Rikonstruksioni i konvikteve në QS, Rama: PPP-të, publiku përfiton shërbim pa kosto ekstra

Kryeministi Edi Rama dhe kryetari i bashkisë Erion Veliaj kanë parë nga afër punën për rikonstruksionin e konvikteve në Qytetin Studenti. Deri më tani, ka përfunduar rikonstruksioni i 11 godinave, 6 të tjera janë drejt përfundimit ndërsa 3 të fundit pritet që të nisin nga rikonustrksioni javën e ardhshme. Kreu i qeverisë dhe ai i bashkisë kanë vizituar godinën 24 dhe 25, aty ku puna është duke vijuar me instratrukturën e brendshme.  “Na kanë mbetur dhe tre konviktet e fundit që besoj fillojnë punë javën tjetër. Kemi mbaruar 11 totalisht, kemi aktualisht nja 5-6 kantiere të hapura” – tha kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, i cili theksoi se sfida e radhës është mirëmbajtja e tyre, për të cilën ideja e punësimit të studentëve si administratorë mbetet zgjidhja më e mirë.

“Në qytetin studenti, ne punësojmë shumë staf, recepsionistë, administratorë, etj.. Çdo gjë ka nevojë për t’u mirëmbajtur. Menduam që ideja më e mirë, meqë specialistët janë më paga minimale, është që ne mund të punësojmë studentë. Pra, do të hapim disa vende pune dhe do t’u themi që kemi disa vende pune si administratorë. Po u prishën dushet, po ndodhi diçka, apo ndonjë problem tjetër kemi një administrator që është një prej studentëve”, ka thënë Veliaj. Kryebashkiaku Veliaj është shprehur gjithashtu se Karta e Studentit do të fuqizohet prej 1 tetorit, ndërsa ky shembull po ndiqet edhe në qytete të tjera. Ndërkohë kryeministri Edi Rama, duke folur për partneritetin me privatin, u është përgjigjur kritikëve të PPP-ve, duke marrë si shembull Rrugën e Arbërit, duke u shprehur se ‘partneriteti publik-privat është i vetmi mekanizëm”, ku privati hedh lekët e veta derisa të garantohet shërbimi, ndërsa qytetarët e përfitojnë pa kosto ekstra.  

“Pa diskutim që ky është i vetmi mekanizëm. Sot pashë videon e re nga rruga e Arbrit, ajo është bërë spektakël, ka shkuar deri në gjysmë të rrugës. Është një fond që qeveria nuk e kishte, se po ta kishte do ta kishte bërë 30 vjet. Nga ana tjetër, këto nuk shikohen të veçuara. Sepse dikush mund të pyesë, pse nuk i keni ju 300 milionë? Por nuk janë vetëm këto që duhen, sepse janë dhe 1500 gjëra të tjera. Qeveria nuk i mbledh të gjitha në një vend. Ndërkohë që rruga e Arbrit mbaron brenda 2021 dhe ne shlyejmë deri në 2031, që do të thotë njerëzit 10 vjet e gëzojnë, ndërkohë që me atë lloj ritmi do të ishin dashur 13 vjet ta bënim. Këtu krijohet ideja se, kur këtu fton privatin, ai merr lekët e shtetit dhe ikën. Ai hedh lekët e veta për një periudhë kohe, sa të garantohet ai shërbim apo ajo vepër dhe publiku e përfiton pa asnjë shpenzim ekstra, ndërkohë që qeveria paguan pastaj me këste deri kur ta shlyejë dhe i kthehet në pronën e vet”, përfundoi Rama.

Basha kthehet te “Rama ik”: Po mbron kriminelët me kodin e heshtjes

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, nëpërmjet një komenti në rrjetet sociale, ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama se ‘po hesht’ për çështjen Kajmaku. Sipas kreut të opozitës, Rama është duke zbatuar kodin e ‘Omerta-kodi mafioz i heshtjes’. 

“Si në çdo organizatë kriminale, edhe në grupin e strukturuar kriminal të Rilindjes së Edi Ramës vepron kodi i heshtjes që në zhargonin mafioz njihet si “omerta”.  Omerta për bankomatin personal Dako, omerta për Pjetrin, omerta për Jorgo Kajmakun, omerta për milionat e vjedhura shqiptarëve dhe miliona të tjera të shpenzuara për luks pushtetarësh kur shqiptarët zhyten në papunësi dhe varfëri”, shkruan Basha.

