Zbutet Donald Trump: Nuk i vendosim më tarifa Kinës, do bashkëpunojmë

AKTUALITET


Presidenti amerikan Donald Trump thotë se do të shtyjë vendosjen e tarifave të reja ndaj Kinës. Komenti u bë pas një takimi me Presidentin Xi Jinping që rezultoi në “rikthimin në drejtimin e duhur” të bisedimeve të ngecura tregtare.

Duke folur të shtunën në një konferencë për shtyp në mbyllje të samitit të G20-tës në Osaka të Japonisë, Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të punojnë për të rifilluar negociatat për arritjen e një marrëveshjeje tregtare.


“Patëm një takim të mrekullueshëm dhe do të vazhdojmë të negociojmë. Premtoj që për momentin nuk do t’i rrisim tarifat ndaj Kinës. Janë edhe rreth 350 miliardë dollarë mallra të cilave mund t’u vendosen tarifa, por nuk do ta ndërmarrim këtë hap. Do të rifillojmë punën me Kinën aty ku ishim ndalur dhe të shohim nëse mund të arrijmë një marrëveshje”, tha Presidenti Trump.

Presidenti Trump tha gjithashtu se do t’i lejojë kompanitë amerikane t’i shesin produkte kompanisë Huaëei, gjigandit kinez të telekomunikacioneve për të cilin komuniteti amerikan i zbulimit ka paralajmëruar se mund të rrezikojë sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Gjatë fjalimit në çelje të takimit, zoti Xi tha se “Kina dhe Shtetet e Bashkuara përfitojnë bashkarisht nga bashkëpunimi, ashtu siç humbasin nga konfrontimi. Bashkëpunimi dhe dialogu janë më mirë se fërkimet dhe përplasjet”.

Zoti Xi tha se ai dëshiron të shkëmbejë pikëpamjet me Presidentin Trump “për çështjet në themel të zgjerimit të marrëdhënies Kinë – SHBA, në mënyrë që të përcaktojmë drejtimin e marrëdhënies tonë”.

Presidenti Trump vuri në dukje “marrëdhënien e shkëlqyer” me zotin Xi dhe tha se “duam të bëjmë diçka për ta ngritur edhe tregtinë në këtë nivel. Mendoj se është diçka që arrihet lehtësisht”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara tha se të dyja vendet kishin qenë shumë afër arritjes së një marrëveshjeje historike tregtare, por pastaj “diçka ndodhi dhe doli disi nga parashikimi”. /Zëri Amerikës/




Skip to toolbar