Rama: Haradinaj gënjeu, do përgjigjet në gjykatë

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama shprehet se do të dërgojë në gjyq për shpifje ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Pak ditë më parë, në një intervistë, Ramush Haradinaj u shpreh se Thaçi, Rama dhe Vuçiç do të grabisnin 10 miliardë euro nga  miniera e Trepçës nëpërmjet ndarjes territoriale. Për këto akuza, Kryeministri Edi Rama u shpreh në emisionin “Opinion”, se po përgatit një padi anti-shpifje.

“Për 10 miliardshin po përgatis, jo unë, unë kam një zyrë të posaçme të anti-shpifjes. Në gjykatat e Kosovës zotëria do të duhet të vijë të provojë akuzën për 10 miliardë që do ndaheshin në tavolinë midis meje, Hashim Thaçit dhe Presidentit të Serbisë. Por një gjë ditë të them unë, këtyre lloj politikanëve bravo u qoftë që gjejnë dhe bëjnë i them unë… Dmth që ti thuash një populli që ishin 10 miliardë në sofër dhe do të ndaheshin midis këtyre të treve që ranë dakord të ndanin Kosovën dhe të marrësh akoma vota… Ata që votojnë për këtë lloj politike ato qofshin dhe bravo u qoftë”, u shpreh Rama.


Sipas Kryeministrit Rama, Ramush Haradinaj gënjeu në mënyrë të pashembullt. “Është ish-kryeministri i Kosovës ky dha dorëheqjen me demek dhe është akoma atje, është një person për të cilin jam detyruar për herë të parë dhe hera e fundit që dalë publikisht, sepse gënjeu në mënyrën më të paskrupullt”, tha Rama.




Skip to toolbar