“Politikani i dekadës”, kush e kryeson sondazhin: Rama, Meta, Basha apo Berisha?

Cili ishte politikani i dekadës; Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta apo Lulzim Basha? Këtij sondazhi, që vijon të jetë i hapur në faqen e Realstory.al, qytetarët shqiptarë vijojnë ti përgjigjen. Edhe gjatë 24 orëve të fundit, veç votimit në sondazh, qytetarët kanë shprehur mendimet e tyre në formën e komenteve në rrjetet tona sociale. Në facebook te Realstory.al, në lajmin publikuar për sondazhin, kanë komentuar deri pasditen e të enjtes rreth 526 qytetarë.

Në komentet e tyre, qytetarët shprehin mendimin lidhur me katër figurat kryesore të politikës shqiptare. Edi Rama vijon të mbajë vendin e parë me 154 vota nga 183 vota gjithsej në sondazhin tonë. Në vend të dytë është Sali Berisha me 20 vota, ndërsa Basha me 5 vota mban vendin e tretë.

Me 4 vota Ilir Meta qëndron në vendin e fundit. Sondazhi i Realstory.al. do të vijojë të jetë i hapur deri në datën 30 janar. Të gjithë qytetarët shqiptarë mund të shprehin mendimin e tyre duke votuar në sondazhin e mëposhtëm, apo të komentojnë në rrjetet tona sociale, në faqen e Realstory.al dhe gazetarit Sokol Balla në facebook.

Disa nga komentet në facebook lidhur me sondazhin!

“Këta ishin me fat që lindën e jetuan në Shqipëri, por fati i keq për popullin dhe Shqipërinë”, shkruan një komentues.

“Rama”, përgjigjet një komentues, ndërsa vijon – “të tjerët vetëm kanë bërë çdo gjë për ta rrëzuar e asgjë nuk arritën ti bëjnë”, thotë ai.

“Të gjithë nuk kanë punuar për këtë popull, por për xhepat e tyre”, thotë dikush tjetër që ka komentuar në faqen facebook të Realstory.al.

“Nuk është populli për udhëheqës ma të mirë se këta që kemi. Ky popull kështu e meriton”, shkruan dikush tjetër.

“Këtu nuk shikoj ndonjë ndryshim. Të gjithë njëlloj më duken”, thotë dikush tjetër që komenton në rrjetet sociale.

Cili ishte politikani i dekadës? Votoni në sondazhin e Real Story

Viti që lamë pas shënoi fundin e dekadës së dytë të shekullit të XXI. Dhjetë vite kanë qenë shumë dinamike në jetën shoqërore dhe politike të Shqipërisë. Kanë ndodhur ndryshime të shumta, por në skenën politike aktorët kanë qenë po ata. Sali Berisha, pas më shumë se dy dekadash drejtim të Partisë Demokratike, i hapi rrugë ndryshimeve pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2013.

Në krye të PD-së erdhi Lulzim Basha, i cili drejton opozitën prej atij viti. Ndërkohë, e majta udhëhiqet nga Edi Rama prej 2005. Pas 8 vitesh qeverisje të Partisë Demokratike, socialistët me në krye Edi Ramën arritën të fitonin zgjedhjet e 2013, ndërsa vijojnë të qeverisin vendin edhe sot e kësaj dite. Rama ka arritur të jetë figurë kyçe e politikës shqiptare në 20 vitet e fundit.

Ndërkohë, një tjetër figurë po kaq e rëndësishme, përcaktues i qeverisjes në momente të caktuara, ka qenë dhe Ilir Meta, që deri tre vite më parë drejtonte LSI, para se të zgjidhej president. Por, dhe në këtë post, Ilir Meta nuk mbeti në hije, duke u bërë aktor i rëndësishëm në shumë momente.

Ndaj, Realstory.al hap një sondazh, ku fton qytetarët shqiptarë të votojnë se: cili mendoni se ishte politikani i dekadës në Shqipëri, Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta apo Lulzim Basha?

