SPAK “shkrin” Krimet e Rënda, ja ku transferohen prokurorët e dosjeve të bujshme

Këshilli i Lartë i Prokurorisë i dha të enjten fund zyrtarisht ekzistencës së  Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe asaj të Apelit për Krime të Rënda. Pas krijimit të SPAK (Prokurorisë së Posaçme), prokurorët që punonin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe të Apelit për Krime të Rënda, janë transferuar me detyrë në prokurori të tjera. Ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela është caktuar përkohësisht në Prokurorinë e Shkallës së Parë në Tiranë, ndonëse ishte përfolur se do të caktohej në Durrës.

Gjithashtu, pranë kësaj prokurorie janë caktuar edhe 10 prokurorë të tjerë, mes tyre Besim Hajdarmataj, Manjola Kajana, Elisabeta Imeraj, Anton Martini, Dritan Prençi, Isa Jata dhe Arta Marku që shkon përkohësisht në Prokurorinë e Apelit Tiranë. Përparim Kulluri është transferuar në Prokurorinë e Shkallës së Parë Shkodër ndërsa Eugen Beci në Prokurorinë e Shkallës së Parë Korçë.

Ndërkohë, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi u shpreh gjatë mbledhjes se në 19 dhjetor do të betohen 8 anëtarët e parë të SPAK. “Më 19 dhjetor betohen 8 anëtarët e SPAK. 16 prokurorë nga Krimet transferohen në tjetër vend. Sot transferohen në rrethe prokurorët e mbetur te Krimet”, tha mes tjerash Gent Ibrahimi.

Në të njëjtën ditë kur KLP bëri transferimin e prokurorëve të ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë reagoi me një videomesazh. SHBA shprehej se ka investuar rreth 2 milion dollarë për ngritjen e SPAK, ndërsa paralajmëronte se “bosët e krimit” dhe zyrtarët e korruptuar nuk do të kenë asnjë shpëtim.

“Ditëve të shkuara të zyrtarëve të korruptuar dhe bosëve të krimit që ishin të paprekshëm, po u vjen fundi. Ditët e shkuara të drejtësisë selektive do të zëvendësohen nga drejtësia për të gjithë. Një strukturë e re anti korrupsion po krijohet me mbështetjen e SHBA-së, e cila do të ketë në shënjestër këta individë që ia kanë dalë që të shmangin ndjekjen penale nëpërmjet kontrollit të emërimeve dhe lidhjeve personale. Struktura e posaçme anti korrupsion dhe krimit të organizuar ose SPAK do të funksionojë së shpejti. Me t’u ngritur do të shënjestrojë korrupsionin e nivelit më të lartë”, thuhej ndër të tjera në deklaratën e SHBA.

Kryeprokurori, të hënën rinis gara mes kandidatëve

Pas çeljes së rrugës për krijimin e Prokurorisë së Posaçme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të punojë njëkohësisht edhe për Prokurorinë e Përgjithshme. Gent Ibrahimi u shpreh të premten, se tashmë që Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi padinë e ish-kandidatit Lulzim Alushaj, do të njoftohen kandidatët e tjerë të përgatiten për intervista.

“Nuk ka më asnjë pengesë. Të hënën do të jemi në gjendje të njoftojmë kandidatët të përgatiten për intervistën. Ata kanë 10 ditë kohë për tu përgatitur.1 ose 2 ditë pas intervistave do të jemi në gjëndje të japim Kuvendit listën me kandidatë”, u shpreh Gent Ibrahimi ne nje prononcim për median.

Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi kërkesë-padinë e kandidatit për kryeprokuror Lulzim Alushaj, i cili kërkonte rikthimin në garë për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Alushaj u skualifikua nga gara nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me argumentin se ai nuk plotësonte 15 vite përvoje punë si jurist i spikatur.

