Pas
18 urdhër arresteve për 18 persona, disa prej të cilëve u ndaluan nga Policia e
Durrësit, Prokuroria e këtij qyteti shpërndau një deklaratë për shtyp. Në fillim,
Prokuroria sqaron se për 23 personat që humbën jetën në ndërtesat e shembura
nga tërmeti në Durrës, faji është edhe i ndërtimeve pa respektuar rregullat,
normat apo standardet në fushën e ndërtimit. “Nga veprimet e para hetimore të kryera,
dyshohet se dëmtimet e këtyre godinave (objekteve) dhe pasojat në jetët e
njerëzve kanë ardhur edhe si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar
rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit. Po kështu ka dyshime se
këto pasoja, kanë ardhur edhe si shkak i kryerjes apo moskryerjes së detyrës
nga inxhinierët projektues, zbatues, mbikëqyrës dhe kolaudator të këtyre
ndërtimeve, si dhe nga veprimet e kryera në kundërshtim me ligjin nga nëpunësit
shtetërorë dhe publik të ngarkuar me kontrollin dhe mbikëqyrjen e këtyre
ndërtimeve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Durrësit.
Më
tej, organi i akuzës në Durrës sqaron se për 18 personat që është urdhëruar
ndalimi i tyre, “ekzistojnë dyshime të bazuara në prova se kanë konsumuar
veprat penale të “Vrasjes me dashje”, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”,
“Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumenteve”,etj, të parashikuara
nga nenet 76,79/dh,248,186/3 të Kodit Penal”.
Gjithashtu,
Prokuroria beson se ndërtuesit formal apo informal të ndërtimeve ku humbën jetën
disa persona, nuk janë zbatuar rregullat e nërtimit duke sjellë edhe pasojat me
vdekjen e disa personave. “Nga ana e ndërtuesve formal dhe informal të këtyre
objekteve ndërtimi, ka rezultuar se në kundërshtim me rregullat dhe normat në
fushën e ndërtimit dhe konkretisht ku për shkak të dëmtimit në strukturën e
objekteve, ka sjell si pasojë vdekjen e disa personave të ndarë sipas objekteve
përkatëse. Për këto veprime dyshohet se këta persona kanë kryer elementët e
veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, parashikuar nga neni 79
germa “dh” të Kodit Penal”.
Përgjegjësia
shkon edhe për zyrtarët e institucioneve publike, që kanë autoritetin e
kontrollit të ndërtimeve. “Nga ana e funksionarëve publikë në zyrat e Aluiznit,
IMT, Shtëpisë së Pushimit, janë kryer veprime në kundërshtim me ligjet
përkatëse të fushës që ata mbulojnë duke sjellë për rrjedhojë kryerjen e
veprimeve në kundërshtim me ligjin nr.9482 date 03.04.2016 i ndryshuar “Për
legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, per regjistrimin
e objekteve pa i plotësuar kushtet tekniko ligjore të tij, duke sjellë pasoja
në jetët e njerëzve. Nga ana e subjekteve projektues, mbikëqyrës punimesh,
kolaudues tek ndërtimet me leje janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe
aktet nënligjore në fushën e ndërtimit por një pjesë prej tyre nuk jetojnë dhe
është e pamundur ligjërisht për të kryer hetime ndaj tyre”.
Por,
hetimet sipas Prokurorisë, nuk do të fokusohen vetëm te objektet e shembura që
morën 23 jetë njerëzish. Sipas saj, hetimet do të shtrihen edhe te ndërtesat që
lanë dhjetëra persona të plagosur. “Nga
ana e organit të prokurorisë po i kushtohet një kujdes i vazhdueshëm ndjekjes
së hetimeve lidhur edhe me objektet e dëmtuara në të cilat kanë ardhur pasoja
të lehta për shëndetin e qytetarëve, si dhe në objektet në të cilat janë
shkaktuar dëmtime të rënda materiale. Siç jeni në dijeni drejtpërdrejtë nga
tërmeti janë shkaktuar 23 viktima, kanë ndodhur dëmtime të rënda të objekteve
dhe banesave të një numri të madh qytetarësh dhe nga ana e Organit të
Procedimit është ndërhyrë që krahas sigurisë publike për shëndetin e njerëzve
të sigurohen edhe provat e nevojshme në vijim të hetimeve që lidhen me provat
materiale të elasticitetit të materialeve të hekurit të përdorur, forcës se
betonarmeve, si dhe cilësisë së materialeve të tjera të ndërtimit”, thuhet në
deklaratën e Prokurorisë.