BE “shuplakë” Metës, për sulmet ndaj ambasadorëve

Pas reagimit të Departamentit Amerika të Shtetit, të premten pasdite reagoi dhe Bashkimi Europian në lidhje me sulmet e Ilir Metës ndaj ambasadorëve të huaj. Të enjten, pasi u shkarkua Besnik Muçi nga Vettingu, Meta shpërtheu ndaj disa ambasadorëve të huaj në vend duke i quajtur “palaço”. Këto deklarata të Ilir Metës, Bashkimi Europian i cilëson të papranueshme.


“Deklaratat e përfaqësuesve të autoriteteve shqiptare dhe partive politike që vënë në dyshim integritetin e bashkësisë diplomatike të Bashkimit Evropian në Tiranë për qëndrime të shprehura në cilësinë e tyre institucionale janë krejtësisht të papranueshme”, thuhet në deklaratën e Maja Koçijançiç, Zëdhënëse në Bashkimin Europian. Më tej, BE shprehet se çdo qëndrim zyrtar që mbajnë përfaqësuesit e Bashkimit Europian në Shqipëri, janë qëndrimi dhe pikëpamje të vetë BE-së.

“Deklaratat dhe veprimet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian përfaqësojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e BE-së. Ne përsërisim mbështetjen tonë të plotë për punën e shkëlqyer që Ambasadori i BE-së dhe Delegacioni i BE-së po bëjnë për ta sjellë vendin më pranë Bashkimit Evropian”, thuhet në deklaratë.Më tej, Koçijançiç shprehet se BE po punon për të ndihmuar Shqipërinë për të çuar para reformat.

“Bashkimi Evropian, të gjithë përfaqësuesit e tij dhe vendet anëtare po punojnë për t’i mbështetur në mënyrë efektive përpjekjet e Shqipërisë për t’i çuar përpara reformat thelbësore në dobi të qytetarëve shqiptarë. Ne besojmë se respekti dhe bashkëpunimi është i garantuar nga të gjithë aktorët në vend, me qëllim promovimin e partneritetit tonë me Shqipërinë”, lexohet në deklaratën e Koçijançiç.


Minxhozi në “Real Story”: As gëzim e as dështim, hapja ose jo e negociatave

Analisti Skënder Minxhozi, u shpreh në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se nëse nuk hapen negociatat, nuk do të jetë as gëzim dhe as dështim. “Hapja e negociatave, si do që të shkojë puna, nuk është një gëzim nëse do hapen, dhe nuk do jetë dështim nëse nuk do hapen. Veç variantit më të keq të ndarjes nga Maqedonia”, u shpreh ai.


Sipas analistit, vendi nuk është gati për hapjen e negociatave. Megjithatë, nëse do të merret një vendim “pro”, ai do të jetë dhe duhet të jetë thellësisht politik. “E para Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave. Vendimi në rastin tonë, për mendimin tim, do të jetë thellësisht politik dhe pozitivisht politik, për hapjen e negociatave”, u shpreh Minxhozi.

Në fund, Skënder Minxhozi shtoi se me liberalizimin e vizave, nocioni i integrimit në BE për shumicën e shqiptarëve, ka humbur kuptimin klasik. “Tani, Monika thotë me të drejtë: më mirë brenda se të kontrollojnë, se të jesh jashtë. Arsyeja e dytë, është se për mendimin tim, që nga viti 2010, kur ne kemi marë regjimin e vizave, çështja e integrimin për shqiptarin e zakonshëm, e ka humbur nocionin klasik për kapitujt. Hajde shpjegoi ti shqiptarit këtë”, tha Minxhozi. /Realstory.al/


Tre vendet që s’na duan në Europë, s’ka marrëveshje në BE

Nuk është vetem Franca, por edhe Danimarka e Holanda. Takimi i Ministrave të Jashtëm të 28 vendeve anëtare të BE, përfundoi pa një marrëveshje për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në konferencën për shtyp, mbajtur  pas takimit, Ministrja e Jashtme e Finlandës Tytti Tuppurainen, që drejtoi mbledhjen në Luksemburg, u shpreh se pati diskutime pozitive, por nuk u arrit një marrëveshje. Sipas saj, shumica e vendeve anëtare janë “pro” hapjes së negociatave me dy vendet e Ballkanit Perëndimor. Por tre vendet e mesiperme jo. Dy lëkunden akoma. Franca gjithnjë e më pak.


