Bilanci i Bashës në PD, në 6 vjet përjashtoi 53 figura të partisë

Përpos humbjes në të gjitha betejat elektorale, lokale, parlamentare dhe të pjesshme, me përjashtim të zgjedhjeve të pjesshme për Kavajën në 2017, Partia Demokratike nën drejtimin e Lulzim Basha ka humbur edhe 53 figura me kontribut në këtë parti. Që kur Lulzim Basha mori drejtimin e Partisë Demokratike në korrik të vitit 2013, një listë me eksponentë të kësaj partie janë përjashtuar dhe mënjanuar nga forumet e larta drejtuese, e për rrjedhojë edhe nga angazhimi në fushatat zgjedhore. Vendin e tyre e zuri gradualisht një rreth i ri njerëzisht, të besuar të kryetarit, por që megjithatë nuk ia dolën të ndalonin spiralen e humbjeve të Partisë Demokratike. Që kur u zgjodh në krye të PD, përmes një procesi i cili u denoncua dhe u kontestua publikisht nga rivali i tij i atëhershëm Sokol Olldashi, Lulzim Basha ka folur për bashkimin e Partisë Demokratike. Madje, Basha krijoi edhe një departament për Kontributet Historike në PD, me qëllim për rikthimin e figurave që kishin kontribuar në PD.

Në krye të këtij departamenti u emëruan Jemin Gjana, i cili deklaroi se do të kthente edhe Ylli Pangon në PD. Disa vjet më vonë, jo vetëm që nuk u rikthye asnjë figurë historike, por u përjashtuan edhe ata që kishin mbetur. Lulzim Basha la jashtë parlamentit në 2017 grupin e parë i konsideruar si kundërshtar, i përbërë nga Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Genc Ruli, Ridvan Bode, Arben Imami dhe Eduard Selami. Në lista nuk u përfshinë as Keltis Kruja, Myqerem Tafaj, Bedri Hoxha Roland Keta, Igli Cara, Kozma Dashi, Bedri Mihaj, Arbiola Halimi, Eleina Qirici, Gjergji Papa, Mimoza Hajdarmataj, Albina Deda etj., gjithsej 24 deputetë. Që të gjithë, me humbjen e statusit të deputetit, humbën automatikisht postet në kupolën drejtuese të Partisë Demokratike, së bashku me statusin e anëtarit të forumeve më të larta drejtuese të kësaj partie. Lulzim Basha nuk bëri pjesë të strukturave as 36 figura të tjera, të cilat u lanë jashtë listave për kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 2013 nga Sali Berisha. Pjesë e kësaj liste ishin edhe Ilir Rusmajli, Fatos Hoxha, Viktor Gumi, Osman Metalla, Selami Xhepa, Arenca Trashani, Astrit Bushati, Fatos Beja, Ramiz Çobaj, Ilir Bano, Lajla Përnaska, Paulina Hoti, Ismail Hoxha etj.

Si mos të mjaftonin largimi i të lartpërmendurve, Lulzim Basha gjatë dy vitit të fundit ka mënjanuar nga PD edhe Arben Ristanin, i cili mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm, post të cilin tashmë e mban Gazmend Bardhi. Nga Partia Demokratike u përjashtua edhe deputetët Myslym Murriz dhe Rudina Hajdari, të cilën nuk zbatuan vendimin politik të partisë për të dorëzuar mandatet e përfaqësimit në parlament. Gjithashtu u mënjanuan nga strukturat edhe Fabian Topollaj, Leonard Olli, Endira Bushati, Valbona Mezini, Edith Harxhi etj./Shqiptarja.com

