Një demokrat President, pas Ilir Metës?

AKTUALITET


Mes një zhurme të madhe në ditën e heshtjes zgjedhore, gjithsesi ulëret fort një heshtje e paprecedentë. Sali Berisha njoftohet prej disa kohësh se gjendet në kurim jashtë shtetit në një klinikë mjekësore. Prej dy javësh lideri historik i së djathtës, hesht. Lider? Kështu e quajti të premten në darkë në Real Story edhe Edi Rama. Njeriu që hoqi picirin prej Doktorit nga 1997 kur e rrahu, në 2011 kur desh e vrau para Kryeministrisë e pak muaj më vonë i vodhi pa e vrarë mendjen bashkinë në tavolinë, njeriu që s’e njohu kurrë për tetë vjet si kundërshtar zyrtar, befas është “lider” për Edi Ramën???

Ajo që të habit është edhe teatraliteti i gjoja përballjeve të dy ditëve të fundit. Për shembull rasti i Zef Hilës. Kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës sipas qeverisë është shkarkuar dhe mediat raportuan gjatë ditës ndalimin e tij. Por vetë Hila në liri të plotë në një intervistë tha se ishte pyetur si qytetar në polici për ngjarjet, por ndërkohë vazhdonte të ishte në detyrë.


Që përpjekjet ndërkombëtare për negociata kanë nisur, realstory. al e ka raportuar prej disa ditësh. Burime diplomatike thonë se kushti i Bashës për të mos u ulur me Ramën si kryeministër mund të zgjidhet me një teknikalitet: takim fillimisht i Bashës me një socialist të një niveli të lartë e ndoshta pastaj me Ramën. Por po sikur në këtë skemë, të ketë diçka gabim? Po sikur në të vërtetë të jetë fillimisht një takim i Ramës me një zyrtar të lartë demokrat?

I vetmi që mund të kishte këtë staturë është Sali Berisha, por ai dihet se me Edi Ramën funksionon më mirë në distancë. Ashtu si në prill 2008 kur për 48 orë ndryshuan kushtetutën me dy korrierë: Damian Gjiknurin dhe Oerd Bylykbashin. Por thirrja e pak ditëve më parë për Doktorin e Ilir Metës në letrën e koduar që i çoi Ramës, kishte dhe fjalinë: “Edhe ti e ke pikë të dobët Doktorin, pavarësisht se ndryshe nga unë, nuk e thua me zë të larte”. Mos vallë Ilir Meta ka marrë vesh diçka? Mos mes Ramës dhe Berishës ka nisur një komunikim në distancë, që përjashton për momentin Bashën, dhe (sigurisht) edhe Ilir Metën? Mos vallë këtu bazohet shqetësimi i Presidentit për heshtjen e Doktorit, shprehur hapur në daljet e tij publike të herëve të fundit?

Gjithsesi gjithçka duket lidhet me atë se çfarë do të ishte objekti i marrëveshjes PD PS? PD pas 1 korrikut është totalisht në rrugë, jashtë çdo pushteti, dhe përfaqësohet në institucione vetëm me një figurë groteske, Erinda Ballancën, në postin e avokatit të popullit. Pra marrëveshja e mundshme duhet t’i japë diçka PD. Diçka të madhe dhe me vlerë, që të garantojë çbalancimin e pushteteve pas 30 qershorit dhe të jetë fletë garancia e rikthimit të saj në institucione. Për momentin e vetmja gjë në tavolinë, është koka e Ilir Metës. Ose më saktë, karrikja që ai do të lerë bosh shumë shpejt.

Maxhoranca tashmë është në rrugën pa kthim të shkarkimit të tij, që mund të ndodhë mes korrikut dhe shtatorit 2019. Ilir Meta sot është pothuajse i shkarkuar, sa kohë maxhoranca, gjyqësori dhe ndërkombëtarët nuk i njohin si të ligjshme dekretet e tij. Por befas të enjten atë nuk e “njohu” as Lulzim Basha. A ishte edhe ky një sinjal i koduar në distancë se Basha ishte game on, në skemën që duket ka edhe mbështetjen Amerikane?

Per këtë, le t’i rikthehemi fushatës. Rama nuk ka kursyer Ironinë ndaj liderit të PD, por kurrë nuk e ka quajtur me tone fyese. Edhe retorika ndaj Berishës është zbutur dy javët e fundit, përjashto kur Rama i është referuar reformës në drejtësi. Por ka një tjetër personazh që është sulmuar këtë fushatë: Ilir Meta. Ashtu si vjet më parë si Tepsi, sot si Haxhi Qamil. Dhe në këtë diskurs, në fjalorin e Ramës është përsëritur disa herë dhe fort, një Mea Culpa Ndaj Bujar Nishanit. Ai është krahasuar, sigurisht me Ironi me Xhefersonin, krahasuar me Metën, gjë që ka një të vërtetë në mes. Se pavarësisht Vokacionit të djathtë, Nishani nuk bëri kurrë lojëra me Kushtetutën. Bile në 2017, i dha leksion paraprak Metës sesi nuk duhet të luajë me dekretin e zgjedhjeve.