“Shumica e vendeve anëtare të Europës janë “pro” hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Bëmë më të mirën e mundshme për të arritur një marrëveshje. U përpoqëm të gjenim një mundësi, por nuk arritëm dot një marrëveshje. Nëse këshilli merr vendim pozitiv për të hapur negociatat, nuk do të thotë se ato do të hapen menjëherë”, tha Tuppurainen.

Megjithatë, ajo konfirmoi se optimizmi për hapjen e negociatave është i lartë, ndërsa shprehu qëndrimin se BE duhet t`i përmbahet detyrimeve. “Jam optimiste që vendimi do të jetë pozitiv për të dy vendet. Shumica dërrmuese e vendeve ishin pro hapjes së negociatave. Tani është koha që ne t’i përmbahemi detyrimeve tona”, tha ministrja e Finlandës.

Ndërkohë, Komisioneri për Zgjerim, Johanes Hahn, u shpreh se 25 vende anëtare janë pro hapjes së negociatave. “Shpresoj të bindim vendet skeptike. 25 vende janë në favor të hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE. Ajo që na duhet është një sinjal pozitiv për të përgatitur hapjen e negociatave. Tani na duhet një sinjal politik, vendet e kanë bërë punën e tyre. Të gjithë vendet anëtare kanë rënë dakord me rregullat tona, në mënyrë unanime, për të vendosur një listë me kushte që duhen përmbushur”.

Ai u shpreh se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur kushtet, ndërsa shtoi se gjatë vendimit final, disa vende mund të shfaqin dhe kërkesa politike, që nuk janë pjesë e vlerësimit teknik. “Ndonjëherë i shikojmë gjërat nga ana teknike. Sipas vlerësimit tonë ata i përmbushën. Sigurisht, vlerësimi final nga vendet e anëtare përfshinë dhe element politik, që nuk janë pjesë të këtij vlerësimi teknik. Situata politike në Shqipëri nuk ishte e kënaqshme për të gjithë. Kam ende besim se liderët e BE-së se do të reflektojnë për këtë vendim. Nëse vendimi do të jetë negativ për momentin, unë dua t`i nxisë të gjithë që të mos dorëzohen”, tha ndër të tjera Hahn.

Tashmë, vendimi përfundimtar për negociatat mbetet në dorën e liderëve të 28 vendeve anëtare të BE-së, të cilët do të takohen në datat 17 dhe 18 tetor. Franca është vendi që është shprehur kundër negociatave, ndërsa Hollanda dhe Danimarka janë të lëkundura në qëndrimin e tyre. Gjithësesi, Komisioneri në largim Johanes Hahn, u bëri thirrje këtyre vendeve që të reflektojnë dhe të vlerësojnë reformat që janë ndërmarrë. /Realstory.al/


Negociatat? Votoni në sondazhin e Realstory.al

Kur na ndajnë dhe pak ditë nga vendimi i vendeve anëtare të Bashkimit Europian për negociatat, Realstory.al, fton qytetarët shqiptarë që të vazhdojnë të votojnë në sondazhin e hapur në faqen tonë, nëse BE do t`i hap negociatat Shqipërisë.


Vendet anatëre të Bashkimit Europian do të marrin vendimin, nëse do t`i thonë “Po” Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave për anëtarësim me BE. Shumica e vendeve anëtare kanë deklaruar votën “pro”, ndërsa tre vendet skeptike, Franca, Hollanda dhe Danimarka, ende janë të lëkundura për votën e tyre.

A do t'i hapen negociatat Shqipërisë në tetor?

Megjithatë, në një shkrim të Reuters të disa ditëve më parë, ku citohej një diplomat francez që deklaronte se “Franca ishte kundër negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, po në të njëjtin shkrim, citohej një diplomat i një vendi që ishte “pro” negociatave, se nëse tre vendet skeptike do dalin kundër, do të ishte zhgënjim për vendet e tjera të BE-së.  

“Kjo është shumë zhgënjyese për shumicën e vendeve anëtare. Besueshmëria jonë është në diskutim. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë shumë. Po, mbetet shumë më tepër për të bërë, por hapja e bisedimeve për anëtarësim është vetëm hapi i parë, procesi do të zgjasë me vite dhe ata do të duhet të plotësojnë të gjitha kriteret para se të pranohen”, citon Reuters, diplomatin e vendit që është gati t`i thotë “po” Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Gjermania merr situatën në dorë. Angela Merkel po punon për të bindur skeptikët e BE, që shprehen kundër negociatave, të paktën për këtë vit. Të dielën Merkel takon Macron, dhe gjasat janë që pas këtij takimi, Presidenti i Francës të ndryshojë qëndrim për negociatat. Nëse kapërcehet kjo pengesë, me gjasa as Hollanda dhe Danimarka nuk do të dalin nga rreshti, pavarësisht rezervave dhe kundërshtive që kanë./Realstory.al/


