Klosi: Nga 1 dhjetori lejet mjedisore, online

Lejet mjedisore nga 1 dhjetori 2019 do të jenë online. Sipas ministri të Mjedisit Blendi Klosi kalimi online i lejeve mjedisore do krijojë një sistem kombëtar elektronik, transparent dhe i shpejtë.

Aplikimi online do të mbyllë një raport të vështirë midis administratës dhe biznesit duke vendosur njëherësh edhe kufizime të qarta të bazuara në legjislacion, për të mos lenë më vend për asnjë diskutim në dëm të mjedisit. Sistemi online do të krijojë gjithashtu një sërë avantazhesh si eliminimi i burokracisë, rritja e transparencës, shkurtimi i procedurave administrative dhe ulja e kostos së aplikimit.” tha Klosi gjatë një takimi të zhvilluar me ekspertë të fushës.  Sipas Klosit nga 1 dhjetori 2019 lejet e mjedisit të tipit A dhe B do mund të aplikohen online përmes portalit qeveritar e-Albania por paralelisht do të vijojnë aplikimet edhe përmes metodës së vjetër të dërgimit të shkresave pranë institucionit përkatës. Ky sistem dual do të zgjasë deri më datën 28 shkurt 2020 pasi në datën 1 mars 2020 lejet mjedisore do të lëshohen vetëm përmes platformës online.

Ministri Klosi mbështeti nismën e tij për shkrirjen e inspektoratit të mjedisit si dhe kalimin e kompetencave Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen e Mjedisit, si dhe kërkoi diskutimin për heqjen e lejeve mjedisore të tipit C, kategori që Veliaj kërkon t’i kalojë si kompetencë Bashkisë Tiranë.

Veliaj, prej kohësh kërkon marrjen e të drejtës të inspektoratit mjedisor dhe kompetencat për lëshimin e lejeve të kategorisë C ose leje e thjeshtë mjedisore (leje për ushtrim të aktiviteteve që shkaktojnë ndotje akustike) si furrat e bukës, depot farmaceutike, lavazhet apo dhe mobilieritë që hapen poshtë pallateve. Kryebashkiaku tha gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak se këto leje duhet t’i kalojnë si kompetencë bashkisë për një monitorim më të mirë të situatës dhe për të shmangur abuzimet që bëhen me këto raste.

“Kur them se duhet t’i kalojnë bashkitë, nuk dua t’i marr ndonjë gjë Klosi. Thjeshtë duhet t’i jap qytetit diçka që duhet ta menaxhojë qyteti dhe të shmangen dhëniet e leje abuzive.” tha Veliaj

Klosi: Deri në fund të 2020, eleminojmë 100% qeset plastike

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi së bashku me të rinjtë e projektit Smile Albania dhe FRESSH, kanë zhvilluar një aksion për pastrimin e malit të Dajtit. Gjatë fjalës së tij, Klosi u shpreh se do tu bëhet thirrje organizatave të shoqërisë civile të përfshihen në pastrimin e mjedisit, që sipas ministrit, bëhet për një Shqipëri më të pastër.

“Të rinjtë e Smile përgjatë dy muajve kanë ndihmuar në pastrimin e të gjitha zonave bregdetare dhe turistike por sot në malin e Dajtit na janë bashkuar edhe të rinjtë e Tiranës nëpërmjet FRESSH-it për të dhënë një mesazh shumë të fortë sensibilizues. Përgjatë gjithë ditës ne do të pastrojmë këtë hapësirë duke vazhduar të bëjmë thirrje që tashmë vitin administrativ që fillon ne do t’u kërkojmë të gjitha organizatave të shoqërisë civile dhe po ashtu pushtetit lokal dhe shoqërisë në tërësi që të punojmë fort për një menaxhimin krejt tjetër të mjedisit për një Shqipëri më të pastër”, tha ministri Klosi.

Më tej, ministri u shpreh se qëllimi kryesor është lufta pakompromis me plastikën në vend. Sipas tij, brenda këtij viti do të kalohet në parlament ligji, që do të kufizojë vitin e ardhshëm përfundimisht përdorimin e qeseve plastike.

