Hashim Thaçi: Njerëzit e Berishës vranë gazetarin Ali Uka. Ja arsyeja

Hashim Thaçi ka akuzuar njerëzit e Berishës për vrasjen e gazetarit Ali Uka. Kështu është shprehur presidenti i Kosovës gjatë një intervistë në “Debat Plus” në RTV Dukagjini. Ai ka folur për arrestimin e tij në Tiranë për armëmbajtje pa leje dhe më pas tha se “të gjitha informacionet dhe indiciet për vrasjen e gazetarit Ali Uka, në 30 korrik të 1997,  të çojnë tek zyra e ish-presidentit Berisha”.

Sipas Thaçit gazetari është vrarë pasi do të publikonte informacione për takimet e fshehta të Berishës me Millosheviçin, Gligorovin dhe Arkanin.

Deklarata e Thaçit:

 “Dua të them një fakt për herë të parë. Është e vërtetë se Ali Uka atë kohë pretendonte dhe donte të botonte në  shtyp të vërtetën e vrasjes së atdhetarit Remzi Hoxha. Ali Uka punonte në gazetën “Shqiptare”. Remzi Hoxha i cili sipas Aliut kishte bërë zbulimin e takimeve të fshehta në Ohër në mes të Sali Ramë Berishës, Millosheviçit dhe Gligorovit. Pra Presidentit të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Serbisë. Aliu fliste hapur me emra dhe mbiemra se kush e kishte arrestuar Remziun dhe si kishte përfunduar i vrarë. Rrëfimi i Aliut të conte direkt në zyrën e Sali Ramë Berishës, tek njerëzit në zyrën e Sali Ramë Berishës. Ndërsa flas për takimin e fshehtë mes Berishës, Millosheviçit dhe Gligorovit në pranverë të vitit 1995. Nuk është folur shumë në publik për këtë. Pretendimi i dytë i gazetarit Ali Uka ishte se kishte zbuluar atëherë skemën e Arkanit në Shqipëri dhe takimet me zyrtarët e lartë të SHISH. Aliu fliste me fakte që Sali Ramë Berisha ishte në dijeni të plotë të qëndrimit të Arkanit dhe Legias në Fushë Krujë dhe Shkodër dhe që kontraktonin dhe merreshin me kontrabandë por para së gjithash të armatimit të njësive paramilitare të serbëve edhe në Kosovë, edhe në Kroaci, edhe në Bosnje. Këto deklarime të tij për mua kanë qenë intriguese. Sali Berisha e di shumë mirë kush e ka vra Ali Ukën. Me emër dhe mbiemër. E di se kur u burgos, si u dënu dhe kur u liru me ndikim të drejtpërdrejtë të Sali Ramë Berishës. Ali Uka ka qëndruar dhe ka pi me të në tavolinë, me dy nga këshilltarët e Sali ramë Berishës dhe dy persona të tjerë”, tha Thaçi.

“Bashkimi me Shqipërinë”, alternativa e re e Thaçit kundër BE

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi vijon t’i qëndrojë idesë së tij për bashkimin kombëtar dhe këtë deklaratë duket se ka vendosur ta përsëris thuajse çdo ditë. Gjatë një aktiviteti për 20 vjetorin e operacionit ‘Shigjeta” si pjesë e UÇK-së, Thaçi tha se ëndrra e projektit të bashkimit të shqiptarëve është shumë më e lehtë se sa ka qenë çlirimi i Kosovës, por këtë duhet ta duan të dy qeveritë. Në fakt këto deklarata të Thaçit janë një kundërpërgjigje ndaj ndërkombëtarëve që nuk mundësojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, duke i lënë qytetarët e saj atë izoluar.

“E theksova edhe dje edhe sot, është një projekt që duhet të punojmë të gjithë. Unë mendoj që asnjëherë nuk ka qenë më afër së realizuari kjo objektivë. Sa më tepër që po vonohet Bashkimi Evropian me politikën e vet diskriminuese, poshtëruese dhe ofenduese për qytetarët e Kosovës për liberalizim të vizave, duhet të shikojmë edhe alternativa që qojnë drejt një bashkimi definitiv, përfundimtar Kosovë-Shqipëri duke përfshirë edhe Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin…Realizimi i projektit të bashkimit kombëtar është më i lehtë se sa ka qenë i çlirimit të Kosovës, por duhet vullnet e dy qeverive tona” – tha Thaçi.