Por Bujar Nishani ka deklaruar se nuk synon më poste, pasi arriti të bëhej President i Republikës, por ai për shumë demokratë sot, shihet si kandidati më i mirë për të zëvendësuar kryetarin aktual, nëse nis një lëvizje Basha IK. Shenjat për këtë janë të forta, dhe Doktori e di shumë mirë se një çarje e re, do ta shkatërronte PD. Nishani si kryetar i PD do të ruante kohezionin e partisë, legacinë e Berishës, por edhe rregullonte raportet me amerikanët.

Por Berisha nuk mund të lërë Bashën në mes të rrugëve, pavarësisht dështimeve të shumta të tij. Vetëm kafshët i ngordhin vetë këlyshët e dobët, që të mbijetojnë më të fortët. NJerëzit funksionojnë ndryshe, qoftë edhe nëse quhen Sali Berisha: ruajnë fëmijën më të dobët. Berisha do që Basha të shpëtojë nga mali i dështimeve të veta.

Dhe sot politikisht Basha është më i dobët se kurrë. Më keq se kurrë me amerikanët që kontrollojnë BKH dhe SPAK. Dhe për më keq, ka futur gjithë PD në paralistën e zezë të tyre. Bujar Nishani jo. Ai kishte dhe ka raporte te shkëlqyera me amerikanët. Ai mund të ishte një element i besueshëm per ta. Nishani, ose “Xhefersoni” sic e quan Rama, do të kthente edhe PD në oborrin e ambasadës amerikane, (aty dhe e meriton të jetë). Berisha i heshtur prej takimit me amerikanët pak javë më parë, me siguri do të dëshironte pa fund rikuperimin me SHBA, para ngritjes së SPAk dhe të BKH.

Por për këtë, duhet të jetë dakort sigurisht Edi Rama. Dhe për këtë s’mjaftojnë vetëm “komplimentat” ironikë për Bujar Nishanin. Por të enjten në darkë ai bëri deklaratën që kaloi pa u vënë re nga shtypi. Skender Minxhozi duke folur për shkarkimin e Metës, i tha Kryeministrit se tashmë pas shkarkimit të Metës, socialistët do merrnin edhe presidencën. Një e drejtë morale sipas Taulant Ballës që në Real Story pak muaj më pare, kishte deklaruar se “presidenti i ardhshëm do të ishte një socialist”. Dhe sigurisht nuk e kishte për Ilir Metën, i cili hyri dy vjet më parë me fanfarën e një feste europiane, dhe po e del jashtë me shpejtësi nga zyra, sikur të ishte një element i rrezikshëm kamikaz i Boko Haram. Por Reagimi i Ramës ishte befasues të enjten në Real Story: “Kush tha se Presidenti i ardhshëm do jetë socialist?”

A është ky sinjali më i qartë i një marrëveshjeje të mundshme që do qetësonte vendin, Partinë Demokratike, por dhe Sali Berishën e Lulzim Bashën? Fundja Luli do kishte atë që kishte ëndërruar. një post të lartë pa u lodhur ta fitojë me garë. Vendin kështu në tetor do ta priste një skenar krejt tjetër nga ai i dekretit te Metës në datën 13 (ters), dy ditë para vendimit për hapjen e negociatave.

Dhe ja ku kthehemi te skenari amerikan për nisjen e negociatave: takimi i Ramës me një funksionar të lartë demokrat. Në këtë rast me Kryetarin Këshillit Kombëtar Bujar Nishani. Negocimi i tij direkt me Ramën si kryetar i ardhshëm i PD, do ta shpëtonte dhe Bashën nga sikleti i shtrengimit të dorës me një person që i tha “IK” pa sukses për gjashtë muaj rresht.

Kjo skemë do të ishte PINI dhe PUKU i kartës së bllokuar të krizës politike në vend dhe pikënisja e re jo thjesht e rikthimit të PD në sistem, por dhe ai i një klime të re të një vendi me tashmë një datë për hapjen e negociatave.

Kjo skemë sigurisht do të ketë edhe të humbur. Por Ilir Meta nuk mund të fitojë gjithmonë, megjithëse i ka patur të gjitha. Ai nuk mund të luajë me Ramën sa ai ta bëjë president e më pas të futet në fushatë për ta nxjerrë atë në opozitë. Ai nuk mund të luajë me Bashën e ta fusë në çadër, e më pas të hajë darkë me Ramën të restoranti i Pazarit. Ai nuk mund të përdorë Berishën për të fituar gjyqe, e të nesërmen të shkojë e të hajë ngjala me kundërshtarin e tij. Ai s’mund të bëjë gjithmonë negociatorin, se në fund dy të mëdhenjtë e kuptuan që në 2017, se janë në gjendje të bëjnë marrëveshje edhe pa nevojën e tij.

Dy të mëdhenjtë PD e PS, duket po e kuptojnë se i kanë ata, njëri PIN dhe tjetri PUK për zgjidhjen e krizës. Me koston që Ilir Meta do mbetet PAK i mërzitur. Po Iliri le të mërzitet S(PAK).

Kësaj radhe siç thotë Doktori: “E ka meritue”.

/Realstory.al/




Skip to toolbar