Gjykata e Krime të Rënda ka zbardhur të plotë vendimin
e dënimit të dhënë për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, me të gjitha argumentet
e rrëzimit të akuzave të prokurorisë për të, duke argumentuar se ato përbëjnë
dyshimin e arsyeshëm për të hetuar, por asnjë prej tyre nuk është provë për
dënimin e ish ministrit për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal.
Sipas Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet
e Rënda, janë vlerësuar si të pamjaftueshme provat e paraqitura nga Prokuroria
për të lidhur Saimir Tahirin me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve
narkotike dhe e vetmja lidhje e provuar e ish-ministrit të Brendshëm me
Habilajt është ajo farefisnore.
Organi i akuzës i mbështet provat te makina
tip Audi A8, që Saimir Tahiri ia ka shitur Artan Habilajt, udhëtimet me skafin
e Orest Sotës dhe udhëtimin e përbashkët për në Itali të dy prindërve të Saimir
Tahirit me Moisi Habilajn. Për të tria këto episode, gjykata thotë se ato të
krijojnë “dyshimin e arsyeshëm” të lidhjes së fortë të Saimir Tahirit me grupin
e Habilajve, por në asnjërin prej këtyre rasteve, sipas vendimit të zbardhur të
gjykatës, nuk kalohet caku i “dyshimit të arsyeshëm”. Pra, për gjykatën
dyshimet e prokurorisë mbeten thjesht dyshime që nuk janë provuar në dosje dhe
për këtë arsye gjykata i ka rrëzuar si prova që të lidhin Saimir Tahirin me
trafikun e drogës.
Në rastin e shitjes së Audit, gjykata i
referohet procesit gjyqësor të zhvilluar në vitin 2015 në Gjykatën e Fierit
ndaj ish-oficerit të antidrogës, Dritan Zagani. Zagani ishte i pari që denoncoi
se Habilajt lëviznin të lirë me makinën e Saimir Tahirit, që në atë kohë ishte
ministër i Brendshëm.
Për llogari të këtij procesi është marrë në
pyetje vetë Saimir Tahiri. Sipas procesverbalit të pasqyruar edhe në dosjen e
prokurorisë për Krimet e Rënda, ish-ministri i Brendshëm ka pranuar se ka
lidhje farefisnore të largët me Artan, Florian dhe Moisi Habilajn. Në këtë
dëshmi, Tahiri pranon se ia ka shitur Audin Artan Habilajt dhe vetë ky i fundit
e përsërit këtë. Ndërmjetësues në këtë transaksion ka qenë xhaxhai i Saimir
Tahirit, Kujtimi. Prokuroria ngriti dyshimet se automjeti ishte lënë vetë në
emër të Saimir Tahirit për t’u mundësuar Habilajve qarkullimin pa pengesa dhe
shmangien e kontrolleve. Por, gjykata e hodhi poshtë këtë dyshim duke deklaruar
se nuk provohej ky pretendim i prokurorisë.
Edhe sa u takon udhëtimeve të Saimir Tahiri me
këtë mjet edhe pas shitjes së tij, Gjykata rrëzon pretendimet e prokurorisë se
ato provojnë akuzën e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal në trafikun
ndërkombëtar të drogës.
Gjykata ka rrëzuar edhe dëshminë e një
shtetasi italian të arrestuar në Katania si bashkëpunëtor i Habilajve. Antonio
Riela ka deklaruar në dëshminë e tij se Moisi Habilaj i kishte thënë disa herë
që të mos shqetësohej, pasi në Tiranë kishte një person të pushtetshëm që e
mbronte.
Gjatë përgjimeve ambientale dhe atyre
telefonike mes Shqipërisë dhe Italisë, prokuroria përfshiu në dosje edhe
përmendjen e emrit Saimir nga trafikantët. Në vendimin e arsyetuar, gjykata
vëren se ky emër është përmendur dy herë. Por, në të dyja rastet gjykata thotë
se nuk kalohet caku i dyshimit të arsyeshëm për të akuzuar Saimir Tahirin si
pjesë e grupit të strukturuar kriminal.
Gjykata ka rrëzuar edhe një tjetër provë të
fortë të prokurorisë, një përgjim mes xhaxhait të Saimir Tahirit, Kujtim Tahiri
dhe Artan Habilajt. Bëhet fjalë për një përgjim të shtatorit të 2017, kur xhaxhai
i Saimir Tahiri, Kujtim Tahiri telefonon Artan Habilajn. Megjithatë, në
vlerësimin e gjykatës as ky përgjim nuk provon se Saimir Tahiri kishte një rol
në grupin e strukturuar kriminal të trafikut të lëndëve narkotike.
Gjykata rrëzon gjithashtu edhe përgjimet e
tjera ambientale të palës italiane, ku prokuroria pretendon se Moisi Habilaj
dhe të tjerët flasin për dhurata që i kanë blerë për Saimir Tahirin dhe
prindërit e tij. Gjykata thotë se për sa kohë nuk është gjendur asnjë prej
materialeve të përmendura në këto përgjime, dyshimet mbesin dyshime.
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u
shpall fajtor vetëm për shpërdorim detyre më 19 shtator, në seancën maratonë që
zgjati 13 orë në Gjykatën për Krimet e Rënda. Ai u dënua me 5 vite burg dhe pas
përfitimit nga gjykimi i shkurtuar dënimi iu ul me 3 vite e 4 muaj burg. Zbutje
vazhdoi më tej duke u kaluar në shërbim prove për të njëjtën periudhë kohore.
Tahiri u shfaq i pakënaqur me këtë vendim dhe
apeloi çështjen, duke kërkuar pafajësinë. PO ashtu ky vendim u apelua edhe nga
Prokuroria për Krimet e Rënda e tashmë dosja ndodhet në Gjykatën e Apelit për
Krimet e Rënda.