Digjet sipërfaqja me ullinj në Cakran, nisin hetimet për shkaqet e zjarrit

AKTUALITET


Një zjarr i madh ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me ullishta në fshatin Vreshtaz të njësisë administrative Cakran në Fier. Flakët, e rëna gjatë ditës së premte, kanë djegur plotësisht një sipërfaqe të konsiderueshme toke dhe shumë bimë ulliri në këtë fshat.

Nga raportimet paraprake, nuk dihet ende me siguri dëmi i shkaktuar nga djegia e bimëve të ullinjve, ndërsa sipërfaqa e përfshirë nga flakët mendohet të jetë disa dynym.


Zjarri ka rënë në një zonë kodrinore, shumë afër banesave të disa lagjeve në fshatin Vreshtaz. Ndërkohë, forcat zjarrëfikëse kanë shkuar në vendin e ngjarjes duke neutralizuar dhe më pas shuar plotësisht flakët.

Nuk dihet nëse zjarri është vënë në mënyrë të qëllimshme apo është shkaktuar nga pakujdesia. Policia e Fierit ka nisur hetimet për këtë ngjarje, për të zbardhur rrethanat e rënies së zjarrit, që ka shkaktuar dëme  të konsiderueshme për banorët, që u janë djegur sipërfaqet me ullishta.




Skip to toolbar