Basha ‘lobon’ për negociatat me BE (pas takimit me zyrtarin e DASH)

Zyra e shtypit në Partinë Demokratike ka shpërndarë një lajm të hënën, ku njofton se Lulzim Basha po ‘lobon për hapjen e negociatave të antarësimit të Shqipërisë me BE’. Sipas njoftimit të PD, mësohet se kreu i kësaj partie është duke marrë pjesë në punimet e Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane, që po zhvillon punimet në Bruksel. Gjatë takimit me drejtues dhe përfaqësues të partive anëtare të PPE-së, sipas PD-së, Basha u ka kërkuar mbështetjen e vendeve të tyre për hapjen e negociatave të Shqipërisë, si garanci për të ndërtuar një shtet demokratik.


“Lideri i opozitës ka kërkuar mbështetjen e tyre për hapjen e negociatave për Shqipërinë si një aspiratë e shqiptarëve, por edhe si garanci për të ndërtuar në Shqipëri një shtet demokratik, me pushtete të ndara, ku të garantohet vota e lirë.  Siç u dëshmua nga raporti i OSBE/ODHIR për votimet moniste dhe antikishtetuese të 30 Qershorit, zgjedhjet nuk janë as të lira, as demokratike”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e PD.

Më tej, citohet dhe fjala e Bashës, ku mësohet se sipas kreut të PD, hapja e negociatave do të sjellë mbikëqyrjen e BE për ndarjen e politikës nga krimi. “Hapja e negociatave është e rëndësishme, pasi do të sjellë një mbikqyrje të shtuar nga BE për të ndihmuar në ndarjen e politikës nga krimi, i cili sot ka kapur shtetin dhe për të penguar kandidimin e personave me rekorde kriminale, siç demonstrojnë rasti i Shkodrës dhe Vorës, ku është provuar tashmë se dy të inkriminuar u caktuan të kandidonin për bashkitë”, thuhet në njoftim.

Në fund, Basha, sipas njoftimit të PD, mësohet të jetë shprehur se vendi po kalon një krizë të thellë politike, ndërsa zgjidhja sipas tij, janë zgjedhjet e mbikëqyrura nga një qeveri tranzitore. “Shqipëria sot ka një krizë të thellë politike, institucionale dhe ekonomike. Zgjidhja janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të mbikqyrura nga një qeveri tranzitore”, mësohet të ketë thënë Basha.

Ky është qëndrimi i parë pozitiv, për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, mbajtur nga Basha në muajt e fundit. Më konkretisht, ky qëndrim vjen fill pas takimit që Basha pati me zyrtarin e lartë të Deprtamentit Amerikan të Shtetit David Kostelancik, që zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri pak ditë më parë, me fokus të veçantë ‘influencën ruse’.


Drejtuesit e rinj të BE, Zaev: Interes për ne e Shqipërinë

Institucionet e Maqedonisë së Veriut besojnë se udhëheqësit e rinj të Bashkimit Evropian do të angazhohen për realizimin e synimeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor që të bëhen pjesë e BE-së.


Kryeministri Zoran Zaev tha se Shkupi është optimist, se edhe me drejtues të rinj të BE-së, nuk do ta humb perspektivën dhe gjasat për marrjen e datës për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit.

“Besoj se të gjitha këto emërime mund të jenë në interes jo vetëm të Maqedonisë së Veriut, por edhe për të gjitha vendet kandidate, sa i përket perspektivës së ardhshme të BE-së”, ka theksuar Zaev.

“Ne kemi kryer detyrat tona dhe presim që kjo të shpërblehet. Maqedonia e Veriut në tetor pret të merr datën e nisjes së bisedimeve”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Edhe opozita nuk pret ndonjë ndryshim të kursit të BE-së me drejtuesit e saj të rinj.

“Udhëheqësit e rinj në krye të institucioneve evropiane kanë kompetenca për çështjet evropiane. Ata janë njerëz që me vite janë aktiv në politikën evropiane”, ka deklaruar Vllatko Gjorçev nga VMRO DPMNE-ja.

Zëvendëskryeministri për çështje evropian dhe zëdhënës i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani gjithashtu tha se pret zhvillime pozitive nga drejtuesit e rinj të BE-së.

