Shahini: Protesta mori modelin e keq të opozitës

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini e ka cilësuar si të turpshme dhe të trishtueshme protestën e studentëve që u kthye në një sfond dhune. Protesta e studentëve mori formën e një shfaqje teatrale të dhunës opozitare, ndërkohë që qeveria është e angazhuar të përmbush detyrimet e saj me paktin e bërë në dhjetor për universitetin tha Shahini.

“Ishte një trishtim për mua, por edhe një cënim i rëndë i imazhit të Studentit Protestues, që sot para Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë një grusht individësh partiakë e rrëmbyen me dhunë masën e vogël të studentëve duke e kthyer në sfond dhune. Thanë se do të vinin të kërkojnë cilësi të arsimit të lartë duke protestuar në të njëjtin vend ku protesta e dhjetorit i hapi rrugën #Paktit kuptimplotë për Universitetin. Por thjesht thyen xhamat e institucionit sipas modelit më të keq të politikës opozitare.

Lajmi i mirë është se sot Studenti Protestues nuk ishte aty, por sidoqoftë trishtimi mbetet dhe turpi u mbetet atyre që lanë nam me “protestën” e kthyer në një shfaqje të teatrit të dhunshëm opozitar.

Ndërkohë, ne do të vazhdojmë të mbajmë angazhimet e #PaktitpërUniversitetin, që sot ka sjellë në jetën universitare bibliotekën dixhitale, portalin e transparencës, bursat për ekselentët e studentët në nevojë, kantieret për përmirësimin e kushteve nëpër konvikte, zhvillimin e kartës për 110 mijë studentë të universiteteve publike.” – shkruan Shahini në Facebook.

Polica liron bashkëshortin e ministres Shahini

Gjatë ditës së sotme mediat kosovare raportuar arrestimin e Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, i cili është edhe bashkëshorti i ministres sonë të Arsimit, Besa Shahini.

Arrestimi i tij erdhi në lidhje me pjesëmarrjen në protestë pas arrestimit të liderit të VV-së Albin Kurtit në vitin 2015, ku Molliqaj në atë kohë ka qenë sekretar organizativ i Vetëvendosjes.

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate tha se deputeti është liruar me procedurë të rregullt dhe rasti i arrestimit të tij është dërguar për hetim në prokurori.

Artan Fuga kërkon shkarkimin e Besa Shahinit

Akademiku Artan Fuga ka reaguar me një letër të hapur drejtuar Kryeministrit Rama dhe Presidentit Meta lidhur me deklaratat e ministres së Arsimit, Besa Shahini për shkrirjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me akademitë shqiptare në rajon në “një të vetme”.

Në një letër të gjatë Fuga sqaron se këto ide përveçse bien ndesh me Kushtetutën, identitetin e institucioneve akademike në Shqipëri por është edhe një provokacion gjeopolitik i “qytetares ministre Besa Shahini”.

Letra e Artan Fugës

Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Shqipëria në punë të vet, qytetarja Besa Shahini në punë të vet!

Letër publike:

Presidentit të Republikës zotit Ilir Meta !
Kryetarit të Këshillit të Ministrave, zotit Edi Rama !
Kryetarit të Komisionit të Sigurisë të Kuvendit të Shqipërisë!

Po Ju drejtohem me shqetësim të thellë intelektual dhe qytetar lidhur me një deklaratë të papritur të Ministres të arsimit, rinisë dhe sporteve të Republikës të Shqipërisë, qytetares Besa Shahini, bërë sot, më datë 10 maj 2019, e cila në profilin e një rrjeti social deklaron se : “Do të jem edhe unë pjesë e këtij debati ku do të paraqes idenë time për të vendosur në ligj bazat e fillimit të një përafrimi të akademive shqiptare në rajon me synim integrimin në një të vetme.”

Është e çuditshme sepse në asnjë platformë politike të partive parlamentare, të qeverisë, e së cilës ajo është pjesë, e Kushtetutës të Shqipërisë, nuk ekziston ndonjë platformë që ta justifikojë qytetaren Besa Shahini si ministre e këtij shteti, të punojë për realizimin e një ideje të tillë!

