Pezullon rektorin Mynyr Koni, Shahini kërkon shkarkimin e tij

Më të fundit


Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka pezulluar rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni nga posti i tij dhe ka kërkuar në mënyrë publike shkarkimin e tij nga presidenti Ilir Meta.

Gjatë një deklarate për mediat, Shahini tha se i vjen keq që i është dashur të marrë një vendim të tillë, por janë vërejtur probleme serioze në zbatimin e ligjit të arsimit në universitet.


“Më ka bërë përshtypje që edhe publikisht, profesor Koni është ankuar për dekanët dhe pjesën administrative, por nuk ka ardhur kurrë me një kërkesë të mirëargumentuar që t’ia miratojmë shkarkimin e dekanëve. Unë nuk kam në dorë asnjë mjet tjetër ligjor përveçse të pezulloj Rektorin e UT-së dhe të kërkoj nga Presidenti i Republikës, shkarkimin e tij. Më vjen keq për profesor Konin pasi ka qenë shumë korrekt me mua, por përsos kësaj unë jam një udhëheqëse që duhet të sigurohem që reforma po zbatohet në të mirë të gjithë vendit. Është e vështirë të kërkosh pezullim të një personi, që është zgjedhur me votat e institucionit që përfaqëson dhe më vjen keq që kemi arritur në këtë pikë. Vendimin për shkarkim e merr presidenti dhe ai do të ketë në dispozicion të gjithë materialin e përgatitur nga grupet e inspektimit, që ta ndihmojë të marrë këtë vendim.”

Shahini shtoi se moszbatimi i ligjit ka çuar në keqmenaxhim të universitetit duke sjell probleme tek të gjithë studentët.

“Universiteti është keqmenaxhuar dhe kjo ka sjellë probleme serioze për një gjeneratë të tërë të studentëve. Jam e bindur që Presidenti do të marrë vendimin e duhur për të zgjidhur ngërçin në Universitetin e Tiranës.” –përfundon deklaratën e saj ministrja Shahini.




Skip to toolbar