“Fauda”, shkaku pse Rama nuk është shfaqur në publik

Disa ditë më parë, disa media online qarkulluan lajmin se kryeministri Edi Rama për shkak të gjendjes shëndetësore jo të mirë, kishte anuluar takimin me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Nga Ohri, ku mbajti një bisedë me gazetarët shqiptarë pas samitit për Shengenin ballkanik, Rama shuajti zërat se ishte sëmur.  

“Më vjen keq që shëndeti im është shpresa e atyre që humbin pushtetin. Skam probleme shëndetësore. Edhe sikur të kisha, besoj se nuk është kjo një rrugë fortë e respektueshme për të bërë politikë”, tha Rama. Po përse kryeministri Edi Rama ka munguar në daljet e tij në publik? Përgjigjen e jep vetë ai. Nga Ohri ai u shpreh se mungesa e daljeve në publik, lidhet me punën që po bëhet për ligjin special kundër “KÇK-së” dhe bandave kriminale.  

“Lidhur me ligjin special shumë shpejt ne do ta bëjmë publik dhe më lejoni të mos nxjerr ende detaje. Kjo është edhe një nga arsyet e mungesës sime të zakonshme në publik. Kemi punuar me një grup të gjerë pune, me partnerë ndërkombëtarë dhe kemi grupuar shumë eksperienca botërore dhe kam vendosmërinë të hyjmë në një luftë të pa njohur më parë kundër krimit të organizuar dhe të marrim masa kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve të grupit KÇK”, -tha kreu i qeverisë shqiptare.

Gjithashtu, Kryeministri u është përgjigjur dhe njëherë liderëve kosovarë për Shengenin Ballkanik. Ai u shpreh se nëpërmjet kësaj nisme, do të krijohet mundësia që të hiqen kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës. “Sa herë është folur për hapjen e kufijve, është vënë kuja për Shqipërinë e madhe. Unë i kam thënë Vuçiç se nëse nuk përfshihet lëvizja e lirë ne nuk përfshihemi. Kam dëgjuar nga Albin Kurti që ka thënë se Kosova është mirë të jetë në tryeza por unë nuk marr përsipër të bëj më të madhin dhe të bind njeri. Janë liderët e Kosovës që vendosin”, tha Rama.

Samiti i Ohrit, Rama kritika Thaçit: U vetëpërjashtuat, S`ndryshoj qëndrim për Serbinë

Pas diskutimeve me dyer të mbyllura, kryeministrat e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut dolën në konferencë për shtyp. Kryeministri Edi Rama, u shpreh nga Ohri se tre kryeministrat kishin rënë dakord që samiti i radhës të zhvillohet në Durrës, ku i pranishëm do te jëtë dhe përfaqsuesi i lartë i politikës së jashtëme të BE-së. “Dua të them se ne u dakordësuam se në 21 dhjetor të zhvillojmë mbledhjen e radhës në Durrës. Morëm edhe konfirmimin se në atë mbledhje do të jetë i pranishëm, përfaqësuesi i ri i lartë i BE-së. Në Durrës janë të gjithë të ftuar, dëshiroj që dhe Mali i Zi dhe Bosnja Hercegovina, të jenë të pranishëm. Është rënë dakord dhe më parë, të përfshihet dhe Kosova, me të drejta të plota dhe e barabartë në BE. Por mos t’i shmangen elefantit që është këtu”, tha Rama.

Më tej, ai iu drejtuar drejpërdrejt Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili e kishte justifikuar mungesën e Kosovës në samitin e Ohrit me argumentin se “s`mund të ulej me vende që nuk e njohin Kosovën”. Këtij argumenti të Hashim Thaçit, Kryeministri Edi Rama i solli përballë disa nga takimet që janë zhvilluar në vende të ndryshme të Europës, ku Kosova ka qenë e pranishme në të njëjtën tavolinë me Serbinë, ndonëse Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Gjithashtu, Rama shtoi se i qëndron mendimit që Serbia duhet ta njoh Kosovën.