Figura e mënjanuara dhe të përjashtuara nga Basha në PD

Jozefina Topalli

Astrit Patozi

Majlinda Bregu

Genc Ruli

Ridvan Bode

Arben Imami

Eduard Selami

Mesila Doda

Sherefedin Shehu

Myqerem Tafaj

Igli Cara

Arben Ristani

Myslim Murrizi

Rudina Hajdari

Fabian Topollaj

Leonard Olli

Keltis Kruja

Suzana Guxholli

Endira Bushati

Valbona Mezini

Edith Harxhi

Edvin Kulluri

Fabian Topollaj

Gjergj Lezhja

Besnik Mustafaj

Kozma Dashi

Ferdinand Shehu

Roland Keta

Dashnor Sula

Shaban Memia

Bedri Mihaj

Vasillaq Ngresi

Ndue Paluca

Ilir Krosi

Bedri Hoxha

Arbiola Halimi

Mimoza Hajdarmataj

Albina Deda

Gjovalin Bzhetaj

Liljana Elmazi

Ilir Rusmajli

Fatos Hoxha

Viktor Gumi

Osman Metalla

Selami Xhepa

Arenca Trashani

Astrit Bushati

Fatos Beja

Ramiz Çobaj

Ilir Bano

Lajla Përnaska

Paulina Hoti

Ismail Hoxha

Basha kujtohet pas te vjelave për Kamzën: Do i çojmë para ligjit

Kryetari i opozitës Lulzim Basha gjatë gjithë ditës ka qëndruar i heshtur për kalimin e bashkisë nga Mziu tek Suli, por pasi është konstituuar këshilli bashkiak dhe është betuar kryetari i ri i bashkisë, i cili ka hyrë në zyrën e braktisur nga paraardhësi, ai është kujtuar të dalë në mbrojtje të demokratëve të Kamzës, të cilëve u kishte premtuar se nuk ka zgjedhje më 30 qershor dhe kanë qenë mbështetësit në çdo protestë të opozitës.

Gjatë së mërkurës, Basha ka njoftuar se nuk pranon të ulet në tryezë me Ramën, duke dalë kundër kërkesës së aleatëve dhe në mbrëmje, pasi demokratët e Kamzës e dorëzuan bashkinë pa dhunë, kreu i opozitës është kujtuar të sulmojë mazhorancën duke deklaruar se ata po i vjedhin bashkitë.

“Hajduti Rakip Suli me ndihmën e banditit Sali Skura dhunuan dhe zaptuan sot me forcë selinë e Bashkisë Kamëz. Për dhunën hajdutërore të dy këta kriminelë do të përgjigjen shpejt para ligjit! Uroj për të mirën e tyre dhe të Hajdutit Psiqik, që ajo ditë të vijë më shpejt se dita e përballjes me zemërimin e popullit!”- shkruan Basha, deklaratë e cila duket se vjen më shumë për të mbrojtur veten nga kritiket dhe për të bindur demokratet e Kamzës se nuk i ka braktisur, por që ashtu siç ishte paralajmëruar ai po i dorëzon te gjitha bashkitë e djathta, veprim që njeh 30 qershorin, ku nuk mori pjese dhe vendosi veton për penalizimin e gjithë opozitës.

Madje në mesazhin e tij ndaj demokratëve, Basha duket i dorëzuar dhe nuk flet per protesta para bashkisë siç veproi në Devoll, por kërcënon që të zgjedhurit që hynë sot në bashkinë e Kamzës do të përgjigjen para ligjit kur ai të vijë në pushtet.

“Por sa kohë Edi Rama është në zyrën e kryeministrit, nuk do ketë as drejtësi dhe as demokraci, banditët, kriminelët dhe hajdutët do të sundojnë Shqipërinë. Shporrja e Hajdutit Psiqik dhe bandës së tij është jetike për sigurinë dhe jetën e çdo familje shqiptare!” – shkruan Basha

Në momentin që ai po sulmohet nga të mënjanuarit e PD, por nuk po gjen me as mbështetjen e aleateve, Basha duket se situata po i rrëshqet nga duart dhe po i jep më shumë forcë lëvizjes “Basha ik”, e paralajmëruar nga RealStory që do të startojë në muajin shtator.  /realstory.al

Borchardt i shkoi në zyrë, por Voltana nuk tërhiqet. Mbron skenarin e dhunës

Kryetarja në ikje e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi paralajmëron mbrojtjen më dhunë të bashkisë së Shkodrës, pavarësisht bisedës 2-orëshe kokë më kokë që zhvilloi të martën me ambasadorin e OSBE-së, Bernd Borchardt.

Përmes një statusi të publikuar të mërkurën, Voltana që tashmë njihet nga të gjithë për mbështetjen e përdorimit të molotovit, shkruan se nuk do të bëjë asnjë hap pas, se bashkinë e Shkodrës nuk do ta lërë në dorë të 6% të PS-së dhe shton se ky nuk është një rrugëtim i lehtë por është e vetmja rrugë për të mbrojtur vlerat.

