajtorë.

Basha sqaron pse ai është kryeministri i duhur

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjatë një takimi me të rinjtë në Vlorë, renditi disa cilësi të tij për të cilat janë arsye të forta pse duhet të zgjidhet ai Kryeministër. Basha iu përgjigj pyetjes se cili është ndryshimi mes tij dhe kreut të qeverisë, Edi Rama. Ai tha se nuk ka asnjë lidhje me kriminelët dhe oligarkët, ndërsa shton se PD prej 6 vitesh po lufton kundër tyre.

“Është e vështirë të flasësh për veten, por e kam për detyrë ta shpjegoj, përderisa e kërkoj këtë përgjegjësi. E kam për detyrë t’ju them se ndryshe nga ky që qeveris sot, unë nuk kam lidhje me asnjë kriminel dhe nuk jam mbështetur kurrë tek kriminelët për pushtetin tim apo të partisë sime. Përkundrazi!

Ne kemi bërë një betejë 6-vjeçare kundër krimit dhe kemi fituar disa segmente të kësaj beteje, siç është për shembull ligji për dekriminalizimin, që ka nxjerrë shumë pushtetarë nga parlamenti, nga bashkitë.I fundit ishte ky i Vorës.

Unë nuk kam asnjë lidhje me oligarkinë. Përkundrazi! Unë dhe partia ime kemi një plan për ta  çarmatosur oligarkinë nga instrumentet me të cilat kap shtetin dhe pushtetin dhe, pastaj, vjedh dhe grabit pasuritë e shqiptarëve, siç kemi edhe është një plan për t’u marrë çdo qindarkë që i kanë marrë nga taksat tuaja dhe për t’jua rikthyer ju”, është shprehur Basha.

Në fakt këto deklarata të Bashës janë paksa kontradiktore, po të mendosh se së fundi është zhvendosur pikërisht në vilat e ndërtuara prej një oligarku, të cilin e ka akuzuar se “është i lidhur me Ramën.”

Shpëtimi i Alvinit, Basha: Lajm i mirë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përshëndeti shpëtimin e 11-vjeçarit Alvin Berisha duke e cilësuar një lajm të mirë rikthimin e tij në gjirin e familjes. Gjatë një takimi të zhvilluar me të rinjtë e Vlorës, Basha falënderoi të gjithë personat që morën pjesën në këtë operacion, veçanërisht partnerët italianë, ndërsa bëri thirrje që të bëhet gjithçka që dhe fëmijët e tjerë të nxirren nga kampet e tmerrshme ku qëndrojnë.

“Dua të shpreh kënaqësinë time personale edhe si prind për lajmin e mirë që morëm për Alvinin. Është një dramë që na ka mbajtur mbërthyer. Është drama e një djaloshi, të shkëputur nga gjiri i familjes. Dua të falenderoj nga zemra të gjithë ata që bënë të mundur, që ai të jetë i sigurt, veçanërisht autoritetet italiane, Kryqin e Kuq italian. Kjo tragjedi nuk ka mbaruar. Kemi dhjetëra fëmijë të tjerë në këto kampe. Misioni vazhdon. U bëj thirrje të gjithëve, veçanërisht partnerëve që na kanë ndihmuar deri tani, veçanërisht partnerëve italianë dhe partnerëve të tjerë, të bëjnë gjithçka për këta fëmijë, duke i nxjerrë nga ato kampe të tmerrshme. Por le ta mbyllim me diçka të mirë dhe t’i themi Alvinit, rrugë të mbarë e mirë se të kthesh në gjirin e familjes. “ tha Basha

Alvin Berisha u shpëtua falë një bashkëpunimi të ngushtë mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, ndërsa një skuadër speciale e policisë shqiptare qëndroi prej një jave në kufirin sirian në mënyrë që gjithçka të shkonte mirë për 11-vjeçarin.

Basha: Hyra në politikë që të luftoj padrejtësitë

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjatë një takimi me të rinjtë e Shkodrës, ka treguar ndër të tjera dhe arsyen se pse ai i hyri politikës. Basha tha se kur ishte student, pa shumë padrejtësi në vend, duke e motivuar që të hyjë në polikë pikërisht për t’’i luftuar ato. Madje Basha e cilësoi këtë si një nga tiparet dalluese me politikanët e tjerë.