“Në operacionin tonë ‘Clean and Green 2020’ një nga pikat e rëndësishme ka qenë eliminimi i qeseve plastike, prandaj brenda këtij viti ne do të kalojmë ligjin që kufizon në pranverën e vitit 2020 përfundimisht qeset plastike në vendin tonë dhe brenda vitit 2020 eliminimin e të gjithë plastikës”, u shpreh ministri Klosi. Deputeti i Partisë Socialiste, Eljo Hysko tha se FRESSH ka vendosur që këtë vit t’i bashkohet aksionit të MTM për të pastruar zonat e mbrojtura, bashkitë e vendit dhe zonave turistike.

Fushatë kundër plastikës, Klosi: Merr fund në 2020

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nisur fushatën kundër përdorimit të qeseve plastike, për një Shqipëri më e pastër dhe të gjelbër. Për kufizimin e përdorimit të qeseve plastike edhe qeveria miratoi një ligj në korrik 2018, duke reduktuar prodhimin e tyre me 50%. Në aktivitetin e mbajtur për të ndërgjegjësuar qytetarët për dëmet që plastika sjell në mjedis, ministri Klosi thotë se në terren situata vijon të jetë problematike, prandaj kudo në Shqipëria ka nisur fushata “Vari torbën qeses”, e cila do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë për ta reduktuar në masën 100% prodhimin dhe përdorimin e qeseve plastike, brenda 2020-s.

Një nga problematikat e madhe që ka sot Shqipëria është edukimi mjedisor! Përpiqemi shumë që të dëshmojmë që Shqipëria është një vend i përgatitur për të pritur miliona pushues të huaj, por kur shohim se çfarë ndodh në realitet në terren kuptojmë që kemi problematika të mëdha sa i takon mënyrës sesi e trajtojmë mjedisin. Nëse duam që turisti që vjen në Shqipëri të rikthehet, nëse duam të prodhojmë ekonomi dhe të zhvillojmë turizmin gjithëvjetor, duhet të mbrojmë dhe kujdesemi për mjedisin”, tha ministri Klosi, i cili pranon se nuk është e lehtë për të ndryshuar një mentalitet të tërë, por që mund të arrihet nëse përpjekjet e qeverisë do të mbështeten edhe nga autoritetet lokale, të përfshira në këtë proces.

Vitin e kaluar në kuadër të fushatës “clean and green 2020” ministria e mjedisit ka hartuar një strategji të re për trajtimin e mbetjeve urbane. Kemi evidentuar vend-depozitimet ilegale që duhen mbyllur. Kemi krijuar të gjithë hapësirën e nevojshme ligjore dhe do të kërkojmë nga ky shtator që së bashku me kryetarët e bashkive të zgjidhim problematikën e licencimit të vendeve ku do të depozitohen mbetjet në Shqipëri. Ka ardhur koha të kuptojmë që për mjedisin duhet të sakrifikojmë më shumë dhe që gjithë shoqëria duhet të japë një kontribut më të madh për të eliminuar përdorimin e qeseve plastike deri në zëvendësimin e tyre me trasta. Ky është objektivi ynë madhor”, u shpreh ministri Klosi.

Klosi: Guroret, në filtër, gangrena në Tomorr do marri fund

“Qeveria është e vendosur për t’i dhënë fund shfrytëzimit pa asnjë kriter të pasurisë natyrore të Malit “të shenjtë” të Tomorrit.” Ky ka qenë mesazhi që ministri i Turizmit Blendi Klosi ka dhënë nga mbledhja e Këshilli Kombëtar të Territorit. Mali i Tomorrit ka qenë në fokus të KKT, ku kërkohet shpallja e tij pasuri natyrore e Park Kombëtar, për të ndaluar abuzuesit që po dëmtojnë zonën. Klosi tha se qeveria do të kalojë në skaner të gjitha guroret që kryejnë aktivitet në këtë zonë dhe e kanë kthyer atë në një gangrenë. Beteja vijon për mbrojtjen e Malit të Tomorrit dhe se 10 guroret do të kalojnë në filtër për aktivitetin e tyre është shprehur Klosi.