Tashmë Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të intervistojë kandidatët e mbetur në garë, konkretisht Arta Marku, Olsjon Çela dhe Fatjona Memçaj, dhe më pas do të bëjë pikëzimin e tyre. Në përfundim të këtij procesi, emrat do t`i durohen Kuvendit për miratim, ku duhet të paktën 85 vota për të përzgjedhur njërin nga kandidatët. Nëse votimi dështon, atëherë automatikisht kandidati i renditur i pari në listën e  KLP-së emërohet Prokuror i Përgjithshëm.

SHBA ofron mbrojtje: E dimë kush po e pengon SPAK

Zvarritja e ngritjes së SPAK është një çështje që shqetëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë një takimi që pati me kryetarin e KLP-së, Gent Ibrahimi, zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit, Jorgan K. Andrews u shpreh se “SHBA është e ndërgjegjshme për presionin me të cilin po përballet KLP”, ndërsa thekson se “Amerika është e vendosur të ofrojë mbështetje për mbrojtjen e prokurorëve të SPAK”, mësohet të ketë thënë zyrtari amerikan gjatë takimit me Gent Ibrahimin. Një mesazh i fortë ky që vjen nga SHBA, vetëm një ditë pasi dështoi mbledhja e KLP-së ku do të diskutohej për ngritjen e Prokurorisë Speciale me tetë anëtar.

Duke shprehur mbështetjen për zbatimin e reformës në drejtësi, zyrtari amerikan është shprehur se “SHBA do të asistojë punën e KLP”, për të vijuar procesin e nisur. Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit, Jorgan K. Andrews, është shprehur gjithashtu se “baza ligjore e ngritur për institucionet e reja të drejtësisë është e fortë” dhe “e aftë të mbajë larg korrupsioni dhe presioni i politikës mbi këto struktura”-tha ai. Ai gjithashtu u shpreh se në Shqipëri “duhet ndryshuar mentaliteti për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar sepse tani keni instrumentet e duhura”.

Ndërkohë, kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, duke treguar se procesi për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe ngritjen e SPAK është në hapat e fundit, i tha zyrtarit amerikan se: “Këshilli po shikon hapësirat ligjore për ngritjen e SPAK me 8 prokurorë tashmë të vetuar dhe 2 prokurorë te komanduar nga lista e kandidateve të kualifikuar për SPAK, të cilët kanë kaluar vetting-un me vendim të formës së prerë”, u shpreh Ibrahimi. E pranishme në takim ishte dhe e ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri Leyla Moses-Ones. Jorgan K. Andrews është caktuar në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, ku mbikëqyr programet e kësaj  byroje në Europë dhe Azi.

Zvarritet ngritja e SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë publikoi pjesën e debatit mes Gent Ibrahimit dhe anëtarit të KLP Besnik Cani, në mbledhjen e zhvilluar të hënën, ku do të diskutohej nëse mund të ngrihej Prokuroria Speciale me 8 prokurorët që e kanë kaluar Vettingun. Pas largimit të mediave nga salla e mbledhjes, anëtari Besnik Cani mori fjalën duke u ankuar se emaili me materialet e rendit të ditës i kishte shkuar jashtë orarit zyrtar të punës. Ai pretendon se emaili i kishte mbërritur në orën 16:47 minuta të datës 18 tetor, ndërsa dita pasardhës ishte fundjavë. Për këto arsye, Besnik Cani shprehet se nuk kishte kohë të njihej me materialet e mbledhjes.

“Lidhur me thirrjen e mbledhjes së sotme z.Kryetar, dua t`ju bëj me dije se unë si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk kam jam njoftuar në orarin zyrtar të punës. E-maili zyrtar i punës, që kemi ne, ka mbërritur tek mua dhe tek anëtarët e Këshillit në orën 16:47 të datës 18. E shtunë e diel pushim, dhe vetëm sot kam pasur mundësinë ta shoh këtë rend dite këtu, të shoh vetëm disa prej akteve jo të gjitha aktet”, u shpreh Cani.