“Asnjë hap pas! Shkodranët janë të vendosur të mbrojnë vlerat për të cilat i’u vunë përballë për 45 vite diktaturës. Shkodranët janë të bindur në rrugën e tyre për rikthimin e vendit në shinat e demokracisë.

Shkodranët e kanë të qartë se rreziku vjen nga banda kriminale që ka uzurpuar parlamentin, qeverinë dhe po kërkon të pushtojë edhe qeverisjen vendore.

Asnjë hap pas! Shkodranët janë të vendosur të mbrojnë vlerat për të cilat i’u vunë përballë për 45 vite diktaturës. Shkodranët janë të bindur në rrugën e tyre për rikthimin e vendit në shinat e demokracisë.

“30 qershori” ishte referendumi popullor që i tregoi klikës në pushtetin e uzurpuar se është pakicë, që i tregoi edhe mbarë botës se shumica e shqiptarëve refuzojnë partinë – shtet, monizmin pas 30 viteve pluralizëm.

Shkodra ia dha përgjigjen juntës anti- kushtetuese të Edi Ramës, me një braktisje të pashembullt, nga të majtë e të djathtë. Me gjithë manipulimet dhe terrorin mbi administratën shtetërore.

Shkodra është e shkodranëve dhe do të jetë gjithmonë e shkodranëve. Krimi qeveritar e ka marrë dhe do ta marrë çdo herë përgjigjen nga Shkodra e qytetarët e saj.

Shkodra nuk mund të lejojë të qeveriset nga banda e inkriminuar uzurpatore, 6 përqindëshat nuk do të mund marrin peng Shkodrën. Do të jetë rrugëtim jo i lehtë, por është e vetmja rrugë për të rikthyer vlerat tek të cilat besojnë shumica e shqiptarëve. Lufta me krimin shtetëror është e vështirë dhe ne shkodranët e dimë mirë! Me vendosmëri, sepse s’ka rrugë tjetër!”, shkruan Voltana.

Duket se kryebashkiakia në ikje e Shkodrës do të bëjë qëndresë të fortë për të mos liruar zyrën. Ajo do të zbatojë pikë për pikë udhëzimet e lidershipit të PD-së për të mbojtur me çdo mjet e formë bashkitë. Realstory ka publikuar më herët një dokument të shpërndarë nga sekretari i përgjithshëm i PD-së në të cilin kryebashkiakët udhëzoheshin për të mos lëshuar bashkitë dhe për t’i mbrojtur ato përmes revoltave popullore. Ky skenar u përpoq të vihej në zbatim në bashkitë e Devollit dhe të Kavajës por qëndresa e militantëve të paktë të PD-së zgjati vetëm disa orë. Mbetet për t’u parë se si do të zbatohet në Shkodër, thirrja e Bashës për të mbrojtur me çdo mjet bashkitë./Realstory.al

Kulluri krahason Bashën me spiunin rus: Tradhtoi aleatët si Kim Philby

Edvin Kulluri, ish-anëtar i Këshillit Kombëtar Demokrat, ka sulmuar sërish Lulzim Bashën, por këtë herë duke e krahasuar me spiunin tradhtar famëkeq Kim Philby që punoi si agjentë i dyshfishtë për inteligjencën britanike dhe Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Kulluri thotë se Basha tradhtoi aleatët e tij duke i gënjyer se zgjedhje nuk do të kishte më 30 qershor dhe e bëri sërish edhe me 13 tetorin. Basha nuk futet sërish në zgjedhjet e 13 tetorit duke i lënë aleatët e tij vetëm edhe këtë herë edhe pse me fjalë shprehet se njeh dekretin e presidentit Meta për 13 tetorin. LSI dhe PR gjatë të hënës i bënë një kërkesë KQZ-së për t’u regjistruar në zgjedhjet e 13 tetorit si afati i fundit, nëse këto zgjedhje do të mbaheshin. Ndërsa Basha heshti duke mos e regjistruar Partinë Demokratike edhe një herë tjetër në zgjedhje.   

Kulluri ironizon Bashën si aleati i madh që i gënjen të gjithë mbështetësit e tij dhe aleatët me fjalë dhe deklarata, por që me vepra nuk guxon të bëjë asgjë.

Kulluri madje shton me sarkazëm se për këto dy vjet zvarritje të PD-së dhe humbje të njëpasnjëshme të demokratëve duhet të akuzohet kryeministri Rama dhe jo vendimmarrja e gabuara e kryedemokratit.