Sipas kryedemokratit, heshtja e Ramës për Kajmakun është mbrojtje që i bëhet, ndërsa shprehet se për sa kohë “Edi Rama është në zyrën e kryeministrit”, nuk do të ketë drejtësi dhe demokraci.

“Me heshtjen e tij Edi Rama mbron dhe promovon kriminelë dhe hajdutë dhe i përdor ata për të vjedhur zgjedhjet, sepse bashkë me ta pasurohet duke vjedhur shqiptarët dhe pastruar paratë e krimit. Por sa kohë Edi Rama është në zyrën e kryeministrit, nuk do të ketë as drejtësi dhe as demokraci, as punësim as mirëqënie sepse pushtetarët e korruptuar, kriminelët dhe oligarkët do të vjedhin dhe dhunojnë shqiptarët”, shprehet Basha. Në fund, Basha duke e clësuar ‘hajdut psiqik’ kryeministrin, shprehet se që ‘të shpëptojmë Shqipërinë nga kriminelët, duhet të largojmë Edi Ramën”, thotë kryedemokrati.

Rama pret delegacionin e CDU (Basha pranoi se ‘do sillemi si politikë europiane’)

Një përfaqësi e Grupit Parlamentar të CDU/CSU, e udhëhequr nga nënkryetarja e këtij grupi për Europën Katja Leikert, kanë zhvilluar një takim me Kryeministrin Edi Rama dhe ministret Elisa Spiropali dhe Etilda Gjonaj. Takimi është zhvilluar në zyrën e kreut të qeverisë Edi Rama, ndërkohë që lajmin e ka bërë të ditur në rrjetet sociale Elisa Spiropali. ‘Me nënkryetaren e Grupit Parlamentar CDU/CSU për Europën, Katja Leikert, dhe delegacionin nga Bundestag-u gjerman”, ka shkruar Spiropali në rrjetet sociale.

Në fakt, ky tekst dhe foto e përbashkët është i vetmi detaj nga ky takim, ndërkohë që nuk dihet axhenda apo çfarë është biseduar gjatë këtij takimi. Megjithatë, duket se nuk është rastësi një takim i tillë, pasi ditët e fundit në vendin tonë, kryesisht nga opozita dhe kreu i PD Lulzim Basha, po ‘promovohet’ partneriteti me gjermanët dhe mbështetja e CDU/CSU. Kjo mbështetje ka marrë trajta idesh në shpalljen e Gjermanisë si “Partner Strategjik”, ide të cilën e ka promovuar ish-deputeti PD, Kastriot Islami.

Ndërkohë, Lulzim Basha, i mbetur pa mbështetje nga Departamenti Amerikan i Shtetit, gjë të cilën e ka konfirmuar pikërisht shkrimi i Kastriot Islamit dhe vetë kreu i PD në një intervistë për Syri.net. ku foli për vizitë në SHBA por s`përmendi asnjëherë DASH, ka theksuar ‘mbështetjen e CDU/CSU’, në publik si ‘aleatët që do t`i japin zgjidhje krizës’.

Këtë qëndrim, Basha e mbajti dhe të martën në mesditë gjatë një dalje për mediat, ku la të kuptohet se do të pranonte ‘dialogun me Ramën’ me ndërmjetësimin e CDU/CSU, pasi deklaroi se “vendi mund të shkojë dhe do të shkojë drejt BE, duke u sjellë si një vend europian, duke u sjellë si një shoqëri europiane, si një politikë europiane”. Megjithatë, nuk mund të thuhet ende se prania në Tiranë e delegacionit gjerman, është shenjë e konfirmimit të tërheqjes së Bashës nga pozicioni i ‘mospranimit’ të dialogut me Kryeministrin Rama.

