Bar west/ 3 vëllezërit ‘kuqo’ dhe aspirata e Pollos për të marrë PD

Zgjedhja e Boris Johnson si Kryeministër të Anglisë, e bën botën të ketë dy liderë kontrovers së bashku me atë amerikan Donald Trump. Nuk është vetëm qëndrimi i tyre në raport me politikën e brendshme dhe të jashtme të vendeve që drejtojnë, por edhe pamja, ajo që i bën të tërheqin vëmendjen e qytetarëve anë e mbanë botës. Johnson ashtu si dhe Trump, kanë tipare karakteristike të flokëve, ngjyrë ‘kuqo’ dhe flokë disi të gjatë. Por nuk janë vetëm qytetarët e Anglisë dhe SHBA-së, që kanë fatin të kenë liderë kontrovers, e mbi të gjitha kuqo. Vëllai më i vogël “siamez” i Trump dhe Johnson gjendet pikërisht në Shqipëri.

Edhe ai është politikanë me një karrierë të gjatë në politikën shqiptare. Bëhet fjalë për Genc Pollon, politikanin e djathtë shqiptarë, që ka shumë të përbashkëta mes Trump dhe Johnson. Së pari, Trump, Johnson dhe Pollo janë të tre kuqo, të tre politikanë të djathtë dhe konservator dhe kontrovers mbi të gjitha. Po ku qëndron kontroversiteti i Genc Pollos në raporton me Donald Trump dhe të ngjashmin e tij në Angli Boris Johson.

Genc Pollo është shquar për qëndrimet e tij kontroverse në raport me Partinë Demokratike, kur Pollo, ‘politikani biond’ i Shqipërisë, drejtonte PDR. Por ndonëse e akuzoi pafund Berishën në vitet kur PD ishte në tranzicionin e gjatë të pas 97-ës, Genc Pollo më pas do të binte në konformitet me PD, madje duke e shkrirë partinë e tij me atë të Berishës. Në kontaktestin aktual, pas Donald Trump në SHBA, Boris Johnson në Angli, a do të jetë Genc Pollo politikani ‘biond’ ose ‘kuqo’, që do të ketë ambicie pë të arritur majat e politikës shqiptare përsëri?!

Në Shqipëri ekziston një shprehje e njohur: “Kuqi më i mirë ka vrarë babën e vetë”. Kjo gjithmonë në kontekstin politik, që flet pë dinakërinë dhe ambiciet e tyre!

Ish-ambasadori: Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore për shkak të Obamas

Ish-ambasadori britanik në Uashington thotë se beson se presidenti amerikan, Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin, sepse sipas tij, kjo marrëveshje ishte e lidhur me emrin e paraardhësit të tij, Barack Obama, thuhet në një dokument që ka rrjedhur në media.

“Administrata është e vendosur mbi një akt të vandalizmit diplomatik, me sa duket për arsye ideologjike dhe arsye të personalitetet – sepse ishte marrëveshje e Obamës”, shkruante Kim Darroch në një kabllogram diplomatik në maj të vitit 2018, thuhet në dokumentet e publikuara të dielën.

Kabllogrami është pjesë e grupit të dytë të dokumenteve që janë publikuar nga gazeta britanike Mail.

Në pjesën e parë të dokumenteve që janë publikuar, e që datojnë prej vitit 2017 deri në ditët e sotme, Darroch ka thënë se administrata amerikane ishte “diplomatikisht e ngathët dhe e paaftë” dhe nuk ka gjasa që të bëhej “më normale; më pak jofunksionale ; më pak e paparashikueshme, me më pak ndarje”.

Presidenti Trump është kundërpërgjigjur duke e quajtur Darroch “budalla”dhe “të krisur” dhe tha se më nuk do të ketë kontakt me asnjë të dërguar të Britanisë.

Darroch dha dorëheqjedhe përmes një letre, më 10 korrik u shpreh se edhe pse mandati i mbaronte në fund të vitit, ai besonte se “në rrethanat e tanishme, gjëja më e përgjegjshme është që të lejojë të emërohet një ambasador i ri”.