Meta nxjerr Berishën nga “bunkeri”

Kreu i Shtetit Ilir Meta zhvilloi një takim 45 minuta në Presidencë me ish kryeministrin Sali Berisha, duke e nxjerrë atë nga “bunkeri” në të cilin ishte futur.  Ish kryeministri Berisha, pas një heshtje të gjatë disa javore, mbajti një fjalë të gjatë për gazetarët duke i dalë në mbrojtje Ilir Metës. Me të njëjtin qëndrim dhe fjalë, Berisha sulmoi Dvoranin se po tenton të marrë kompetencat e Presidentit duke i vjedhur kandidaturën e tij. Berisha tha se këto lojëra bëhen për të kapur Gjykatën Kushtetuese duke quajtur çdo veprim të presidentit Meta si “mbrojtje të Kushtetutës.”

“Në këtë takim me presidentin u diskutua gjerësisht për krizën madhore që mafia e Edi Ramës me përpjekjet për të kapur të gjithë sistemin krijoi edhe në organin që me ligj është garant i Kushtetutës së Shqipërisë. Tani është një moment kyç dhe vendimtar për çdo qytetar shqiptar por dua të theksoj se media ka një rol të rëndësishëm. KLP drejtohet nga kunati i ndrikullës së radarëve. Aty kërkohet që të jetë magjistrat dhe jo kunat, por është për t’i shërbyer Edi Ramës. Kush dyshon i bëj vetëm një pyetje, shqiptar apo të huaj, i them se në 320 gjykatës në historinë  30 vjeçare të këtij vendi ka shkelur në mbledhjet partiake të PS, ai është vetëm një, Ardian Dvorani. Reforma dhe integrimi është bllokuar dy vite me parë. E mbajtën peng deri sa nxorën Dvoranin në krye. Ligji e përcakton se për çdo vend duhet të ketë tre kandidatura, por çfarë bëri kapo-mafia që shndërron KED-in në një shpellë të vërtetë mafie, sjell në vend të 12 kandidaturave vetëm 4 dhe këta i ndanë 3 nga 3 duke i përsëritur 3 herë në lista. Kam qenë unë që kam propozuar një gjykatë me skemën 3-3-3, pasi është më e pavarur se kur i emëron vetëm njëri. Tani o burra ti marrim presidentit kandidaturën. Thonë se presidenti kërkon të kapë gjykatën se është vetë në gjykim, por Komisioni i Venecias shpreh të kundërtën; se parlamenti duke vendosur presidentin në hetim do të bëjë gjithçka për të kapur gjykatën. Shumica po bën çdo gjë për të kapur Kushtetuesen, presidenti po bën gjithçka për ta mbrojtur” tha Berisha.

Sokol Balla: Berisha po mendon për pasuesin e Bashës në krye të PD-së

Gazetari i njohur Sokol Balla të martën mori pjesë në Forumet e UET, në kuadrin e një bashkëpunimi 10 vjeçar me shtëpinë botuese të Universitetit Europian të Tiranës, UET Press. Para të pranishmëve, pedagogë dhe studentë, Balla foli për mundësinë e një pasuesi të Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike. Në fjalën e tij para të pranishmëve, me nota ironike, ai theksoi se shoqëria shqiptare ka një fat të madh për të kuptuar rrjedhën e ngjarjeve në PD, pasi kur nuk flet z.Basha, flet z.Berisha.

“Kemi një fat të madh që kur nuk flet Basha, flet Berisha dhe ne i kuptojmë gjërat. Siç foli para një jave dhe na tha që ndryshe nga çfarë tha z.Basha, djegia e mandateve nuk ishte fare punë e tij por ishte një punë e nisur prej ish-Kryeministrit”, tha Balla.

Sipas tij, tek vetë promotorët e Basha kanë filluar të lindin jo thjesht zhgënjimet e para, sepse këto Berisha duhet t’i ketë të vjetra me të, ndoshta nga 2007, por prej këtij viti e mbrapa po punohet edhe në kokën e doktorit të partisë ideja që duhet të ketë edhe një pasues të Basha në PD.