Shtetas rus arrestuar në Mitrovicë, Thaçi: Deklaratat e Vuçiç, populiste

Pas arrestimeve të kryera mëngjesin e së martës në Kosovë, ka reaguar sërish për mediat presidenti, Hashim Thaçi. Ai është shprehur se aksioni i policisë nuk ka lidhje me Serbinë. Ai bëri të ditur se mes të arrestuarve ka serbë, shqiptarë, bonjakë si dhe një shtetas rus i kamufluar si diplomat.

“Aksioni i ndërmarrë në një hapësirë të gjerë në Kosovë, ku ka të arrestuar edhe zyrtarë edhe qytetarë në komuna të ndryshme të nacionaliteteve të ndryshme, shqiptarë, serbë. boshnjakë, edhe një rus i kamufluar me petkun e diplomatit për të penguar policinë e Kosovës në aksionin e tyre. Ftoj qytetarët të marrin këtë çështje si ndërmarrje krejt normale, rend dhe ligj, nuk është kundër asnjë komuniteti. Përkundrazi të jemi mirënjohës qytetarëve që kanë treguar bashkëpunim me policinë”, është shprehur Thaçi i cili është pyetur edhe për reagimin e presidentit serb, Vuçiç për angazhimin e ushtrisë.

Thaçi tha se deklaratat e Vuçiç janë thjeshtë populiste dhe se ai e di shumë mirë se Kosova është e lirë dhe e pavarur.

“Është një deklaratë populiste, ka parasysh opinionin e brendshëm në Serbi. Ai e di shumë mirë se nuk mund të lëvizë në drejtim të Kosovë, është e pamundur dhe e paimagjinueshme, vetë ai është i bindur, por në çdo rast institucionet e Kosovës, edhe FSK janë në gjendje gatishmëri. Deklarimet populiste nuk janë kërcënim për luftë, janë për të fituar simpati brenda opinionit publik në Serbi. Nuk është nevoja të mbrohet askush që shkel ligjin, po bëjmë një aksion kundër krimit të organizuar, Serbia nuk mund të jetë në mbrojtje të shkelësve. Institucionet e kanë kryer me përpikmëri gjithë përgjegjësinë ligjore, pati përpjekje për barrikada por situata është nën kontroll. Kufiri i Kosovës është i njohur ndërkombëtarisht, serbët kanë menduar se nuk mund të jemi të lirë e të pavarur, por ja që jemi”, u shpreh për gazetarët presidenti i Kosovës.

Deklaratë për media për aksionin e sotëm në tërë vendin

Deklaratë për media për aksionin e sotëm në tërë vendin

Gepostet von Hashim Thaçi am Dienstag, 28. Mai 2019

“Shqiptarët në një shtet”, Thaçi: Parlamentet tona të nxjerrin deklaratën e bashkimit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi vijon të përforcojë idenë e tij për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës. Gjatë fjalës së tij në 20-vjetorin e operacionit “Shigjeta DO-2”, Thaçi theksoi se parlamenti i Kosovës deh ai i Shqipërisë të nxjerrin deklaratën e bashkimit si një shtet i përbashkët.

“E ardhmja e jonë e sigurt është në NATO dhe në Bashkimin Evropian, por po krijohen rrethana të reja që zgjidhja më e mirë do të ishte që dy parlamentet, ai i Kosovës dhe Shqipërisë, të nxirrnin deklaratat e nevojshme, të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët, pa kufij.” -tha Thaçi

Thaçi tha se për këtë bashkim ka dy ide, atë të bashkimit nën “ombrellën e Bashkimit Evropian” apo të bashkimit “nën ombrellën shqiptare” të dy vendeve në një territor të vetëm. Të njëjtën deklaratë Thaçi e bëri edhe në Has ku tha se “Kosova dhe Shqipëria, në një të ardhme të afër të do bashkohen”.