Darroch ka kritikuar administratën amerikane, për atë që ai e ka quajtur mungesë të strategjisë afatgjate.

“Ata nuk mund të artikulojnë asnjë strategji afatgjate; dhe kontaktet me Departamentin amerikan të Shtetit këtë mëngjes, sugjerojnë se nuk ka asnjë plan për të komunikuar me partnerët dhe aleatët, qoftë në Evropë apo në rajon”, kishte shkruar më 2018, Kim Darroch.

Marrëveshja bërthamore – e cila i mundësonte Iranit lehtësim të sanksioneve në këmbim të frenimit të programit bërthamor – ishte arritur gjatë mandatit të dytë të Obamës.Tërheqja e SHBA-së nga kjo marrëveshje ka çuar në rritjen e tensioneve ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit./REL/

Donald Trump në kërkim të aleatëve kundër Iranit

SHBA aktualisht janë në kërkim të aleatëve, me të cilët do mund të krijojnë një koalicion ushtarak në mbrojtje të çisternave me naftë në rajonin e Gjirit Persik. Sipas gjeneralit amerikan, Joseph Dunford, bëhet fjalë sidomos për “të siguruar lirinë në Ngushticën e Hormuzit dhe rrugën detare të Bab el Mandab”. SHBA, sipas Dunford, do të ofrojnë kapacitetet e tyre vëzhguese të rrugëve detare. Anijet civile, sipas SHBA, mund të shoqërohen nga ato marina ushtarake, nën flamurin e së cilës ato janë në lundrim.

Ngushtica e Hormuzit ka një rëndësi të veçantë strategjike për ekonominë botërore. Përmes kësaj rruge detare që ndodhet në mes të Omanit dhe Iranit transportohet në rrugë detare një e treta e naftës botërore. Ajo është një nyje e rëndësishme për prodhuesit e mëdhenj të naftës, si Arabia Saudite, Irani, Emiratet e Bashkuatra, Kuvajti, Iraku dhe tregjet e tyre në Azi, Europë, Amerikën Veriore. Rruga detare Bab el Mandab ndodhet në mes të Jemenit dhe Xhibutit e Eritreas, e krijon kështu qasjen jugore të Detit të Kuq, që në veri përfundon në Kanalin e Suezit.

Tensionet mes SHBA dhe Iranit rriten

Për shkak se një pjesë e itinerarit të anijeve kalon në ujërat iraniane, ky vend ka kërcënuar disa herë me bllokimin e Ngushticës së Hormuzit. Në javët e kaluara, tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit janë shtuar ndjeshëm – për shkak të sanksioneve amerikane pas largimit të SHBA nga marrëveshja atomike, por edhe sepse në qershor dy çisterna me naftë në zonën e Gjirit janë sulmuar. Uashingtoni bën Teheranin përgjegjëse për sulmin. Teherani e refuzon këtë. Më vonë u rrëzua një dron amerikan nga Irani. Këtë të mërkurë, Irani duket se është përpjekur sërish, këtë herë duke dashur të ndalë një çisternë britanike.

Jo vetëm SHBA, por edhe shtetet e Gjirit si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara duan të zmbrapsin influecën e Iranit në rajon. Eksperti i Shoqatës Gjermane për Politikën e Jashtme, (DGAP) Sebastian Sons është i mendimit, se ideja e krijimit të një koalicioni ushtarak, ka gjetur jehonë pozitive veçanërisht tek këto shtete.

Në kërkim të partnerëve

Jemi në kontakt me një sërë vendesh, ka thënë gjenerali amerikan i marinës Joseph Dunford. Javët e ardhshme do të shohim, se cilat vende do të kenë vullnetin politik për t’iu bashkuar kësaj iniciative. “Trump e ka bërë realitet premtimin elektoral për të dalë nga marrëveshja atomike dhe po ndjek tani kursin e izolimit të mëtejshëm të Iranit.”