Balla thekson se kjo është normale për logjikën e një partie të madhe, historike, tradicionale, konservatore dhe ideologjike siç është PD, e cila ka një “ADN” që është e Sali Berishës dhe që mendohet të ketë edhe një pasues të Lulzim Bashës, për të cilin nuk do të mendojë vetëm ky i fundit, por edhe “babai” i partisë: Sali Berisha.

“Pavarësisht shumë pamundësive që Lulëzim Basha ka në partinë e tij për të shprehur profilin e tij të vërtetë politik, mendoj që beteja është ende e hapur. Nuk mund të thuhet me siguri, edhe nga dashakeqësi i tij më i madh, se ai ka dështuar përfundimisht, por ju them me siguri, nga një person që është relativisht në nivel edhe personal dashamirës ndaj zotit Basha, që jam unë, që po, Partia Demokratike dhe pronari i “ADN”-së së saj, patjetër po mendon për një pasues tjetër, nëse Basha nuk do të arrijë dot të realizojë misionin e tij”, tha Balla./Liberale/

Berisha, blof për dëmtimin e pyjeve. Kontrata u lidh nga qeveria e tij

Ish kryeministri Sali Berisha në një nga denoncimet e tij në Facebook, duket se ka dalë blof me akuzat e tij. Gjatë ditës së martë Berisha përmes një video në Facebook,  denoncoi prerjen masive të pyjeve, ku shfaqej një kamion që transportonte lëndë drusore në fshatin Polis të Librazhdit ku dhe cilësohej një premtim i pa mbajtura për shtrimin e rrugës. Videon ai e shoqëroi me një citim të shkurtër ku akuzonte Taulant Ballën për këtë krim të shëmtuar mjedisor dhe premtimet e pa mbajtura.

Krim i shemtuar mjedisor!Prerje masive nga Klanet e Taulant Begos/Yaris te pyjeve te Polisit! sb

Gepostet von Sali Berisha am Dienstag, 1. Oktober 2019

Por duket se e vërteta është ndryshe. Sipas një dokumenti që Gazeta Tema ka publikuar, kamioni në fjalë vepronte me një kontratë të lidhur në 2013 nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, kohë kur qeveria drejtohej nga Sali Berisha. Kontrata që është lidhur për shfrytëzimin e materialit drusor në këmbë në grupngastrat, pa rrugë autopyjore. Sipas kontratës e drejta për ndërtimin e rrugës në këmbim të kontratës ka qenë për kompaninë e shfrytëzimit dhe nuk është premtuar nga Taulant Balla siç pretendohet në videon e publikuar nga ish kryeministri Berisha.

Aksioni i ri i Bashës dhe presioni i vjetër i Berishës

Pas aksionit 7 mujor me protesta të dhunshme e molotov nën moton “Rama ik”, “s’ka zgjedhje me Ramën kryeministër”, “s’ka dialog me Ramën”, etj., kreu i PD-së, Basha dhe opozita e bashkuar ka ndryshuar strategji. Dhe strategjia është pikërisht e kundërta e asaj që bënë përreth 7 muaj: rikthimi në institucione, ulja në tryezën e dialogut. Pasi e provuan që pushteti nuk merret me dhunë, dhe s’e një opozitë nuk ka peshë jashtë parlamentit dhe se zgjedhjet nuk mund të bojkotohen pasi është e vetmja rrugë për të ardhur në pushtet; pasi bënë “armiq” ndërkombëtarët dhe veçanërisht SHBA-në, PD e Basha vendosën të mendojnë të tjera zgjidhje përveç protestave. Dhe një nga rrugët është ajo e dialogut.

Shenja e parë u dha të mërkurën ku PD iu përgjigj pozitivisht ftesës së OSBE për të marrë pjesë në tryezën për reformën zgjedhore. Megjithëse bëri propozime që u rrëzuan, dhe më pas u larguan nga salla, sërish pjesëmarrja në tryezë ishte një hap përpara për PD-në, pasi shënoi kthimin në institucione.