“Duhet të jenë sa më të drejtpërdrejtë, me të gjithë ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë apo s’duhan të kuptojnë. Është momenti për të thënë se së pari në kujtesën time, jemi takuar, jemi ulur dhe kemi dakordësuar për gjithçka që shkruhet, e zeza mbi të bardhë. Tani më jo si dokument, por si plan veprimi. Kjo nuk e ka penguar kryeministrin apo presidentin e Kosovës që të marrë pjesë në këtë samit. Në kujtesën time, pas luftës dhe pavarësisë së Kosovës, u desh një kohë e jo e shkurtër që përfaqësues të Kosovës të pranoheshin në tavolinë. Qoftë nga përfaqësues të Serbisë apo të Bosnjë Hercegovinës, tani prej të paktën 5 vjetësh, pjesëmarrja e Kosovës nuk është vënë në diskutim. Se gjej dot interesin dhe as përfitimin nga ky vet përjashtim(Kosova). Në vizitën time e kam thënë; Serbia duhet të njohë Kosovën. Por Kosova nuk duhet të vetëpërjashtohet”, -tha Rama.

Më tej, Rama foli për benefitet që do të sjell ky bashkëpunim rajonal. Sipas tij, njerëzit dhe mallrat do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm në këtë hapësirë, pa hequr të “zitë e ullirit” në kufti. “Një pyetje e thjeshtë do të ndihmonte qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë që kanë kaq vite që heqin të zitë e ullirit në kufi, do të donin të vazhdonin? Apo do të donin që njësoj si në gjithë Ballkanin Perëndimor edhe mes Shqipërisë dhe Kosovës të çelej kufirit për katër liritë e BE-së. Kjo nuk është një “mini-Shengen”. Mua nuk më konvenvon. Është Ëester Balkan Schengen. Së pesti, po produktet bujqësore të Shqipërisë pse duhet të kalben në kufirin me Maqedoninë, apo Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën apo siç kalben edhe në kufi me Kosovën”, tha Rama.

Rama, shtoi gjithashtu, se do të unifikohen diplomat për studentët e Preshevës, ndërsa shtoi se pavarësisht se sa e vështirë është të ulesh me “armiqtë” e dikurshëm, duhet bashkëpunuar. “Janë përfitim ekonomik. Pse për njohjen e diplomave duhet të presin edhe 5-10 vite të tjera. U kam premtuar shqiptarëve të Preshevës që të përgatiten se diplomat e tyre do të njihen, po për ata kush mendon? Duke u përjashtuar? Unë besoj se paqja është e ndërlikuar, por ia vlen. Bashkëpunimi me “armiqtë”, i vështirë, por i rëndësishëm që ato që vijnë pas të mos trashëgojnë armiqësi. E di shumë mirë që çfarë do të vazhdojë, por asgjë nga këto nuk është as e papritur dhe as e pathënë më parë. E kam predikuar bashkëpunimin rajonal, që ditën e parë kur kam ardhur në pushtet. Sa më shumë mundësi të kenë njerëzit, aq më shumë potencial do të ketë për zgjidhjen e konflikteve. E konsideroj domosdoshmëri praninë e Kosovës në Durrës, kush mendon se pëlqyeshmëria që mund të marrë dot me patriotizmin e FB, gabon. Është mirë që të jemi së bashku, t’i ndajmë në tyre opinionet tona, se në fund cilësia e jetës varet nga mënyra se si nuk bie dakord, mënyra më e mirë është ajo që nuk cenon bashkëpunimin e përbashkët. S’mund të ketë një proces ku njëra palë fiton, tjetra humbet”, tha Kryeministri Edi Rama.