Rama ‘shkrin’ drejtorët e Shkodrës, të mërkurën caktohet pasuesi i Pjetrit

Kryeministri Edi Rama u ka dhënë fund pushimeve zyrtarisht. Pas refuzimit të mandatit si kryebashkiak i Shkodrës nga Valdrin Pjetri, Rama e ka nisur punën me një takim me strukturat e Partisë Socialiste të qarqeve veriore të vendit.  Takimi është mbajtur të martën rreth mesditës në Shëngjin të Lezhës, aty ku mësohet se Rama ka takuar drejtuesit e qarqeve veriore të vendit. Sipas raportimeve, mësohet se shefi i qeverisë është ndalur  kryesisht te puna e kryebashkiakëve të rinj, që kanë nisur punën pas betimit dhe futjes në zyrë.

Rama u ka përsëritur kryebashkiakëve të rinj që të mos “largojnë njerëzit nga puna”, ndërsa nuk dihet ende se çfarë është diskutuar për drejtimin e Shkodrës, pas largimit të Valdrin Pjetrit. Gjatë mbledhjes së zhvilluar të martën në Lezhë, Rama, sipas Report Tv, ka dhënë urdhër që drejtuesit rajonal të institucioneve në Shkodër, do të shkarkohen të gjithë nga detyra. Nuk dihen ende arsyet e këtij vendimi. Megjithatë, mësohet se të mërkurën kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një takim pasdite me drejtuesit e institucioneve rajonale në Shkodër, ndërsa më pas do të ketë një mbledhje kryesie për të caktuar drejtuesin politik të këtij qarku.

Pak ditë më parë, Realstory.al publikoi një dokument të mbledhjes së Kryesisë së Partisë së Shkodrës, ku shfaqej pakënaqësia e socialistëve të këtij qyteti, jo vetëm me kandidaturën e Valdrin Pjetrit si kryebashkiak, por edhe me emra të tjetër të propozuar, siç ishte rasti i kryetares së re të këshillit bashkiak.

Në punimet e Asamblesë së Përgjithshme, Rama mori drejtimin politik të katër qarqeve të veriut të vendit, Taulant Balla ato të Shqipërisë së mesme, ndërsa Gramoz Ruçi në jug të vendit.  Ky takim i Edi Ramës me drejtuesit e qarqeve të veriut të vendit, vjen në një moment kur opozita ka sulmuar disa të zgjedhur vendor, që sipas saj, kanë dosje të hapura me drejtësinë brenda dhe jashtë vendit.  

Poliklinika e re e Lushnjës, Rama: Ndryshimi si dita me natën, e gjetëm si në gjendje lufte

Pas Elbasanit, që do të ketë një urgjencë mjekësore moderne, Kryeministri Edi Rama ka publikuar fotot e transformimit të Poliklinikës së re të Lushnjës. Me anë të një postimit në rrjetin social Facebook, Rama tregon nëpërmjet fotove transformimin e Poliklinikës së Lushnjës.

Nga një godinë e vjetruar, me mure dhe dyer të shkatërruara, godina e re e Poliklinikës në Lushnjë, shndërrohet në një ambient modern ku do të  marrin shërbim mjekësor qytetarët e kësaj bashkie dhe jo vetëm. Rama shprehet se ky investim është pjesë e programit kombëtar për 300 qendra shëndetësore, ndërsa shton se deri në fund të këtij viti do të ndërtohen 100 qendra shëndetësore.

“Së shpejti çel dyert Poliklinika Qendrore e Lushnjës, pjesë e Programit Kombëtar 300 Qendra Shëndetësore Bashkëkohore Patjetër që shëndetësia ka ende shumë nevoja, po kush thotë se ishte më mirë kur ishte më keq, duhet të kujdeset më shumë për kujtesën 80 qendra shëndetësore të reja vjet, 100 deri në fund të këtij viti dhe 120 të tjera vitin e ardhshëm, nuk janë asnjë mrekulli, por ama janë një ndryshim dita me natën, krahasuar nga gjendja e luftës prej ku u nisëm”, shkruan Rama.

Një shkronjë i mohoi pensionin, Rama publikon sms e qytetarit: Falë qeverisë, nëna mori djersën e saj

Kryeministri Edi Rama ka treguar shpesh në rrjetet e tij sociale, probleme të qytetarëve, të cilat janë zgjidhur pasi ata kanë kërkuar ndihmë nëpërmjet portalit qeveritar. I tillë është dhe një rast i fundit. Shefi i qeverisë ka publikuar mesazhin e një qytetari shqiptar që banon në SHBA, por që rrëfen historinë e nënës së tij. Shkruesi i sms ndaj kryeministrit, tregon se si nëna e tij kur mbushi moshën e pensionit, nuk arriti të gjente vitet e punës, dhe për këtë u detyrua të niste një seri gjyqesh.