Kështu, ai kërkoi që mbledhja të shtyhet duke adresuar kritika ndaj administratës së KLP-së, që sipas tij duhet të lexojë procedurën dhe ligjin për organizimin e mbledhjeve. “Unë çmoj kryetar që mbledhja të shtyhet dhe të merret afati që na përcakton ligji, me 7 ditë. E kam debatuar njëherë në këtë sallë dhe do vazhdoj të debatoj se nuk mund të vazhdojmë më me këtë histori. sot për sot e sot për nesër. Komisioni le t`i shoh procedurat dhe të përgatisi mbledhjet ashtu siç e thotë ligji. Në këto rrethana unë nuk kam pasur mundësi të njihem me këto akte që kërkojnë të miratohen, ndaj kërkoj shtyrjen e seancës”, shprehet Besnik Cani.

Pas tij reagoi kryetari i KLP-së Gent Ibrahimi, i cili shpreh se të gjithë anëtarët e Këshillit ishin njoftuar gjatë një takimi të zhvilluar në Vlorë. Por, në atë takim, Besnik Cani kishte munguar me vullnetin e tij, duke u bërë i vetmi anëtar që nuk ishte njoftuar për rendin e ditës.

“Ndoshta keni të drejtë për këtë çështje. Anëtarët e Këshillit janë informuar në mënyrë të drejtpërdrejt për këtë mbledhje gjatë takimit tonë në Vlorë, ku ju munguat. Në këtë kuptim i dhamë vetes lirinë që e-mailin ta çonim pak më vonë, pasi të gjithë ishim aty dhe të gjithë e morën vesh që do mblidheshim sot dhe çfarë do diskutonim, ndërsa ju zgjodhët të mos ishit. Megjithatë, mbledhjen e deklaroj të mbyllur pas kërkesës suaj”, tha Gent Ibrahimi.

Në mbledhjen e ditës së hënë të KLP-së, u miratua caktimi i përkohshëm i disa prokurorëve në prokuroritë e rretheve, ndërsa në pikën e shtatë të rendit të ditës do të diskutohej për SPAK. Për diskutimin e kësaj pike, Gent Ibrahimi kërkoi që të mos ishin të pranishëm mediat. Pas largimit të kamerave nga salla reagoi dhe Besnik Cani, duke kritikuar administratën e KLP-së për vonesën e dërgimit të materialeve.

Megjithatë, në mbledhjen e datës së 21 tetor, pika e diskutimit ishte e një rëndësie të veçantë, pasi do të diskutohej nëse do të bëhej e mundur ngritja e SPAK me 8 prokurorë, apo do të pritet ende për kalimin e Vettingut dhe të dy prokurorëve. Kjo pikë nuk u diskutua dot të hënën, çka do të thotë shtyrje dhe paafat për ngritjen e SPAK, një nga strukturat më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi, që do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë. /Realstory.al/

AUDIO E MBLEDHJES SE KLP

SPAK fut në “sherr” KLP. Ibrahimi ndërpret mbledhjen

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi mbledhjen e radhës të hënën në mesditë. Në rendin e ditës ishte miratimi i disa prokurorëve në prokuroritë e rretheve. Pas përfundimit të procedurës për caktimin e gjashtë prokurorëve në rrethe, Kryetari i KLP-së Gent Ibrahimi kërkoi që pjesa tjetër e mbledhjes të zhvillohej pa praninë e mediave.

Në pikën e shtatë të rendit të ditës do të diskutohej për çështje të ndryshme, mes të tjerave edhe për ngritjen e SPAK. Pikërisht, në diskutimin e kësaj pike, pas largimit të mediave nga salla e mbledhjeve, antëri i KLP-së Besnik Cani, siç raportojnë mediat, mori fjalën duke u shfaqur disa ankesa.  Ai pretendoi se materialet e rendit të ditës i ishin vënë në dispozicion me vonëse, duke u shprehur se nuk kishte pasur kohë të njihej me to.

