Nga
Spartak Ngjela
Çfarë po sjell në psikologjinë e krimit
fillimi i aplikimit të Reformës në Drejtësi?
Po sjell ndryshimin e madh. Kjo reformë ka
tani afër dy hapa fillestare për të ndërmarrë:
1. Procesin penal për shkarkimin e presidentit
Ilir Meta.
2. Strukturimin jurudik të SPAK-ut.
l.
Që tani konstatohet frikë nga të korruptuarit
e mëdhenj të Shqipërisë. Këta po flasin jashtë sistemit logjik dhe nuk dinë si
të mbrohen. Më tipiku është Ilir Meta. Ky, pasi foli nonsese dhe gjithë frikë,
pasi kërkoi ndihmë kudo, tani duket se po pret fatin e tij: një president i
shkarkuar.
Në fakt historia politike e Shqipërisë, me
goditjen penalale të Ilir Metës, fiton, sepse Shqipëria garanton hapjen e
negociatave me Bashkimin Europian në fund të tetorit 2019.
Penalizimi i Ilir Metës është shenja e parë
dhe e mjaftueshme për kushtin që ka vënë Bashkimi Europian në hapjen e
negociatave për anëtarësimin në të: goditjen penale të të korruptuarve të
pushtetshëm. Kështu ndodhi edhe më Kroacinë, menjëherë pas arrestimit të
kryeministrit të saj, iu hapën negociatat.
Në fakt kjo do të ndodhë, sepse politika
europiane e Shqipërisë ka ngrirë, deri sa të fillojë goditja penale e të
korruptuarve të mëdhenj. Kurse Ilir Meta është më tipiku i korrupsionit të
lartë shtetëror dhe është President i Republikës.
Shkarkimi i tij në akuzë penale, krijon hapin
e parë drejt çlirimit të Shqipërisë.
Kjo në fakt i jep shoqërisë shqiptare forcë në
besimin se ajo do të shpëtojë më në fund nga një uzurpim tridhjetëvjeçar.
Menjëherë pas shkarkimit të Metës dhe pas
ngritjes së SPAK-ut, nis procesi penal kundrejt të gjithë të korruptuarve të
mëdhenj të shtetit shqiptar.
Il.
Por çfarë pritet të krijojë në funksion të
shtetit shqiptar Reforma në Drejtësi?
Respektimi ligjor i të gjithë reformës në
drejtësi, e cila tani është e plazmuar juridikisht në Kushtetutën e Shqipërisë,
do të krjojë për herë të parë në historinë e Shqipërisë një Sistem Penal të
Drejtësie (Criminal Justice System).
Në fakt shteti shqiptar asnjëherë nuk e ka
pasur drejtësinë penale të organizuar në një sistem.
Tani, sapo të fillojë aplikimin Reformës në
Drejtësi, nis strukturimi real për krijimin real të Sistemit Penal të
Drejtësisë.
Por, çfarë është ky Sistem?
Ky Sistem është një seri agjencish të
pushtetit gjyqësor, të qeverisë dhe një sërë institutesh ligjorë, të cilët kanë
për qëllim të identifikojnë individët e inkriminuar dhe të zbatojë kundrejt
tyre një ndëshkim penal.
Institutet parësorë të sistemit të ri të
drejtësisë penale në Shqipëri do të jenë: gjykata e zakonshme, Gjykata e
Posaçme, prokuroria e zakonshme, Prokuroria e Posaçme, policia kriminale,
Byroja Kombëtare e Hetimit, avokatia, dhe burgjet.
Ky është sistemi i ri, i gjithë i reformuar
dhe i shkëputur plotësisht nga politika.
Dhe, sapo të fillojë, sistemi i organizuar do
të merret me spastrimin e krimit në një spektër të gjerë dhe të plotë.
Brenda këtij Sistemi është vendosur edhe
SPAK-u
Kurse SPAK-u, sipas kushtetutës, i vendos të
dy aspektet e krimit të organizuar në një plan goditës: krimin e lartë
shtetëror si korrupsion, dhe krimin e organizuar si pjesë e simbiozës me krimin
shtetëror.
Shqipëria tani është një
Shtet i paralizuar dhe një shoqëri
joproduktive pikërisht si pasojë e abuzimit me pushtetin.
Korrupsioni shqiptar sot nuk mund të quhet një
gjë e rastit, sepse ai është një fenomen gjithështetëror. Ky lloj krimi
shtetëror i ka pushtuar të dy ingredientët thelbësorë të një shteti:
administratën e lartë shtetërore, dhe pushtetin gjyqësor. Domethënë që shteti i
së drejtës nuk egziston sot në Shqipëri. Pikërisht këtë lloj shteti të së
drejtës kërkon të sjellë me objektin e saj Reforma në Drejtësi.
lll.
Nga do të fillojë goditja penale?
Në rastet e rëndësisë që vijnë nga nivelet e
larta të politikës së të dy krahëve, po ta shohësh me vëmendje profesionale
korpusin e plotë ligjor të Reformës në Drejtësi, konstaton se goditja duhet të
fillojë nga pjesëtarët e familjes dhe fisi i presidentëve, kryeministrave dhe
ministrave. Kjo sepse këta naivë nuk e kanë menduar ndonjëherë ardhjen e
drejtësisë penale në Shqipëri. Por, për faktin që kjo lloj drejtësie tani po
vjen si sistem krejtësisht i pavarur, i ka shqetësuar të gjithë, sidomos pasi e
kanë parë si test në rastin e pushtetin gjyqësor.
Ajo që panë këta në testin e vetingut të
gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, iu dha të kuptuar se deklarimet e
tyre të pasurive, që kanë qenë të detyruar t’i jepnin sipas ligjit, i kanë bërë
duke paguar komisionin e deklarimit të pasurive. Pikërisht kjo, njëlloj edhe si
gjyqtarët e prokurorët, tani do t’i dërgojë përpara akuzës penale.
Deklarime të reme të pasurisë: këtu do të
fillojë vetë procesi penal antikorrupsion edhe për pushtetarët e lartë..
Në fakt, këta të korruptuar të lartë e kuptuan
qëkurse i detyruan me forcë të votonin Kushtetutën. Prandaj këta i ndërmorën të
gjitha hapat kundërshtuese antireformë, deri në kërkesa të hapura për
kryengritje mbarëshoqërore; por dështuan. Sigurisht, na duhet të vëmë në dukje
se ky dështim erdhi drejtpërdrejt nga ushtrimi i forcës së politikës amerikane.
Këtë tani e dinë të gjithë shqiptarët, prandaj
po presin të shohin atë që do të ndodhë.
Asgjë tjetër më shumë, do të ndodhë ajo që
përshkruam më lart në këtë shkrim.