Cakaj nervozon Daçiç: Të kërkojë falje

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç është nervozuar me një deklaratë e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj, i cili ka thënë se Serbia është fajtore për vrasjen e 12 mijë shqiptarëve dhe dëmeve të mëdha të shkaktuar nga lufta. Daçiç tha se Shqipëria duhet të kërkojë falje publike dhe të distancohet nga deklaratat e bëra nga Cakaj, i cili ofendoi shtetin dhe popullin serb.

Ky është një falsifikim i ngjarjeve në Kosovë, dhe për këtë arsye pres kërkim faljen e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Deklaratat e ministrit Cakaj nuk kontribuojnë në fqinjësinë e mirë në mes Beogradit dhe Tiranës dhe janë plotësisht në kundërshtim me përpjekjet e udhëheqësve të Serbisë për përmirësimin e raporteve me Shqipërinë.” tha Daçiç

Ministri Cakaj deklaroi një ditë më parë në lidhje me thirrjen për të dëshmuar për krimet e luftës në Hagë për Kadri Veselin duke thënë se kjo është drejtësi selektive dhe se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e vetmja përgjigje ndaj përpjekjeve genocidiale të Serbisë ndaj popullit të Kosovës.

Serbia, vetëm në luftën e fundit në Kosovë, është përgjegjëse për vrasjen e me tepër se 12.000 shqiptarëve, për deportimin masiv të më shumë se një milion njerëzve dhe miliona dollarë dëme të luftës. Këto krime nuk janë kryer në baza individuale, por kanë qenë të sponsorizuara drejtpërdrejtë nga aparati shtetëror i Serbisë.”- thekson Cakaj.

Hipokrizia serbe përballë “efektit” Palmer, Daçiç: Jemi vëllezër të gjithë

Emërimi i Palmer si i ngarkuar për Ballkanin Perëndimor ka dhënë efektet e para për një nga pikat kryesore që është caktuar në politikën e SHBA, që ka të bëjë me marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç është zbutur ndjeshëm përballë të ngarkuarit të SHBA për Ballkanin Perëndimor, duke deklaruar se Serbia po punon për liberalizimin e vizave të Kosovës.

Një sjellje të paralajmëruar edhe më herët, Daçiç e ka shfaqur në Forumin e Bled-it në Slloveni, ku në panel ishte i pranishëm edhe Matthew Palmer, i ngarkuari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor. Në prani të Pacollit dhe homologëve nga shtetet e tjera të rajonit, Ivica Daçiç nuk ngurroi të fliste për një vëllazëri midis popujve të Ballkanit. “Serbia po mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën dhe ne gjithashtu po mbështesim edhe nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kemi nevojë për më shumë solidaritet në Ballkanin Perëndimor. Nuk ka rëndësi kush jemi, duhet të them që jemi vëllezër”, është shprehur Daçiç.

Por pavarësisht sjelljes së treguar në Slloveni, Ivica Daçiç është prej kohësh në krye të fushatës diplomatike që synon tërheqjen e njohjeve nga shtetet e tjera për Republikën e Kosovës. Madje, këtë ia kishte vënë në dukje më herët edhe homologu i Kosovës, Pacolli. “Nuk jeni engjëll, ashtu siç doni të dukeni me fjalët e bukura para kolegëve të Evropës”, iu drejtua Behgjet Pacolli homologut Ivica Daçiç gjatë samiti të Gymnich në Helsinki pak ditë më herët, duke denoncuar sjelljen me “dy fytyra”, sipas tij, të kryediplomatit serb. Ndërkohë, Matthew Palmer ka zhvilluar takime të ndara me të gjithë ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, që marrin pjesë në takimin ndërkombëtar.

Shqipëria dhe Kosova refuzuan samitin e SEECP, Daçiç: Po punojnë për Shqipërinë e madhe

Refuzimi i Shqipërisë dhe Kosovës për të mos marrë pjesë në samitin Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) organizuar nga Bosnje-Hercegovina, ka sjell reagimin e Serbisë. Shqipëri refuzoi pjesëmarrjen në samit pasi Kosova u trajtua nga organizatorët në mënyrë të pabarabartë dhe të papranueshme. Por Serbia nuk mendon në mënyrë të njëjtë. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç hedh akuza ndaj qeverisë së Tiranës dhe Prishtinës se po punojnë në krijimin e “Shqipërisë së madhe”. Kjo ide tha Daçiç ka nisur që kur të dy vendet arritën një marrëveshje për përfaqësim të përbashkët në politikën e jashtme.

