Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka refuzuar dorën e shtrirë për dialog dhe bashkëpunim të kryeministrit Rama për realizimin e reformës zgjedhore. Në një deklaratë për mediat të enjten Basha, komentoi raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 30 qershorit, të cilin e cilësoi si një autopsi të kapjes së shtetit nga Rama. Ai tha se vendi ka nevojë për reformë të thellë zgjedhore dhe politike dhe garantoi se ky do të jetë prioriteti i PD-së, por në asnjë rast nuk foli për zgjedhje të parakohshme. Basha akuzoi Ramën për zhvillimin e zgjedhjeve pa garë, ndërsa mbrojti bojkotin që ai dhe partia që ai drejton i bëri zgjedhjeve të 30 qershorit.
“Raporti i OSBE/ODIHR e ka rrëzuar farsën e 30 qershorit në çdo aspekt. Raporti tregon se 30 qershori ishte procesi më problematik dhe më i pandershëm i dy dekadave të fundit. Praktikisht ky është një dokument, i cili më shumë se raport zgjedhor ngjan me një raport për një ngjarje kriminale. Ky është raport që realisht përmban prova dhe fakte për të filluar hetime kriminale ndaj një sërë personash dhe institucionesh. Prandaj, 30 qershori vërtetoi edhe një herë atë që Partia Demokratike ka thënë fuqishëm:
Me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edi Rama është armik i zgjedhjeve, i pluralizmit dhe demokracisë. Raporti nuk është vetëm autopsia e zgjedhjeve të vdekura të 30 qershorit
Raporti është autopsia e kufomës së shtetit të së drejtës, e qeverisë së popullit dhe drejtësisë, të cilat janë vrarë nga Edi Rama për t’i zëvendësuar ato me një shtet privat, autokratik, kriminal dhe personal”, u shpreh Basha.
Kreu i PD-së, gjeti rastin t’i bëjë avokatin presidentit Meta ndërsa u kujtua për dekretet e tij, njërin prej të cilave nuk e njeh as vetë. Por sërish edhe këtu gjeti vend për të akuzuar Ramën.
“Në shtetin privat të Edi Ramës, dekretet e Presidentit, kryetarit të Shtetit, nuk botohen në Fletore Zyrtare nga Ministria e Drejtësisë siç e kërkon ligji, por zhduken pa lënë gjurmë siç e do Edi Rama”, tha Basha.
Zgjidhja sipas kreut të PD-së, vjen vetëm nga largimi i Ramës nga pushteti. Oferta e Bashës vijon të jetë ajo e bojkotit dhe e thirrjeve Rama Ik. Megjithëse thotë se vendi ka nevojë për reformë të thellë zgjedhore, Basha refuzon të dialogojë dhe të bashkëpunojë me Ramën për këtë çështje. Gjithsesi ajo që bie në sy është se në asnjë rresht të fjalës së tij, Basha nuk bëri thirrje as për protesta dhe as për zgjedhje të parakohshme. Më herët Rama ndërsa komentoi raportin e OSBE-së për zgjedhjet theksoi se me rëndësi është fakti se 30 qershori u certifikua, dhe se tani është koha për dialog dhe bashkëpunim me opozitën për reformën zgjedhore. Ftesë kjo, që u refuzua nga Basha./Realstory.al