“Përshëndetje zoti Kryeministër. Nuk mund të rrija pa ju shprehur një falënderim që ka të bëj me ndryshimet rrënjësore që keni ndërmarrë. Nëna ime është rritur jetime, pa nënë, dhe kjo brengë e ndjek pas gjithmonë. Në kohën kur plotësoi moshën, aplikoi për pension por rezultoi se i kishin humbur gjysma e viteve të punës. Hapëm proces gjyqësor dhe përsëri nuk mori atë që i takonte. Falë zotit prindërit e mij nuk janë nevojtarë ekonomikisht dhe nuk rrojnë me pensionin që marrin, por nëna ime e vuante këtë, dhe gjithmonë shprehej se ishe e pafat, prandaj dhe zoti e ‘kish lënë jetime, thjesht dua atë që meritoj’, dhe kjo më vriste shumë”, shkruan ndër të tjera qytetari.

Më tej ai tregon se hapi përsëri një tjetër gjyq për të gjetur vitet e humbura të punës të nënës së tij, por përsëri nuk pati sukses. Në kushtet e dëshpërimit, familja e lë këtë histori, por një i afërm i tij shkruan te portali qeveritar, dhe aty merr zgjidhje situata. Qytetari tregon se nënës së tij jo vetëm iu gjetën vitet  e humbura të punës, për një gabim në emër, por ajo mori paratë e 9 viteve bashkë.

“Në kohën kur prindërit e mi hapën gjyqin para 9 vitesh, babai in nuk pagoi sa duhej dhe çështja u mbyll. Para pak kohësh kunati im shkruajti në portalin e qeverisë dhe për një kohë rekord drejtësia u vendos, u gjend që në dokumenta ish gabim një shkronjë dhe nëna imë mori paratë e 9 viteve. Nuk po e shkruaj këtë falënderim për paratë së falë zotit nuk kanë nevojë, banojnë në USA dhe Shqipëri, por për lehtësimin shpirtëror që ndjeu, mori djersën e saj. Nëna ime quhet Fatmire Pllaha. Edhe një herë faleminderit dhe pushime të këndshme familjarisht”, përfundon sms e qytetarit dërguar kryeministrit Rama.

Basha premton ‘dënimin’ e komunistëve, kthen Shqipërinë pas: Jemi në diktaturë

Lulzim Basha ka kujtuar pasditen e të premtes viktimat e regjimeve totalitare, në ditën e kujtesës. Me një shkrim në rrjetet sociale, Basha shprehet se “askush nuk ka paguar një çmim të lartë” për lirinë në Europë, se sa shqiptarët. Ai numëron edhe viktimat e torturave, internimeve apo ekzekutimeve gjatë sistemit komunist në vendin tonë. Sakrifica e shqiptarëve përkthehet në mijëra të ekzekutuar me dhe pa gjyq, për liri, për demokraci, për dëshirën për të ndërtuar një shoqëri të respektit për dinjitetin njerëzor, sipas normave dhe vlerave europiane, për fjalën e lirë, për besimin në Zot.  34,135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike. 59,009 qytetarë u internuan në kampe përqendrimi. 7.022 prej tyre vdiqën prej trajtimit shatazarak.  984 persona kanë vdekur në burgjet e regjimit. 6.027 burra dhe gra, djem dhe vajza u ekzekutuan me dhe pa gjyq gjatë diktaturës.  Nga torturat dhe dënimet e kohës, 308 persona kanë humbur aftësitë mendore gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit”, shkruan Basha ndër të tjera.

Duke e cilësuar krimin komunist në Shqipëri, si më të rëndin në Europë, Basha merr tre angazhime, të cilat shprehet se do të miratohen sapo të zgjidhet parlamenti i parë nga zgjedhjet e lira. Sipas Bashës, (30 vjet pas rënies së komunizmit), do të ndalohet dhe kriminalizohen simbolet komuniste.