Rama-Thaçi, takim kokë më kokë në Kryeministri

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ndodhet në Tiranë dhe për rreth një orë ka zhvilluar një takim kokë më kokë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Takimi u zhvillua në zyrën e Ramës në Kryeministri.

Vetë presidenti i Kosovës ka treguar në facebook se me kryeministrin shqiptar kanë biseduar për situatën politike në Shqipëri, Kosovë dhe në Rajon.

“Si gjithmonë, kënaqësi takimi me kryeministrin Edi Rama. Biseduam për aktualitetet politike në Kosovë, Shqipëri dhe rajon, si dhe për përgatitjet e Kosovës për Samitin e Parisit”, shkruan Thaçi në Facebook.

Një ditë më parë u zhvillua grupi koordinator i punës që kujdeset për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara mes dy qeverive, pra qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës. Kujtojmë se marrëdhëniet mes Ramës dhe Haradinajt kohët e fundit janë ftohur që prej samitit të Berlinit ku dy kryeministrat shprehën qëndrime të ndryshme në lidhje me taksën për mallrat serbe në Kosovë. Haradinaj u shpreh në media se Rama e Thaçi i kishin bërë presion për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, por kjo deklaratë e tij u hodh poshtë nga kryeministri shqiptar.

Thaçi nuk kursen akuzat për Berishën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka kursyer akuzat ndaj ish kryeministrit Berisha madje e ka cilësuar edhe si “gërmadhë e skenës politike”. Berisha ka bërë mëkate të mëdha ndaj luftës në Kosovë dhe UÇK-së tha Thaçi në Opinion.

“Unë çuditëm si zoti Berisha nuk ka pasur guximin qytetar dhe as politik ta kundërshtojë opinionin e këtij projekti nga presidenti Rugova, akademiku Qosja dhe Daci. Zoti Berisha ka bërë mëkate të mëdha ndaj luftës së Kosovës, paralele me luftën e Milloshevicit ne terren, ka qenë dhe propaganda e zotit Berisha për UÇK-në maksiste-leniniste etj. Kam shkuar në zyrën e tij pas lufte dhe kemi pasur komunikim. Kur kam qenë kryeministër, kemi pasur respekt reciprok. Tani nuk kuptoj dhe shprehem i keqardhur për gjendjen e tij emocionale, si gërmadhë e skenës politike shqiptare.” – tha Thaçi

Thaçi tregon se e kujt ishte ideja e korrigjimit të kufijve

Është folur gjatë dhe hedhur akuza të ndryshme lidhur me korrigjimin e kufijve të Kosovës, por duket se Presidenti Hashim Thaçi e ka sqaruar këtë gjë njëherë e mirë se kush ishte iniciatori i saj.

Thaçi tha në “Opinion” ku ishte i ftuar se ideja ka lindur që në 1990 dhe që absolutisht nuk ka të bëjë me Vuçiç.

“Është qesharake të mendohet se ideja për përfshirjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit brenda Kosovës të jetë e Vuçiç, apo të jetë e ndokujt tjetër. Të gjitha takimet e mia me liderët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit janë të regjistruar. Edhe ata janë në favor të një korrigjimi. Ideja për korrigjimin e padrejtësive historike është e imja personale, jam angazhuar edhe në Berlin edhe sot në këtë Samit në Tiranë. Të thuhet se Vuçiç është ideator është naivitet. Dallimi në mes shkëmbimit të territoreve që ka qenë ide e liderëve të caktuara shqiptarë dhe idesë sime për korrigjim ka dallim shumë të madh. Kurrë nuk kam pranuar shkëmbimin e territoreve. Kjo ide lindi nga një bashkëbisedim, në zyrën time. Ideja ka lindur herët, që në vitet 1990 për të bashkuar Bujanov, Preshevë dhe Medvegjë.” – tha Thaçi