Madje as në Bashkimin Europian nuk kërkohet shkrirja në një të vetme e agjencive publike të shteteve të veçanta anëtare!

Në këtë mënyrë, në pikën kulmore të punimeve të komisionit kuvendor për reformimin e akademisë të shkencave të Shqipërisë, qytetarja Besa Shahini, në funksionin e ministres, që ka për detyrë ligjore të zhvillojë identitetin e institucioneve të arsimit dhe të shkencës dhe të agjencive publike që funksionojnë ligjërisht në shtetin e Shqipërisë, deklaron se punon kundër kësaj mëvetësie, pra punon në të kundërt të betimit të saj si ministre!

Me megalomani kjo ide nënkupton se është qytetarja Besa Shahini që pa konsultuar komunitetin e akademikëve dhe universitarëve që janë qytetarë të shtetit të Shqipërisë, pa konsultuar as programin e qeverisë e së cilës ajo është pjesë, pa respektuar as Kushtetutën e Shqipërisë së cilës ka pranuar t’i shërbejë, po punoka për zhbërjen e mëvetësive të akademisë të shkencave të Shqipërisë, madje shkon edhe më larg, a thua se varet prej saj, edhe zhbërjen e mëvetësisë të akademisë të shkencave të Kosovës dhe më gjerë.

Duke synuar kthimin e tyre “në një të vetme”, qytetarja Besa Shahini flet edhe për të gjithë rajonin.

Ideja e bërë publike sot është një provokacion gjeopolitik.

Cilat janë akademitë e tjera të shkencave shqiptare në rajon veç asaj të Kosovës?

Akademikët shqiptarë në rajon kanë fituar të drejtën e të pasurit në mënyrë dinjitoze të vendeve në akademinë e shkencave të Maqedonisë dhe në atë të Malit të Zi. Si parim, edhe në Akademinë e shkencave të Serbisë. Çfarë nënkupton deklarata e qytetares Besa Shahini? Që akademikët shqiptarë të braktisin këto akademi shkencash dhe të krijojnë akademitë e tyre të shkencave në shtetet përkatëse duke u vetëizoluar? Apo nënkupton që në fund të procesit të ideuar prej saj, akademia e shkencave e Shqipërisë, ajo e Kosovës, të integrohen “në një të vetme” me atë të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi?! Apo ideja e saj është që shqiptarët në cilindo nga këto shtete të ish Jugosllavisë të krijojnë akademi shkencash mbi baza etnike dhe pastaj të integrohen me akademinë e Shqipërisë?!

Të gjitha mundësitë që mund të nënkuptojë ideja që e “lumturoka” qytetaren ministre Besa Shahini janë absurde, më së paku, por edhe të mbrapshta, dhe çojnë pikërisht në zhbërjen e akademisë të shkencave të Shqipërisë duke e çuar atë drejt shkrirjes të identitetit të vet institucional si bartëse e misionit për të cilën është krijuar.

Parë rrezikshmërinë dhe dëmin e këtyre pohimeve të shkruara të zezë mbi të bardhë, si edhe sabotimin që po i bën prej muajsh procesit të reformimit të akademisë të shkencave të Shqipërisë ministria e arsimit, lind dyshimi i qartë se shkaku më i thellë qenka pikërisht strategjia e zonjës qytetare ministre Besa Shahini.

Nisur nga këtej unë ju ftoj zotërinj të nderuar, si autoritete që keni përgjegjësinë kryesore për ruajtjen e sovranitetit të institucioneve publike të vendit, ta thërrisni për sqarime publike këtë anëtare të qeverisë, dhe nëse ajo nuk akomodohet me Kushtetutën e Shqipërisë, me platformën ligjore të qeverisë, të realizoni shkarkimin e saj pa humbur kohë!

Besa Shahini në punë të vet, Shqipëria, kombi shqiptar, Akademia e shkencave e Shqipërisë dhe e Kosovës në punën e tyre!