Irani nuk është vetëm armiku më i madh i Arabisë Saudite. Arabia Saudite është edhe aleati më i ngushtë i SHBA në rajon. SHBA mund të jenë të sigurtë, se mbretëria saudite do ta mbështesë koalicionin ushtarak. Edhe marrëdhënia mes princit trashëgimtar, Mohamed Bin Salman dhe Donald Trump konsiderohet si shumë e ngushtë. “Madje mund të përshkruhet si një marrëdhënie varësie, të paktën nga pala saudite”, thotë eksperti Sons.

SHBA mund të llogarisin edhe me mbështetjen e vendeve të tjera, si për shembull të Emirateve të Bashkuara Arabe, megjithëse Emirati i Dubait në të shkuarën ka ndjekur një kurs më pajtues me Iranin, për shkak të interesave ekonomike. “Dominanca brenda Emirateve ka lëvizur në drejtim të Abu Dhabit.”. Eksperti Sebastian Sons ka parasysh me këtë influencën e princit trashëgimtar, Mohamed Bins Zayed – sunduesi faktik i Emirateve të Bashkuara Arabe. Ai sundon qartë diskursin politik në Emiratet e Bashkuara, të cilat bashkë me Arabinë Saudite e shohin veten në pararojë të frontit antiiranian.

Marrëdhënie e re me Katarin

Që edhe Emirati i vogël, Katar duhet të bëhet për vete, këtë e ka kuptuar edhe Donald Trump. Ai priti së fundmi sheikun e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, të cilin Trump në Uashington e quajti “mik”. Me këtë rast, Katari ka blerë armë dhe avionë Boeing nga SHBA, dhe dy vendet ka rënë dakord së bashku të ngrenë një fabrikë në jug të SHBA.

Në një kohë që në vitin 2017, situata ishte ndryshe, kur Arabia Saudite, Emiratet dhe vende të tjera fqinje i bënë bllokadë Katarit, të mbështetur nga SHBA. “Katari është për fat të keq financues i terrorizmit dhe këtë në nivel shumë të lartë”, u shpreh atëherë Trump. Edhe për shkak të lidhjeve të ngushta me Iranin, Katari ishte i papreferuari i SHBA.

Që nga ajo kohë presidenti amerikan ka ndërmarrë një kthesë 180 grad. “Baza më e rëndësishme ushtarake amerikane në rajon ndodhet në Katar”, ka thënë Sebastian Sons. Për shkak të arsyeve logjistike, tani që tensionet mes SHBA e Iranit janë shtuar, Katari merr një rol shumë të rëndësishëm. Katari po ashtu është aktiv në rajon. Ai është një nga mbështetësit më të mëdhenj të Rripit të Gazës, pa ndihmën e tij, do të rritej rreziku i luftës për Izraelin. Sunduesit në Katar kanë më shumë ndikim tek talebanët, se kushdo vend tjetër i gjirit, prandaj në bisedimet e paqes që zhvillohen në Katar, ky vend ka rol të rëndësishëm. Kësaj i shtohet: Vrasja e gazetarit Jamal Khashogi dhe arratisja e princesësh së Dubait e kanë dëmtuar imazhin e Arabisë Saudite dhe Emirateve. Këtë e di edhe Donald Trump.

Balanca mes Arabisë Saudite dhe Iranit

Megjithatë për Katarin një koalicion i tillë ushtarak është dyzim më vete. Nga njëra anë Katari gëzohet për një pritje në Uashington, “sepse kjo paraqet një rritje të vlerësimit ndërkombëtar”. Por tregon edhe se bllokada e Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara nuk u kurorëzua me sukses. “Katari luan edhe më tej një rol të rëndësishëm rajonal dhe ndërkombëtar.”

Në të shkuarën Katari është përpjekur të ruajë balancën mes Arabisë Saudite dhe Iranit dhe e dëshiron edhe më tej këtë kurs. “Katari do të përpiqet të ruajë vetëpërmbajtjen, por edhe të mos dalë hapur kundër idesë së një koalicioni të tillë ushtarak”, thotë eksperti Sons.