“Ajo që më ka motivuar për të hyrë në politikë, është padrejtësia që shikoja në vend. Lufta ndaj padrejtësisë, është lajtmotivi im. Fundi i padrejtësisë, gjëja më e rëndësishme. Modeli i qeverisjes me kriminelë është modeli që duhet të rrëzojmë dhe të ndërtojmë një model normal evropian. Jam i vendosur të vazhdoj deri në fund luftën ndaj padrejtësisë që ka qenë lajtmotivi i futjes time në politikë.” tha Basha

Basha foli dhe për reformimin e shëndetësisë dhe largimin e specialistëve drejt Gjermanisë duke e lënë  vendin në një krizë të thellë për mjekë dhe infermierë. Për të bërë këtë Basha tha se do të rrisë pagat e tyre në 1200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët.

“Duhet të ndalojmë hemoragjinë e mjekëve dhe ti japim mundësinë dhe kushtet të punojnë këtu me rroga dinjitoze dhe të realizojmë të thellë në shëndetësi. Jemi në emergjencë sa i përket shëndetësisë. Kurrë nuk ka pasur kaq pak mjekë dhe infermierë për frymë Shqipëria, të paktën këto 40-50 vite.  Pra dhe në kohën e diktaturës ka pasur më shumë mjekë për frymë se sa sot. Sot jemi në nivele afrikane sepse mjekët dhe infermierët po emigrojnë drejt Gjermanisë. Ka vetëm një zgjidhje, rritja e pagave të mjekëve dhe infermierëve. Standardi i parë që do aplikojmë si qeveri do të jetë standardi i Kosovës. Rritja e parë e pagave do jetë 1200 euro për mjekët dhe 700 euro në muaj për infermierët. “ tha Basha

Basha flet për vilën luksoze: S’bëhem pjesë e kësaj loje

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha foli për herë të parë për zhvendosjen e tij në vilën luksoze të ndërtuar nga oligarku që e ka akuzuar se është  “i lidhur me Ramën”. Nga Korça, ku Basha zhvilloi një takim me të rinjtë, i cilësoi këto si gënjeshtra cinike të Ramës, duke thënë se nuk do bëhet pjesë e kësaj loje.

“Nuk ka gënjeshtër që mund të më heqë nga detyra ime. Gënjeshtrat kundër meje dhe familjes time janë një përpjekje cinike e Edi Ramës për të hequr vëmendjen nga lista e gjatë e dështimeve dhe e skandaleve të tij. Prandaj, nuk bëhem pjesë e kësaj loje. Por siç e shikoni, jam në një tur takimesh me rininë, me qytetarët për të diskutuar të vërtetën e hidhur jo gënjeshtrat e qeverisë dhe mbi të gjitha për të diskutuar rrugët e daljes, zgjidhjes nga kjo krizë”, tha Basha kur u pyet për mediat në lidhje me vilën e tij luksoze ku u zhvendos së fundmi.

Zhvendosjen e Bashës në vilë ishte vetë PD që e konfirmoi duke thënë se apartamenti në të cilin jetonte u dëmtua nga tërmeti dhe do rikonstruktohej, Në raportin e Institutit të Ndërtimit por dhe Bashkia Tiranë, tha se pallati i Bashës nuk ka pësuar dëmtime nga tërmeti i 21 shtatorit dhe se është një nga pallatet me punimet më cilësore ne Tiranë.

Basha kthen sytë nga SHBA, kërkon qeveri tranzitore

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vendosur të forcojë sërish marrëdhëniet me SHBA, një nga partnerët strategjik të Shqipërisë. Ftohja e marrëdhënieve të tyre ndodhi pas protestave të dhunshme dhe daljes jashtë institucioneve, por duket se Basha ka hedhur pas krahëve atë periudhë dhe është fokusuar në marrjen e mbështetjes së SHBA për zgjidhjen e krizës dhe forcimin e demokracisë në vend.

Gjatë një takimi që zhvilloi me drejtorin për Europën Qendrore dhe Lindore të institutit demokratik amerikan NDI, Robert Benjamin, Basha tha se me ndihmën e SHBA, Shqipëria do të forcojë demokracinë  dhe zbatimin e ligjit. Në lidhje me krizën politike, shqetësim që u nda mes dy bashkëbiseduesve, Basha deklaroi se kjo kalohet vetëm përmes zgjedhjeve të lira që do të sigurohen nga një qeveri tranzitore. Ndërsa vetëm një ditë më parë, Basha tha se zgjidhja e krizës kalon përmes zgjedhjeve të parakohshme.

Kryedemokrati shprehu shqetësim edhe për ngritjen me vonesë të institucioneve të reja të drejtësisë që do të hetojnë korrupsion dhe krimin në nivele të larta shtetërore, SPAK dhe BKH, që do godasin oligarkët dhe të korruptuarit.