“Ja pra që as në 13 tetor nuk do futet në zgjedhje! Kush ishte Kim Philby?! Ju ka aleati i madh xhan, ju ka aleati shpirt! Apo e ka Rama fajin se ka 2 vjet që ju merr zvarrë nga humbja në humbje?!” – shkruan Kulluri

Madje nëse do t’i referoheshim spiunit që punoi për Bashkimin Sovjetik Kim Philby, vlen të theksojmë se ndaj Partisë Demokratike ka nisur një hetim për një investim 1 milion dollarë të rusëve në 2017. / Realstory.al

Pas Metës reagon Basha: Zgjidhja e krizës kalon nga politikanë me pranga në duar!

Fill pas mesazhit të presidentit Meta për ironinë dhe fitoren me 85% të opozitës, ka reaguar kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Ai shkruan mëngjesin e të hënës se zgjidhja e krizës kalon nga politikanë me pranga në duar. Nuk dihet nëse ky është një mesazh për presidentin, i cili ironizoi Bashën dhe sloganin e tij se opozita ka fituar me 85% në zgjedhjet e 30 qershorit. Por fakti se mesazhi i Bashës u shpërnda në Facebook vetëm pak minuta pas mesazhit të Metës zgjon disa dyshime.

Në postimin e tij Basha sulmon Ramën dhe qeverinë e tij ndërsa thekson se qëndrimi i PD-së është i pandryshuar: zgjedhje të lira pas largimit të Ramës dhe me qeveri teknike.

“Ja si hajduti psiqik vodhi zgjedhjet me krimin e organizuar për të plaçkitur Shqipërinë me ta dhe me oligarkët grabitqarë! Vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme me një qeveri tranzitore pa hajdutin psiqik, dhe ndëshkimi i politikanëve që vodhën zgjedhjet, do ta çlirojnë demokracinë dhe drejtësinë nga kjo bandë kriminale. Kësaj radhe zgjidhja e krizës kalon nga politikanë me pranga në duar!”, shkruan Basha, i cili e shoqëron postimin e tij me një video ku janë përmbledhur përgjimet e publikuara nga BILD, të cilas sipas PD, faktojnë blerjen e votave në zgjedhjet e kaluara.

Ky postim i Bashës përforcon edhe njëherë qëndrimin e tij kundër propozimit të Metës për zgjedhje në 13 tetor, duke faktuar në këtë mënyrë krisjen në marrëdhënien e tyre, ku para 30 qershorit u shfaqën si dy bashkëaleatë ndërsa pas 30 qershorit ndajnë qëndrime krejt të ndryshme.

Ja si hajduti psiqik vodhi zgjedhjet me krimin e organizuar për të plaçkitur Shqipërinë me ta dhe me oligarkët grabitqarë! Vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme me një qeveri tranzitore pa hajdutin psiqik, dhe ndëshkimi i politikanëve që vodhën zgjedhjet, do ta çlirojnë demokracinë dhe drejtësinë nga kjo bandë kriminale. Kësaj radhe zgjidhja e krizës kalon nga politikanë me pranga në duar!

Gepostet von Lulzim Basha am Sonntag, 4. August 2019

Thellohet përplasja, Meta i rrëzon Bashës 85%: Sikur të kishe çerekun, do kishe fituar vërtetë

Presidenti Ilir Meta, teksa ndodhet me pushime, çdo mëngjes e nis me një reflektim politik dhe në mesazhin e të hënës duket se ka ndërruar mendim për fitoren me 85% të opozitës në zgjedhjet e 30 qershorit, duke i rrëzuar kreut të PD-së sloganin e turit paszgjedhor.

Presidenti shkruan se sikur opozita të kishte vetëm çerekun e votave të 85% për të cilin janë shumë entuziastë, do të kishte fituar vërtetë në zgjedhje. Me një retorikë plot ironi e sarkazëm, presidenti vë në lojë opozitën dhe veçanërisht Bashën  që në çdo takim rreh gjoksin për fitoren me 85% në zgjedhjet e 30 qershorit.

Meta sigurisht që nuk lë pa shigjetuar edhe maxhorancën, ndërsa shkruan plot ironi se këto “fitorje” (siç e thoshte në dialekt Enver Hoxha) kanë pasoja të rënda për vendin dhe përgjigjen e BE-së për çeljen e negociatave në tetor.