SHBA nuk do t’i mbajë e vetme shpenzimet

Sekretari Amerikan i Shtetit bëri fjalë për 20 partnerë koalicioni për sigurimin e transportit detar të anijeve. Nga gjiri, krahas tre aktorëve kryesorë, llogariten edhe Bahraini, Kuvajti dhe Omani. Eksperti Sebastian Sons është i mendimit, se Bahraini do të ndjekë interesat e Arabisë Saudite, sepse është i varur ekonomikisht nga Mbretëria. Kuvajti dhe Omani mund të tregohen më të përmbajtur. “Ato nuk kanë një ushtri të fortë, dhe nuk janë në gjendje të mirë ekonomikisht.” Por mendohet se ato nuk do ta bojkotojnë një projekt të tillë.

Sipas gjeneralit amerikan, për Donald Trump ka rëndësi që SHBA të mos i mbajë e vetme shpenzimet e një misioni të tillë. Një koalicion ushtarak do të ishte një hap tjetër për të zmbrapsur influencën e Iranit tek kufijtë e tij territorialë. /DW

“Trump i paaftë”, publikohen kabllogramet e ambasadorit britanik në SHBA

Gazeta britanike “The Mail” botoi të dielën kabllogramet që ambasadori britanik i dërgon qeverisë së tij.

Ambasadori i Britanisë në Shtetet e Bashkuara Kim Darroch e përshkruan Presidentin amerikan Donald Trump si një njeri “të paaftë” dhe “jofunksional”.

Sipas gazetës, ambasadori Darroch e përshkruan zotin Trump si një person që “rrezaton pasiguri” dhe që është “jokompetent”.

Megjithatë, ambasadori i paralajmëron zyrtarët britanikë që të mos medojnë se zoti Trump nuk ka shanse për rizgjedhje, duke thënë se presidenti ka përcaktuar një “rrugë të besueshme” për të siguruar katër vjet të tjerë në Shtëpinë e Bardhë.

Gazeta “The Mail” shruan se ambasadori britanik paralajmëron se zoti Trump mund të “dalë nga zjarri i paprekur, sikurse Arnold Schëarzeneggeri në skenat e filmit “TheTerminator”.

Ministria e Jashtme britanike nuk i ka mohuar komentet e botuara në gazetë. Një zëdhënëse tha se ambasadorët pritet t’i “japin vendit të tyre një vlerësim të ndershëm të politikës për vendet ku ata shërbejnë. Ne i paguajmë ata që të jenë të sinqertë”- tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme britanike./VOA/

Joe Biden kryeson sondazhet për president. Lajmin e jep kompania e preferuar e Trump

Demokrati Joe Biden kryeson në sondazhet paraprake për zgjedhjet e presidentit të ardhshëm. Këtë e ka konfirmuara vetë kompania e preferuara e sondazheve të presidentit Trump. Në rezultatet e saj ajo ka nxjerr se kandidati kryesor i demokratëve për President i ardhshëm i SHBA-ve, ish-nënpresident Joe Biden, është më lartë në renditje.

Sondazhi i kompanisë Rasmussen ka arritur në përfundimin se 48 % e votuesve kanë përkrahur Joe Biden, ndërsa presidenti Trump ka vetëm 44 % të përkrahjes së votuesve amerikanë.

“Joe Biden është ende demokrati më i suksesshëm në një takim hipotetik në 2020 me Presidentin Trump”, cilësojnë autorët e sondazhit, i cili u zhvilluar ditën e premte.

Edhe disa muaj më parë sondazhet e Rasmussen kanë treguar se në një garë hipotetike për president Biden-Trump,  Biden ka 49 % të përkrahjes dhe Trump vetëm 44 % , pothuajse identike me sondazhin e së premtes.

Biden është duke u përballur me konkurrencë në rritje nga kandidatët e tjerë demokrat për president, por sipas sondazheve ai vijon të jetë kandidatura më e suksesshme.