Prej disa ditësh, kreu i PD-së, ka deklaruar se opozita e bashkuar po punon për hartimin e një plani anti-krizë, që synon të nxjerrë vendin nga kriza. Një plan që përfshin një sërë kërkesash, për reformë të thellë jo vetëm zgjedhore, por edhe kushtetuese edhe politike. Disa pika Basha i ka zbuluar, ndërsa disa të tjera pritet të bëhen publike në ditët në vijim. Gjatë mbrëmjes së të mërkurës Basha ka zhvilluar një takim kokë më kokë me Kryemadhin. Megjithëse kanë pasur disa “fërkime” sërish vazhdojnë që vendimet t’i marrin bashkë. Mësohet se në qendër të diskutimeve kanë qenë reforma zgjedhore, vendimi i Bundestagut për çeljen e negociatave por edhe plani anti-krizë i opozitës së bashkuara në tërësi. Për të gjitha këto Partia Demokratike pritet të zhvillojë të dielën një mbledhje të përbashkët të Kryesisë dhe ish-grupit parlamentar.

Mbledhja është thirrur në orën 11:00 dhe është e para e këtij sezoni të ri politik. Në fokus të mbledhjes pritet të jetë platforma mbi të cilën po punon PD për zgjidhjen e krizës.

Disa pika të tjera të kësaj platforme lidhen me sistemin e drejtësisë për të cilat pritet të ketë debate, për faktin se reforma në drejtësi është në proces dhe se ndërkombëtarët e kanë vlerësuar atë në mënyrë konstante. Ndërsa nga ana tjetër kryeministri Rama e ka thënë në mënyrë të prerë se Reforma në drejtësi nuk diskutohet, por vetëm zbatohet. Basha gjithashtu ka folur për një paketë antimafia, e cila në thelb synon të godasë kontratat koncesionare të qeverisë. Vetë Basha në disa dalje për mediat ka thënë se kur të vijë në pushtet do t’u marrë paratë oligarkëve dhe me to do të rrisë në mënyrë të ndjeshme rrogat e pensionet. Të gjitha këto pritet të jenë pjesë e diskutimeve në tryezën e dialogut mes opozitës dhe maxhorancës, e cila duket se do të jetë e afërt nisur nga qëndrimet më të fundit të kreut të PD-së, i cili tha vetëm pak ditë më herët se ai ka qenë gjithmonë gati për dialog me Ramën. Deklaratë kjo e çuditshme, pasi të gjithë kujtojmë thirrjet e Bashës në 10 protesta se s’ka dialog me Ramën por gjithësesi duhet vlerësuar kthesa e Bashës në këtë drejtim.

Por ndërsa Basha shfaqet me strategji dhe aksion të ri që synon dialog dhe negociata, nga ana tjetër del Berisha që bën thirrje për revolucion e mosbindje civile. Nuk mund të ketë periudha të përkohshme, – thotë Berisha, – Edi Rama do të largohet përmes protestave gjigande. “Vala tjetër e protestave gjigante do ta detyrojë Ramën të kërkoj azil politik. Nëse hapen manualet e mosbindjes civile janë të përshkruara me dhjetëra metoda nga të cilat nuk ka diktator e klan mafioz që iu reziston, ato janë shkatërrimtare. Këto do ndodhin shumë shpejt. Shqiptarët mezi presin. Rama do largohet para zgjedhjeve me azil politik”, është shprehur Berisha dy ditë më herët. Pra siç duket PD ndodhet mes dy “zjarreve”: aksionit të ri të Bashës dhe presionit të vjetër të Berishës. Urojmë gjithmonë që të ecet përpara me të renë. /realstory.al

Balla: Basha në fatin e vet

Nga Sokol Balla

A duhet një marrëveshje me Bashën? Unë e kam një përgjigje direkte: JO!