“Fitoret e thella që gëzojnë liderët dhe pasojat e rënda që penalizojnë Shqipërinë dhe shqiptarët.

E kam fjalën për fitoren “e vërtetë” të mazhorancës aktuale, që në zgjedhjet e saj të njëanshme dhe të paligjshme, shpalli fitoren në 100% të bashkive të Shqipërisë, si edhe të këshillave bashkiakë.

Por edhe entuziazmi i liderëve të opozites se ata fituan 85% është mbresëlënës, duke harruar se sikur opozita të ishte regjistruar në kohë para shfuqizimit të 30 qershorit si datë e zgjedhjeve do t’i mjaftonte të kishte për vete, jo më shumë se 1/4 e 85% për të arritur një fitore reale dhe institucionale në shumicën dërrmuese të njësive vendore.

“Fitorje” të tilla penalizojnë rëndë të ardhmen e vendit, pasi jo vetëm garantojnë një disfatë në 18 tetor për çeljen e negociatave në mënyrë te sigurtë, por lenë pa mbrojtje nga të drejtat e tyre të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët jetën e tyre të përditshme e kanë aq të lidhur me shërbimet e pushtetit vendor.

Ndērkohë asgjesimi i llogaridhënies së pushtetit vendor (pas atij qendror), i shërben vetëm pakicës që nuk njeh rotacion dhe të përzgjedhurve të saj për të administruar çdo pushtet, pasuri dhe pronë publike, në mënyrë arrogante dhe të pakontrolluar.

Viktimat e këtyre “fitorjeve” janë të gjithë qytetarët shqiptarë pa dallime partiake.

Për integrimin as bëhet fjalë por mbetet vetëm të shpresojmë të mos na ndëshkojnë në institucionet aktuale, që merren me mbrojtjen e autonomisë vendore, demokracisë vendore dhe të drejtat e njeriut”, shkruan Meta.

Përmes këtij mesazhi duket qartë thellimi i përplasjes së presindetit me kreun e PD-së, Basha, i cili është i vetmi opozitar që nuk i ka dalë në krah në kërkesën e tij për të zhvilluar zgjedhje në 13 tetor. ndërkohë që LSI dhe aleatët e tjerë të PD iu drejtuan me një kërkesë KQZ-së për nisjen e procedurave për zhvillimin e zgjedhjeve në 13 tetor, Basha nuk ka qenë me ta, duke i dalë në këtë mënyrë kundër propozimit të presidentit. Marrëdhëniet e tyre duket se kanë pësuar krisje edhe për shkak të dokumentit të shpërndarë nga PD, (të cilin e publikoi e para realstory), ku bëhej thirrje që të mos komentoheshin sulmet e presidentit ndaj Sorosit. Pra Basha nuk e sheh Metën si negociator për zgjidhjen e krizës, nuk mbështet sulmet e tij ndaj Sorosit, dhe nuk mbështet propozimin për zgjedhje në 13 tetor. Në shenjë hakmarrje Meta i rrëzon kreut të PD-së  sloganin për fitoren prej 85%, slogan pas të cilit Basha është kapur fort në fushatën e ndërmarrë në strukturat e PD-së, për të shpëtuar veten nga kritikët brenda partisë. Por këtu ka gjetur një kundërshtar, presidentin Meta që deri dje e kishte në krah në protestat e dhunshme dhe sot i thotë se ke humbur keq./Realstory.al

Ristani – Bashës: Boll harxhuam energji me Ramën, të gjejmë zgjidhje për krizën

Ish sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, ka bërë thirrje të shtunën për gjetjen e një zgjidhje për krizën, ndërsa shkruan se PD boll harxhoi energji me denoncimin e Ramës. Tani sipas Ristanit, shqiptarët e dinë se kush është Rama, ama edhe PD e di se përmes bojkotit nuk vjen zgjidhja. Ndaj, shkruan ish numri dy i PD-së, është koha që të gjendet një rrugë tjetër që të çon në zgjidhjen e krizës.

“Duhet të përqëndrohemi të gjithë te gjetja e zgjidhjes për krizën e rëndë që po kalojmë.

