Zhvillimi i rrugëve rurale, Shqipëria merr hua 50 milionë dollarë nga BERZH

Qeveria shqiptare ka miratuar një hua të re të marrë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri. Huaja e re prej 50 milionë dollarësh e marrë nga BERZH do të shkojë në rindërtimin e rrugëve në vend me propozim të ministri të Financave dhe Ekonomisë. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së qeverisë ditën e mërkurë dhe hyn në fuqi në më mënyrë të menjëhershme pas botimit në Fletoren Zyrtare.

“Qeveria vendosi miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri, nëpërmjet një huaje prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) USD-sh, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi” shkruhet në vendimin e qeverisë.

Në këtë marrëveshje të re huaje me BERZH synohet përmirësimi dhe rehabilitimi i rrugëve rajonale dhe lokale në bashkitë e përzgjedhura të vendit, që do të ndihmojnë jo vetëm në menaxhimin e mirë të aseteve të këtyre bashkive, por edhe në rritjen potenciale të aktiviteteve bujqësore dhe turistike të tyre.

Rama: Ballkani të krijojë zonën e vet Shengen për bizneset

Kryeministri Rama ka marrë pjesë në takimi vjetor të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, me fokus të veçantë Ballkanin dhe investimet në rajonin tonë. Gjatë fjalës së tij Rama tha se Shqipëria është një ndër vendet më të mira për biznesin të investojë pasi ka taksa të ulëta dhe kosto më të ulët pune, por gjithashtu edhe rajoni i Ballkanit është një vend i mirë investimi. Gjatë konferencës Rama shtoi se çdo shtet duhet të thellojë reformat e veta për një investim më të mirë në rajon dhe krijimin e modeleve të suksesshme dhe ngritjen e urave lidhëse dhe komunikuese.

“Mendoj se nuk duhet të presim të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian, për të pasur modelin tonë të zonës Shengen. Nuk më bën sens që jemi kaq mbrapa në komunikim, veprime dhe liri në një hapësirë ku duhet të marrim pjesë, për të pasur një treg më të madh, për të pasur më shumë hapësira e mundësi. BE-ja po bëhet gjithmonë e më shumë si Ballkani, në sensin që është gjithnjë e më pak e parashikueshme. Pra, në këtë mjedis, do i thoja të gjithë njerëzve të pranishëm këtu, që kanë ardhur në Sarajevë për biznes dhe që i përkasin komunitetit të biznesit, ndër mjediset e ndryshme të paparashikueshme, ne jemi më i miri, sepse kemi taksa më të ulëta dhe kemi kosto më të ulët pune. Të investosh në Ballkan tani, në çdo vend të Ballkanit është vendim i mirë. Po lajmi i mire në tërë këtë proces është që njerëzit nga komuniteti i biznesit nuk po përballen me të njëjtat probleme dhe vështirësi që ne po shohim në nivel politik, për të rënë dakord, pavarësisht ideve të kundërta, kur flasim për krijimin e kësaj zone ekonomike, tregut të përbashkët.

Pra, mund të them që ajo që po ndodh me biznesin tregon qartë sa e rëndësishme është të bashkohemi si rajon dhe të sillemi si një entitet. Ndërkohë që BE-ja po mundohet të zgjidhë problemet e brendshme dhe të reformohet e të përmirësohet, pasi të ketë kaluar më të keqen, ne duhet të thellojmë reformat tona, jo vetëm në secilin vend, por edhe për rajonin, që është e vështirë dhe jo për të komplimentuar mikpritësin, por BERZH ka qenë shumë mbështetës dhe ne e shohim atë si një nga burimet që na mësojnë si të kapërcejmë vështirësitë kur flasim për krijimin e modeleve të suksesshme dhe ngritjen e urave lidhëse.” – tha Rama

BE dhe BERZH i japin Shqipërisë 100 milionë euro për turizmin

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot në kryeministri projektin më të fundit në bashkëpunim me BE dhe BERZH të cilët do të japin një kontribut prej 100 milionë eurosh për zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Rama tha se ky investim është shprehje e besimit të institucioneve ndërkombëtare te qeveria shqiptare.

“Shprehje të besimit e vlerësimit tek strategjia e përzgjedhur prej qeverisë shqiptare përmes rilindjes urbane”, tha Rama.  “Projekti që lançojmë sot si një projekt i përbashkët mes BE-së dhe BERZH përbën jo vetëm shifër 100 mln euro por mbi të gjitha në përmbajtjen e vet një arsye më shumë për të vlerësuar rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm në vendin tonë të këtyre dy forcave. Kjo marrëveshje e re e cila do t’i shkojë si një mbështetje më shumë programit tonë transformues të turizmit në Shqipëri është edhe një shprehje kuptimplotë e vlerësimit dhe besimit të këtyre institucioneve tek rruga dhe strategjia e përzgjedhur prej nesh përmes rrugës së rilindjes urbane dhe asaj urbane”, theksoi kryeministri i cili bëri të ditur se Shqipëria do të vazhdojë të rrisë numrin e turistëve të huaj edhe gjatë këtij sezoni turistik.

Skip to toolbar