Varshavë, Cakaj: Rajoni po kthehet konservativ, të mbështesim të rinjtë

“Të rinjtë e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për një perspektivë të qartë evropiane, mungesa e të cilës mund të çojë, me gjithë përpjekjet tona për t’i zbutur, në thellim të sfidave të tyre“ – me këto fjalë i është drejtuar Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, Ministrave të Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit të shohin me më shumë vëmendje sfidat e të rinjve në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Për Minitrin e Jashtëm në Detyrë është paradkosale që nga njëra anë nismat e rajonale si si Organizata Rajonale e Bashkëpunimit Rinor, apo Fondi i Ballkanit Perëndimor përpiqen të ofrojnë projekte që adresojnë pajtimin mes kombeve dhe nga ana tjetër kemi një rajon i cili po shndërrohet gjithnjë e më shumë në konservativ dhe nacionalist, pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve politike mes shteteve.

Ai shprehu besimin se Procesi i Berlinit i ka ofruar një dinamikë tjetër rajonit tonë, por kjo dinamikë ka nevojë të inkurajohet. Rinia e vendeve tona ka nevojë të shikojë një perspektivë evropiane të prekshme nga Bashkimi Evropian.

“Rajoni ynë nuk po kërkon të hyjë nesër në BE, por procesi i integrimit është shumë i rëndësishëm dhe inkurajues për ndërmarrjen e reformave të nevojshme si shteti i së drejtës, reforma në arsim, zhvillimi ekonomik etj. Në këtë kontekst, liberalizimi i vizave me Kosovën apo hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut janë instrumentale për rritjen dhe thellimin e reformave më tej“, përfundoi Ministri në Detyre i Punëve të Jashtëme të Shqipërisë.

Ministeriali i Varshavës shërben si takim përgatitor për Samitin e Poznan-it kushtuar Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në korrik 2019, në Poznan të Polonisë.

“Për fajin tënd jam refugjat”, Përplasje diplomatike mes Cakaj dhe Daçiç

Gjatë Ministerialit të Ministrave të Jashtëm të rajonit që u mbajt në Varshavë, ministri Gent Cakaj është përplasur me homologun e tij serb, Ivica Daçiç.

Kërkesën e Daçiç, ku kërkoi që Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli të mos ishte pjesë e takimit, nuk e ka pëlqyer aspak ministri Cakaj, i cili ka replikuar duke i thënë se kjo politikë që Serbia ndjek është pa sens dhe se për faj të kësaj politike ai vet ka 28 vite refugjat.

“Fjalimi i Daçiç është një retorikë e shekullit XX dhe totalisht pa vend dhe pa sens. Daçiç ka 28 vite në politikë e unë kam 28 vite jetë. Por për shkak të 28 viteve të tij, unë kam 28 vjet refugjat.” – tha Cakaj.

Debati mes dy ministrave do të vazhdonte por të mos ishte për drejtuesit e takimit që i mohuan fjalën Daçiç.

Një incident i ngjashëm ndodhi edhe disa ditë më parë në Konferencën mbi “Klimën në Ballkanin Perëndimor” që u mbajt në Tiranë, ku delegacioni serb nuk pranoi të rrijë bashkë me delegacionin kosovar duke u larguar.

Cakaj: Deputetët pa mandat të dorëzojnë pasaportat diplomatike

Të gjithë deputetët që kanë dorëzuar mandatin, por edhe gjyqtarët që nuk kanë kaluar vettingun do të duhet të dorëzojnë pasaportat diplomatike, ndryshe ato do të bllokohen. Kështu është shprehur sot në një deklaratë për mediat ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, i cili tha se në Shqipëri në shkelje të hapur me ligjin, 350 persona kanë pasaportë diplomatike, mes tyre dhe shoferë.

“Sot në Shqipëria ka më tepër te 350 persona që mbajnë pasaportë diplomatike, që nga gjykatës që nuk e kanë kaluar procesin e vettingut e deputetë pa mandat. I ftoj të dorëzojnë pasaportat e tyre diplomatike sepse do t’i bllokohen menjëherë.

Kërkoj abrogimin e VKM që i jep pasaportë diplomatike individëve deri tek shoferët.

Plani është gati dhe është në përputhje me standardet europiane.  Ashtu si pesha e pasaportës diplomatike të vendit do restaurohet, edhe pesha e pasaportës së Republikës së Shqipërisë do fuqizohet”, tha Cakaj.

Ambasadorët, të gjithë kundër Cakajt

Këshilli i Ambasadorëve ka reaguar publikisht lidhur me deklaratën e ministrit të Jashtëm , Gent Cakaj lidhur me reformën në Shërbimin Diplomatik.

