Rama, Bashës: Gabim që refuzon ftesën për tryezën

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur të dielën Lulzim Bashës, në lidhje me planin me 5 pika që kreu i PD propozoi për rimëkëmbjen e biznesit në zonat e prekura nga tërmeti. Rama shkruajti në Twitter, ku shprehej se porpozimet e Bashës për bizneset e dëmtuara në Durrës, përkojnë me propozimet e hartuara nga Kryetari i Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Arben Ahmetaj.

“Lulzim Basha, një pjesë e sugjerimeve të publikuara lidhur me bizneset e dëmtuara në Durrës, përkojnë me propozimet e hartuara nga kryetari i Komitetit Kombëtar të Rindërtimit dhe Ministrja e Financave. Por vazhdoj të them se refuzimi i tryezës së përbashkët është gabim i madh”, shkruan Rama.

Pas tërmetit të 26 nëntorit, Kryeministri Edi Rama i bëri disa herë ftesë publike Lulzim Bashës, për t`u ulur së bashku e për të diskutuar rreth masave që duhen marrë përballimin e sitautës.

Basha e ka refuzuar ftesën për t`u ulur në tryezë me kryeministrin, megjithatë, ai ka bërë propozime për përballimin e situatës. Në lidhje me rimëkëmbjen e biznesit, Basha propozoi pesë pika.

Ato kanë në thelb përjashtimin e biznesit nga pagesa e disa taksave dhe tarifave, pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore, përjashtimin nga tvsh dhe pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe ujit gjatë kohës së gjendjes së fakteqësive natyrore.

Qytetari i kërkon të ulet me Ramën, Basha: Qeveria ka detyrat e saj, ne tonat

Lulzim Basha ishte të premten në Durrës për të parë disa ngabanesat e prekura nga tërmeti. Ai u ndal në lagjen 17 në qytetin e Durrësit, ku një pallat, sipas banorëve ende nuk është vlerësuar nëse është apo jo i banueshëm. Gjatë takimeve në Durrës, një banor i kërkoi kryedemokratit të pranojë ftesën e Kryeminsitrit Edi Rama për t`u ulur së bashku dhe diskutuar rreth mundësive për përballimin e situatës emergjente. “Bashkërendohuni me pushtetin. Uluni, i lëmë ndasitë politike. Unë jam plotësisht dakord që jeni opozitë dhe keni frontet të ndara, keni vizionin tuaj. Unë jam i forcës kundërshtare me ju, dhe ju falënderoj që më dëgjon me respekt dhe të falënderoj që je këtu mes nesh”, i thotë banori Bashës.

Kush mendoni se duhet t`i riparojë pallatet e dëmtuara nga tërmeti?

Por, kryedemokrati iu përgjigj banorit duke i thënë se qeveria ka detyrat e veta, ndërsa opozita të vetat. Sipas Bashës, roli i opozitës është të përcjelli zërin dhe shqetësimet e qytetarëve. “Qeveria ka detyrat e veta, opozita ka detyrat e veta. Ju po e shikoni, ne vetëm luftë politike nuk po bëjmë. E rëndësishme është që ne të sjellim zërin dhe shqetësimet tuaja. Ky është roli ynë. Nëse ne e marrim zërin tuaj dhe e kthejmë në politikë për karriken tonë, ne bëjmë gabim. Nëse ne çojmë shqetësimin tuaj atje, ne e kemi bërë detyrën tonë, sepse po nuk e bëmë ne, nuk ka kush ta bëjë”, tha Basha.

Më tej, Basha tha se kërkoi nga qeveria që të shohet grupi i inxhinierëve për të bërë rivlerësimin e dëmeve. Ndërsa tha për banorët në zonat rurale, qeveria t`u japë para në dorë qytetarëve.  “Çfarë kemi kërkuar: E para, që vlerësimi të bëhet sa më shpejt, në mënyrë profesionale Për këtë kemi këshilluar që të shtohet numri i inxhinierëve, përndryshe vlerësimi shtyhet, e shtyhet, e shtyhet… E dyta, të caktohen fondet, sepse vlerësimi pa fonde është zero. Sot në mëngjes, kanë pranuar një sugjerim që ua kam dhënë gjatë tre ditëve të fundit: që banorëve të zonave rurale që janë me shtëpi, t’u japin para në dorë, ta bëjnë vetë. Sepse koha nuk pret, dimri sapo ka filluar. Çfarë do të bëni, do të rrini me muaj të tërë kështu? Nuk mund të ndodhë kjo”, tha Basha ndër të tjera.