Besnik Cani i është drejtuar Genti Ibrahimit se materialet e mbledhjes i kishin mërritur të premten pas orarit zyrtar, ndërsa kërkoi që mbledhja të shtyhet. Në këto kushte, Gent Ibrahimi ndërpreu vazhdimin e mbledhjes duke u larguar nga salla.

Ibrahimi takon kryeprokurorin e Holandës

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, gjatë vizitës në Holandë, zhvilloi një takim me Prokurorin e Përgjithshëm të këtij vendi, Gerrit va der Brug. Ibrahimi dhe Va nder Brug diskutuan për intensifikimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe narkotrafikut.

“Gerrit van der Brug i kërkoi zotit Ibrahimi intensifikimi i bashkëpunimit, pika kontaktit të besueshme, me integritet dhe profesionalism në prokuroritë dhe në policinë shqiptare, për të bërë të mundur shkëmbimin në kohë optimale të informacioneve dhe organizimin e operacioneve të përbashkëta në kuftën kundër krimit të organizuar dhe narkotrafikut”, thuhet në një njoftim të KLP.

Genti Ibrahimi, duke informuar kryeprokurorin e Holandës për ecurinë e Reformës në Drejtësi, është shprehur se së shpejti do të ngrihet SPAK dhe BKH, institucione të besueshme në luftën kundër krimit të organizuar. “Ibrahimi siguroi Gerrit van der Brug se së shpejti Shqipëria do të këtë dy institucionet të reja SPAK dhe BKH si partnere të besueshëme në luftën kundër krimit organizuar”, thuhet në njoftim.

Në takimin që pati me Prokurorin e Përgjithshëm të Holandës në Hagë, Gent Ibrahimi është informuar se shteti i “Tulipanëve” ka 900 prokurorë, ku 70% janë prokurore femra. Gjatë vizitës zyrtare në Holandë, Gent Ibrahimi është takuar me përfaqësues të rëndësishëm të institucioneve të drejtësisë së këtij endi, të cilët i informoi për ecurinë e zbatimit të  Reformës në Drejtësi, si një nga kushtet kyçe të hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE.

Negociatat, kreu i KLP lobon në Holandë

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Holandë. Qëllimi i vizitës së tij në Holandë, është informimi i qeverisë së këtij vendi në prag të marrjes së dritës jeshile për negociatat. Holanda është një nga vendet skeptike lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ajo kërkon zbatimin e Reformës së Drejtësi dhe ndëshkimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta. Ibrahimi takoi në Holandë drejtorin e Qendrës për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar në Hagë, Willem van Neuwkerk.

Ibrahimi dhe Van Newkerk nënvizuan nevojën për veprim të menjëhershëm dhe efikas në implementimin e Reformës në Drejtësi me ngritjen e Prokurorisë Speciale (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Willem van Neuwkerk, i shprehu Gent Ibrahimit qëndrimin se Holanda pret rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, konfiskimi i aseteve me burim të paligjshëm dhe vendosja para drejtësisë së personave të inkriminuar.

Duke e informuar zyrtarin holandez për punën e bërë deri tani, Ibrahimi është shprehur  se hapja e negociatave do të “ishte një garant se reforma po ecën në drejtimin e duhur dhe Shqipëria ka nevojë për ekspertizën dhe mbikëqyrjen e faktorit ndërkombëtar gjatë këtij procesi”. Gjatë qëndrimit në Hagë, Gent Ibrahimi pritet të takohet me Prokurorin e Përgjithshëm të Mbretërisë së Holandës, Gerrit van der Brug dhe Presidentin e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit të Mbretërisë së Holandës, Henk Navis.