Dhe kjo s’ka lidhje me “fatvat” e Lulit ndaj meje apo Real Story, të cilat para tetë vjetëve përballë Berishës (në pushtet) duken si lule të rralla pranvere sesa si rreshje të forta dimri. Bile s’ka lidhje as me deklaratat e Doktorit në Opinion, për “ruajtjen e sistemit aktual proporcional”, ose i vetmi sistemi ku LSI teorikisht ka mundësinë të vendosë se kush mund të qeverisë. Komuniteti ndërkombëtar të premten foli tre herë për reformën elektorale dhe ndër to, vetëm një herë u përmend Opozita e vjetër. Ndërsa Merkel takonte Ramën në Berlin dhe i jepte lajmin për hapjen e negociatave nga pala e saj, ambasadori i saj në Tiranë takonte po të premten Rudi Hajdarin, vajzën që të gjithë e presupozojnë si Ralf Gjonin, por e cila sot ecën para me një mbështetje të fortë amerikane për ngritjen e një Opozite të Re. Subjekti? Reforma Zgjedhore. Më vonë foli edhe Soreca, një mik i vjetër i Bashës, i cili përmendi të njëjtën reformë si pikënisjen e një dialogu edhe me opozitën jashtë Kuvendit. Duken si gjëra të ndara, por ato lidhen në faktin se tashmë po afron afati për nisjen e reformës më të rëndësishme në vend pas asaj të Drejtësisë. Dhe alarmi ka rënë. Të gjitha partitë opozitare, përfshirë edhe LSI, po kërkojnë marrëveshje dhe dialog (mundësisht) dhe zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Kundër duket se janë Berisha, Meta dhe Bes Kallaku, por vetëm Lul Basha është i paqartë në fatin e tij. T’i thuash ulu me Ramën, i bën mirë vendit, por e varros atë dhe aksionin e tij politik (6 muaj luftë, dy muaj  “ohoho”). T’i thuash mos u ul, në fakt i bën mirë atij dhe aksionit të tij as më… as më… Por i bën keq vendit teorikisht: pasi nuk ul dy palët në tavolinë prej një viti.

Po prit? A janë vërtetë dy palë?

Në fakt po, por mes tyre nuk është as Basha, as Kryemadhi dhe pas pak javësh nuk do të jetë më pas Meta. Ndërkohë gati 40 deputetë të opozitës, përjashto Lefter Maliqin që sillet si Lefter Lefteri pa arsye, jo thjesht janë aty kot. Luli para se të bëjë marrëveshje me Ramën, i duhet të bëjë marrëveshje me ta, një gjë që është në kufijtë e të pamundurës. Lulit, para se të ulet me Ramën, i duhet t’i marrë “leje” Hajdarit Junior. Dhe e vetmja mënyrë që ajo t’ja japë, është në shkëmbim të një ofiqi të lartë zyrtar në PD, psh. në vend të Bardhit, çka do ta bënte vendimin, veç të tjerave,  të mos dukej as misogjinik.

Por ne e dimë që kjo nuk do të ndodhë. As Rama dhe as Basha nuk kontrollojnë Opozitën Hajdari.  Luli mund të bëjë marrëveshje me Maliqin, por asnjë marrëveshje tjetër me qeverinë dhe maxhorancën, nuk është në të mirën e tij. Rama, nën presionin ndërkombëtar dhe të opozitës së re, që ka votat në kuvend, do të duhej të binte dakord për ndryshimet thelbësore kushtetuese elektorale, një gjë që ai më herët nuk e ka pranuar. Por si mund të bëjë marrëveshje me Lulin, që veç Terit të Beratit, s’kontrollon dot asgjë përtej bahçes së SHQUP-it?

Prandaj për gjithë këtë situatë, ka vetëm një zgjidhje: Basha duhet lënë në fatin e vet. Ai të ndajë mendjen nëse do PD apo vetëm një zyrë të saj. Por s’ka asnjë zyrë teke që vendos dot për fatet e vendit. Koha e Hoxhëve ka mbaruar. Sido që ta sjellësh bisedën, Shqipëria bën edhe pa Bashën. Basha pa Shqipërinë, mbetet thjesht një kamarier i rëndomtë, me një diplomë e pasuri të dyshimtë.

