U dëmtua nga tërmeti, Gjykata e Apelit Durrës zhvendoset në Kavajë

Një nga godinat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit është dhe ajo e Gjykatës së Apelit në Durrës. Pak ditë më parë, KLGJ vendosi të pezullonte punën në disa institucione të drejtësisë në rrethet e prekura nga tërmeti.

Ndërsa, pas inspektimit të godinave, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi që në Gjykatën e Apelit të mos zhvillohen seanca gjyqësore. Godina është e dëmtuar rëndë, ndaj do të duhet të rikonstruktohet.

Ndërkohë, deri në rikonstruksionin e godinës, Gjykata e Apelit Durrës do të zhvendoset në Kavajë. Në këtë qytet do të zhvillohen puna e kësaj gjykate, deri sa të jetë gati godina e Gjykatës së Apelit në Durrës. Disa godina publike u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit, shumë prej të cilave tashmë do të duhet të rikonstruktohen.

Apeli bllokon ekstradimin e Ilir Bajrit drejt Italisë

Gjykata e Apelit në Shkodër ka bllokuar ekstradimin e Ilir Bajrit në Itali. Sipas Report Tv, mësohet se pas kërkesës së ardhur nga Italia, pasi në vitin 2008/09 gjykata e Bolonjës e ka dënuar me 5.6 vite burg për akuzën e trafikut të narkotikëve dhe shfrytëzimit të prostitucionit, Gjykata e Apelit ka rikthyer çështjen për rishqyrtim, me argumentin se vendimi i marrë në Gjykatën e Shkallës së parë është i pazpatueshëm në praktikë.

Trupa përbërëse e Gjykatës së Apelit në Shkodër, që ka marrë këtë vendim për Ilir Bajrin, ka qenë me realtore Vojsava Kola, anëtarë Aleks Nikolli dhe Marina Rraboshta. Apeli ka arsyetuar se vendimi për ekstradimin është marrë në kundërshtim me ligjin procedural penal, ndaj çështëja është rikthyer për rishqyrtim.

Ata vendosën të pranonin ankimin e Ilir Bajrit duke rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke vendosur që çështja të rikthehet për rigjykim nga një trup tjetër gjykuese. Ilir Bajri, i njohur ndryshe edhe si Ilir Rustemi, u arrestua nga policia në kuadër të operacionit “Oaz” që goditi grupin “Bajri” në shtator të 2018.

Nga Gjin Gjoni te Fatmira Hajdari, gjyqtarët e Apelit që i pret vettingu në shtator

Në shtator Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) do të nisë seancat për verifikimin e gjyqtarëve të Apelit dhe anëtarëve të KLD-së ku spikasin emra të njohur në fushën e drejtësisë, si Gjin Gjoni, Fatmira Hajdari etj.

Gjatë gjithë kësaj periudhe pune, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka kaluar në veting me prioritet kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Prokuror të Përgjithshëm, Gjykatën Kushtetuese e për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.

Në “skaner” kanë kaluar edhe një pjesë e mirë e krerëve të gjykatave e të prokurorive, por pa u rivlerësuar janë ende gjyqtarët e Gjykatës së Apelit. Janë rreth 60 gjyqtarë për të cilët është hedhur shorti që vitin e kaluar, por akoma nuk janë thirrur në seancë dëgjimore.

Shorti i parë i hedhur nga KPK për anëtarët e Apelit është ai i datës 18 shtator 2018. Pra, ata janë prej një viti në pritje sepse KPK ka qenë e zënë duke rivlerësuar kandidatët prioritarë. Por në vjeshtë duket se do të jetë radha e tyre. Vetëm nga Gjykata e Apelit të Tiranës janë 22 gjyqtarë që nuk janë skanuar për pasurinë, aftësitë profesionale dhe integritetin e figurës, shkruan gazeta SOT.

Ndër ta mund të përmendim Agim Bendon, i cili ka qenë pjesë e trupës gjykuese në Apel që i dha lirinë Gentian Dodës, i akuzuar për 2 vrasje. Nga lista mund të veçojmë edhe emrin e Andi Civicit. Emërimi i tij, i bërë nga Bujar Nishani, u cilësua si nepotik pasi në kohën kur mori postin e gjyqtarit të Apelit në Tiranë, ai kishte anëtare të Këshillit të Lartë të Drejtësi bashkëshorten Eneida Civici.

Ndërkohë, pa u futur në veting janë edhe anëtarët e Gjykatave të Apelit në rrethe, nga ku përmendim: Astrit Kalajën në Shkodër, Anita Micin në Durrës, Brunilda Orhanin në Korçë, etj..

Sakaq, pa kaluar akoma në veting është edhe anëtarja e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Nure Dreni. Një tjetër emër i njohur që nuk është përballur me KPK është edhe ai i Elisabeta Imerajt, e cila kandidon edhe për në SPAK.

Vjeshta pritet të tronditë edhe ish-anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Duke nisur nga Gjin Gjoni e Fatmira Hajdari, tek Eneida Civici dhe Ridvan Hado, por edhe emra të tjerë, nuk janë përballur akoma me trupën gjykuese. Emrat e tyre janë shortuar që në nëntor të 2018, por prej afro një viti i kanë “shpëtuar” procesit të vetingut për shkak të prioriteteve të tjera që ka pasur KPK.

Por duket se tani erdhi edhe për ta ora e llogaridhënies. Gjin Gjoni njihet si një nga ish-anëtarët e KLD me pasuri marramendëse. Pak kohë më parë ai shkaktoi një debat mes ministres së Drejtësisë dhe KLD, e cila i dha leje prindërore për 2 vjet. Kjo u interpretua si një tentativë e Gjin Gjonit për t’i shpëtuar vetingut. Nga ana tjetër, mund të veçojmë edhe emrin e Fatmira Hajdarit, e cila është akuzuar shpesh nga Izet Haxhia si një gjyqtare që ka shitur gjakun e burrit, Azem Hajdarit, për të shpëtuar veten.

Kujtojmë që emri i saj shkaktoi një kaos të madh para pak kohësh në Gjykatën e Apelit me çështjen e Izet Haxhisë pasi askush nuk pranonte ta gjykonte atë për shkak të miqësisë me Fatmira Hajdarin. Pjesë e listës është edhe ish-anëtari i KLD, Petrit Çomo, i cili është gjyqtari që liroi me kusht ish-drejtorin e fabrikës së Gërdecit, Dritan Minxollin./SOT

Skip to toolbar