Këshilli e Bashkimit Evropian në takimin e qershorit, nuk ka ofruar datë për nisje të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke përmendur si arsyetim procesin e zgjedhjeve të Bashkimit Evropian dhe siç është thënë publikimin e vonshëm të Raportit të Progresit./Radio Evropa e Lirë/


Meta mbron dekretin dhe kërcënon ndërkombëtarët: Do mbani përgjegjësi

Në kushtet kur Kuinti i ndërkombëtarëve e ka anashkaluar për zgjidhjen e dialogut, Ilir Meta ka shfrytëzuar një takim me Ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto, për të mbrojtur dekretin e anulimit të zgjedhjeve, që tashmë është nul.  Meta vijon ta quajë dekretin e tij si legjitim, por nga ana tjetër bën thirrje për shmangie të konfliktit, sepse sipas Presidentit, pasojat e tij do të ishin ndaj vendit. Madje ai nuk heq dorë as nga presioni ndaj ndërkombëtarëve, ashtu sikundër bëri dhe të martën në konferencën për shtyp, ku i quajti “fondacion”.


Në deklaratën e publikuar nga presidenca, Meta ngre zërin duke u bërë presion ndërkombëtarëve, pasi shprehet se ata do të jenë bashkëpërgjegjës nëse do të ketë konflikt në vend. “Çdo veprim drejt rrugës së paligjshmërisë dhe të konfliktit, e nxjerr Shqipërinë nga perspektiva e saj europiane e njëkohësisht të gjithë aktorët e brendshëm ose të jashtëm që i kontribuojnë këtij skenari, do të mbajnë përgjegjësi përpara popullit shqiptar”.

Pra, Ilir Meta kërkon dialog nga palët politike në vend, por njëkohësisht, duke parë braktisjen ndërkombëtare, pas dekretit të tij anti-kushtetues për anulimin e zgjedhjeve, po kërkon të tërheq vëmendjen, duke ngritur zërin. Në vetëm 24 orë, Meta kaloi nga deklaratat e “fondacionit ndërkombëtar”, te futja në të njëjtin thesë të ndërkombëtarëve, të cilët tashmë i bën bashkëpërgjegjës për krizën në vend, të cilën më shumë se kushdo, e ndezi me dekretin anti-dekret të 10 qershorit.


Negociatat, Basha: Rama do të na fajësojë ne për shtyrjen e vendimit!

Ndonëse Këshilli i Europës e ka thënë qartë se “Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet për çeljen e negociatave për anëtarësim”, opozita e ka lexuar këtë si “mbyllje të dyerve nga Europa”, të paktën kështu u shpreh Lulzim Basha. Ai mbajti një konferencë për shtyp nga selia Blu mbrëmjen e së martës, të cilin e kishte lajmëruar në orën 21:00, por doli me 30 minuta vonesë, ku u shpreh se negociatat do të ishin hapur, sipas Bashës, nëse Shqipëria nuk do të kishte një qeveri të korruptuar.


“Ka vetëm një arsye pse na janë mbyllur dyert e Europës: korrupsioni dhe krimi. Negociatat sot do të ishin hapur, nëse Shqipëria nuk do të kishte qeverinë më të korruptuar në Europë, nëse Shqipëria nuk do të ishte zonë e lirë e drogës dhe e krimit”, është shprehur kreu i opozitës.

Sipas Lulzim Bashës, kreu i qeverisë, Edi Rama, do fajësojë opozitën për dështimin e hapjes së negociatave në qershor dhe shtyrjen e marrjes së vendimit për në tetor.

“Propaganda e Edi Ramës dhe mercenarëve të tij, do të përpiqet ta mohojë refuzimin. Pasi do të dështojnë ta mohojnë, do të përpiqen t’ia veshin fajin të tjerëve. Edi Rama do të fajësojë Europën se ka probleme të vetat. Do të fajësojë opozitën që nuk rri urtë para keqqeverisjes së tij. Do të fajësojë gjysmën e botës. Do të fajësojë edhe popullin e vet. Nuk do të fajësojë vetëm një njeri: Edi Ramën”.


Polonia, avokat i Tiranës: Negociatat të hapen në qershor

Diplomacia polake ndëmerr nismën duke kërkuar nga Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët që negociatat të çelen në muajin qershor për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.


Në letër të siguruar nga DW, të enjetn (06.08) theksohet që BE-ja “duhet të përmbushë premtimin e qartë që ia ka dhënë Ballkanit Perëndimor për integrimet evropiane”. Në letër ftohen vendet anëtare që në takimin e qershorit të marrin vendime të “guximshme” dhe “largpamëse” që do të ndihmojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Ne i apelojmë  palëve të interesit në BE-së që të mbajnë dhe të konsolidojnë çastin pozitiv duke çelur negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne jemi të përkushtuar që të marrim përgjegjësitë tona dhe të reagojmë pozitivisht ndaj përparimit që është bërë në këto dy vende”.