Për Aleksandër Vuçiç, heqja e kufijve mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, do të kursejë të paktën 260 milion euro. Ai tha se njerëzit dhe mallrat do të lëvizin lirshëm.  “Mini-Shengeni ballkanik është një nismë shumë e mirë për vendin tonë. Është e rëndësishme se si u morëm vesh në një kohë të shkurtër për të arritur një marrëveshje që është në të mirë të qytetarëve tanë. Mund t’ju them se 260 milion euro do të jetë kursimi nga kjo marrëveshje. Shpresojmë që në të ardhmen të behën pjesë edhe disa vende të tjera. Do shikohet sa e rëndësishme do të jetë për një prodhues nga Jugu apo Veriu që t’i eksportojë ato. Për më pak se një vit e gjysme do të mundës të shihni rritjen e investimeve në përqindje për të tre vendet. Do të kemi mundësi që të hyjmë në Shqipëri dhe shqiptarët do të hyjnë në Serbi vetëm me letërnjoftime. Në Beograd keni leje gjithashtu nëse fluturoni në Tiranë, nuk do ju pyes njeri se ku do të shkoni. Nuk i maltratojmë qytetaret që vijnë, sepse duam të rrisim numrin e të huajave që do vijnë në vendet tona”, tha Vuçiç.

Mini-Shengeni Ballkanik, mbahet sot samiti i Ohrit

Këtë të diel do të mbahet samiti i Ohrit. Kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Sebisë do të diskutojnë për krijimin e mini-Shengenit Ballkanik. Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandër Vuçiç u takuan të shtunën në mbrëmje në Ohër, ndërsa këtë të diel ata do të zhvillojnë dhe takimin zyrtar mes tyre.

Në axhedën e takimit do të jetë diskutimi për katër liritë kryesore të Bashkimit Europian, ku përfshihet lëvizja e lirë e mallrave, njerëzve, produkteve dhe shërbimeve. Pas takimit, rreth orës 12:00 të mesditës, të tre liderët do të dalin në një konferencë për shtyp.

Ndryshe nga takimi i muajit tetor në Novisad, në samitin e Ohrit do të ketë edhe përfaqësues nga vende të tjera të Ballkanit. I pranishëm do të jetë kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës si dhe ministrja e Ekonomisë e Malit të Zi.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi refuzoi të marrë pjesë në takim. Arsyetimi i refuzimit të pjesëmarrjes nga Thaçi ishte sipas tij fakti se në takim marrin pjesë shtete që nuk e njohin Kosovën e pavarur.

Mini-Schengen, Vuçiç telefonon Ramën e Zaev

Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç, sipas mediave serbe, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, në prag të takimit të Ohrit për mini-Schengen Ballkanik.

“Një bisedë e shkëlqyer me Edi Rama dhe Zoran Zaev përpara samitit të rëndësishëm në Ohër më 9 nëntor”, është shprehur Vuçiç, që mësohet të ketë thënë gjithashtu se bisedimet do të vazhdojnë për krijimin e “Schengenit Ballkanik”.

Më herët gjatë të hënës, Aleksandër Vuçiç zhvilloi një takim me të dërguarin e Posaçëm të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer.

Gjatë konferencës për shtyp, Vuçi përsëriti qëndrimin se bisedimet me “Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të vijojnë për krijimin e Schengen Ballkanik, dhe më pas me vendet e tjera për heqjen e pengesave për qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitaleve”, citohet të ketë thënë kryeministri i Serbisë.

Vuçiç, Rama dhe Zaev nënshkruan një deklartë të përbashkët më 10 tetor me synim krijimin e “Schengenit Ballkanik”, deklaratë e firmosur në Novi Sad të Serbisë.

Së shpejti tender ndërkombëtar për Aeroportin e Vlorës

Në javët e ardhshme do të hapet tenderi ndërkombëtar për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Lajmin e dha Kryeministri Edi Rama nga Italia, ku mbajti një fjalim në Asamblenë e Shoqatës së Industrialistëve të Detit​. “Në javët e ardhshme do të hapim një tender ndërkombëtar për Aeroportin e Vlorës dhe më vjen mirë që shumë grupe italiane kanë shprehur interes në këtë vazhdimësi të përbashkët”, tha Rama. Ai shtoi se Shqipëria është duke punuar në sektorin e infrastrukturës portuale, duke u shprehur se janë duke u zgjeruar portet e Durrësit dhe të Vlorës, ndërsa do të ndërtohet dhe një terminal për kroçerat.