Me respekt qytetar,

Artan Fuga

Akademik

Vasili: Reforma në arsimin e lartë, dështim i qeverisë

Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili është bërë pjesë e replikave me ministren e Arsimit lidhur me kërkesën për shkarkimin e Mynyr Konit.

Në një postim në “Facebook”, Vasili e ka akuzuar ministren se flet një shqipe të çalë dhe se reforma në arsimin e lartë ka futur në krizë të gjithë arsimin e lartë anë e mbanë vendit dhe jo një universitet të vetëm. Vasili e ka cilësuar Paktin për Universitetin një dështim të qeverisë dhe jo zgjidhje për krizën e arsimit të lartë në Shqipëri.

“Ministresha e Arsimit me shqipen e çale si logjika e saj, shpjegon pikëllimin e saj se presidenti nuk paska pranuar propozimin e saj për heqjen e nje rektori. Kujtesa e çale e Ministreshes ashtu si shqipja e saj nuk ndricon gjekundi, ndaj hajt ta ndihmojmë me sa mundemi: Manifestimet e studenteve u shtrine ane e mbane vendit ne te gjitha universitetet dhe jo ne nje universitet te vetem. Reforma ne arsimin e larte e refuzua dhe kundërshtua shume fort dhe pa asnje kompromis nga studentet ane e mbane vendit. Manifestimet e studenteve filluan perpara Ministrise se Arsimimit per dite e jave te tera dhe protestuesit vinin nga te gjithe universitetet ane e mbane vendit. Shkollepaku, qe ka mbi vete Ministresha perzuri edhe ministreshen e meparshme te arsimit nga detyra si pergjegjese per reformen e deshtuar kryq e themel dhe per nje thes me budalleqe qe tha per te mbrojtur deshtimin. Reforma ne arsimin e larte si nje turp i vertete ka futur ne krize te gjithe arsimin e larte ane e mbane vendit dhe jo nje universitet te vetem.” – shkruan Vasili

Pezullon rektorin Mynyr Koni, Shahini kërkon shkarkimin e tij

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka pezulluar rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni nga posti i tij dhe ka kërkuar në mënyrë publike shkarkimin e tij nga presidenti Ilir Meta.

Gjatë një deklarate për mediat, Shahini tha se i vjen keq që i është dashur të marrë një vendim të tillë, por janë vërejtur probleme serioze në zbatimin e ligjit të arsimit në universitet.

“Më ka bërë përshtypje që edhe publikisht, profesor Koni është ankuar për dekanët dhe pjesën administrative, por nuk ka ardhur kurrë me një kërkesë të mirëargumentuar që t’ia miratojmë shkarkimin e dekanëve. Unë nuk kam në dorë asnjë mjet tjetër ligjor përveçse të pezulloj Rektorin e UT-së dhe të kërkoj nga Presidenti i Republikës, shkarkimin e tij. Më vjen keq për profesor Konin pasi ka qenë shumë korrekt me mua, por përsos kësaj unë jam një udhëheqëse që duhet të sigurohem që reforma po zbatohet në të mirë të gjithë vendit. Është e vështirë të kërkosh pezullim të një personi, që është zgjedhur me votat e institucionit që përfaqëson dhe më vjen keq që kemi arritur në këtë pikë. Vendimin për shkarkim e merr presidenti dhe ai do të ketë në dispozicion të gjithë materialin e përgatitur nga grupet e inspektimit, që ta ndihmojë të marrë këtë vendim.”

Shahini shtoi se moszbatimi i ligjit ka çuar në keqmenaxhim të universitetit duke sjell probleme tek të gjithë studentët.

“Universiteti është keqmenaxhuar dhe kjo ka sjellë probleme serioze për një gjeneratë të tërë të studentëve. Jam e bindur që Presidenti do të marrë vendimin e duhur për të zgjidhur ngërçin në Universitetin e Tiranës.” –përfundon deklaratën e saj ministrja Shahini.

Skip to toolbar