Icardi te PSG, ‘harron’ Interin

Mbrëmjen e të hënës Paris Saint-Germain ka njoftuar arritjen e marrëveshjes me Interin për sulmuesin Mauro Iccardi. Sulmuesi 26 vjeçar argjentinas është transferuar në formë huazimi nga Interi te PSG për një sezon. Kontrata e re e Icardit do të jetë deri në fund të qershorit të vitit të ardhshëm, ndërsa klubi francez ka të drejtën e blerjes së kartonit në përfundim të huazimit.

Icardi do të jetë lojtari i 16-të argjentinas në historinë e Paris Saint-Germain. Icardi luajti disa sezone me Interin, duke shënuar në total 124 gola dhe 28 asiste në 219 ndeshje. Sezoni më i suksesshëm për sulmuesin argjentinas te Inter ka qenë ai 2014-2015 me 22 gola dhe kulmi në sezonin 2017-2018 me 29 gola, duke u zgjedhur edhe si sulmuesi më i mirë i Serie A.

 “Falenderoj Paris Saint-Germain për besimin që ka treguar”, u shpreh Icardi pasi nënshkroi kontratën. “Do të bëj gjithçka që mundem për të ndihmuar ekipin tim të ri. PSG është një fortesë e futbollit ndërkombëtar, që ka mbledhur futbollistë të shkëlqyer vitet e fundit”, ka thënë  Icardi.

Icardi “ngec” te Inter, por klubi i ofron… vetëm stolin

Mauro Icardi mbeti përfundimisht tek Inter, por futbollisti argjentinas nuk është në planet e klubit. Pas dështimit të transferimit në merkato, tashmë futbollisti duhet të mendojë një plan për të bindur klubin për t`u aktivizuar. Dhe në fakt, situatën duket se e ka marrë në dorë avokati i Icardit, Giuseppe Di Carlo.

Në një prononcim për Rai Sport, Di Carlo është shprehur se po punohet për të gjetur një mënyrë që të mbrohet dinjiteti i lojtarit. “Ne jemi të interesuar të mbrojmë dinjitetin e lojtarit, duke bërë të mundur rikthimin në fushën e lojës. Mauro ka marrëdhënie të shkëlqyer me shokët e tij”, ka thënë avokati i sulmuesit argjentinas.

“Unë besoj se është mundësia për të arritur një zgjidhje të përbashkët, për të mbrojtur interesat e të dy palëve. Icardi gjithmonë e ka dashur Interin, ka respektuar fanellën, tifozët dhe gjithmonë ka qenë profesionist dhe shembullor. Ai dëshiron të ketë mundësi të stërvitet me trajnerin Conte”, ka thënë avokati i sulmuesit argjentinas.

Icardi prezanton shtëpinë në…, mesazh për Interin?

Mauro Icardi duket se nuk do të largohet nga Milano. Të paktën kështu ka lënë të kuptohet sulmuesi i padëshiruar i Interit, që ka publikuar në rrjetet sociale foto nga shtëpia e tij e re. Argjentinasi ka treguar për ndjekësit në Instagram fotot e shtëpisë së tij të re, e cila duket se ndodhet në një pallat shumëkatësh, që është ende në ndërtim në Milano. Shtëpia e re ndodhet në zonën e Piazza Avar Aalto.

Deri më tani, sulmuesi nuk ka pranuar ofertat e bëra nga Roma, Napoli dhe Monaco. Ka qenë bashkëshortja dhe agjentja e tij Wanda Nara, që të hënën konfirmoi se bashkëshorti klient i saj, Icardi, nuk do të shkonte në Monaco. Pas këtyre deklaratave doli një lajm se Milan ishte kishte shfaqur interes për sulmuesin argjentinas.

Madje, sipas mediave në shtetin fqinj, Inter nuk e ka problem ta dërgojë Icardin te rivalët. Mirëpo problem mbetet shifra e lartë e transferimit prej 60 milion eurosh, që s`mund të përballohet nga Milan. Megjithatë, mund të gjendet një formë transferimi, duke përfshirë huazimin me të drejtë blerje të kartonit.  

Icardi larg Interit, drejtuesit mendojnë shkëmbimin me yllin e Juves!

Mauro Icardi mbetet ende temë diskutimi tek Inter. Lidhur me të ardhmen e tij nuk ka asgjë konkrete deri tani, teksa zërat për një largim të mundshëm nga Milano shtohen gjithnjë e më shumë.

Problem mes klubit dhe lojtarit nuk është vetëm marrëdhënia e tensionuar mes palëve, por dhe klauzola e Icardit, që parashikon një shumë prej 110 milionë euro për transferimin.

Kjo vjen edhe prej faktit se tek Inter ende nuk është vendosur nëse do të ketë ndryshime në stol. Nëse Spalleti do të vijojë të drejtojë “zikaltrit”, gjasat janë që ish-kapiteni i Interit të kërkojë një tjetër klub.

Interi e ka të qartë se pak klube mund të ofrojnë një shumë të tillë për lojtarin, prandaj, sipas “Tuttosport”, drejtuesit e klubit milanez mund të pranojnë dhe shkëmbimin kokë më kokë.

