Policia
e Shtetit njoftoi të mërkurën në 22 janar se kishte arrestuar një 36-vjeçar në
Shkodër, i cili ishte kapur në flagrancë për vjedhjen e një banese. Kjo është
vetëm ngjarja e fundit e regjistruar, e grabitjes së banesës nga hajdutët. Por,
Realstory.al bëri një vëzhgim të ngjarjeve të kësaj natyre që kanë ndodhur gjatë
fillimit të këtij viti në vendin tonë. Nga vëzhgimi, bazuar në njoftimet e
Policisë së Shtetit, rezulton se janë regjistruar mbi 10 grabitje të ndodhur në
harkun kohor të dy javëve. Gjithashtu, rezulton se në të paktën dy raste,
grabitjet e banesave kanë përfunduar me ngjarje të rënda.
Më
e rënda prej tyre ishte ajo e shënuar në fshatin Gjerbës të Mallakastrës, ku në
datën 5 janar, tre të rinj u futën për të vjedhur në banesën e shtetases Drita
Saliaj. Por, autorët jo vetëm vodhën, por përdhunuan dhe masakruan për vdekje
50-vjeçaren Dritan Saliaj, trupin e së cilës e hodhën në një rezervuar. I përfshirë
në këtë ngjarje të rëndë ishte dhe nipi i burrit të viktimës. Ngjarja u zbardh
nga policia, ndërsa tre të rinjtë u arrestuan dhe tashmë po përballen me drejtësinë.
Një
tjetër rast po me pasoja të rënda ishte ai i ndodhur pak ditë më parë në zonën
e Alliasit në Tiranë. Dy persona u futën në banesën e bashkëshortëve Laze, duke
tentuar të vjedhin këtë banesë. Mirëpo grabitësit hasën me të zotët e shtëpisë
duke shkrehur armën ndaj çiftit Petrit dhe Afërdita Laze, të cilët mbetën të
plagosur rëndë. Policia ka shpallur në kërkim dy autorët, ndërsa deri më tani është
bërë vetëm identifikimi i njërit prej autorëve.
Vjedhjet
me dhunë nuk kanë ndodhur vetëm nëpër banesa, por edhe në rrugë apo lokale. Të martën
më 21 janar, Policia e Korçës njoftoi se kishte prangosur katër shtetas, të cilët
dhunuan dhe grabitën disa shetas të huaj. Gjithashtu, grupi i përbërë nga katër
të rinj të moshës 19 vjeç, kishte kryer edhe vjedhje të tjera me dhunë, ku në
fokus kishin pikërisht shtetasit e huaj, kryesisht emigrantë të ardhur nga
vendet e Lindjes së Mesme.
Po
në datën 21 janar, Policia e Krujës njoftoi se zbardhi një tjetër grabitje me
dhunë. Dy të rinj i grabitën xhiron ditore kamarierit të një lokali, duke e kërcënuar
me armë. Një nga grabitësit u arrestua në fshatin Cudh të Krujës, ai ishte
shtetasi me inicialet A.K., 24 vjeç. Gjithashtu, këtij shtetasi iu sekuestrua dhe
dy armë zjarri pistoletë gjatë momentit të arrestimit. Për këtë ngjarje, është
shpallur dhe një tjetër person në kërkim.
Mëngjesin
e të hënës në 20 janar, tre persona, ende të paidentifikuar, grabitën një pikë
karburanti në qytetin e Bilisht. Tre persona, kanë vjedhur xhiron ditore të një
pike karburanti në dalje të qytetit të Bilishtit. Grabitësit kanë kërcënuar
rojën dhe punonjësit e karburantit, duke kryer grabitjen. Ata kanë arritur të
marrin rreth 160 mijë lekë dhe 160 euro. Policia është duke hetuar ngjarjen,
ndërsa ka sekuestruar kamerat e sigurisë së karburantit.
Ndërkohë,
të dielën në 19 janar, Policia e Elbasanit njoftoi arrestimin e një personi nga
Durrësi, që u kap në flagrancë duke vjedhur makina luksoze në këtë qytet.
30-vjeçari me inicialet A.P., ishte autor i vjedhjes së disa makinave luksoze në
Elbasan, ndërsa po hetohet edhe për vjedhjen e makinave të tjera në qytetin e
Durrësit.
Në
datën 18 janar, Policia e Shtetit njoftoi prangojsen e dy adoleshentëve, I.L.,
14 vjeç dhe K.S., 16 vjeç, autor të disja vjedhjeve. Gjithashtu u shpallën në kërkim
dhe dy 14-vjeçar të tjerë. Këta të rinj,
në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përgjatë natës kanë kryer të paktën nëntë
vjedhje në lokale dhe biznese të ndryshme në Tiranë, duke marrë shuma të konsiderueshme
lekësh.
Në
datën 16 janar, Policia e Tiranës arrestoi një 34-vjeçar, autor i vjedhjes së
pajisjeve elektronike në dyqane të ndryshme të kryeqytetit. Në pranga u vu
shtetasi me inicialet E.C., 34 vjeç nga Tirana, i cili kishte vjedhur disa
laptop në disa dyqane të ndryshme në kryeqytet.
Po
në këtë datë, në Tiranë u arrestua një 19-vjeçar që po udhëtonte me një mjet të
vjedhur në Elbasan. Ai u kap në flagrancë në tentativë për të vjedhur aksesorët
e një mjeti, njoftoi policia. Pas arrestimit, u zbardhën edhe 7 vjedhje të
tjera të kryera nga i riu në bashkëpunim me persona të tjerë. Ky i ri, së
bashku me të tjerë, kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme lekësh në biznese të
ndryshme, sende me vlerë apo dhe celularë.
Në
datën 12 janar, Policia e Shtetit njoftoi se vuri në pranga dy persona në Kavajë,
pasi u kapën në flagrancë duke kryer vjedhjen e një banese. Pas arrestimit të
shtetasve Q.K., dhe A.H., të dy në moshën 26 vjeç, policia zbardhi se ata ishin
autorë të vjedhjes së 11 banesave në Kavajë.
Këto
janë disa nga vjedhjet e raportuara nga Policia e Shtetit, shumë prej të cilave
janë zbardhur. Ajo që vihet re, është fakti se në shumë raste vjedhjet janë
kryer nga të rinj të moshës nën 30 vjeç. Gjithashtu, në objektivin e grabitësve
janë banesat, ku në dy raste ngjarjet kanë përfunduar me pasoja, si humbje jete
apo plagosje e rëndë. Një tjetër fakt është se grabitetjet më të shumta janë
raportuar në qarkun e Tiranës, e kryesisht në kryeqytet. /Realstory.al/