Peter Cech do të rikthehet te Chelsea në një rol të ri!

Chelsea ka në plan të rikthejë ish-portierin Peter Cech në Stamford Bridge. Por Çeku nuk do të rikthehet më për të mbrojtur portën e Bluve, por në një rol të ri. Roman Abramovich mendon që Peter Cech të emërohet Drejtor Sportiv i Chelsea, pasi ky i fundit të lërë futbollin e luajtur në verë.

Portieri aktual i Arsenalit, që këtë të hënë mbushin 37 vjeç, njoftoi se do të tërhiqet nga futbolli pas ndeshjes finale të Europa League, që do të zhvillohet të mërkurën e ardhshme në Azerbaixhan. Chelsea ka qenë pa drejtor sportiv që nga dorëheqja e Michael Emenalo në nëtor të 2017, teksa këtë detyrë e ka mbuluar përkohësisht Marina Granovskaia.

Ende nuk është e qartë se çfarë përgjegjësish do të ketë Cech, por ai mund të ndajë një pjesë të barrës në drejtimi të rekrutimit të lojtarëve. Ky lajm i publikuar në mediat britanike ka tërhequr dhe vëmendjen e vetë portierit, i cili ka reaguar në rrjetet sociale duke shkruar se vendimi për të ardhmen do të merret pas ndeshjes së fundit me Arsenalin në Europa League.

“Pavarësisht nga lajmet sot, siç i kisha thënë të gjithëve më parë, unë do të marr një vendim për të ardhmen time pas ndeshjes së fundit. Tani fokusi im është të fitoj Europa League me Arsenalin”, ka thënë Cech.

Skip to toolbar