Armë dhe drogë e fshehur në shtëpi, arrestohen 2 persona në Cakran

Policia e Fierit ka arrestuar dy shtetas në Cakran, pasi janë kapur në flagrancë me 57 kg drogë, armë zjarri dhe municion luftarak. Mësohet se ka  qenë Sektori i Hetimit e Narkotikëve në Policinë e Fierit, që ka bërë të mundur arrestimin e dy personave, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Nga operacioni i koduar “Cakrani”, mësohet se është vënë në pranga shtetasi N.D., 61 vjeç dhe J.D., 47 vjeç, të dy banues në Cakran. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim shtetasit me inicialet M.D., 38 vjeç dhe D.D., 24 vjeç. Sipas Policisë së Fierit, mësohet se gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e këtyre personave në fshatin Cakran, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 57 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis.

Gjithashtu, është gjetur dhe një armë zjarri automatik dhe një sasi municioni luftarak. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier, për veprat penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Digjet sipërfaqja me ullinj në Cakran, nisin hetimet për shkaqet e zjarrit

Një zjarr i madh ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me ullishta në fshatin Vreshtaz të njësisë administrative Cakran në Fier. Flakët, e rëna gjatë ditës së premte, kanë djegur plotësisht një sipërfaqe të konsiderueshme toke dhe shumë bimë ulliri në këtë fshat.

Nga raportimet paraprake, nuk dihet ende me siguri dëmi i shkaktuar nga djegia e bimëve të ullinjve, ndërsa sipërfaqa e përfshirë nga flakët mendohet të jetë disa dynym.

Zjarri ka rënë në një zonë kodrinore, shumë afër banesave të disa lagjeve në fshatin Vreshtaz. Ndërkohë, forcat zjarrëfikëse kanë shkuar në vendin e ngjarjes duke neutralizuar dhe më pas shuar plotësisht flakët.

Nuk dihet nëse zjarri është vënë në mënyrë të qëllimshme apo është shkaktuar nga pakujdesia. Policia e Fierit ka nisur hetimet për këtë ngjarje, për të zbardhur rrethanat e rënies së zjarrit, që ka shkaktuar dëme  të konsiderueshme për banorët, që u janë djegur sipërfaqet me ullishta.

Skip to toolbar