Rama bën çdo ditë veprime kundër interesit publik, çdo ditë vjedh dhe zhvat pasuritë e shqiptarëve, çdo ditë tallet me varfërinë e tyre, por këtë tashmë, s’ka shqiptar që nuk e di.

Le të themi se faza e denoncimit dhe beteja që shqiptarët dhe ndërkombëtarët ta njohin se kush është dhe çfarë bën, e realizoi qëllimin. Çdo energji e tepërt e harxhuar për ta denoncuar të keqen publikisht, është energji e çuar dëm.

Duhen përqendruar forcat dhe mendja, te gjetja e rrugës që na çon te zgjidhja, dakordësimi gjithëpërfshirës për rrugën e gjetur, qartësi për etapat dhe rolet, përqëndrim dhe besim.

Sidoqoftë, rruga e bojkotit dhe ikja nga përballja institucionale, brenda sistemit, me kundërshtarin, tashmë është e përjashtuar si zgjidhje”, shkruan Ristani në Facebook.

Kjo deklaratë e Ristanit vjen në një kohë kur Basha vijon pa reshtur sulmet kundër Ramës, ndërkohë që nuk ka propozuar asnjë zgjidhje sesi PD mendon të dalë nga kriza. Në një kohë kur aleatët e PD-së kërkojnë zgjedhje me 13 tetor, Basha vijon t’i qëndrojë dy kushteve kryesore të tij që janë zgjedhje pa Edi Ramën dhe qeveri teknike; kushte këto të parealizueshme dhe që nuk ofrojnë asnjë zgjidhje. Ndaj dhe Ristani shkruan se tani është koha që PD të ofrojë zgjidhje për veten dhe për vendin. Ristani më herët e ka cilësuar të gabuar vendimin e PD-së për të bojkotuar zgjedhjet lokale, vendim ky që e nxorri PD-në jashtë çdo pushteti. Ai është shprehur edhe kundër kushtit të Bashës për zgjedhje pa Ramën, pasi sipas ish sekretarit të PD-së, Rama mund të largohet vetëm me votë dhe jo me fjalë apo protesta.

Të premten Realstory njoftoi përmes një shkrimi se në shtator do të nisë lëvizja “Basha ik” ku pritet që të mënjanuarit e PD, të cilët pas zgjedhjeve të 30 qershorit, kanë qenë mjaft kritikë me qëndrimet e tyre ndaj kreut të opozitës, të nisin një aksion për largimin e Bashës nga drejtimi i PD-së. Burime të Realstory.al thonë se pjesë të kësaj lëvizje do jenë zëra të fortë kritikë të Bashës, që nga Jozefina Topalli, Arben Imami, Edit Harxhi, Edvin Kulluri dhe shumë të tjerë, të nxjerrë jashtë strukturave drejtuese të PD./Realstory.al

Aleatët e kritikojnë në media, Basha u bën mbledhje në mes të natës

Fatmir Mediu, Agron Duka dhe Dashamir Shehi, por edhe Monika Kryemadhi, kanë dalë kundër Lulzim Bashës, kur vjen puna te dialogu me Edi Ramën. Katër aleatët kryesor të kryedemokratit janë shprehur vazhdimisht në media “se Basha duhet të ulet në tryezë me Ramën për të zgjidhur krizën”, ndërsa kanë shprehur edhe qëndrimin se do të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit.

Nga ana tjetër, Lulzim Basha ka mbajtur të njëjtin qëndrim, duke u shprehur se “nuk ka pazare për zgjidhjen e krizës pa u larguar Rama”. Por, duket se Lulzim Basha nuk i ka kaluar pa vënë re deklaratat e aleatëve të tij, që i kanë “dezertuar” një e nga një. Ndaj, siç raportojnë disa media në vend, kryedemokrati ka thirrur në një mbledhje urgjente aleatët në selinë e PD-së, ku raportohet që tema e diskutimit të jenë zgjedhjet e 13 tetorit.

Por në fakt, zgjedhjet e 13 tetorit janë “nul” pasi dekreti për to është hedhur poshtë nga Kolegji Zgjedhor, që legjitimoi zgjedhjet e 30 qershorit, si procesin e vetëm ligjor të mbajtjes të zgjedhjeve lokale. Megjithatë, 13 tetori mund të jetë shqetësimi i fundit për Lulzim Bashën, për të cilin dozat e kritikës nga aleatët e tij janë shtuar.

