Biznesmeni i mbetur i plagosur së bashku me bashkëshorten e tij gjatë grabitjes së shtëpisë së tyre në Allias, ka treguar momentin e përleshjes së tij me dy grabitësit. Petrit Laze ka dëshmuar në polici se në tentativë për t’i nxjerrë jashtë shtëpisë grabitësit, njëri prej tyre e ka qëlluar me armë dhe më pas e mbylli në banjë. Laze thotë se edhe pse i plagosur ka arritur të dalë nga dritarja e tualetit dhe të futet sërish në shtëpi për të shpëtuar gruan dhe vajzën që ndodheshin në shtëpi, por grabitësit ishin larguar.
“Duke tentuar që t’i nxirrja jashtë shtëpisë, ata më qëlluan me armë. E ndjeva se isha plagosur, por ata më shtynë drejt banjës dhe më mbyllën aty. Kam marrë një levë dhe jam hedhur nga dritarja për t’u rifutur në shtëpi, por ata ishin larguar pa marrë gjë”, është shprehur 61-vjeçari.
Ka qenë vajza e çiftit që ka ndjerë fillimisht zhurmën e grabitësve duke u thërritur prindërve dhe më pas telefonuar dajën e saj për ta lajmëruar se kishin hyrë në shtëpi për të vjedhur dhe po i vrisnin. Ka qenë daja që ka lajmëruar policinë, e cila erdhi menjëherë në vendin e ngjarjes.
Grabitësit, të cilët mendohen se janë dy 18-vjeçarë, plagosën çiftin Petrit dhe Afërdita Laze, në tentativë për të grabitur, por u larguan duarbosh kur hasën rezistencën e tyre. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës në zonën e Alliasit në Tiranë.