Rama, tjetër thirrje Bashës: Mos bëj politikanin në ditë të zymta, hajde bashkëpunojmë

Kryeministri Rama ka përsëritur sërish ftesën për bashkëpunim me opozitën, edhe pse vetë Basha ka lënë të kuptohet se nuk do të ulet në një tryezë me të. Nga Londra, Rama i është drejtuar Bashës duke i kërkuar të mos përdor disa njerëz që ende nuk janë sistemuar pas tërmetit shkatërrimtar për politikë, por të bashkëpunojnë për të sjellë pak dritë në jetën e tyre.  “Le t’i ndihmojmë së bashku me pak dritë, se zymti kanë boll” është thirrja e Ramës për kreun e PD-së për të bërë një menaxhim sa më të mirë të situatës së krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

“I dashur Lulzim, asgjë më të keqe s’mund të bëjë një politikan në këto ditë të zymta, se sa të kërkojë raste njerëzish ende të pa sistemuar për t’i përdorur për politikë! Ka shumë akoma që duan dorën tonë dhe ngrohtësinë e kujtdo që mundet t’ua japë! Eja të bashkëpunojmë…Mos u mjafto me fjalët e errëta e me pamjen që dukesh sikur e ke humbur ti shtëpinë, jo ata fatkeqë që kështu bëhen sfond mediatik, për të përcjellë zymtinë e politikës së stërvjetër, në vend të ngrohtësisë njerëzore! Le t’i ndihmojmë së bashku me pak dritë, se zymti kanë boll”, shkruan Rama në Twitter.

Vetë kreu i PD-së Basha ka prezantuar një propozim me 3 pika ku kërkohet shtim i numrit të ekspertëve për ekzaminimin e dëmeve si dhe ndalimin e financimit të projekteve të atyre që i cilëson si oligarkë dhe përdorimin e atyre parave për personat e prekur nga tërmeti.

“Prokuroria të nxjerrë fajtorët”, Rama: Propozimet e Bashës, gajasje

Në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar mëngjesin e së martës, kryeministri Rama ka kërkuar që prokuroria të nxjerrë fajtorët dhe përgjegjësit për shembjen e pallateve gjatë tërmetit, ndërsa ka komentuar edhe propozimet e Bashës për përballimin e kësaj situate. Rama tha se opozita është tronditur nga tërmeti dhe nuk ka fantazi në propozimet që bën, duke i cilësuar ato, gajasje.

“Opozita që pretendon të qeverisë vendin jo vetëm që nuk ka pranuar të ulet në tryezë për të ballafaquar idetë dhe nëse janë më të mirat do të marrim idetë e tyre. Deri tani jemi njohur me tre pika që do të qenkëshin zgjidhja dhe është një komponent i gjithë ekranit të madh që dita fillon duke qarë dhe mbaron duke qeshur. Tre pikat janë ushqim për buzëqeshje, nuk dua të them gajasje se nuk dua të ndihen keq kolegët e opozitës. Por të thuash të mblidhen 500 inxhinierë, po pse 500 dhe jo 600? Pika e dytë, të bëhet urgjent identifikimi i dëmeve, po por bëhet, është bërë Durrësi si ajo lagja para OKB-së që dëgjon të gjitha llojet e gjuhëve dhe sheh të gjitha racat. Edhe ajo pika e tretë është qamet, të mos financohen oligarkët, vijon loja…dhe 150 milionë të mos i marrin oligarkët. Po çfarë janë këto para, të ndalojmë kontrollin shëndetësor bazë, të ndalojmë dializën, financimin për instrumentet mjekësore, të marrim makina qepëse për të qepura barqe për ata që duhet të operojnë mëlçinë. Dhe t’u themi se kemi ca të pastrehë prandaj barkun po ua hapim me gërshërë dhe qepim me makinë qepëse. Do të ndalojmë analizat edhe të fusim edhe një sistem për të hedhur fall për të thënë se shiko se më duket e ke diku poshtë problemin se më del një kupë me kokë poshtë dhe se më duket se shtatzënë. Të ndalojmë edhe kantierin e Rrugës së Arbrit. Pse sepse nuk kanë fantazi më shumë se kaq. I mirëkuptoj se edhe ata kanë problemet e tyre nga tërmeti. I ftoj me përulësi të vijnë në tryezë të diskutojmë për idetë”, deklaroi Rama.