Thaçi për Der Spiegel: Nuk lejoj tregti kufijsh. Ja çfarë kërkoj për Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka shpjeguar dhe njëherë me detaje propozimin e tij për Kosovën, ndërsa ka thënë në një intervistë për gazetën gjermane, Der Spiegel, se ideja e tij është keqkuptuar. Ai ka theksuar se nuk do të lejojë kurrë shkëmbim territoresh, ndryshim kufijsh, tregti me to apo krijimin e një republike Srpska si në Bosnje. Thaçi edhe njëherë ka shpjeguar idenë e tij sesi do të bashkohen me Kosovën krahinat me shumicë shqiptare si Lugina e Preshevës, Bujanovski dhe Medvegja, ndërsa ka kërkuar që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të pranojë krimet e luftës.

Intervista në gazetën gjermane Der Spiegel:

Der SPIEGEL: Z. President kishte shpresa të mëdha në Samitin e Ballkanit Perëndimor, por rezultati nuk është edhe aq i kënaqshëm, nuk pati asgjë më shumë se një deklarim të paqartë që të rifillojë dialogu mes Serbisë dhe Kosovës. A jeni i zhgënjyer?

Hashim Thaçi: Nuk kam pasur pritshmëri të mëdha për këtë Samit, por e vlerësoj lartë nismën dhe përkushtimin personal të kancelares Merkel dhe presidentit Macron dhe shpresoj që ne do të arrijmë rezultatet e para të prekshme në Samitin e ardhshëm.

Der SPIEGEL: Me qëllim të vendosjes së një paqeje të qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë, u diskutua kohët e fundit edhe një shkëmbim territorial: pjesa veriore me shumicë serbe t’i takojë Beogradit, dhe Kosovës t’i bashkohet Lugina e Preshevës, e banuar nga shqiptarët. Çfarë mendoni ju për këtë?

Hashim Thaçi: Ka pasur shumë keqkuptime. Ne nuk do të pranojmë ndonjë shkëmbim territorial. Unë nuk lejoj ndonjë tregti të tillë. Ne gjithashtu nuk duam që në Kosovë të ketë një Republika Srpska të dytë, dmth. si në Bosnjë, një pjesë të kontrolluar nga Serbia. Kjo mund të ndodhë nëse ne në një farë mënyre i japim veriut një status të veçantë. Kosova është shtet multietnik. Prandaj, nuk do të ketë demarkacione sipas kritereve etnike.

Der SPIEGEL: I ashtuquajturi shkëmbim i tokave nuk qëndron për ju më. Çfarë doni atëherë?

Hashim Thaçi: Kjo kurrë nuk ka qenë ide e imja, por ashtu disi u krijua. Sidoqoftë, unë do të doja që zonat e banuara me popullatë shqiptare në Luginën e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës të jenë më afër Kosovës, përmes kufijve të hapura, por pa ndryshuar kufijtë, madje as një centimetër. Atje shqiptarët diskriminohen nga serbët.

Der SPIEGEL: A besoni me të vërtetë që Beogradi do t’ju lërë këto zona?

Hashim Thaçi: Unë po flas nga një perspektivë evropiane: nëse Serbia dhe Kosova do të bëhen anëtare të BE-së, atëherë një bashkim i tillë do të ishte e mundur. Serbia duhet ta njohë Kosovën më në fund. Dhe unë kërkoj nga Serbia që ta pranojë gjenocidin e bërë ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Der SPIEGEL: Çfarë koncesionesh është Prishtina e gatshme t’i bëj Serbisë, në veri p.sh.?

Hashim Thaçi: Zero! Pse duhet ta bëjmë këtë? Serbët në veri janë qytetarë të Kosovës me të gjitha të drejtat.

Der SPIEGEL:  Përfaqësuesja e BE-së për punë të jashtme, Federica Mogherini ishte shprehur për një shkëmbim territorial dhe nga administrata Trump mori sinjale inkurajuese.

Hashim Thaçi: Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Anglia dhe Italia gjithmonë kanë qenë të pajtimit që nuk duhet të ketë ndryshime të kufijve të ri në Ballkanin Perëndimor. Tani ata si duket nuk flasin më me një zë. Kjo është e keqe. Një marrëveshje e qëndrueshme ka vetëm atëherë bazë të shëndoshë nëse të gjithë edhe SHBA-të qëndrojnë prapa saj. Sepse sot, serbët dhe kosovarët i ndanë një lumë i tërë prej gjaku.