“Jemi para vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit. Vendimi i Berishës në 2012 kur shpalli zonë të mbrojtur malin e Tomorrit përjashtoi këtë zonë, e cila u krijua si gangrenë, ku na kërkohet të rikuperojmë një gabim që nëse 7 vite më parë do ishte bërë në mënyrë të ndershme nga politika e asaj kohe do të kishim një zonë të mbrojtur, pasi ky është mal me vlera ekonomike, mbrojtje të kaq shumë speciesh dhe që kjo zonë të mos ishte e degraduar nga ata që po e shfrytëzojnë për marrjen e gurëve edhe në zonën e mbrojtur. Vendimi i 2018 u rrëzua me një vendim absurd nga gjykata që kërkoi që procedura të vinte edhe në KKT. Mali i Tomorrit duhet mbrojtur. Kjo katrahurë nuk duhet të vijojë. Mbrojtje do të ketë edhe për basenin ujor të Bogovës, që rrezikon cilësinë e ujit për Beratin dhe Skraparin. Shumë shpejt do të kalojnë në skaner guroret për aktivitetin e tyre, do të kërkojmë të kthejmë në vend padrejtësinë historike që i është bërë këtij komuniteti dhe mali” tha Klosi.

Qeveria vendosi në 2018 që ta kthente në park kombëtar të gjithë Malin e Tomorrit, i cili prej disa dekadash po gërmohej dhe shkatërrohej nga kompanitë gurore. Gjykata e Apelit Administrativ vendosi më 17 korrik që të shfuqizojë vendimin e qeverisë dhe vendosi rikthimin e kompanive gurore në punë. Kjo ka sjellë protesta të banorëve dhe përplasje me policinë, ndërsa ministria e Turizmit ka nisur një peticion për të mbledhur firmat ku kërkohet shpallja Park Kombëtar i gjithë Malit të Tomorrit.

Qytetarët protestojnë për mbrojtjen e Parkut Kombëtar, PD: Është ‘show’

Paraditen e të shtunës, dhjetra banorë të fshatrave të Beratit dhe Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi, kanë protestuar kundër një vendimi të Gjykatës Administrative, që rrëzonte një Vendim të Këshillit të  Ministriave për zgjerimin e sipërfaqes së Parkut Kombëtar të Malit të Tomorrit. Klosi u shpreh se ky vendim i gjykatës do të ankimohet, ndërsa akuzoi gjyqtarët që morën vendimin kundër Parkut Kombëtar, se kishin pasur ndikim nga bizneset e guroreve në Malin e Tomorrit. Por për Partinë Demokratike protesta e banorëve të Beratit kundër vendimit të Gjykatës Administrative, është “show”.

Jamarbër Malltezi, dhëndër i ish-kryeministrit Berisha dhe anëtar i PD-së, ka reaguar me një status në rrjetet sociale, ku shkruan se “Show i Klosit për Parkun e tomorrit, është tallëse”. Sipas Malltezit, Vendimi i Këshillit të Ministrave për zgjerimin e vijës së Parkut Kombëtar të Malit të Tomorrit, është miratuar pa ndjekur asnjë procedurë.

“Ajo që e shoh si skandaloze dhe tallje të rëndë me qytetarët është shfaqja e turpshme e Blendi Klosit. Siç shikojet edhe në dokumentat e paraqitur para gjykatës, shoqëritë e kanë hedhur në gjyq qeverinë dhe e kanë fituar gjyqin me të, pasi VKM eshte miratuar pa ndjekur asnje procedure dhe subjektet janë të licensuar nga vete qeveria Rama për shfrytëzim të guroreve në zonën e zgjeruar me VKM-në e vjetshme.  Keto licensa jane rinovuar  herë pas here. Njëra prej tyre, që del në dokumentat e gjykatës është e vitit 2016, kështu që Blendi Klosi mund të pyesë Damian Termetin dhe Lefter Kokën për më shumë detaje”, shkruan ndër të tjera Malltezi.  

Skip to toolbar