Kompania Rasmussen është një nga të preferuarat dhe më të besuarat e Trump, pasi në 2018 ai ka shpërndarë sondazhet e saj plot 11 herë duke e falënderuar për votimin e ndershëm. Një analizë CNN zbuloi se sondazhi përfundimtar i përgjithshëm i votimit e kompanisë Rasmussen ishte më pak i sakti nga 32 sondazhet e kryera në 2018.

Zbutet Donald Trump: Nuk i vendosim më tarifa Kinës, do bashkëpunojmë

Presidenti amerikan Donald Trump thotë se do të shtyjë vendosjen e tarifave të reja ndaj Kinës. Komenti u bë pas një takimi me Presidentin Xi Jinping që rezultoi në “rikthimin në drejtimin e duhur” të bisedimeve të ngecura tregtare.

Duke folur të shtunën në një konferencë për shtyp në mbyllje të samitit të G20-tës në Osaka të Japonisë, Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të punojnë për të rifilluar negociatat për arritjen e një marrëveshjeje tregtare.

“Patëm një takim të mrekullueshëm dhe do të vazhdojmë të negociojmë. Premtoj që për momentin nuk do t’i rrisim tarifat ndaj Kinës. Janë edhe rreth 350 miliardë dollarë mallra të cilave mund t’u vendosen tarifa, por nuk do ta ndërmarrim këtë hap. Do të rifillojmë punën me Kinën aty ku ishim ndalur dhe të shohim nëse mund të arrijmë një marrëveshje”, tha Presidenti Trump.

Presidenti Trump tha gjithashtu se do t’i lejojë kompanitë amerikane t’i shesin produkte kompanisë Huaëei, gjigandit kinez të telekomunikacioneve për të cilin komuniteti amerikan i zbulimit ka paralajmëruar se mund të rrezikojë sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Gjatë fjalimit në çelje të takimit, zoti Xi tha se “Kina dhe Shtetet e Bashkuara përfitojnë bashkarisht nga bashkëpunimi, ashtu siç humbasin nga konfrontimi. Bashkëpunimi dhe dialogu janë më mirë se fërkimet dhe përplasjet”.

Zoti Xi tha se ai dëshiron të shkëmbejë pikëpamjet me Presidentin Trump “për çështjet në themel të zgjerimit të marrëdhënies Kinë – SHBA, në mënyrë që të përcaktojmë drejtimin e marrëdhënies tonë”.

Presidenti Trump vuri në dukje “marrëdhënien e shkëlqyer” me zotin Xi dhe tha se “duam të bëjmë diçka për ta ngritur edhe tregtinë në këtë nivel. Mendoj se është diçka që arrihet lehtësisht”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara tha se të dyja vendet kishin qenë shumë afër arritjes së një marrëveshjeje historike tregtare, por pastaj “diçka ndodhi dhe doli disi nga parashikimi”. /Zëri Amerikës/

Samiti i G20, Trump kundër pjesës tjetër të botës

Në samitin e 20 vendeve më të rëndësishme të botës në Japoni përsëri gjithçka rrotullohet rreth presidentit amerikan. Konfliktet e tij tregtare me pothuajse të gjitha rajonet e botës përcaktojnë rendin e ditës.

Nikoqiri i samitit të sivjetëm të G20, kryeministri japonez Shinzo Abe, do të përpiqet të premten dhe të shtunën që takimi i 20 shteteve më të rëndësishme industriale të botës dhe atyre në zhvillim të mos rrotullohet vetëm rreth një njeriu. Presidenti i SHBA Donald Trump që para nisjes për në Japoni kishte kërcënuar sërish Kinën, por edhe aleatët për shkak të përfitimeve tregtare. Megjithatë japonezët kanë vënë edhe ҫështje të tjera në rendin e ditës, si luftën kundër gazrave të efektit serë, mbeturinave plastike ne dete, plakjen e shoqërive perëndimore dhe të ardhmen e punës në ekonominë e digjitalizuar. Në këto tema janë arritur edhe përparime, pohon një diplomat i lartë i BE. „Një nga detyrat urgjente të shteteve të G20 është rivendosja e besimit në sistemin multilateral të tregtisë. Konfliktet tregtare kanë filluar të rëndojnë perspektivat për rritjen ekonomike” thotë Koji Tomita, i ngarkuari i qeverisë japoneze për G-20.