Së fundit, të enjten, Fatmir Mediu u shpreh se “Basha bëri gabim që i liroi bashkitë e djathta në paqe”. Ndaj, kritikat dhe përçarja brenda opozitës mund të jenë arsyeja kryesore, që ka detyruar Lulzim Bashën të mbledhë me urgjencë aleatët në PD, vetëm një orë para mesnate.

Balla dhe Basha “së bashku” në Cërrik, LSI liron bashkinë pa incidente

Ndryshe nga aleati i saj PD, LSI ka vendosur që të bëjë lirimin e bashkive të saj pa incidente dhe protesta. Kjo ka ndodhur në Bashkinë Cërrik, ku kryetari  i larguar Altin Toska nuk ka pranuar të lirojë zyrën duke thënë se nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit, por nuk ka bërë as rezistencë që të mbajë bashkinë me forcë apo me protesta.

Ne duam që politika të mos tensionojë jetën e qytetarëve. Çdo hyrje e paligjshme në bashki ne do e quajmë uzurpim dhe do e denoncojmë menjëherë në organet kompetente çdo shkelje ligjore. Ne jemi në shërbim të qytetarëve edhe në vijim. Presim të shprehet Gjykata Kushtetuese për dekretin e 13 tetorit. Populli do vendosë kush do jetë kryetari i bashkisë. Kur të vije dita do ta dorëzoj me dinjitet mandatin”. tha Toska

Betimi i kryebashkiakut socialist, Andis Salla është bërë jashtë ambienteve të bashkisë, por që më pas ka marrë zyrën pa protesta dhe pa incidente. Bashkia e Cërrikut tashmë ka kryetarin e saj të ri, që do të drejtojnë qytetin për 4 vitet e ardhshme .

I pranishëm në konstituimit të Këshilli Bashkiak dhe betimit të kryetarit të Bashkisë Cërrikut,  ishte edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Gjatë fjalës së tij, Balla tha se për katër vite kjo bashki kishte mbetur në vend, por tashmë ora e saj ka nisur të lëviz dhe se të ketë një rivitalizim urban.

Detyra e parë që Andis mori përpara popullit të Cërrikut ishte të vendoste në punë akrepat që nuk punuan kurrë të sahatit të Cërrikut, pjesë e një projekti të madh të Rilindjes Urbane që ka mbetur përgjysmë e që duhet të vijojë me plot projekte të tjera rivitalizimi urban. Besoj që është një shenjë e mirë për Andin, por edhe për Bashkinë Cërrik që në mënyrë simbolike që sahati i orës ka nisur të punojë. Ka filluar të rrahë zemra për punë e kësaj bashkie e cila për 4 vite ishte peng i paaftësisë që karakterizon subjektin politik nga vjen paraardhësi. “ – tha Balla

Balla nuk i ka kursyer akuzat për Lulzim Bashën, me të cilin ndodheshin ‘së bashku” në qytetin e Cërrikut. Sigurisht Basha me militantët e tij për t’i bindur se 30 qershori ishte nul, ndërsa Balla për të qenë i pranishëm në betimin e kryetarit të ri të kësaj bashkie duke treguar se 30 qershori ishte i ligjshëm. Balla tha se ky rast tregon qartë se kush është për punë dhe kush është për llafe.

Fjala e dhënë mbahet, duhet vetëm dëshira për punë. Sot ishim “së bashku” me Lulzim Bashën në Cërrik. Ne për të filluar punët e mëdha që na dha përgjegjësia historike e 30 Qershorit, ndërsa Luli për llafet dhe rrenën e radhës. Siç thoshte Jozefina, Luli t’rren edhe kur e pyt sa asht ora.” – tha Balla

Pengoi 30 qershorin “pa Bashën”, tani Meta do 13 tetorin “edhe pa PD”

Presidenti Meta anuloi zgjedhjet e 30 qershorit për shkak se nuk merrte pjesë Basha e Kryemadhi ndërsa tani është gati të shkojë në zgjedhjet e 13 tetorit edhe pa Bashën dhe të zhvillojë atë që ai e ka kundërshtuar prej kohësh zgjedhje monopartiake. Në konferencën e së enjtes, presidenti Meta tha se ai nuk imponon askënd të marrë pjesë në zgjedhje dhe se në zgjedhje nuk shkohet me pahir, por me vullnet të lirë (i njëjti argument që përdorte dhe Rama para zgjedhjeve të 30 qershorit). Meta thotë se 13 tetori u jep mundësi partive të reja që të regjistrohen, por nuk thotë se cilat janë këto parti të reja.

