“Tahiri” diskutohet në Bundestag: Mos na hidhni hi syve

Dënimi i ish ministrit Saimir Tahiri me 3.4 vite burg që u konvertua në shërbim prove, nuk ka kënaqur deputetin e CDU në Bundestag, Peter Beyer. Gjatë kohës që Bundestagu për 45 minuta ka diskutuar për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Beyer u ndal gjatë fjalës së tij te dënimi i Tahirit. Me një gjuhë të ashpër, Beyer tha se Shqipëria me këtë dënim nuk mund t’i hedhë hi syve Gjermanisë dhe ta përdorë si provë se drejtësia në vend po funksionon.

Nuk mund të na hidhni dot hi syve me atë dënim”-tha ai.

Përparimi i Shqipërisë me reformat u vlerësua nga deputetë të tjerë që morrin fjalën, por theksuan se vendi ka ende punë për të bërë për luftimin e korrupsioni në nivele të larta si dhe të tregojnë se kanë një gjyqësor funksional dhe të pavarur.

Po të votojmë për Shqipërinë i japim një shans historik. Kemi vendosur kritere shumë të forta për Shqipërinë, të ndara në dy faza. Hapja e negociatave nuk do të thotë anëtarësim”- tha Florian Hahn, deputet i CDU/CSU

Pas 45 minutave diskutim, Bundestagu vendosi t’i jap dritën jeshile Shqipërisë duke miratuar rezolutën e CDU/CSU pro hapjes së negociatave me 395 vota pro. Ndërkohë që 188 deputetë votuan kundër dhe 16 abstenuan.

CDU/CSU kundër PD: Reformat, në parlament

Në një intervistë për Deutsche Welle, nënkryetarja e grupit Parlamentar, CDU/CSU, Katja Leikert, se “proceset demokratike duhet të bëhen në parlament”. Reagimi i nënkryetares së CDU/CSU, vjen një ditë pasi PD ka kërkuar “strukturë të posaçme” për Reformën Zgjedhore, duke shmangur deputetët e opozitës në parlament.

“Unë u bëj thirrje të gjitha forcave politike në Shqipëri, si atyre të qeverisë, ashtu edhe të opozitës që të marrin pjesë në proceset demokratike dhe këtë ta bëjë jo jashtë parlamentit. Kjo nuk mund të jetë mënyra e duhur. Në këtë drejtim, apeli në të vërtetë u hap rrugë të gjitha forcave politike në Shqipëri për të hapur negociatat e pranimit”, shprehet nënkryetarja e grupit të CDU/CSU në Bundestag.

Kështu, Gjermania, e cila do të monitorojë edhe hartimin dhe zbatimin e Reformës Zgjedhore, si pjesë e kushteve për çeljen e kapitujve të anëtarësimit, del krah opozitës parlamentare që kërkon që Reforma Zgjedhore të hartohet nga Komisioni i ngritur tashmë dhe që është mbështetur nga ndërkombëtarët.

“PO-ja” e CDU/CSU ndaj Shqipërisë, ishte sinjali për t`u treguar Shqiptarëve nga Bashkimi Evropian se janë të mirëpritur në Evropë dhe se ky është drejtimi i tyre. “Me Shqipërinë, padyshim, u morëm shumë të tepër. Ne e dimë se situata politike e brendshme nuk është demokratike në kuptimin tonë. Opozita ka braktisur parlamentin, Gjykata Kushtetuese nuk funksionon. E dimë se ka ende probleme me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Të gjitha këto janë, natyrisht, gjëra që janë problematike dhe të cilat ne duhet t’i shikojmë nga afër. Por ne thamë po, sepse donim që t’u jepnim shqiptarëve sinjalin nga Bashkimi Evropian se janë të mirëpritur në Evropë dhe se ky është drejtimi i tyre”, shprehet Leikert.

Por, a do ta dorëzojë Gjermania përgjegjësinë te Brukseli pas 18 tetorit? Katia Leikert thotë jo, përkundërazi, Gjermania do të drejtojë procesin e integrimit.  “Ne nuk dorëzojmë asnjë përgjegjësi, përkundrazi, besojmë se ky proces kërkon shumë më tepër përkushtim, përgjegjësi dhe drejtim nga ana jonë”, ka thënë ajo ndër të tjera.

Skip to toolbar