Ambasadorët në një letër publike shprehen se shërbimi diplomatik konsolidohet me diplomatë karriere, që i promovon dhe i mbron ligji dhe sugjeron hartimin e një platforme me specialistë të fushës dhe konsensus politik për përfaqësimin e duhur të Shqipërisë.

Ja reagimi i plotë:

Deklaratë e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë mbi reformën në Shërbimin e Jashtëm Diplomatik shqiptar

Marrë shkas nga deklaratat e fundit publike të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme në detyrë mbi reformën në Shërbimin Diplomatik Shqiptar, si dhe thirrjen publike të MEPJ “për punësim pranë përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit” të ekspertëve ekselentë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vlerëson se:

Shërbimi Diplomatik ka nevojë të konsolidohet me diplomatë karriere, që i promovon dhe i mbron ligji dhe jo për prurje nga jashtë pa respektuar ligjin. Përjashtim nuk mund dhe nuk duhet të përbëjnë as edhe studentët “Ekselent”.

Një student i shkëlqyer, apo siç e konsideron MEPJ, “ekselent”, është thjesht një student që ka mbaruar studimet dhe që duhet të motivohet të aplikojë për të filluar karrierën e tij sektoriale apo akademike.

Vetëm eksperienca, vlerësimet në punë dhe karriera në Shërbimin e Jashtëm janë kriteret themelore që duhen marrë në konsideratë.
Ligji për Shërbimin e Jashtëm të RSH-së, Nr.23/2015, si dhe Rregullorja e Shërbimit të Jashtëm, miratuar me VKM Nr.816, dt.7.10.2015, pavarësisht se e kanë dëmtuar konceptin bazë të karrierës diplomatike, janë të detyruara të zbatojnë Ligjin për Administratën Publike dhe parimet e punësimit apo të rekrutimit përkatës.

Ligji për Shërbimin e Jashtëm dhe Rregullorja përkatëse e Shërbimit të Jashtëm janë shumë të qarta lidhur me mënyrën e rekrutimit të diplomatëve të rinj.

Në asnjë mënyrë, rastet përjashtimore dhe të veçanta që ligji parashikon, në pikën 3 të nenit 31 (Ministri i Punëve të Jashtme mund të emërojë në misionet diplomatike dhe postet konsullore, në raste të veçanta, ekspertë jashtë Shërbimit të Jashtëm, të cilët zotërojnë njohuri dhe ekspertizë, sipas specifikave të pozicionit të emërimit), nuk mund e nuk duhet të kthehen në përgjithësim.

Aplikimi i këtij parimi do të dëmtonte më tej Shërbimin e Jashtëm shqiptar dhe do të demotivonte të gjithë trupën diplomatike të karrierës, që kanë hyrë në shërbimin e jashtëm duke respektuar kuadrin ligjor.

Ligji dhe vetëm ligji duhet të jetë kriter bazë për rekrutim dhe karrierë diplomatike. Kriteret subjektive mbi aftësinë individuale apo vlerësimeve estetike janë minimalisht abuzim me detyrën nga i gjithë zinxhiri rekrutues dhe maksimalisht mungesë respekti për trupën aktuale diplomatike që pas viteve ’90 e aktualisht e kanë bërë Shqipërinë të konsiderohet si faktor të rëndësishëm stabiliteti në rajon, anëtare në të gjitha organizatat e rëndësishme ndërkombëtare dhe rajonale, anëtare në NATO dhe kandidate në BE, si kanë kontribuar në mënyrë sinjifikative për liberalizimin e vizave për shqiptarët.

Nenet 36, 39 dhe 41 të Ligjit e shprehin qartë mënyrën e pranimit në Shërbimin e Jashtëm dhe të zhvillimit të karrierës diplomatike.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, i shqetësuar, i bën thirrje MEPJ të respektojë ligjin në fuqi, si dhe të fillojë procedurat për ta riparë këtë ligj, me qëllim shkëputjen një herë e përgjithmonë nga emërimet që jo vetëm nuk e përmirësojnë por e dëmtojnë trupën tonë diplomatike.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë sugjeron hartimin e një platforme me specialistë të fushës dhe konsensus politik, me qëllim që Shërbimi i Jashtëm të ketë përfaqësimin dhe fleksibilitetin e duhur brenda dhe jashtë Shqipërisë, në funksion të interesit më të mirë kombëtar dhe prioriteteve të politikës sonë të jashtme.

Skip to toolbar