“E dyta që dua të them është që ne po punojmë në këtë periudhë për të zgjeruar kapacitetet e porteve tona. Kemi firmosur një marrëveshje me kompaninë MSC, për të ndërtuar terminalin e parë modern për kroçerat dhe shpresojmë mirë që me ‘’Costa Crociere’’ të ecim përpara në mënyrë që të mbulojmë si Durrësin, ashtu edhe Vlorën me dy terminalë mjaft modernë, të konceptuar, – si përherë që nga koha e Mbretërisë shqiptare, – nga arkitektë fiorentinë”, u shpreh Rama.  

Në fund, kreu i qeverisë u bëri thirrje bizneseve italiane të investojnë në sektorin e turizmit në Shqipëri. “Para se ta mbyll, dua t’iu falënderoj të gjithëve dhe t’u lë me këtë mesazh, se sot të investosh në Shqipëri në turizëm dhe strukturat e pritjes ka një TVSH prej 6% dhe mbi strukturat me 4-5 yje, jo vetëm një TVSH prej 6%, por edhe 10 vjet pa paguar asnjë taksë, po ashtu edhe të gjitha proceset administrative të burokracisë nuk bëhen nga investitorët, por nga strukturat e specializuara të shtetit. Janë struktura të krijuara ‘ad hoc’ për çdo investitor, për të mos humbur në labirintet e burokracisë shqiptare, që edhe pse nuk është aq e vështirë sa burokracia italiane, mbetet gjithsesi një burokraci”, tha Rama.

Conte, mesazh Bashës: Mos vendos kushte, prano ftesën e Ramës

Pas takimit që patën së bashku, Kryeministri Italian Giuseppe Conte dhe homologu i tij shqiptar Edi Rama, dolën në një konferencë për shtyp. Conte ftoi qeverinë shqiptare të jetë e hapur për dialogun me opozitën, ndërsa në krahun tjetër, partitët e opozitës nuk duhet të vendosin kushte për ftesën e mazhorancës.

“Ja ripërsërita edhe një herë kryeministrit Edi Rama mbështetjen për të qenë i hapur me opozitën, me qëllim zhbllokimin e krizës politike, që prej kohësh  pengon Shqipërinë të eci në rrugën e reformave, në veçanti reformës zgjedhore, dhe po i lejoj vetes si kryeministri i një vendi që ka një traditë miqësie shumë të gjatë me Shqipërinë… i ripërsëris edhe një herë kryeministrit t’i ftojë partitë opozitare, të mirëpresin një ftesë të tillë nga mazhoranca, me shpirt kontruktiv dhe nëse më lejoni, pa kushte” tha ai.

Lidhur me mos hapjen e negociatave, Giuseppe Conte përsëriti qëndrimin e Parlamentit Europian, duke e cilësuar si “gabim historik”, ndërsa theksoi se “perspektiva e Ballkanit është në Bashkimin Europian”.  Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij u shpreh se edhe pse BE nuk mbajti premtimin për negociatat, Shqipëria do të vijojë në të njëjtën rrugë. Rama foli edhe për njohjen e sigurimeve shoqërore të shqiptarëve që jetojnë në Itali, ndërsa ftoi bizneset italiane të investojnë në Shqipëri.

“Bashkimi Europian nuk mbajti premtimet për negociatat, por ne do të vijojmë të njëjtën rrugë. Ne besojmë se kemi partner të fortë, si Italia. Kam informuar edhe kryeministrin mbi reformat që do të vijojnë që të çohen përpara.  Mora një mbështetje të plotë për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Eksperienca e vendit fqinj, Italisë ka një vlerë të jashtëzakonshme. Duhet parë edhe situata mbi sigurimet shoqërore për të arritur një dakordësi për njohjen për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Itali. Në fund do të kemi edhe një bashkëpunim ekonomik që është folur në këtë takim” tha ai.

Vizita e Kryeministrit Edi Rama në Itali vjen vetëm pak javë pas vizitës që Giuseppe Conte zhvilloi në Shqipëri, në prag të vendimit të Këshillit Europian për negociatat. Italia është një nga mbështetëset kryesore të Shqipërisë  në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, qëndrimin të cilin e konfirmoi kryeministri italian si në vizitën e tij në Tiranë, por dhe në pritjen që i bëri Edi Ramës këtë të enjte në Itali.