Pacolli thotë se marrëveshja për politikë të përbashkët të jashtme i paraqet Shqipërinë dhe Kosovën si një komb të vetëm. Çfarë duhet të ndodhë tjetër që të vërtetohet se në prag e kemi krijimin e Shqipërisë së madhe”? Imagjinoni nëse Serbia tani do të nënshkruajë një marrëveshje të tillë me “Republikën Sërbska” (në Bosnje)? A është atëherë një shkelje e integritetit territorial të Bosnje Hercegovinës apo me ndonjë interes? Ndoshta të gjithë do ta dënojnë atë.”- tha Daçiç

Kosova ndalon hyrjen e zyrtarëve serbë, Daçiç: Shuplakë ndaj bashkëjetesës

Ministria e Jashtme e Kosovës nuk do të lejojnë asnjë zyrtar serb të vizitojë territorin e saj dhe se kërkesat e tyre do të refuzohen deri sa Beogradi të ndryshojë sjellje. Lajmi u bë i ditur nga këshilltari politik i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Jetlir Zyberaj, me një postim në Facebook. Kërcënimet që Serbia bën ndaj Kosovës, propagandën e vazhdueshme dhe përpjekjet e fundit për të inskenuar një krizë humanitare në veri të Kosovës do të marrin përgjigjen e merituar thuhet në reagimin e Zyberajt.

Pas këtij vendimi ka reaguar kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, i cili tha se më këtë vendim Kosova kërkon të izolojë popullin serb nga çdo ndikim i Beogradit. Daçiç e ka cilësuar këtë si një shuplakë që i jepet bashkëjetesës ndërkombëtare.

“Ky vendim i autoriteteve të Prishtinës është një veprim i paparë dhe një shuplakë tjetër, jo për Beogradin, por mbi të gjitha për BE-në dhe bashkësinë ndërkombëtare që pa dyshim janë duke heshtur ndaj shkeljeve të të gjitha normave të qytetërimit që Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi po e bëjnë me vite të tërë.” – tha Daçiç

Pas SHBA edhe BE i “tërheq veshin” Daçiç për retorikën fyese ndaj Kosovës

Pas kritikave që mori nga Ambasada Amerikane në Beograd, të njëjtën retorikë zgjodhi të mbante edhe Bashkimi Europain ndaj deklaratave fyese që ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç bën për Kosovën.

BE, përmes zëdhënëses së Shefes së Diplomacisë, Maja Kocijancic, e ka quajtur fyese dhe aspak bashkëpunuese fushatën në rrjetet sociale ku çdokush duhet të shkruaj mbi një kartëmonedhë “Kosova është Serbi”, pjesë e të cilës u bë edhe ministri Daçiç.

“Secila retorikë që është fyese, konfrontuese dhe përçarëse është në kundërshtim me qasjen bashkëpunuese dhe pajtuese, për të cilën rajoni ka nevojë për të ecur përpara. Ngjarjet e ditëve të fundit tregojnë haptazi se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, duhet të sjellë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve.” ka thënë Kocijancic

Pas fotos “Kosova është Serbi”, SHBA i kthehet Daçiç

Pas publikimit të fotove në internet ku Daçiç shfaqej me një kartëmonedhë 100 dollarëshe ku shkruante “Kosova është Serbi”, ka reaguar Ambasada Amerikane në Beograd. Përmes një deklarate ambasada i kujton Daçiç një thënie të famshme të Benjamin Franklin “Ji në luftë me veset e tua, dhe në paqe me fqinjët.”

‘Në vend që të shkatërrojë kartëmonedhën me imazhin e shkencëtarit të madh dhe burrështetasit Benjamin Franklin, ministri Daçiç mund të mendonte thënien e tij: Ji ne luftë me veset e tua, e në paqe me fqinjët” – thuhet në reagimin e saj.

Më herët Daçiç e arsyetoi foton duke thënë se “Kosova është Serbi” është politika shtetërore që ndjekin dhe e themi vazhdimisht në deklaratat tona, kështu që nuk ka arsye pse të mos e shkruaj edhe në letër.”

Skip to toolbar