SPAK, gati në tetor. Ibrahimi i jep lajmin e mirë

Gjermania por jo vetëm, i gjithë faktori ndërkombëtar, është në pritje të ngritjes së SPAK dhe institucioneve të reja të drejtësisë, dhe veçanërisht në pritje të rezultateve konkrete që do të japin këto institucione në luftën kundër korrupsionit në  nivelet e larta të shtetit. Gjatë ditës së martë, Christian Lange, Sekretar Shteti në Ministrinë Federale të Drejtësisë ka zhvilluar një takim me kreun e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, i cili ka deklaruar se SPAK do të jetë gati në muajin tetor.

I pranishëm në takim, ishte edhe ambasadori gjerman Peter Zingraf. Takimi u fokusua tek zbatimi i reformës në drejtësi dhe ngritjen e institucioneve te reja, SPAK dhe BKH

“Për 9 muaj, KLP ka menaxhuar mjaft procese sfiduese si ngritja e SPAK dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm.  Në javët në vijim, KLP duhet të marr një vendim për sa i përket numrin e prokurorëve me të cilët mund të ngrihet SPAK. Besoj se Tetori do të gjej vendin me SPAK dhe Prokuror të Përgjithshëm”, tha Ibrahimi.

Ndërkohë Christian Lange, Sekretar Shteti në Ministrinë Federale të Drejtësisë tha se “Lufta kundër korrupsionit është kushti dhe prioriteti kryesor për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”.

Gjatë takime që zhvilloi gjatë të hënës me kreun e Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, si dhe me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, Lange vlerësoi ecurinë e deritanishme të Reformës në Drejtësi në Shqipëri duke cilësuar atë një proces unik që do të forcojë më tej shtetin e së drejtës.

“Unë jam plotësisht i bindur që shteti i së drejtës në Shqipëri do të forcohet në mënyrë afatgjatë nëpërmjet reformës në drejtësi – me gjyqtarë dhe prokurorë profesionistë dhe të pavarur. Në fund këto përpjekje do të kontribuojnë, që shqiptarët të kenë përsëri më shumë besim në sistemin e drejtësisë dhe që Shqipëria të vazhdojë rrugëtimin e saj”, është shprehur Lange.

Deklarata e tij në mbështetje të ecurisë së deritanishme të reformës në drejtësi është edhe një përgjigje ndaj akuzave dhe sulmeve që i janë bërë kësaj reforme nga përfaqësues të opozitës dhe veçanërisht nga presidenti Meta. Ndërsa Meta e cilëson reformën të kapur, zyrtari i lartë gjerman e shikon atë si një proces unik që do të forcojë më tej shtetin ligjor në Shqipëri./realstory.al

Ibrahimi: Hetuesit e BKH-së do trajnohen nga FBI, SPAK do ketë pavarësi

Byroja Kombëtare e Hetimit është një tjetër organ i rëndësishëm, që krijohet nga Reforma në Drejtësi. Kjo organizatë hetimore do të jetë në varësi direkte të Prokurorisë Speciale, e cila do të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta të politikës. Në një studio televizive, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi është shprehur se BKH do të jetë gati sapo anëtarët e saj të trajnohen nga FBI në SHBA.  “Prokuroria shqiptare gjithmonë ka patur nevojë për ndërmjetësim dhe ndihmën e Policisë së Shtetit për të hetuar krimin. Një oficer i Byrosë Kombëtare të Hetimit ka për Zot, prokurorin e Prokurorisë së Posaçme. Kjo ndihmon edhe në konfidencialitetin dhe sekretin e hetimeve, sepse gjithçka aty konsumohet brenda një trupe të vogël njerëzisht”.

