Pas protestave të dhunshme, Basha në Britani thotë se do luftojë krimin

Rruga që ka ndjekur deri tani PD është ajo e protestave të dhunshme, përmes të cilave synon të rrëzojë qeverinë. Por nga Britania, ku ka takuar Kryetarin e Komisionit të Sigurisë dhe Inteligjencës, Dominic Grieve, kreu i PD-së, Lulzim Basha është shprehur se PD ka vullnet të luftojë krimin.

Zyra e shtypit e PD-së njofton se në bashkëbisedimin me zotin Grieve, lideri i opozitës theksoi vendosmërinë e tij që bashkëpunimi midis dy vendeve, në fushën e sigurisë dhe të zbatimit të ligjit të jetë sa më i fuqishëm dhe sa më efikas.

Basha theksoi se shumica absolute e shqiptarëve jetojnë dhe punojnë në Britaninë e Madhe ndershmërisht.

Ndaj veprimi i vendosur dhe bashkëpunimi i ngushtë në luftë kundër krimit të organizuar dhe në veçanti trafikut të qënieve njerëzore e të narkotikëve, do të ndihmojë në goditjen e kriminalitetit dhe në rikthimin e besimit. Kreu i opozitës shqiptare theksoi se kjo do të shërbejë për të mos njollosur reputacionin e komunitetit shqiptar në Britani nga një pakicë e përfshirë në aktivitete kriminale.

Jemi të vendosur nënvizoi zoti Basha për të ndërtuar ne Shqipëri institucione te forta ligjzbatuese te pandikuara dhe te afta per te luftuar krimin e organizuar dhe narkotrafikun.

Gjithashtu u diskutua për rrezikun e të gjitha retorikave për ndryshim kufijsh në Ballkan.

Basha theksoi se shtetet e Ballkanit janë multietnike dhe se kjo është një vlerë europiane, të cilën ne duhet ta mbrojmë. “Çdo ide tjetër rrezikon paqen dhe stabilitetin rajonal, hap precedentë të rrezikshmëm në Ballkan dhe përtej Ballkanit, si dhe dobëson krahun jugor të NATO-s duke i shërbyer axhendave që janë në konflikt me sigurinë dhe vlerat euroatlantike.”

Zhduket në Angli nëna shqiptare me vajzën 2 vjeçe

Sebjana Myzeqari dhe vajza e saj 2-vjeçare Enissa, rezultojnë të zhdukura që prej datës 2 prill në Britaninë e Madhe.

BBC shkruan se dy shqiptaret janë parë për herë të fundit në Doncaster më 2 prill dhe më pas kanë humbur pa lënë gjurmë.

Sebjana nuk ka përdorur as telefonin dhe as kartat bankare, madje nuk rezulton që të jetë larguar nga Mbretëria e Bashkuar. Burime pranë policisë janë shprehur “të shqetësuar” për sigurinë e nënës dhe vajzës.

BBC shkruan se policia britanike ka kërkuar ndihmën e autoriteteve shqiptare, por deri tani nuk rezulton të ketë gjurmë të tyre në Shqipëri. Prej tre vitesh zonja Myzeqari jetonte në Doncaster dhe vogëlushja ishte e regjistruar në çerdhe.  Sipas policisë zonja Myzeqari jetonte një jetë të izoluar dhe kishte pak miq në qytet.

Bashkëshortja e oligarkut rus pagoi miliona për këtë foto

Ish gruaja e aleatit të presidentit rus, Vladimir Putin ka paguar jo pak por 135 mijë paund për të bërë një foto me kryeministren britanike Theresa May.

Daily Mail shkruan sot se Theresa May, që duket në këtë foto, së bashku me gjashtë anëtarë të kabinetit të saj kaluan një mbrëmje të paharrueshme në Hotelin me pesë yje ‘Goring’ që ndodhet në Belgravia. Pjesë e fotos është edhe zonja Chernukhin, ish bashkëshortja e aleatit të presidentit rus. Paratë që ajo ka paguar do të shkojnë për një fondacion të ngritur nga partia e May-t, Tory.

Por kjo çështje ka shqetësuar mediat britanike për pranimin e parave ruse për sponsorizimin e partive në Britani.

Nga ana tjetër zyrtarë të partisë së May thonë se  zonja Chernukhin tashmë është një shtetase angleze dhe se nuk është aspak partnere apo aleate e presidentit Putin.

Rreth pesë vite më parë, David Cameron u akuzua pasi Lubov Chernukhin ofroi 160 mijë paund në një mbledhje fondesh për partinë e tij. Por duket se gazetarët britanikë nuk do ta lënë me kaq këtë histori.

Nuk ka dhomë për çiftin Trump në “Buckingham Palace”

E çuditshme mund të duket, por ja që është e vërtetë. Nuk do të përgatitet asnjë dhomë për çiftin presidencial Trump në pallatin mbretëror “Buckingham Palace”, krejt ndryshe nga vizitat e mëparshme të presidentëve Bush dhe Obama. Dhe arsyeja është se pjesa Lindore e pallatit po rikonstruktohet, ndërsa as që bëhet fjalë për një dhomë në pjesën Perëndimore.

Kështu zoti dhe zonja Trump do të qëndrojnë në rezidencën e SHBA në ambasadën e saj në Londër.

Daily Mail shkruan se kjo është një lëvizje e pazakontë për një vizitë zyrtare kaq prestigjioze, por gjithashtu citon burime që thonë se nuk fshihet asgjë tjetër përveç faktit se pallati po rikonstruktohet.

Skip to toolbar