Der SPIEGEL: A mendoni se debati i ri mbi kufijtë përgjatë vendbanimeve etnike ka dëmtuar më shumë paqen midis shqiptarëve dhe serbëve?

Hashim Thaçi: Urrejtja historike është shumë e thellë. Bëmë shumë përpjekje për pajtim, kemi një komision për pajtim, kam vizituar komunat serbe. Por në muajt e fundit, shumë vende kanë mposhtur këto përpjekje, duke ngritur debatin për këmbimet territoriale.

Der SPIEGEL: Sa realiste është që Kosova dhe Serbia do t’i bashkohen BE-së në të ardhmen e parashikueshme? BE-ja është lodhur nga zgjerimi, një nacionalizëm i ri po përhapet.

Hashim Thaçi: E vetmja e ardhme e mundshme për ne është Bashkimi Evropian. Dhe ne po punojmë në këtë drejtim. Por në fakt, edhe ne e kemi të vështirë të besojmë në të. Qytetarët kosovarë ende kanë nevojë për vizë për të hyrë në Evropë. Liria e lëvizjes ende nuk vlen për ne, edhe pse tashmë që dy vjet i kemi plotësuar kushtet. Ne nuk duam dhurata, por duam respekt për atë që kemi arritur. Ne jemi evropianë, por ende ekzistojnë shumë paragjykime kundër nesh.

Der SPIEGEL: Ngjashëm, jorealiste është edhe shpresa juaj se Serbia mund t’i njohë krimet e saja si gjenocid.

Hashim Thaçi: 13. 000 të vdekur, 400 masakra, 20. 000 përdhunime, 1.300 fëmijë të vdekur, dhe Serbia është fajtore për nisjen e këtij gjenocidi të planifikuar në Kosovë. Drejtësia ndërkombëtare, gjykata në Hagë, ka dështuar në rastin e Serbisë. Kjo është arsyeja pse Beogradi ende mund t’i mohojë këto krime.

Der SPIEGEL: Por jo vetëm midis dy shteteve të Serbisë dhe Kosovës është marrëdhënia e vështirë, por edhe midis qytetarëve serbë dhe atyre shqiptarë në vendin tuaj ka ende tensione të rënda.

Hashim Thaçi: Duhet të bëjmë dallime midis serbëve dhe serbëve në Kosovë. Kam punuar me ta për një kohë të gjatë dhe atë në mënyrë shumë konstruktive. Shumica e tyre duan të jetojnë në paqe të integruar në shoqërinë e Kosovës. Por disa prej tyre janë instrumentalizuar nga Beogradi. Ata janë nën presion, shumë kanë edhe frikë. Këtu BE-ja duhet të marrë një qëndrim shumë më të qartë.

Der SPIEGEL: Por serbët janë ende të rrezikuar në Kosovë. Autobusët e shkollave hedhen me gurë, kishat ortodokse duhet të ruhen nga trupat ndërkombëtare. Kur do të ndalet kjo?

Hashim Thaçi: Nuk ka incidente të këtilla. E përsëris, serbët në Kosovë janë të integruar. Ata kanë shkollat e tyre, kopshtet e tyre. Ata mund të lëvizin lirshëm. Shumë prej tyre madje më kanë votuar mua. Fqinjët e mi janë serbë, vetëm një mur na ndan. Nëse ndodh diçka, atëherë ato janë incidente të izoluara. Unë i dënoj ato.

Der SPIEGEL: Por a nuk duhet edhe pala shqiptare ta pranojë fajin në mënyrë që të fillojë procesi i pajtimit? Edhe UÇK-ja, të cilës i përkisnit, ka kryer krime.

Hashim Thaçi: UÇK-ja ishte një ushtri që luftonte për liri, nuk bënte krime. Nëse ka pasur shkelës individualë, ata duhet – dhe kjo po ndodh – të gjykohen nga gjyqësori kosovar. Por kjo nuk është asgjë në krahasim me atë që kanë bërë serbët.