“Presidenti nuk ka asnjë mundësi që t’i imponojë askujt pjesëmarrjen me pahir, merret pjesë me dëshirë dhe vullnet. Me siguri mund të them që në 13 tetor edhe sikur partitë e opozitës përsëri të vijojë me riorganizmet e tyre të brendshme dhe çështje të tjera, unë jam i sigurt dhe do të punoj që të paktën partitë e reja të kenë kohë të regjistrohen në mënyrë të ligjshme për kandidatë në 61 bashkitë që të kemi zgjedhje dhe jo votime”, tha Meta ku u pyet për qëndrimin e kreut të PD-së. Sipas tij, askush nuk i ndalon partitë të kthehen në OJQ, duke mos marrë pjesë në zgjedhje.

Kujtojmë se presidenti Meta dekretoi në 10 qershor anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor dhe argumenti i përdor prej tij ishte se Basha dhe Kryemadhi, pra opozita, nuk merrnin pjesë në zgjedhje dhe për t’i dhënë një shans të dytë opozitës ai dekretoi datën 13 tetor. Ndërsa tani Meta është i gatshëm t’i pranojë zgjedhjet e 13 tetorit edhe nëse Basha nuk merr pjesë në to.

Presidenti u përpoq të zhvlerësonte edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për 30 qershorin. Sipas tij edhe nëse Kushtetuesja rrëzon dekretin për 30 Qershorin, vendimi i pavlefshëm për shkak se vendimet e Gjykatës Kushtetuese vlejnë për të ardhmen dhe nuk kanë efekt prapaveprues.

“Askush nuk duhet të ketë iluzione se çdo vendim i Kushtetueses kur të bëhet funksionale mund të japë legjitimitet 30 Qershorit. Dekretet e Presidentit janë në fuqi. Çdo vendim i Kushtetueses për dekretet e Presidentit ka fuqi për të ardhmen dhe jo për të shkuarën, janë akoma në fuqi dhe nuk e kthejnë më 30 Qershorin e këtij viti”, është shprehur Meta duke bërë kështu edhe një interpretim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij “13 Tetori është e vetmja datë Kushtetuese për zgjedhje vendore në Shqipëri. Përgjegjësinë për këtë e kam marrë unë. Gjykata Kushtetuese nuk ka mundësi të legjitimojë 30 Qershorin, pas e ka të pamundur, pasi dekreti ka qenë në fuqi dhe 30 qershori ka ikur. Ajo mund të bëjë interpretimin si duhet apo mund të veprojë, dhe kjo ka efekt për të ardhmen”, tha Meta.

Gjatë fjalës së tij presidenti përsëriti edhe një propozimin e vjetër për të zhvilluar 3 procese zgjedhore në 13 tetor si e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën dhe për të garantuar çeljen e negociatave me BE-në në tetor të këtij viti. Ai i bëri thirrje Ramës që të reflektojë dhe të takohet në çdo moment që ka dëshirë me të.

Kujtojmë se edhe ky propozim i Metës është antikushtetues njëlloj si dekreti i tij për anulimin e zgjedhjeve më 30 qershor. Vendimi është dhënë nga Kolegji Zgjedhor. Në argumentet e tij ai e cilëson nul dekretin e presidentit për 30 qershorin dhe aty rrëzohet edhe 13 tetori për shkak se vendimi i marrë nga presidenti është në kapërcim të afateve kushtetuese si dhe në kundërshtim me kompetencat e dhëna nga Kushtetuta. Dekretet që firmosen në kundërshtim të hapur me kushtetutën quhen nul dhe nuk kanë asnjë fuqi ligjore. Ndërkohë që faktori ndërkombëtar i ka njohur zgjedhjet e 30 qershorit. Përsa i përket 13 tetorit Meta nuk ka as mbështetjen e Bashës, për të cilin u fut në “vallen” e paligjshmërisë dhe shkeljes së kushtetutës dhe për këtë shkak po shkarkohet nga kuvendi, i cili për herë të parë në historinë e Shqipërisë do të votojë shkarkimin e një presidenti./Realstory.al

Skip to toolbar