Kryeministri ra dakord me kërkesën e presidentit, se prokuroria duhet të nxjerrë fjatorët e kësaj situate, ndërsa ironizoi justifikimet e ndërtuesve që kanë falimentuar dhe nuk mund të kryejnë dëmet e shkaktuara nga tërmeti.

“Paralelisht sikur e kemi diskutuar dje në Këshillin e Sigurisë të thirrur nga Presidenti, urojmë që prokuroria të bëjë të gjithë punën e nevojshme për të identifikuar përgjegjësitë përkatëse.

I bëj thirrje të gjithë ndërtuesve publikisht që të mos i shmangen përgjegjësisë. Mos gënjejnë veten se me shpresën se kjo gjë mund të kalojë pa u lagur. Disa prej tyre më kanë çuar mesazh duke nxjerrë lloj- lloj bishtash por më ka bërë përshtypje arsyetimi se jemi të falimentuar, të shesin shtëpitë e tyre, të marrin  kredi, të bëjnë ç’të duan, por liria është më e shtrenjtë se pasuria dhe nëse nuk reagojnë me humanizëm dhe përgjegjshmëri mund ti humbin të dyja”, theksoi Rama.

Kryeministri ngarkoi ministrin e Brendshëm që së bashku me policinë kriminale të përpilojë raporte për dëmet e shkaktuara dhe listën e personave shtëpitë e të cilëve do të riparohen.

“Ministri i Brendshëm duhet të ndjekë edhe procesin e identifikimit dhe të vënies së përgjegjësisë me policinë kriminale dhe të gjitha strukturat e tjera që përfshihen. Nga institutit i ndërtimit që duhet të japë indikacionet dhe me prokurorinë sa të jetë e mundur. Dua edhe raportin për çdo kat që është mbi lejen e ndërtimit brenda perimetrit të emergjencës. Duhet të kemi një listë shumë të saktë të personave që do të futen te rindërtimi. Të fillojmë të kthejmë në shtëpi nga hotelet ata që janë nga frika dhe nuk e kanë banesën e dëmtuar. Kujdes nga të moshuarit, nëse shikoni se nuk janë mirë, mos insistoni, prandaj duhet edhe psikologët të japin opinionet e tyre. Ashtu sikur edhe ata që janë të pastrehë më pare”, tha Rama.

Kryeministri më tej vlerësoi punën e bërë nga grupet ndërkombëtare në terren për identifikimin e godinave që kanë nevojë për riparime, ndërsa tha se edhe kancelarja gjermane Merkel, i kishte premtuar ekspertë nga Gjermania.

“Është bërë një punë voluminoze nga grupet e inspektimit. Grupet ndërkombëtar kanë qëndruar me orë të zgjatura në terren duke kuptuar nevojën tonë për një intensitet të lartë. Grupe të tjera do të vijnë sot dhe në vijim. Dje Merkel ka kërkuar edhe nga të gjithë landet që të përfshihen në këtë operacion për të dërguar ekspertët për të verifikuar standardet e sigurisë së godinave”, tha Rama.

Basha refuzon Ramën, por bën propozime si të menaxhohet kriza

Lulzim Basha refuzoi përsëri ftesën e Kryeministrit Edi Rama për tu ulur në një tryezë të përbashkët për të diskutuar menaxhimin e krizës së krijuar nga tërmeti. Nga Durrësi, Basha tha se nuk është koha për foto dhe shfaqje, por për veprim. Ai vlerësoi përpjekjen e çdo kujt që i vjen në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti.

“Mbështesim çdo përpjekje të qeverisë dhe çdokujt që u vjen në ndihmë këtyre njerëzve dhe po bëjmë çdo gjë për t’i ndihmuar, tani nuk është koha për teatër. Nuk është koha tani për foto dhe për shfaqje, por për veprime urgjente të mirë koordinuara që të vlerësohet gjendja e banesave dhe strehimi. Thirrja ime ndaj kryeministrit ta zgjerojë grupin e punës që merret me vlerësimin e banesave dhe të bëhet vlerësimi e të anulohen kontratat e 10 oligarkëve 150 mln dollarë dhe të zhvendosen të buxhet”, tha Basha.