Me Drejtorin për Europën Qendrore dhe Lindore të institutit demokratik amerikan NDI, z. Robert Benjamin diskutuam krizën politike në vend, zgjidhja e të cilës kalon përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Derisa të jetë anëtare e Bashkimit Europian, para zgjedhjeve Shqipëria duhet të ketë një qeveri tranzitore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këtë mënyrë do t’i pritet rruga presionit ndaj votuesve dhe ndaj administratës, keqpërdorimit të fondeve publike dhe aseteve shtetërore dhe rolit të personave me rekorde kriminale dhe grupeve kriminale. Ndarja e politikës nga krimi është jetike për votën e lirë.

Ndava shqetësimin e opozitës për vonesat në ngritjen dhe funksionimin e SPAK dhe BKH që do të hetojnë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta dhe vendosmërinë e Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar që pasuritë që ka vendi dhe potencialin e jashtëzakonshëm njerëzor ti vëmë në të mirë të qytetarëve dhe jo në funksion të një grushti pushtetarësh të korruptuar dhe oligarkësh.

Me ndihmën e çmuar të SHBA do të arrijmë ta kthejmë Shqipërinë në një demokraci funksionale dhe pasuritë e saj në zhvillim dhe mirëqenie për çdo familje shqiptare. Përfaqësuesit e Institutit Demokrat ndanë shqetësimin me të cilin po ndiqet në SHBA kriza politike në vend dhe konfirmuan gatishmërinë për të dhënë kontributin e tyre për zgjidhjen e saj dhe forcimin e demokracisë.” tha Basha

Basha: Dua zgjedhje, PS të reflektojë

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është rikthyer sërish thirrjes së tij për zgjedhje të parakohshme si e vetmja zgjidhje e krizës politike në vend. Basha tha se këto zgjedhje duhet të vijnë përmes programit të saj me 5 pika për Reformën Zgjedhore, në mënyrë që të sigurohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për Bashën kjo situatë ku një pakicë ka pushtetin absolut duhet të marrë fund. Kryedemokrati i ka bërë rritje PS të reflektojë sa nuk është vonë dhe të vendos interesat e vendit para atyre politike. Këto deklarata Basha i bëri pas takimit që pati me raportuesin e KiE.

“Zgjidhja e krizës politike, do të mundësohet prej zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Është çështje vullneti e të gjitha palëve. Opozita ka një plan me 5 pika për Reformën Zgjedhore. E kam thënë dhe dua ta përsëris që ka pasur dy qëndrime. Kështu nuk mund të vazhdohet më, duhet një zgjidhje. Por ka edhe nga ata që nuk duan ndryshim. Ata nga kjo gjendje përfitojnë nga korrupsioni për shkak të gjendjes. Dështimin me negociatat, shëndetësinë etj. e paguajnë shqiptarët. Është koha që edhe pala tjetër është në një kurs përplasjes me palën tjetër. PS të reflektojë sa nuk është vonë. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë pafund. Ndërkohë që ne përgatisim ofertën tonë për të nxjerrë vendin nga kjo krizë, të jeni të sigurt se edhe durimit të popullit po i vjen fund. Ka ardhur koha të ndërtojmë një demokraci ku çdo shqiptar të jetë aksioner. Dështimet e njëpasnjëshme të kësaj qeveri i paguajnë shqiptarët. Dështimin me ekonominë, me shëndetësinë, me punësimin. Është koha për të marrë vendimin e duhur për vendin, për të vendosur interesin e vendit mbi interesat politike. Nuk mund të vazhdojë më gjatë kështu. Sot është e rëndësishme se përse nuk zbatohet ligji, pse mbahen në dorë Babani apo Kajmaku i Vorës. Në Shqipëri nuk ka shtet ligjor. Ligji nuk është i barabartë për të gjithë. Një nënë keqtrajtohet, ndërsa pushtetarët e kapur në afera korruptive nuk iu hyn gjemb në këmbë. Kjo situatë duhet të marrë fund. Jemi të hapur për të gjithë instrumentet që garantojnë ecjen përpara”, tha Basha

PD pasi bojkoti zgjedhjet me vetëndërgjegjësim të plotë, sot kërkon që të mbahen sërish zgjedhje në mënyrë që t’i jepet fund krizës, ku ka dorë dhe vetë në krijimin e saj. Pas 30 qershorit, qëndrimi i Bashës ka ardhur duke u afruar gjithnjë e më shumë drejt rrugës institucionale si e vetmja mënyrë që opozita të bëj ndryshimin që kërkon. Pas bojkotit dhe protestave të dhunshme përgjatë 8 muajve, opozita kuptoi se kjo nuk ishte rruga për të rrëzuar qeverinë apo luftuar krimin.

Skip to toolbar