Vetëlargohet nga sistemi i drejtësisë gjyqtari i lartë Andi Çeliku

AKTUALITET


I emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë në korrik të vitit 2008 dhe mbajtja e këtij funksioni deri në 2017, kanë qenë të mjaftueshme për gjyqtarin Andi Çelikun, i cili nuk ka pranuar më t’i shërbejë sistemit të drejtësisë. Mosqenia më pjesë e sistemit të drejtësie, shmang gjithashtu edhe procesin e vettingut për të më lidhje me vlerësimin e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.

Gjyqtari është larguar nga Gjykata e Lartë në qershor të vitit 2017 për shkak të mbarimit të mandatit, ndonëse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvendësohej. Pas largimit nga Gjykata e Lartë, sipas statusit të magjistratit, Çeliku kishte të drejtë të shërbente si gjyqtar në Gjykatën e Apelimit, por me një shkresë të datës 26.03.2019, ai ka njoftuar Presidentin se nuk kërkon të përfitojë nga të drejtat që i burojnë nga statusi i magjistratit. Madje në shkresë përcakton se me vullnetin e tij ai nuk e dëshiron më statusin e magjistratit. Të njëjtën shkresë ai e ka paraqitur edhe më datë 08.04.2019 në Këshillin e Lartë Gjyqësor.


Këshilli i Lartë Gjyqësor në datë 25.04.2019 e ka dërguar vendimin për mbarimit të statusit të magjistratit, pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), duke ndërprerë kështu procesin e vettingut për ish gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Andi Çeliku. Vettingu kishte nisur 11 ditë para se ai të njoftonte Presidentin për heqjen dorë nga statusi i magjistratit.




Skip to toolbar