Der SPIEGEL: Serbët kanë bërë pra gjenocid, UÇK-ja nuk ka kryer krime. Duket se është ende një rrugë e gjatë drejt pajtimit. Çfarë duhet të bëjë Evropa për të siguruar paqen?

Hashim Thaçi: Ne jemi viktima të faktit që Evropa nuk flet me një zë të vetëm. Unë nuk shoh ndonjë vizion serioz për Ballkanin Perëndimor.

Thaçi: Të liberalizohen vizat, dialogu me Serbinë pa kushte

Pas Samitit të Berlinit, Presidenti Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për mediat në aeroportin e Kosovës.

Thaçi theksoi se tashmë Kosova i ka plotësuar kriteret prej 2 vitesh për liberalizimin e vizave dhe shtyrja e saj është një ndëshkim dhe zhgënjim për qytetarët.

“Kosova në Samitin e Berlini ka dalë shumë mirë, pozicioni ynë ka qenë shumë i qartë. Falënderoj Merkelin dhe Macronin, sa i përket vendosmërisë për liberalizimin. Mendoj që do të kemi reflektim dhe sinjalet e para pas takimit të djeshëm. Do të ketë optimizëm në mënyrë që të respektohet kontrata me Bashkimin Europian. Kriteret i kemi kryer, tash e 2 vite, jemi në pritje të panevojshme. E kam theksuar qartë se është ndëshkim për qytetarët e Kosovës. Dua të shpresoj se mesazhet që i kemi dërguar atje do të merren seriozisht për të na dhënë mbështetje edhe më konkrete e më të prekshme që në një të ardhme të afërt të ndodh liberalizimi, në të kundërtën, do të ishte zhgënjim për ne e qytetarët.”- tha Thaçi

Ndërsa për marrëdhëniet me Serbinë, Thaçi tha se dialogu duhet të vazhdojë pa kushte, me rolin prezent të BE dhe SHBA, ndërsa taksa do të mbetet në fuqi.

“Dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë i pakushtëzuar, taksa duhet të mbetet në fuqi. Ishte një mesazh i qartë i kancelares gjermane dhe presidentit francez për shpejtueshmërinë e zgjedhjes së një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizim. Pozicioni i Kosovës është i qartë, Serbia duhet ta njohë Kosovën pa kushte, por duhet përgjegjësi më e madhe edhe nga Bashkimi Evropian, duke vlerësuar edhe rolin e SHBA-së.” – tha Thaçi

Thaçi: Jo axhenda të fshehta për marrëveshje me Serbinë

Përmes një statusi në Facebook, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se do të marrë pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor më 29 prill në Berlin. Pritësit e takimit do të jenë kancelaria gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Thaçi tha se takimi do të jetë një interesim i Gjermanisë dhe Francës për Kosovën dhe rajonin por nuk do të ketë asnjë plan të fshehtë që çon në ndonjë marrëveshje me Serbinë.

“Si president jam në konsultim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Takimi i Berlinit do të jetë vazhdimësi e interesimit të Gjermanisë dhe Francës për Kosovën dhe rajonin tonë. Ne e mirëpresim dhe e përshëndesim këtë iniciativë. Bazuar në konsultat që kam zhvilluar, nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Për më tepër, nuk ka asnjë axhendë të fshehtë prapa këtij takimi.”

Thaçi ka folur edhe për liberalizmin e vizave të Kosovës duke kërkuar që ky proces të ndodh sa më shpejt dhe Gjermania e Franca të mbajnë një qëndrim të përbashkët.

“Për Kosovën do të ishte tepër dëshpëruese në rast se edhe në këtë takim, Franca dhe Gjermania, dështojnë të harmonizojnë qëndrimet e tyre për vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. Kosova mbetet vendi i vetëm i izoluar në Evropë.” – shkruan Thaçi

Si president jam në konsultim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet në Kosovë dhe në Ballkanin…

Publiée par Hashim Thaçi sur Mercredi 17 avril 2019
Skip to toolbar