Kryeministri Edi Rama zgjodhi Vlorën për të
mbyllur fushatën elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit. Në fakt, mitingu përbmbyllës
në “Lungo Mare”, nuk ishte fjala e fundit elektorale e Edi Ramës, pasi atë e
tha, padyshim, në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla dhe përballë analistëve
Skënder Minxhozi, Arian Vasiari, Agron Gjekmarkaj dhe Alfred Lela. Në studion e
improvizuar të “Real Story” në qytetin e Vlorës, Kryeministri Edi Rama foli për
shumë tema, duke nisur fillimisht me fushatën elektorale, dhe më pas me krizën politike.
Ai sqaroi se pas zgjedhjeve do të ftojë Lulzim Bashën për të zgjidhur krizën, ndërsa
theksoi se nuk do të pranojë ndarje të pushtetit si në 2017 me PD-në. Për më tepër,
lexoni pjesët më të rëndësishme të deklaratave të Kryeministrit në “Real Story”,
që ishte një transmetim maratonë, nisi rreth orës 20:00 dhe përfundoi vetëm disa
minuta para nisjes së heshtjes elektorale.
Rama në
“Real Story”: Negociatat me BE kanë nisur teknikisht, dialogu me PD varet nga
30 qershori
Nga Vlora në “Real Story”, Edi Rama u shpreh
se negociatat me BE-në janë hapur teknikisht, ndërsa PO-ja, politike, do të vij
në tetor. “Vjet KiE ka thënë që negociatat do të hapen në qershor të këtij viti.
Teknikisht negociatat Shqipëria ka nisur procesin, por politikisht PO-ja nuk është
dhënë e plotë. Defakto procesi teknik ka filluar”, tha Rama. Ndërkohë, pas 30 qershorit, dialogu me PD-në,
për Edi Ramën do të varet pikërisht nga ajo që do të ndodhë ditën e zgjedhjeve.
Shmangia e dhunës ditën e zgjedhjeve nga PD, për Edi Ramën do të jetë një barrë më e madhe për PS-në që të jetë më kreative për
të ofruar hapësira dhe pika kontakti me kundërshtarët.
“Nëse ata nuk do futen në një narrativë të re
do të jetë tmerrësisht e vështirë për ta. Pas 30 qershorit do të jetë barrë më
e madh për ne që të jemi më kreativ për të ofruar hapësira dhe pika kontakti për
ta. Do varet shumë nga e diela, nëse ata do vazhdojnë me marrëzinë, do të jetë
shumë e vështirë. Të dielën harroje, shko në plazh. Harroje të dielën, do marrësh
më qafë PD”. Më tej, kreu i Qeverisë, u shpreh se zgjedhjet e ardhshme do të
jenë më 2021, ndërsa ndarje të pushtetit me PD-në nuk do të ketë, duke lënë të
kuptohet, se në negociatat për dialog pas 30 qershorit, PS-ja nuk do të pranojë
kushtin e qeverisë teknike dhe largimin e Kryeministrit.
“Zgjedhjet janë në 2021, periudha është e
gjatë për ata që janë angazhuar në revolucionin imagjinar. Nëse do dalin nga
kjo rrugë marrëzie, do tu duket shumë e shkurtër pasi do duhet të organizohen.
Pushtetin e ndan populli, ajo që po them është kjo; nëse nuk do dimë këtë përgjegjësi
të madhe, do të jetë një plus për ata, që do të kapitalizojnë mbi kusuret tona.
Ata janë një parti njerëzish rrogtarësh. Votuesit e tyre nuk mund të angazhohen
me ato kapacitete për të përmbysur PS-në”.
Realstory,
Rama: Jam gati të ulem që të hënën me PD në tavolinë
I pyetur nga gazetari Sokol Balla në Real
Story a do të ketë dialog dhe marrëveshje pas 30 qershorit, Rama tha se ai
është i hapur dhe çdo gjë varet nga ata. Rama tha se takimi në tavolinë und të ndodh që të hënën, mjafton që PD të
ketë ardhur në vete. “A do ketë apo jo dialog apo një marrëveshje bashkëpunimin
pas 30 qershorit, kjo varet nga ata. Unë jam i hapur për çdo dialog dhe
marrëveshje bashkëpunimi. Jam gati të dialogojë dhe të ulem në tavolinë që të
hënën për të gjetur një rrugë për rikthimin e opozitës në parlament . Nuk kam
asnjë lloj kushti apo paragjykimi. Basha mund të vijë në tavolinë dhe të thot
“Rama ik” por ta thotë në tavolinë. Nëse shoh që PD ende nuk ka ardhur në vetë
do i them hajde po iki…nga tavolina.”
Kryeministri Edi Rama foli edhe për fenomenin
e shit-blerjes së votës, duke thënë se ka qenë gjithmonë kështu. Por Rama
mohoni se Partia Socialiste dhe ajo Demokratike nuk vjedhin vota, nuk kanë
interes dhe nuk funksionon kështu. LSI dhe partitë e vogla janë tjetër gjë tha
Rama në Real Story. “PS dhe PD nuk vjedhin vota, se nuk funksion. LSI dhe
partitë e vogla janë tjetër gjë. Mund të ketë fenomene sporadike, tek PD apo
PS, por janë të rralla. Shikoni sondazhet dhe do t’i shihni”. Rama tha gjithashtu se populli nuk është
budalla dhe gjithmonë ka votuar saktë. “Populli shqiptar është shumë i mençur
dhe nuk kane votuar kurrë gabim. Nuk votoi gabim në 1991, as në 1992 dhe as në
2009. Edhe në 2009 kanë votuar shumë saktë. Kanë votuar për një barazim. Ka
qenë një rezultat shumë i ngushtë.”