Trump kundër pjesës tjetër të botës


Presidenti i SHBA Donald Trump akuzoi të mërkurën gati të gjitha shtetet e botës, se përfitojnë nga SHBA në tregtinë botërore duke i trajtuar ata “unfair”. Nga ana tjetër evropianët, kinezët, meksikanët dhe të tjerët kërkojnë nga SHBA që t‘u përmbahen rregullave. Në margjinat e samitit të G20 në Osaka do të mbahet takimi i nivelit të lartë i dy kontrahentëve kryesorë, presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping. Trumpi kërcënoi para nisjes për në Osaka me rritjen e tarifave për produktet kineze. Ministri amerikan i Financave, Steven Mnuchin, nuk beson se do të arrihet ndonjë ndryshim, por kërkon që të realizojë që kinezët, që kanë vendosur tarifa për mallrat amerikane, të kthehen përsëri në tryezën e bisedimeve,

Paralajmërime për dobësimin e ekonomisë botërore


Jo vetëm Kina, por edhe Meksika, Kanadaja, Vietnami, BE dhe vendi mikpritës Japonia po luftojnë me tarifa ndëshkuese dhe kërcënimet nga Shtëpia e Bardhë. Kjo çon, në “dobësim të besimit tek sipërmarrjet, në rënien e tregtisë botërore dhe investime të ngadalta në vendet në zhvillim”, tha David Malpass, presidenti i Bankës Botërore, javën e kaluar. Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Christine Lagarde, paralajmëroi se tarifat e imponuara dhe kërcënimet mes SHBA dhe Kinës mund të çojnë në një tkurrje të ekonomisë globale me 0.3-0.5 për qind në vitin e ardhshëm.

Megjithëse edhe kompanitë amerikane e paralajmërojnë Donald Trumpin për të ndryshuar kursin, ai mbetet i vendosur. Ekonomia amerikane ende po ecën mirë dhe papunësia është jashtëzakonisht e ulët. Çmimet e tregut të aksioneve arrijnë nivele rekord. “Modeli ynë ka sukses, të tjerët duhet të bëjnë si ne”, tha një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë para takimit.

Konflikti tjetër duket tashmë i programuar. Rrugës për në Osaka presidenti i Shteteve të Bashkuara Trump u ankua për doganat shumë të larta, që India dëshiron të vendosë ndaj mallrave amerikane. “I papranueshëm” është veprimi i indianëve, shkroi Trump në twitter. Ai dëshiron të flasë për këtë në Japoni me kryeministrin e Indisë Narendra Modi.

Qasje pragmatike

Nikoqirët japonezë do të flasin edhe për iniciativën kineze “belt and road”, që synon të ndërtojë infrastrukturë në Afrikë, Azi dhe gjithnjë e më shumë edhe në shtetet evropiane me financim kinez dhe me firma kineze ndërtimi. Modeli i „rrugës së mëndafshit” kritikohet, sepse shtetet pjesëmarrëse hyjnë në borxhe dhe popullsia lokale zakonisht përfiton pak. Samiti do të angazhohet edhe për tatimin e bizneseve digjitale dhe rregullimin më të mirë të shkëmbimit të të dhënave.

Nuk priten protesta të mëdha                                                                       
 

Rreth 30 000 policë do ta mbrojnë pjesëmarrësit e samitit në jug të metropolit milionësh Osaka. Shkollat janë të mbyllura. Njerëzve në Osaka u është bërë thirrje të mos përdorin makinat. Baret dhe dyqanet përreth hoteleve të mëdha në qendër të qytetit nuk do të hapen. Demonstrata të mëdha si në Buenos Aires apo në Hamburg në vitin 2017 nuk priten në Japoni. Edhe pse Attac Japan dhe mbrojtës të klimës kishin bërë thirrje për protesta, pjesëmarrja është e ulët./DW/

Donald Trump takon mbretëreshën dhe vlerëson “miqësinë e përjetshme”

Presidenti Donald Trump në vizitën e tij zyrtare në Britaninë e Madhe ka vlerësuar “miqësinë e përjetshme” mes dy shteteve, në fjalimin e mbajtur në banketin shtetëror të shtruar në Buckingham Palace në nder të tij, ndërsa mbretëreshën Elisabeth e cilësoi një grua të madhe.