Mitsotakis: Së shpejti njohim patentat shqiptare

Zbardhet takimi i Kryeministrit Edi Rama me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis. Në një deklaratë të zyrës për shtyp të  Kryeministrisë, thuhet se “Kryeministri Edi Rama është pritur në një takim me frymë pozitive nga Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis. Në këtë takim u diskutuan të gjitha çështjet e përbashkëta. Kryeministri i Shqipërisë theksoi se pavarësisht vendimit të Këshillit të BE-së, Shqipëria do të vazhdojë zbatimin e reformave me të njëjtën vendosmëri”.

Sipas informacionit zyrtar dhënë nga zyra për shtyp e Kryeministrit Edi Rama, mësohet se “Kyriakos Mitsotakis theksoi se Greqia mbështet prespektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për sa kohë këto vende përmbushën të gjitha kërkesat për anëtarësim”. Ndërkohë, kreu i ekzekutivit shqiptar, deklaroi gjatë takimit se pavarësisht vendimit të Këshillit të BE-së, “Shqipëria do të vazhdojë zbatimin e reformave me të njëjtën vendosmëri”.

Në takimin mes dy kryeministrave, një vëmendje e veçantë i është kushtuar diskutimit për çështjet ende të pazgjidhura mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pasi shprehi mbështetjen e Greqisë ndaj Shqipërisë për perspektivën evropiane, Kyriakos Mitsotakis “mirëpriti angazhimin e palës shqiptare për të vazhduar punën me çështjet e pronave dhe të vetëdeklarimit/censusit, të cilat janë shqetësime për minoritetin grek në Shqipëri. Veç kësaj, Kryeministri grek theksoi se marrëveshja bilaterale për njohjen e ndërsjelltë të patentave do të kalojë së shpejti për miratim në parlamentin grek”, thuhet në deklaratën e Kryeministrisë. Në fund, thuhet se “Kryeministri i Shqipërisë ftoi Kryeministrin e Greqisë për të vizituar Shqipërinë në të ardhmen e afërt, ftesë të cilën ai e pranoi”, thuhet në deklaratën e Kryeministrisë.

Kufiri detar, Rama: Zgjidhje konsensuale me Greqinë

Nga Greqia ku zhvilloi një takim me homologun Kyriakos Mitsotakis, Kryeministri Edi Rama foli në një intervistë për Euronews, ku preku disa tema. Së pari ai është ndalur te çështjet ende të pazgjidhura mes dy vendeve, siç është kufiri detar. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se do të vijojë të punojë me qeverinë e re të Greqisë, me shpresën se do gjendet një zgjidhje konsensuale. “Ne kemi punuar me qeverinë e mëparshme për ca kohë dhe kemi bërë përparime të konsiderueshme dhe duhet të vazhdojmë të punojmë me qeverinë e re, duke shpresuar se do të gjendet një zgjidhje konsensuale”, tha Rama.

Lidhur me çështjet e minoritet grek në vendin tonë, Kryeministri Edi Rama është shprehur se Shqipëria është shembull i respektimit të të drejtave të pakicave. “Shqipëria është shembull i ndritur i respektit për të gjitha pakicat dhe për ato greke, të cilët jetojnë aty prej shumë kohës, në të njëjtat kushte si Shqiptarët. Po, kur ka probleme, ato janë njësoj për të gjithë, jo për një pakicë apo tjetrën”, tha Rama.

Për ligjin për shpronësimet, që nuk është pritur mirë nga drejtues të minoritetit, Rama sqaron se ndryshimet synojnë t`i japin fund problemit të pronave në vend, duke luftuar korrupsionin në sistem. “Ajo që po përpiqemi të bëjmë është thjesht të riformulojmë legjislacionin ekzistues për të mirën e të gjithëve, dhe të luftojmë korrupsionin në sistem, që derdh gjakun e njerëzve për pronat e tyre. Por nuk ka të bëjë vetëm me pakicën Greke, por për të gjithë”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama është  pyetur dhe për vdekjen e Kostandin Kacifas, ekstremistit grek që u vra vitin e kaluar në fshatin minoritar Bularat, në Gjirokastër. Rama është shprehur se “beson se çdo njeri që mban armën duke kërcënuar jetën e njerëzve është i rrezikshëm”, thotë Kryeministri, duke shtuar se nuk beson se rasti i Kacifas do të çojë në konflikt midis komunitetit grek dhe shqiptar. “Unë nuk mendoj kshtu. Përkundrazi, besoj se historia e dy komuniteteve tregon që nëse politika nuk ndërhyn, ato janë një. Prandaj nuk ka ndarje apo urrejtje në zemrat e komuniteteve ku shqiptarët dhe grekët kanë jetuar së bashku prej vitesh”, tha Rama.