Letra fton që vendet anëtare të respektojnë rekomandimet e bëra nga Raporti i Progresit duke përfshirë edhe çeljen e negociatave.

Çështja e çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është peng i vendimeve nga tri vende anëtare që janë kundër. Aty përfshihen Franca, Holanda dhe Danimarka. Ndërsa, Gjermania nuk po jep shenja të qarta pasi, çështja një herë duhet të diskutohet në Budestag.

Nga vendet kundërshtare më negativja duket Holanda, e cila ka shkuar një hap më tutje duke kërkuar që vendet anëtare të iniciojnë një procedurë për rivendosjen e vizave për shtetasit shqiptarë. Shteti i Beneluksit ka përmendur krimin e organizuar si shkak për rivendosjen e vizave për shtetasit e Shqipërisë. Holanda gjithashtu është hezituese edhe për proceset e tjera të zgjerimit brenda BE-së duke, kundërshtuar edhe përfshirjen e Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen. Ndërsa Franca ka theksuar kryesisht numrin e madh të azilkërkuesve nga Shqipëria. Në Francë vetëm shtetasit afgan kanë kërkuar azil mԹ shumë se shqiptarët në vitin 2018.

Në një koment të vetin Përfaqësuesja e BE-së për Politikën e Jashtme, Federika Mogherini kur është pyetur se cilët do të jenë lobuesit më të mëdhenj për zgjerimin e BE-së, ajo ka thënë se këtë rol do ta marrin fqinjët e këtyre vendeve. Më këtë iniciativë konfirmohet, se Evropa Qendrore dhe Lindore do të jenë lobuesit për Ballkanin.

Letra e përgatitur nga diplomacia polake argumenton çeljen e negociatave duke thënë, se ky proces “do t’u mundësojë këtyre dy vendeve të fokusohen më shumë në reformat e nevojshme përderisa BE-ja do të përfitojë nga një mjet shumë i vlefshëm për të vështruar progresin e tyre”. Gjithashtu, thuhet në letër, se çelja e negociatave “do të jetë një faktor motivimi për tërë rajonin”. “Kështu sigurohet një situatë përfituese për të gjithë”.

Deri tani nuk dihet, se cilat vende kanë pranuar ta nënshkruajnë këtë letër.

@DW


Negociatat me BE, Gent Cakaj takon homologun holandez Stef Blok

Shqipëria vijon lotimin pranë vendeve anëtare, për të marrë votën “pro” të Këshillit të Europës për çeljen e negociatave. Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaja ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Holandë, vendi që është shprehur kundër vendit tonë për hapjen e negociatave me BE, por edhe më radikale në nismat e saj, për rikthimin e sistemit të vizave me Shqipërinë.


Sipas një deklarate të shpërndarë nga zyra për shtyp e MEPJ, Cakaj është pritur nga homologu i tij holandez Stef Blok. Po sipas komunikatës, mësohet se mes dy zyrtarëve të lartë, janë diskutuar marrëdhëniet bilaterale, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për përmbushejn e pesë prioriteteve kyçe, në kuadër të hapjes së negociatave me BE.

Ministri në detyrë Cakaj dhe homologu i tij holandez nënvizuan arritjet e reformave të Shqipërisë veçanërisht në fushën e drejtësisë. Progresi i Shqipërisë është i padiskutueshëm edhe sipas vlerësimeve të palës holandeze. Po ashtu, në mënyrë që të adresohen shqetësimet e ndërsjella, përfshirë shqetësimet në fushën e migracionit të parregullt, u vlerësua jashtëzakonisht bashkëpunimi bilateral midis mekanizmave të rendit dhe sigurisë, si dhe u dakordua për bashkëpunim të mëtejshëm strategjik në të ardhmen”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Gjithashtu, sipas MEPJ, Cakaj mësohet të ketë theksuar nevojën e një vendimi pozitiv të Këshillit për hapjen e negociatave të anëtarësimit, që do të ishte një mesazh pozitiv për Shqipërinë.

Ministri Cakaj theksoi nevojën për një vendim pozitiv të Këshillit për hapjen e negociatave të anëtarësimit, i cili do të ishte një mesazh inkurajues për Shqipërinë, rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën Evropiane të tij. Për më shumë, një proces i tillë do të kontribuonte në thellimin e momentumit të reformave të nisura nga Shqipëria në përgjithësi”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.