“Këto historitë me përgjime që dalin lart e poshtë shpresoj të mos i dëgjoj më, për shkak të faktit që do të jetë vetëm një grup ekskluziv njerëzish shumë i ngushtë që do të ketë akses në dokument. “FBI do të trainojë NBI – ky është akronimi në anglisht i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Natyrisht që bëhet fjalë për një trainim disa mujor, në bazën më të madhe të trainimeve të FBI-së. Zgjidhja tranzitore do të jetë që prokurorët e Prokurorisë së Posaçme do të punojnë me ato struktura të Policisë Gjyqësore që janë të pranishëm në zyrën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda”, u shpreh kreu i KLP-së. Sipas Gent Ibrahimit, prokurorët e SPAK do të kenë pavarësi të madhe në punën e tyre, aq sa dhe Këshillit të Prokurorisë do t`i duhet mbështetja e 2/3 të votave të anëtarëve për të shkarkuar një prokuror të SPAK, në rast se do të jetë i nevojshëm.

 “Pavarësia e prokurorëve të SPAK ka edhe një dimension tjetër përveç çlirimit të lidhjes hierarkike që në fakt kanë ekzistuar në të kaluarën. Këshilli vetëm mund ta shkarkojë një prokuror të Prokurorisë së posaçme, por edhe këtë gjest ekstrem mund ta bëjë vetëm me ⅔ e anëtarëve të Këshillit. Ju siguroj që përvoja e këtyre 6-7 muajve të parë të Këshillit sugjeron se arritja e mazhorancës, sidomos për këto çështje kaq kontradiktore siç është ndëshkimi i prokurorit të Prokurorisë së Posaçme, është pothuaj i pamundur që të arrihet. Pra pavarësia e tyre ka edhe një dimension tjetër të rëndësishëm- ata shërbejnë për një mandat 9 vjeçar që nuk e kanë prokurorët e tjerë”, tha Ibrahimi.

Llalla “peshku” i parë i SPAK, Ibrahimi: Do hapen dosje të vjetra

Gjatë një interviste për Deutche Welle, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi, ka deklaruar se pas ngritjes së Prokurorisë Speciale, dosja për hetimin e Adriatik Llallës pritet të jetë një nga të parat që do të gjykohet për pastrim parash. “SPAK  do të trashëgojë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth 90 % të portofolit të kësaj prokurorie, p.sh. do të vijojë hetimin e pastrimit të parave nga ish-Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla. Besimi i publikut tek SPAK do të sjellë kallëzime të reja penale”, ka thënë Ibrahimi.

Kreu i KLP-së beson se prokurorët që do të jenë pjesë e SPAK, duhet të kenë guximin për të hetuar çështje dhe dosje të vjetra, që prej vitesh janë mbyllur në sirtarët e prokurorisë. “Vetë prokurorët e SPAK, shpresoj të gjejnë guximin të aktivizojnë çështje të fjetura. Portofoli i SPAK do të jetë më i pasur nga ai i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila do të shkrihet kur SPAK të fillojë punën dhe prokurorët e saj do të emërohen nga KLP në zyrat e prokurorive të rretheve”.

Ndonëse shumë dosje kanë prej vitesh që nuk hetohen, sipas Ibrahimit, çështja kohore nuk përbën problem në këtë aspekt. Ndaj, sipas tij hetimi dhe rinisja e tij për dosje të korrupsionit mund të ketë një afat ligjore që shkon me dekada. “Dëshiroj të theksoj që hapja e çështjeve të fjetura penale nuk ka kufizim kohor kur ato nuk janë parashtruar. Për vepra penale të korrupsionit afati ligjor i hapjes së tyre është shumë i gjatë, shkon me dekada”, ka thën Gent Ibrahimi.

Nga prokurori Adriatik Llalla, te shumë politikanë dhe zyrtarë apo ish-zyrtarë të lartë, pritet të jenë pjesë e hetimeve të Prokurorisë Speciale për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivele të larta. Fundi i shtatorit apo java e parë e muajit tetor, pritet të jetë periudha kohore kur SPAK do të jetë në funksion. Kjo kohë është vetëm pak ditë para se Bashkimi Europian të marrë një vendim për hapjen ose jo të negociatave për antërsim me Shqipërinë, ku hetimi i korrupsionit mbetet “thembra e Akilit” për këtë proces për vendin tonë.

Skip to toolbar