“Në këtë ditë kujtese, rikonfirmoj në emër të Partisë Demokratike, së bashku me ndjesën që nuk kemi arritur të bëjmë gjithçka nevojitet për nderimin e sakrifices së të përndjekurve politikë, për gjetjen dhe nderimin e  eshtrave të të ekzekutuar pa gjyq, vendosmërinë tonë që në Parlamentin e dalë nga vota e lirë do të miratojmë ndër aktet e para: – ndalimin dhe kriminalizimin e simboleve të komunizmit, dhe nderimin për xhelatët e diktaturës, që kanë për qëllim të fshijnë çdo kujtesë të sakrificës dhe rezistencës për liri. –  nderimin e  viktimave të komunizmit, për të sprapsur revanshin komunist, i cili u rilind dhe u materializua,  me vendimin kriminal për të hequr dhe kufizuar dëmshpërblimin për pasardhësit e të ekzekutuarve. – angazhimin ligjor dhe financiar për gjetjen dhe nderimin e të ekzekutuarve pa gjyq që sot janë pa varr dhe eshtrat e të cilëve nuk gjenden”, shkruan Basha.

Në fund, Basha ka shfrytëzuar rastin, duke përdorur ditën e kujtesës së dhimbjes për qindra e mijëra shqiptarë që kanë vuajtur pasojat e rënda të diktaturës, duke bërë plolitikën e ditës. Sipas kreut të opozitës, Shqipëria është sot në një diktaturë të re, që po përdoret për pasurimin e paligjshëm të Edi Ramës. “Drejtësia nuk mund të vijë nga persekutorët e rilindur. Shqipëria është vendosur nën një tjetër diktaturë të krimit. Për pushtetin  dhe pasurimin e tij të paligjshëm Edi Rama ka kthyer policinë politike, prokurorinë dhe drejtësinë private dhe burgosjet dhe gjygjet politike. Ndërkohë kriminelët dhe pushtetarët hajdutë janë mbi ligjin gëzojnë pandëshkueshmëri dhe mbrojtje nga Edi Rama.  Kjo e keqe do të ndalet me çdo kusht e me çdo çmim dhe shqiptarët e bashkuar do ta fitojnë betejën për vlerat themelore të demokracisë, votën e lirë, dhe nderimin e trajtimin dinjitoz të të përndjekurve politikë dhe të gjithë shqiptarëve të ndershëm”.

Përfitojnë 450 mijë banorë, Rama tregon fotot e Urgjencës: Duhet të jesh qorr ta mohosh

Kryeministri Edi Rama  ka publikuar pasditen e të premtes disa foto nga godina e re e Urgjencës të Qendrës Spitalore “Xahfer Kongoli” në Elbasan. Nga një godinë e rrënuar, e kthyer në vendgrumbullim mbeturinash, Urgjenca e re e Elbasanit shndërrohet në një qendër moderne të shërbimit spitalor për të gjithë banorët e  këtij qarku, që ka një popullsi rreth 450 mijë banorë.

Në komentin, bashkëngjitur fotove të publikuar në Facebook, kreu i qeverisë i është përgjigjur edhe opozitës, që shpesh e ka kritikuar për sistemin shëndetësor. “Javën e ardhshme çel dyert Spitali i Ri i Urgjencës dhe Patologjisë në Elbasan, të cilin e gjetëm siç mund ta shihni në këtë album dhe me këtë rast, u them të tërë atyre që e kanë fjalën e keqe në majë gjuhës: E vërtetë, shëndetësia ka ende shumë probleme, mangësi e nevoja, POR AMA, kur sheh nga u nisëm, duhet të jesh komplet i qorruar për të mohuar transformimin real të këtyre viteve”, përfundon Rama.

Godina e re e Urgjencës dhe Patologjisë ne Elbasan, jo vetëm është rikonstruktuar nga ana strukturale e saj, por ajo është pajisur dhe me laboratore dhe pajisje të reja, të cilat do të jenë në ndihmë të mjekëve dhe infermierëve, për të ofruar shërbim sa më cilësor ndaj pacientëve.

Shembja e HEC te kanioni i Holtës, Rama: Bëjmë atë që themi, durim ju lutem!