Në këtë kuptim, rruga që çon Icardi te Juventusi, ku Marotta dëshiron “të peshkojë” Paulo Dybala, “nxënësin” e tij të vjetër, mbetet e hapur.

Edhe mundësia e shkuarjes së Icardit te Napoli nuk përjashtohet. Në këtë rast, shkëmbimi do të bëhej me Lorenzo Insigne, i cili mund të shkojë tek Interi.

Sipas “Tuttosport”, Wanda Nara, nga ana e saj, do të preferonte të qëndronte në Itali për arsye profesionale dhe familjare. Kjo do të thotë se zgjidhja më e rehatshme do të ishte transferimi i Icardit te Juventusi.

Nga jashtë, megjithatë, opsioni i vetëm i hapur mbetet Madridi, ku Atletico po mendon seriozisht për të, ndërkohë që Reali është klubi i ëndrrave të Maurito.

“Njeri i vogël”, Icardi sulmohet përsëri nga rifozët!

Mauro Icardi vijon të sulmohet nga tifozët e Interit në Itali, të cilë prej kohësh janë pozicionuar në krahun e klubit dhe trajnerit Spalleti, në lidhje me vendimet e marra më herët për sulmuesin argjentinas të skuadrës nga Milano.

“Curva Nord” ka bërë një tjetër reagim për numrin ‘9’ të Interit, duke e cilësuar atë “njeri të vogël”, që është shtirur për të mos luajtur me ekipin.

“Ai njeri i vogël, që mban numrin 9, nuk e meriton Interin, sepse nuk ka treguar as minimumin e korrektësisë profesionale, që çdo punonjës i një klubi duhet të tregojë, duke shprehur respektin për fanellën, për publikun që beson në të, ose së paku për punëdhënësin, që e paguan”

“Në kampionate të tjera europiane nuk mund të ndodhë si në klubin tonë. Pyetja që bëjmë është: a keni parë ndonjëherë lojtarë në kampionate të tjera, që pretendojnë se janë të dëmtuar, që refuzojnë të luajnë, që grinden para humbjeve të ekipit të tyre dhe e braktisin atë për më shumë se një muaj? Pastaj, grupit i imponohet kthimi i tij nga avokatët”, shkruan ‘Curva Nord’.

Ronaldo apo Icardi, Gjimshiti: Nuk janë këta sulmuesit më të vështirë!

Goli ndaj Interit jo vetëm që është nga të vetmit e karrierës, por padyshim dhe më i veçanti për qendërmbrojtësin e kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti. Ai ka folur së fundi për formatin “StarCasino”, një emision që i bën futbollistët të njohur për tifozët, pasi këta të fundit u bëjnë pyetje të drejtpërdrejta.

Pas tri vitesh në Itali, ka ardhur koha që mbrojtësi i kombëtares kuqezi të flasë edhe mbi përvojat e mëparshme:  “Dallimet midis kampionatit italian dhe atij zviceran janë të shumta. Mbi të gjitha, diferencat janë taktike. Kësaj pjese i jepet shumë më tepër vëmendje këtu. Pastaj, në Serie A, shumë ekipe mund të fitojnë në çdo fushë”.

Intervista e plotë e Gjimshitit:

Prej tri sezonesh luani në Seria A. Cila është diferenca e këtushme me kampionatin zviceran, ku je aktivizuar më parë?

 Diferenca, sipas meje, është e madhe. Në fillim nuk m’u duk shumë ndryshe, por sa më shumë që të luash këtu, aq më shumë e kupton se është krejt tjetër, sidomos taktikisht. Eksperienca, sipas meje, përbën diferencën e madhe, sepse këtu luajnë dhe futbollistë me moshë 36, 37 apo 38 vjeç.

Në sezonin aktual keni luajtur ndaj sulmuesisht shumë të fortë. Dy prej tyre, Icardin dhe Ronaldon, i keni neutralizuar në Kupën e Italisë. Cili ka qenë futbollisti më i forte, që keni markuar në karrierë?

 Kam pasur mundësi të luaj ndaj sulmuesve të mëdhenj. Njëri prej tyre nuk është tani, por në vitin që erdha në Itali, në ndeshjen time të parë, ai që më impresionoi ishte Higuain. Ai e mbylli sezonin me 36 gola. Shënonte thuajse nga dy gola për ndeshje.

Tek Atalanta keni zgjedhur fanellën me numrin 19, që tifozëve iu kujton German Denis? Përse bëtë këtë zgjedhje?

 Më kujtohet ai lojtar, sepse ishte këtu deri 1-2 muaj para se të vija unë. Zgjodha këtu numër, sepse kam lindur më 19 shkurt. Në fakt, mua më pëlqen numri 5, por ishte i zënë këtu tek Atalanta.

Cili është momenti më i bukur me Atalanta, në këtë sezon?

 Kemi kaluar shumë momente të bukura këtu. Ndoshta në fillim të sezonit pak më pak, por goli ndaj Interit, në ndeshjen e parë, ishte padyshim momenti më i bukur i imi.

Skip to toolbar