Pazhallusta!

Faturat, kur Berisha paguante 2695 USD në “Hilton” dhe shpenzimet e ministrave të tij

Prej më shumë se një javë Partia Demokratike është duke hedhur akuza pa fund në lidhje me shpenzimet qeveritare kur ato udhëtojnë jashtë vendit. Ka qenë një faturë e ministres së drejtësisë, Etilda Gjoni,  ku për shpenzime delegacioni ka shpenzuar 700 euro nata, që PD të mos ndalet me sulmet e saj. Diskutimi në lidhje me mirëmenaxhimin e parave publike është gjithmonë i shëndetshëm, por duhet edhe të theksojmë se shpenzimet e përfaqësuesve të shteti Shqiptar në takimet e tyre të punës jashtë vendit janë një rutinë e ushtrimit të funksionit e cila është e pashmangshme dhe kostot që lidhen me të janë të paevitueshme. Kjo ndodh gjatë qeverisë Rama sot dhe ka ndodhur edhe gjatë qeveris Berisha dje. Mjafton të kërkosh një faturë të një ministri para 2013 për një krahasim të thjeshtë e për të hedhur dritë mbi faktet reale. Lexo.al ka publikuar disa fatura të ish ministrave të qeverisë Berisha por edhe vetë ish-kryeministrit në lidhje me shpenzimet e delegacionit që kryenin gjatë vizitave jashtë vendit.

Sali Berisha në vitin 2009, siç duket nga fatura, për 3 netë në një nga rrjetet e hoteleve më të mira në botë (Hilton), ka paguar nga buxheti i shtetit plot 2695 dollarë. Pra, dhoma për një natë për Berishën ka kushtuar plot 839 dollarë.

Por edhe ish-ministri i Jashtëm të qeverisë Berisha, Besnik Mustafaj, i cili siç duket nga fatura, për 3 netë hotel e shërbime plot shpenzon plot 2191 dollarë. Thënë ndryshe, hoteli për një natë ka kushtuar në atë kohë, 664 dollarë.

Duke parë këto fakte, kuptojmë së PD që sot sulmon e di fort mirë se si shpenzimet e Gjonajt edhe të tjerat janë të domosdoshme dhe normale në takime të nivelit të lartë dhe këtë gjë e ka bërë edhe vetë, edhe pse gjatë sulmeve hiqet sikur kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë.

Basha, opozitë me akuzat e Berishës, kujton vdekjen e Havzi Nelës në 1988

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është rikthyer kauzave të vjetra të PD-së për të bërë opozitë. Gjatë të shtunës ai ka sjellë në vëmendje rastin e poetit varjes së poetit nga Kukësi 31 vite më parë, teksa ka bërë një analogji me ngjarjet se së tashmes, duke qenë se herë pas herë në fokus të akuzave të tij ka qenë se Rama po e shndërron vendin në një sistem diktatoral.

Megjithëse varja e Havzi Nelës është përdorur prej shumë vitesh nga Berisha si pjesë e akuzave të tij kundër Ramës, pikërisht e njëjta kauzë po përdoret edhe nga Basha.

Në një reagim të gjatë për mediat, kryedemokrati shkruan se heshtja e popullit, përpara atij vendimi të partisë që e shiti vendimin si të drejtë me anë të propagandës, ishte një akt i turpshëm që sipas duhet të shërbej si mësim për ngjarjet sot. Ai shkruan se përballë kësaj qeverie, për të cillën akuzat janë të panumërta, nuk duhet heshtur, por duhet një reagim qytetar për t’i sjellë fundin e saj.