Më tej, Basha propozoi edhe pika konkrete, që sipas tij Qeveria duhet t`i zbatojë për të përballuar krizën. Ai kërkoi anulimin e konçensioneve, vlerësimin me urgjencë të dëmeve të ndara në dy kategori si dhe organizimin e 500 inxhinierëve për të përshpejtuar procesin e rivlerësimit.

“Kemi 500 specialistë gati për të dhënë kontributin vullnetar për gjendjen alarmante. Propozoj një plan me tre pika; organizimi i 500 inxhinierëve për të përshpejtuar procesin e vlerësimit të banesave dhe kjo qetëson mendor dhe shpirtëror. Pika e dytë vlerësimi me urgjencë dhe ndarja në dy kategori. Askush nuk vjen ti shikojë kush. Dhe së treti të përdoren fuqitë që ka qeveria për të anuluar kontratat e 10 oligarkëve, bëhet fjalë për 150 mln dollarë dhe të destinohen për t’u ardhur në ndihmë banorëve. Gjendja tragjike e këtyre njerëzve kërkon ndihmë dhe jo poza, as teatër, por angazhim konkret”, tha Basha.

Basha shkon në njësinë 6 në Tiranë, apel për ndihmë ndaj banorëve

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte në njësinë administrative 6 në Tiranë të dielën. Ai pa disa nga banesat që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti i të martës në 26 nëntor. Basha shprehet se për këto familje nuk ka pasur ndihmë, ndaj apeloi për vëmendje të shtetit.

“Sot në njësinë administrative 6 në Tiranë, qindra banesa të shkatërruara dhe të pabanueshme. Mes vuajtjeve, stresit dhe tronditjes banorët kërkojnë vlerësim urgjent, strehim dhe ndihma ushqimore! Ata thonë se deri tani janë tërësisht jashtë vëmendjes dhe të braktisur në fatin e tyre”.

“Mirënjohje për kontributet dhe ndihmën e disa bizneseve që ndonëse në vështirësi kanë strehuar 40 familje. Ndërkohë u informova se ndihma të tjera të destinuara nga Kosova për këtë zonë janë ndalur në Kashar dhe nuk kanë arritur në destinacion. Gjithsesi vullnetarizmi nuk mjafton. Duhet menjëherë prania dhe ndihma e shtetit”, shkruan Basha.

“Kjo nuk është politikë”, Rama i dërgon përsëri ftesë Bashës

Kryeministri Edi Rama përsëriti ftesën për kreun e opozitës, Lulzim Basha, që të ulen së bashku në tryezë për t`u bashkuar në këtë situatë të vështirë që po kalon vendin. Një ditë pasi Basha u shpreh se “nuk është koha për propagandë dhe politikë”, kreu i Qeverisë tha se nuk e kupton dot refuzimin e opozitës për t`u përfshirë në këtë proces.

“Më mundon pak mungesa e një elementi. Skepticizmi i opozitës për t`u përfshirë në këtë proces dhe për të pasur përfaqësuesit e vet. Nuk e kuptoj dot refuzimin që forcat politike të ulen në një tryezë. Duhet të reflektohet për këtë. Kjo nuk është politikë. Sepse politika në fakt ka lindur që njerëzit të adresojnë sfida dhe të zgjidhin probleme që nuk zgjidhen kur janë vetëm. Politika duhet të bëjë mrekullira. Nuk e kuptoj dot që të ulet në tryezë përfaqësia e këtij vendi, qenka propagandë”, tha Rama.

Ndaj, kreu i Qeverisë i kujtoi Lulzim Bashës se tashmë është kohë për bashkim. “Nuk dua të bëj asnjë polemikë por edhe njëherë tjetër i bëj thirrje Lulzim Bashës dhe opozitës të mos ia kursejnë popullit shqiptar këtë nevojë. Është nevoja e njerëzve të shikojnë këtu bashkim, që në këto ditë të zeza ata që nuk e shohin dot njëri-tjetrin në sy të bëjnë një hap prej asaj që ka ndodhur. Unë e kam parë me kënaqësi dhe respekt një mesazh të tij që bënte thirrje për bashkim, sepse tingëllojnë si hipokrizi  ku nuk ka vepra, po ky nuk është rasti sepse besoj se mesazhi ka qenë i ndjerë”, tha Rama.