Rama në
Realstory: PD Nuk do marrë fund pas 30 qershorit, i duhet të reflektojë
Menjëherë pas mbarimit të fushatës elektorale
në Vlorë, Kryeministri Rama ishte i ftuar në emisionin Real Story të gazetarit
Sokol Balla. Rama foli për Partinë Demokratike dhe reflektimin që ajo duhet të
bëjë pas 30 qershorit. Gjithashtu Rama nuk pranoi që këto zgjedhje të quhen
monopartiake, pasi ka shumë parti të tjera që marrin pjesë, pavarësisht se në
të mungon kandidati kryesor.
“Kërkuan të veremosin Shqipërisë dhe do të marrin atë që meritojnë. Nuk do zhduken
si parti pas 30 qershori, të pakën jo PD, ajo do të jetë aty. Patjetër që do të
dalë shumë rrënuar nga kjo histori, por duhet të reflektojë dhe riorganizohet,
për t’u rikthyer si një alternativë e besueshme. E vetmja gjë që PD do
përballet pas 30 qershorit është me militantët, struktura dhe demokratët e saj.
Jemi në kushte ku nuk kemi kundërshtarë kryesorë në garë dhe për këtë nuk mund
të fajësohemi, por këto nuk janë zgjedhje moniste pasi ka parti të tjera në
garë. Për sa i takon dekreteve të Metës janë si të kohës së Haxhi Qamilit. Ato
nuk janë dekrete janë një marrëzi dhe fakti që Shqipëria ka institucione sot
kemi një 30 qershor që do dalim të votojmë. Nëse 30 qershori do të ishte i
paligjshëm, nuk do të kishim një zë kaq të fuqishëm të SHBA dhe BE kundër
opozitës dhe mbajtjes së zgjedhjeve në atë datë.” – tha Rama
Kriza
politike, Rama në Real Story: Leksion demokracie, s`ka arsye për frikë në 30
qershor
Kryeministri Edi Rama deklaroi në “Real
Story” për gazetarin Sokol Balla, se nuk ka arsye për të pasur frikë për të
dalë për të votuar në 30 qershor. “Kjo botë nuk është e frikacakëve. Nuk ka
arsye për të pasur frikë, mund të ketë gjëra sporadike, por ne i kemi marrë të
gjitha masat, por kushdo që do të shkelë vijën e kuqe do të përballet me të
gjitha pasojat. Është e vërtetë besimtar dhe votues, anëtar të atyre që nuk
janë në garë, mund të jenë krejtësisht në pamundësi për të shkuar për të
votuar, por këtë nuk ua hoqi PS, ua hoqi partia e tyre”, u shpreh Rama. Shefi i
Qeverisë, që zgjodhi studion e “Real Story” për të mbyllur publikisht fushatën
elektorale, u shpreh se PD-ja është tërhequr pas një presioni të
jashtëzakonshëm të SHBA-së, ndërsa tha se plani për dhunë dështoi. “Merrni në
pyetje kryebashkiakun e shkarkuar të Vaut të Dejës dhe dëgjoni çfarë thotë ai.
Nga njëra anë PD thotë e organizuam ne sulmin ndaj KZAZ-së, ndërsa ai thotë që
e organizoi partia. PD ka një javë që hedhë gurin dhe fsheh dorën, pas një
trysnie të jashtëzakonshme nga SHBA. Kjo është e gjitha pjesë e të njëjtit
plan, plani ka dështuar, por ka kërcitje tek-tuk. Nëse plani nuk do kishte dështuar,
do ishin djegur të gjitha KZAZ-të e Shqipërisë. Pra ky ka qenë plani”, tha
Kryeministri Rama.
Ram u shpreh gjithashtu, se Shqipëria do e
kalojë me sukses testin e zgjedhjeve të 30 qershorit, ndërsa pas kësaj date,
historia e partive politike që kërkojnë fitore në tavolinë dhe që imponojnë
rregulla të pashkruara, do të marrë fund njëherë e mirë. Ndërkohë, shtoi se ai
nuk e ndjen veten as fajtor, as faktor dhe aktor për krizën.
“Nuk ndihem as aktor, as faktor as fajtor per
krizën. Ndihem mirë që plani për të futur Shqipërinë në një rruge pa krye, ka
dështuar. Unë ndihem mirë që Shqipëria do e kalojë këtë test me sukses. Plani i
turpshëm për ta marrë peng procesin zgjedhor, dështoi. Mund të ketë dëmtuar
çeljen e negociatave përkohësisht, por nuk ka arritur dot të imponojë një
rregull të ri që një palë imponon rregull të pashkruar për palën tjetër. Nuk do
kemi më pas 30 qershorit parti politike që do ëndërrojnë fitore duke braktisur
zgjedhjet. Ky film ka këtë fund dhe ky është sezoni i fundit i një seriali që
ka vite që zhvillohet. Do nis një serial i ri, që nuk përjashtohen tensionet
dhe polemikat. Ama jo më kështu, kjo histori mbaroi. Nuk kanë për të parë më
shqiptarët situata të tilla. Ky është një leksion historik demokracie”, tha
Rama./Realstory.al/