Soreca: Gjykata e Lartë sa më parë funksionale

Çdo ditë e më shumë ndërkombëtarët po kërkojnë me ngut plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë dhe vënien e saj në punë.

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca ka zhvilluar një takim të dytë me kryetaren e KLGJ-së, Naureda Llagami me të cilën ka biseduar në lidhje me hapat që po ndërmerren në plotësimin e vendeve vakante në këtë gjykatë.

Ky takim është i dyti brenda një kohe shumë të shkurtër, dhe tregon rëndësinë që ka funksionimi i Gjykatës së Lartë për ndërkombëtarët.

“Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami më përditësoi sot me punën intensive të Këshillit të Lartë Gjyqësor në veçanti për vendet vakante në Gjykatën e Lartë për të cilën janë miratuar aktet rregulluese. Kjo është e rëndësishme që së shpejti të kemi një Gjykatë të Lartë funksionale dhe gjithashtu për të balancuar shpejtësinë dhe cilësinë e punës”, shkruan ambasadori i BE-së në Tëitter.

Dy ditë më herët kryetarja e KLGJ-së, Llagami tha në Komisionin e Ligjeve se Gjykata e Lartë do të jetë funksionale në shtator.

“Në shtator do të jemi gati që të kemi vendimet e para të kësaj Gjykate”, tha Llagami.

Llagami i ktheu përgjigje edhe kritikave të presidentit Meta se sipas tij, ka tejkaluar afatet për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë në Gjykatën e Lartë. Llagami tha në komision se KLGJ nuk mund të lejonte emërimin në Gjykatën e Lartë të kandidatëve që nuk kanë kaluar procesin e vettingut. Ajo tha se vettingu është pjesë shumë e rëndësishme e Reformës në Drejtësi ndaj dhe ka pasur vonesa në drejtim të plotësimit të vendeve bosh në gjykatë.

Zaganjori në Vetting, Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e tij

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezai Zaganjori, i cili kaloi Vettingun në korrik të vitit të kaluar, ka dalë për herë të dytë brenda pak javësh, përpara Komisionit të Posaçëm të Apelimit, për të dhënë sqarime për pasurinë e tij. Kthimi i Zaganjorit në Vetting është bërë nga Komisioneri Publik, pas vrejtjeeve të paraqitura nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, që ka gjetur parregullsi në deklaratën e pasurisë së Zaganjorit. Në këto kushte, Komisioneri Publik ka kërkuar shkarkimin e Xhezair Zaganjorit nga posti që mban si drejtues i Gjykatës së Lartë, njëherazi duke e larguar atë nga sistemi i Drejtësisë në Shqipëri.

“Komisioneri Publik vlerësoi se bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit, Xhezair Zaganjori, nuk arrin një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë. Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë gjyqësore dhe në përfundim të gjykimit të ndryshojë vendimin nr.46, datë 24.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Xhezair Zaganjori, Kryetar i Gjykatës së Lartë”, ka argumentuar Komisioneri Publik.

Xhezair Zaganjori doli vetëm pak javë më parë përpara trupës gjykuese të Komisionit të Posaçëm të Apelimit, në seancën e parë dëgjimore për ankiminin e bërë nga Komisioneri Publik. Kreu i Gjykatës së Lartë u shpreh pas asaj seance, se ai kishte dhënë deklarata të rregullta të pasurisë, dhe sipas tij ishte e bazuar në fakte. Megjithatë, gjatë të mërkurës pritet dhe një vendim për fatin e Zaganjorit.

Drejtësisë i largohen edhe dy ish anëtarë të Gjykatës së Lartë

Dy ish-anëtarët e Gjykatës së Lartës, gjyqtarët Evelina Qirjako dhe Guxim Zenelaj, kanë dhënë dorëheqjen e tyre duke u larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Dy gjyqtarët ishin anëtar të Gjykatës së Lartë që në korrik të 2017 dhe njoftuan dorëzimin e mandatin me arsyetimin e mbarimit të tij, edhe pse sipas ligjit ato mund të qëndrojnë në detyrë deri sa të zëvendësohen.

Largimi i tyre nga drejtësia, shmang zhvillimin procesit të vettingut që vlerëson ligjshmërinë  e pasurisë së tyre, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.

Po sipas ligjit, gjyqtarët Evelina Qirjako dhe Guxim Zenelaj mund të kërkonin të emëroheshin gjyqtarë në Gjykatën e Apelit, por ata nuk kanë preferuar të shërbejnë më në sistemin e drejtësi.

Që nga nisja e vettingut, këto nuk janë gjyqtarët e parë që kanë zgjedhur të largohen nga sistemi i drejtësisë duke shmangur hetimin e pasurisë së tyre dhe pastërtisë së figurës. Disa ditë më parë edhe gjyqtari i Gjykatës së Lartë Andi Çeliku, njoftoi largimin e tij nga drejtësia duke hequr dorë nga statusi i magjistratit.

Vetëlargohet nga sistemi i drejtësisë gjyqtari i lartë Andi Çeliku

I emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë në korrik të vitit 2008 dhe mbajtja e këtij funksioni deri në 2017, kanë qenë të mjaftueshme për gjyqtarin Andi Çelikun, i cili nuk ka pranuar më t’i shërbejë sistemit të drejtësisë. Mosqenia më pjesë e sistemit të drejtësie, shmang gjithashtu edhe procesin e vettingut për të më lidhje me vlerësimin e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.

Gjyqtari është larguar nga Gjykata e Lartë në qershor të vitit 2017 për shkak të mbarimit të mandatit, ndonëse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvendësohej. Pas largimit nga Gjykata e Lartë, sipas statusit të magjistratit, Çeliku kishte të drejtë të shërbente si gjyqtar në Gjykatën e Apelimit, por me një shkresë të datës 26.03.2019, ai ka njoftuar Presidentin se nuk kërkon të përfitojë nga të drejtat që i burojnë nga statusi i magjistratit. Madje në shkresë përcakton se me vullnetin e tij ai nuk e dëshiron më statusin e magjistratit. Të njëjtën shkresë ai e ka paraqitur edhe më datë 08.04.2019 në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Këshilli i Lartë Gjyqësor në datë 25.04.2019 e ka dërguar vendimin për mbarimit të statusit të magjistratit, pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), duke ndërprerë kështu procesin e vettingut për ish gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Andi Çeliku. Vettingu kishte nisur 11 ditë para se ai të njoftonte Presidentin për heqjen dorë nga statusi i magjistratit.

Ikën dhe Gjykata e Lartë, shkarkohet gjyqtari

Gjykata e Lartë i është bashkuar fatit të Gjykatës Kushtetuese duke dal jashtë funksioni pasi ka mbetur vetëm me dy anëtarë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra gjykatësin Edmond Islamaj, duke e lënë institucionin e Gjykatës së Lartë me dy anëtarë.

Edmond Islamaj nuk kaloi dot procesin e vettingut, pasi nuk justifikonte një pjesë të pasurisë së tij. Islamaj ishte konfirmuar më herët në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por u shkarkua ditën e sotme nga KPA.

Skip to toolbar