“Fauda”, Basha: Rama do SPAK dhe BKH paralele

Lulzim Basha komentoi të dielën pasdite lajmin e dhënë nga Kryeministri Edi Rama, se të hënë do të prezantohet Paketa Speciale Anti-KÇK, apo ligji për “Fauda” shqiptare. Fillimisht, duke mos komentuar procesin e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, Basha u shpreh se mbështet ngritjen e SPAK dhe BKH, ndërsa sipas tij, Rama është bërë pengesë për ngritjen e këtyre institucioneve.

“Sa i përket SPAK dhe BKH kam theksuar dhe theksoj mbështetjen time totale, mbështetjen totale të PD. Vonesat për ngritjen e SPAK-ut dhe të BKH-së kanë një autor dhe ky është Edi Rama.  Edi Rama ka vonuar pa asnjë shkak ngritjen e SPAK-ut dhe të BKH-së, ndaj sot gjendemi me kriminelë që duhet të jenë në burg, por hanë e pinë me Edi Ramën nga mëngjesi në darkë, diktojnë tendera dhe koncesione. Prapa çdo koncesioni korruptiv ka një bandë kriminale me një kryebandit që është aleat politik i Edi Ramës, figura të njohura të krimit të organizuar”, tha Basha.

Sipas tij, prezantimi i “Fauda” shqiptare, është një përpjekje e Kryeministrit për të sabotuar SPAK dhe BKH. Për Lulzim Bashën, Kryeministri kërkon të ngrejë një SPAK dhe BKH paralele që ta ketë nën kontroll.  “Nesër do të shpallë një masë që ka për qëllim të ndërtojë një SPAK dhe BKH paralele, që ta ketë ai nën kontroll. Të njëjtën gjë që donte të bënte me Saimir Tahirin, tani do ta bëjë vetë. Është një mashtrim për shqiptarët dhe partnerët. Është zyrtarizim i shtetit me polici partiake. Edi Rama e di mirë se një SPAK dhe BKH e pavarur është një kërcënim për të dhe për bandën e tij. Rikthimi i këtij modeli është i papranueshëm për ne.”, u shpreh Basha.

Kryedemokrati thotë se këtë projekt e rrëzoi Gjykata Kushtetuese, ndërkohë që Rama donte të vendoste në krye të tij Saimir Tahirin. “Do të shpallë nesër projektin e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, ku do të vinte Saimir Tahirin, komandant të SPAK-ut dhe të BKH-së. Për ta kujtuar si çështje. Ndërkohë që kishin plasur disa çështje, mes të cilave edhe e Mark Frrokut, sepse kishte ardhur ekstradimi dhe ky e fshihte ekstradimin, pastaj largoi Artan Didin, e bëri kokë turku, ishte koha kur Shqipëria ishte mbushur me drogë në këtë moment, Edi Rama miratoi në Kuvend një ligj që e bënte Ministrin e Brendshëm kapon e SPAK dhe të BKH-së”, shtoi kryedemokrati.

Basha në kongresin e PPE, kujtohet “pas të vjelave” për negociatat

Hapja e negociatave për Shqipërinë u bllokua më 18 tetor nga Franca, por duket se Basha është “kujtuar pas të vjelave” për të lobuar për anëtarësimin e vendit në BE. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha merr pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Europiane dhe do të zhvillojë takime me zyrtarët të lartë të BE dhe drejtues të vendeve anëtare, ku fokusi kryesor do jetë anëtarësimi i Shqipërisë në BE.

Kongresi i Partisë Popullore Europiane nis më 20 nëntor punimet në Zagreb, ku do të zgjidhet Presidenti i ri i PPE-së. Kandidati i vetëm është Donald Tusk, aktualisht President i Këshillit Europian.

Kryetari Basha do të mbajë një fjalim gjatë punimeve të kongresit, krahas kancelares Angela Merkle, Presidentes së zgjedhur të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, fituesit te zgjedhjeve në Austri, Sebastian Kurz , Kryetarit të Grupit PPE në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, krerëve e shteteve dhe qeverive të Qipros, Bullgarisë, Letonisë, Greqisë, Rumanisë, Kroacisë, Irlandës, me të cilët do të takohet edhe gjatë Samitit të krerëve të PPE-së.

Kongresi i Partive Popullore Europiane mbahet në Kroaci, vendi më i ri anëtar i BE-së, i cili merr presidencën e radhës për herë të parë në Janar 2020.

