Mori ftesë nga Edy Reja, talenti shkruan fjalë të mëdha për kombëtaren!

Kleandro Lleshi është një nga lojtarët e thirrur rishtazi në ekipin kombëtar nga trajneri Edy Reja. Talenti 19-vjeçar, që aktivizohet në Spanjë me ekipin e Leganes B, do të jetë një nga 12 lojtarët e U21, që do të vëzhgohet nga Edy Reja, për të vendosur më pas nëse do të jetë pjesë e grupit që do të grumbullohet me kombëtaren për dy ndeshjet zyrtare të muajit qershor.

Megjithatë, edhe ky grumbullim, për lojtarin është një arritje, një ëndërr e bërë realitet. Nesfushori i talentuar kuqezi ka shkruar një postim në rrjetet sociale, duke shprehur kënaqësinë që i është dhënë mundësia të grumbullohet me ekipin kombëtar. “Një ëndërr e nisur që në prekjen e parë të topit, në vrapimin e parë”.

“Të përfaqësosh kombin tënd është një ëndërr për çdokënd që e ndjek këtë rrugë, një dëshirë e papërshkrueshme. Çdo gjë duket larg dhe afër në të njëjtën kohë, deri në momentin që e prek atë moment, e ndjen atë ndjesi. Ndjen krenarinë që më parë mendoje që mund të jetoje në një të ardhme, por që arrinë të ta japë shumë shpejt kjo bluzë e këto ngjyra”, shkruan talenti kuqezi.

Skip to toolbar