Rama: Haradinaj gënjeu, do përgjigjet në gjykatë

Kryeministri Edi Rama shprehet se do të dërgojë në gjyq për shpifje ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Pak ditë më parë, në një intervistë, Ramush Haradinaj u shpreh se Thaçi, Rama dhe Vuçiç do të grabisnin 10 miliardë euro nga  miniera e Trepçës nëpërmjet ndarjes territoriale. Për këto akuza, Kryeministri Edi Rama u shpreh në emisionin “Opinion”, se po përgatit një padi anti-shpifje.

“Për 10 miliardshin po përgatis, jo unë, unë kam një zyrë të posaçme të anti-shpifjes. Në gjykatat e Kosovës zotëria do të duhet të vijë të provojë akuzën për 10 miliardë që do ndaheshin në tavolinë midis meje, Hashim Thaçit dhe Presidentit të Serbisë. Por një gjë ditë të them unë, këtyre lloj politikanëve bravo u qoftë që gjejnë dhe bëjnë i them unë… Dmth që ti thuash një populli që ishin 10 miliardë në sofër dhe do të ndaheshin midis këtyre të treve që ranë dakord të ndanin Kosovën dhe të marrësh akoma vota… Ata që votojnë për këtë lloj politike ato qofshin dhe bravo u qoftë”, u shpreh Rama.

Sipas Kryeministrit Rama, Ramush Haradinaj gënjeu në mënyrë të pashembullt. “Është ish-kryeministri i Kosovës ky dha dorëheqjen me demek dhe është akoma atje, është një person për të cilin jam detyruar për herë të parë dhe hera e fundit që dalë publikisht, sepse gënjeu në mënyrën më të paskrupullt”, tha Rama.

Reforma Zgjedhore, Rama: E mbyllim para vitit të ri

“Ne do të vazhdojmë të punojmë për Shqipërinë europiane, duke kryer kushtet e vendosura nga Bunestagu”, ishte një nga gjërat që tha Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp pasditen e të premtes. Këtë pohim, Rama e përforcoi dhe më tej gjatë konferencë, kur deklaroi se brenda këtij viti do të dërgohet për votim në Kuvend, Reforma Zgjedhore, një nga kushtet e Bundestagut.

Europa, i kujt është faji?

“Reformën zgjedhore do ta mbarojmë përpara vitit të ri në parlament sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Pas vitit të ri jemi gati të diskutojmë për temat e tjera të reformës, pasi do ta bëjmë me dy shkallë. Në shkallën e parë do të merremi vetëm me rekomandimet e OSBE-se dhe do ta kemi shënuar si të kryer një kërkesë të Bundestagut që prapë i vlen Shqipërisë, sistemit tonë zgjedhor, sepse nuk do të ketë më komision me parti politike. Duan apo nuk duan ata që kërkojnë përgjegjësi nga unë përse nuk funksionon BE-ja” tha ai.

Miratimi i Reformës Zgjedhore, ishte një nga tre kushtet kryesore të Bundestagut gjerman për uljen në tryezën e diskutimit të kapitujve, në rast se Shqipëria do të merrte një vendim pozitiv nga të gjitha vendet anëtare të BE-së për negociatat në 18 tetor. Megjithatë, Rama u shpreh se pavarësisht mungesës së pasjes së një vendimi për negociatat, Shqipëria do të vijojë të përmbushë kushtet e vendosura nga Bundestagu në muajin shtator, për Shqipërinë europiane.

Skip to toolbar