Të premten paradite në digën e hidrocentralit që po ndërtohej në grykën e kanionit të Holtës, janë shfaqur disa makineri të rënda. Në fakt, makineritë nuk janë shfaqur jo për të vijuar punimet e lëna në mes, pasi ishin ndërprerë pas pezullimit, por për të shkatërruar betonin e hedhur deri tani, duke i rikthyer banorëve të zonës dhe turistëve, një atraksion të rëndësishëm që rrezikonte shkatërrimin. Për ngjarjen në fjalë, pasditen e të premtes ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama.

Me një reagim në rrjetet sociale, Rama shprehet se “bukuria e magjishme e kanionit të Holtës nuk mund të preket dhe nuk do të preket”. Ai tregon se ishte vullneti i qeverisë për të ndalur këtë  investim privat, që rrezikonte të zhdukte një bukuri natyrore si kanioni i holtës. “Për ne Po-ja është Po dhe Jo-ja është Jo. Dhamë fjalën publikisht që Jo, ky HEC nuk do të ndërtohej aty dhe Po, ky HEC nuk do të ndërtohet aty. Themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi. Duhet vetëm pak më shumë durim në përgjithësi, ju lutem”, shkruan Rama.

 Kujtojmë se kanioni i Holtës është një nga bukuritë e rralla të natyrës, që ndodhet në zonën midis Gramshit dhe Shpatit (Gjinar-Zavalinë). Ky kanion ka vlera të mëdha natyrore për shkak të relievit dhe bukurive të krijuara në miliona vjet. Jo vetëm kanioni, si pjesë e bukurive natyrore, por pranë tij ndodhen dhe disa shpella shkëmbore, që kanë vlera të rralla me stalaktite dhe stalakmite nga më të bukurit që mund të gjenden në vendin tonë. Këto, por dhe dy kala të vjetra ilir sipër kanionit të Holtës, e kanë shndërruar atë një atraksion të turizmit të aventurës dhe jo vetëm, pasi brenda në kanion, ka dhe burime të ujërave termale.

Rama shpërfill akuzat e opozitës, tregon transformimin e Pukës

Kreyministri Edi Rama, i distancuar prej ditësh nga replikat politike, ka zgjedhur që gjatë muajit gusht të prezantojë punët e qeverisë në nivel qendror dhe lokal. Pasditen e të enjtes, kryeministri ka postuar në llogarinë e tij Facebook, disa foto ku duket transformimi i hapësirës rreth liqenit në qytetin  vogël të Pukës. Rama shkruan se ky liqen, nga një vend i rrënuar me ferra, gropa e plehra, tashmë është kthyer në destinacion turistik.

“Ky është liqeni në fund të bulevardit të qytetit të vogël të Pukës. Imazhet aktuale që do t’ju pëlqejnë besoj, s’janë 3D po fotografi nga realiteti i një destinacioni të ri turistik, aty ku deri dje, siç mund ta shihni në fotot e para pak kohe, kishte vetëm rrënim, ferra, gropa e plehra e nuk shkelte askush. Sot, falë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane, në atë qytet mes pyjesh e pejsazhesh fantastike, po ndodh një transformim që vit pas viti, do të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj”, shkruan Rama.

Gjatë muajit gusht, shefi i qeverisë ka lënë pas retorikën politike, duke shpërfillur pothuajse çdo akuzë të bërë nga foltorja apo llogaritë në rrjetet sociale të opozitës. Vetëm në rastin e Valdrin Pjetrit, kryeministri reagoi duke shprehur distancimin e tij nga rasti, nëse ai ishte i vërtetë.

Rama është fokusuar te punët e qeverisë në nivele qendror dhe lokal, duke promovuar jo vetëm investimet e programit “Rilindja Urbane”, por edhe aksionet e nisura gjatë verës, ku më i rëndësishmi është ai kundër informalitetit. Megjithatë, opozitës, ndonëse pa replikuar, Rama i është përgjigjur herë pas here edhe me foto të punëve që kanë bërë kryetarët e rinj të bashkive në ditët e para të mandatit të tyre, ku në sy bie aksioni i gjerë i pastrimit në të gjitha bashkitë.

Ndërkohë, edhe këto foto të kreut të qeverisë, erdhën pas disa akuzave të tjera të bërë nga opozita dhe Lulzim Basha mbi ligjin e ri fiskal, që sipas kryedemokratit, Rama “po zhvat biznesin”, duke e rënduar atë me ligjin  e ri fiskal.

Skip to toolbar