Basha: Rama do Kushtetuesen, për shkarkimin e Metës dhe 30 qershorin

Përplasja e krijuar me Gjykatën Kushtetuese solli dhe reagimin e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha duke e cilësuar këtë situatë si një teatër 3 ditor që bëhet nga Rama për të kapur Gjykatën Kushtetuese, pasi ajo do të vendos për dy çështje mjaft të rëndësishme si zgjedhjet e 30 qershorit dhe shkarkimin e presidentit Meta.

Basha tha se SPAK dhe BKH janë jetike për të luftuar krimin dhe korrupsionin, por që po vonohen qëllimisht për të zvarritur Reformën në Drejtësi. “Gjatë 3 ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të një ngjarjeje të paprecedentë në historinë 30-vjeçare të Shqipërisë të mbushur me ngjarje të rënda sa i përket aspektit kushtetues, sa i përket marrëdhënieve të institucioneve dhe përpjekjeve për të kontrolluar politikisht drejtësinë. Rasti i përpjekjes së Edi Ramës për të kapur Gjykatën Kushtetuese tregon më qartë se kush nuk e do drejtësinë e pavarur. Shkelja e vazhdueshme e Kushtetutës, kapja e çdo institucioni është rregulli i kësaj qeverisje. Kjo qeveri kërkon të uzurpoj kompetencat e një institucioni tjetër që të kapi një anëtar dhe lehtësia që u mundua ta kaloj këtë, tregon dimensionin kriminal të kapjes së çdo institucioni. Teatër tre ditor me Gjykatën Kushtetuese, se e dimë që do gjykojë çështje urgjente siç është 30 qershori, iniciativa për të shkarkuar presidentin. Por Gjykata Kushtetuese është dhe një nga kushtet e Europës dhe nuk mund të bëhen makinacione të tilla. Pse vonohen SAK dhe BKH? Ato janë jetike për luftën e krimit dhe korrupsionit. Kërkojnë të bllokojnë reformën në drejtësi“, tha Basha.

I pyetur për rezolutën që u votua në Kuvend gjatë seancës së jashtëzakonshme duke cilësuar “dekret nul” emërimin e Marsida Xhaferllarit nga Presidenti Meta, Basha tha se një rezolutë e tillë nuk është e vlefshme, pasi parlamenti është ilegjitim. Basha tha se kjo rezolutë është votuar nga disa “pseudoparlamentar” dhe çdo rezolutë e miratuar pas 18 shkurtit 2019 në këtë parlament ilegjitim do të zhbëhet. “Nuk ka parlament, por strehë të parlamentarëve, që nuk e dimë kush janë aty, por e dimë kush i ka çuar dhe ka disa pseudoparlamentar për të gënjyer vetveten. Çdo akt i këtij pseudoinstitucioni për ne është i pavlefshëm dhe çdo rezolutë pas 18 shkurtit do të zhbëhet”, tha Basha.  

Në lidhje me deklaratën e kryeministrit Rama në Parlament, i cili tha se për të gjitha veprimet për sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ka patur mbështetjen e atyre që kanë iniciuar reformën në drejtësi, Basha tha se Rama preferon të fshihet pas ndërkombëtarëve, por nuk beson se ato mbështesin atë të shkelë Kushtetutën.

Rama preferon të fshihet pas grave apo pas ambasadave. Mirënjohje për ndërkombëtarët që kontribuuan për reformën në drejtësi. Nuk besoj se janë ndërkombëtarët ata që mbështesin Ramën të shkeli Kushtetutën apo kapi drejtësinë. Rama nuk mban asnjëherë përgjegjësi, por ua delegon ato të tjerëve” u shpreh Basha, i cili foli edhe për Reformën Zgjedhore duke akuzuar PS se nuk dëshiron që të bashkëpunojë . “PD mirëpret çdo bashkëpunim me aleatët dhe pozitën si dhe ka paraqitur një plan me 5 pika për Reformën Zgjedhore. Është PS ajo që nuk dëshiron të ketë asnjë bashkëveprim.”

Basha tha se zgjidhja e vetme për të dalë nga kriza që është futur vendi, janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. “Zgjidhja është fundi paligjshmërisë, padrejtësia dhe paligjshmëria e thellon krizën. Nuk kemi më kohë, vendi kërkon zgjidhje dhe zgjidhja është zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.”

Skip to toolbar