“Dita e sotme duhet të jetë një ditë refleksioni për të gjithë. Turpi kombëtar dhe ndërkombëtar që ne si shoqëri regjistruam 10 gushtin e 1988-s, kur lejuam në heshtje dhe kokulur varjen me vendim partie të një poeti, kur pranuam të depersonalizuar dhe në tradhëti të rëndë ndaj dinjitetit personal dhe kombëtar që banda gjakatare ta bënte shembull kujtimin e tij rrugëve të Kukësit, dhe kur gjithçka e justifikuam me vendime të nënshkruara nga baballarët politikë dhe biologjikë të krerëve të bandës aktuale që prapë shtyp, vjedh dhe dhunon Kukësin dhe mbarë Shqipërinë, ky turp duhet të na skuqë përditë, derisa pendesën dhe reflektimin ta tregojmë me vepra! Përsëritja do e zhyste shoqërinë tonë në fatalitet, do na rreshtonte përfundimisht në ato bashkësi të destinuara të mos mësojnë nga historia e tyre e rrjedhimisht të gllabërohen nga spiralja e ndëshkimit dhe e zhbërjes”, shkruan Basha.

Ditën e premte, kreu i Partisë Demokratike njoftoi se aksioni opozitar do të vijojë në shtator me përshkallëzim të protestave.

Bislim Ahmetaj sulmon Berishën për Bashën: E zgjodhe si “detyrë shtëpie”

Të pakënaqurit ndaj Lulzim Bashës dhe personat që flasin hapur për largimin e tij nga kreu i PD, sa vijnë dhe shtohen. Bislim Ahmetaj, kreu i grupimit “Dhjetor ’90” dhe një nga studentët e lëvizjes studentore në vitet 90, i ka drejtuar ditën e sotme një pyetje publike ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ahmetaj, një mbështetës i Berishës, i ka kërkrur arsyen se mbi cilin besim i ka dhënë të gjithë ato detyra në gjithë këto vite kreut aktual të opozitës Lulzim Bashës, si “inspirim të brendshëm personal” apo “detyrë shtëpie”.

Madje ai i ka dhënë edhe një përgjigje duke i thënë se nëse e ka si “detyrë shtëpie” ia bën “haram” mbështetjen e deritanishme, por do e kuptonte nëse ishte thjeshtë një zgjedhje e gabuar e Berishës. Ahmetaj i është shtuar kështu emrave të njohur demokrat, si Jozefina Topalli dhe Arben Ristani

“Një pyetje soriozisht serioze për Sali Berishën(!?)

Ka vite që më bren një brengë të cilën s’po e mbaj më brenda vetës dhe tani dua ta bëj publike, kjo është një pyetje shumë serioze dhe e rëndësishme jo thjeshtë për mua, dhe më beso që për hirë të integritetit tim dhe dinjitetit të prejardhjes time familjare se kam të lehtë ta lëshoj në publik, por më shtyn dhimbja për vendin tim, për vendin tuaj, për vendin tonë që është ba siç ishte para 30 vitesh faqja e zezë, marrja dhe “gogoli” i botës demokratike.

Këtë pyetje e kam për Sali Berishën: Mbështetjen pa kushte që i ke dhënë Lulzim Bashës që kur e vune në krye të KOP-it në 2005-ën, pastaj Ministër Transportesh, Ministër të Brendshëm dhe të Jashtëm, më vonë Kryetar të Bashkisë së Kryeqytetit dhe së fundi dy herë Kryetar të Partisë Demokratike e ke pas inspirim të brendshëm personal apo “detyrë shpie”?!?

Ps: Si njëri që jam marrë me shkrimin dhe me gazetarinë që në fillesat kur rinisi të shkruhej pa urdhër nga lart ruaj të drejtën ta bëj pyetjen me koment dhe komenti im është ky:

Nqs ke gabuar në zgjedhjen tënde do të isha i qetë për vitet që të kam ndjekur me bindje, nqs e ke pas detyrë shpie “haram” e paç mbështetjen time dhe të gjithë ndjekësve të mi.” – shkruan Ahmetaj

Skip to toolbar