Presidenti Trump ndodhet në Britaninë e Madhe me rastin e 75 vjetorit të “D-Day”, (6 qershor 1944) që përkujton uljen e forcave aleate në plazhin Normandisë për të ndihmuar në fitoren kundër nazistëve në Luftën e Dytë Botërore.

Në fjalimin e tij në banket, Trump vlerësoi guximin e popullit britanik gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe e quajti Mbretëreshën një “grua të madhe”.

“Në atë orë të errët, populli i këtij kombi i tregoi botës se çfarë do të thotë të jesh britanik”, tha ai, duke shtuar se guximi i tyre siguroi se fati i vendit “mbeti në duart tuaja”.

Trump përfundoi fjalimin e tij me një dolli për “miqësinë e përjetshme të popujve tanë, vitalitetin e kombeve tona dhe mbretërimit të gjatë dhe të vërtetë të mrekullueshëm të Madhërisë së Saj Mbretëreshës”.

Diplomatja krah Trump, Çitaku: E njoha me sfidat që përballet Kosova (foto)

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka qenë e ftuar në darkën e iftarit të shtruar nga kreu i “Shtëpisë së Bardhë”, Donald Trump, një ditë më parë. Diplomatja kosovare ka publikuar disa foto në faqen e saj në Facebook, ku shihet e ulur pranë Trump.

Në komentin e fotove ndër të tjera ajo shkruan se e ka njohur Presidentin e SHBA-së me sfidat që përballet dhe nevojën e përfshirjes direkte të Shteteve të Bashkuara në proceset që është përfshirë shteti i ri i Kosovës.

“Pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në darkën e iftarit të shtruar në Shtëpinë e Bardhë të isha e ulur përkrah Presidentit të Shteteve të Bashkura të Amerikës, Z. Donald J. Trump”.

“Presidentit Trump i tregova se në shtetin tonë sekular, ka një kulturë tolerance dhe harmoni ndërmjet religjioneve”.

“Poashtu, e njoftova në detaje mbi sfidat me të cilat ballafaqohemi aktualisht në Kosovë dhe biseduam mbi domosdoshmërinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë të SHBA-ve në proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon shteti ynë i ri”.

“Në darkë ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të administratës Amerikane, Zv Presidenti Pence, Sekretari i Mbrojtjes Shanahan, Sekretari i Thesarit Mnuchin, Ambasadorë, etj”, shkruan diplomatja e Kosovës në Wanshington.

Zjarri përpin Notre Dame në Paris, çifti Trump: E tmerrshme

Notre Dame në Paris prej disa orës është duke luftuar me flakët e mëdha të zjarrit. Zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e flakëve, që tashmë kanë çuar në rrëzimin e majës së katedrales.

Për këtë tragjedi kanë reaguar edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe Zonja e tij e Parë, Melania Trump.

Gjatë një reagimi në Twitter, Trump e ka cilësuar zjarrin të tmerrshëm.

“E tmerrshme të shikosh zjarrin masiv në katedralen ‘Notre Dame’ në Paris. Ndoshta hedhja e ujit nga sipër mund të përdoret. Duhet vepruar shpejt!”

Edhe zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump shkruan se i është thyer zemra për njerëzit e Parisit.

“Mu thye zemra për popullin e Parisit pasi pashë zjarrin në katedralen e ‘Notre Dame’.”

Katedralja ‘Notre Dame’ në Paris është 850 vjeçare dhe çdo vit vizitohet nga minona turistë nga e gjithë bota.

Skip to toolbar