Haradinaj jep dorëheqjen. Nuk pranon mandatin e deputetit

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk do të jetë deputet i Kuvendit kosovar në legjislaturën e ardhshme. Ndonëse fitoi mandatin në zgjedhjet e 6 tetorit, Haradinaj deklaron se nuk do të ulet në Kuvend, por vendin e tij do ta lërë atë për kolegët. Ai shprehet se tani e tutje do të vijojë të reformojë Aleancën për Ardhërminë e Kosovës, për ta rikthyer atë më të fuqishme.

“Ulësen time në Kuvendin e Kosovës, do ta lë për kolegët, por pandalë, do të vazhdoj të mbaj të hapura dyertë e Aleancës për reformën e nevojshme që e kërkoi sovrani, dhe për mbajtjen e vëmendjes së plotë e të pakursyer tek temat jetike për vendin, pa asnjë kompromis. Ua kam borxh rikthimin e fuqishëm të një Aleance të pjekur, të strukturuar mirë, me kuadro të reja, gjithsesi me rrënjë të forta thellë në tokën e Kosovës”, shkruan Haradinaj.

Duke falënderuar 100 mijë votuesit e AAK-së në zgjedhjet e 6 tetorit, Haradinaj bën thirrje për konstituimin e institucioneve sa më parë. Ndërkohë, Ramush Haradinaj shprehet se për interesin e Kosovës, ai do të jetë krah kundërshtarëve politik.

“Do të vazhdoj të mbetem besnik ndaj vullnetit tuaj politik, besimit që ma keni dhënë dhe përkrahjes së vazhdueshme e të pakursyer për tash e 20 vite, përgjatë të gjitha proceseve që ka kaluar vendi. Fati im personal e politik, asnjëherë nuk ka qenë më i mirë se fati i Kosovës. Në secilin rast, do të vazhdoj punën e pandalshme në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe do t’u qëndroj në krahë edhe kundërshtarëve politik, nëse ata do të vazhdojnë drejtimin që nisëm ne, për mbrojtjen dhe forcimin e interesit strategjik dhe sovranitetit të Kosovës. Uroj që sa më parë të kemi konstituim të institucioneve, me të njejtën pjekuri politike siç e zhvilluam këtë proces zgjedhor”, shkruan Haradinaj.

Gerd Haxhiu jep dorëheqjen, qëndroi vetëm 9 ditë si trajner i Flamurtarit

Ka qëndruar vetëm 9 ditë në krye të skuadrës së Flamurtarit si trajner. Këtë të mërkurë, Gerd Haxhiu së bashku me drejtorin sportiv Artim Pollozhani kanë dhënë dorëheqjen nga drejtimi i klubit. As Flamurtari as vetë Haxhiu nuk kanë reaguar publikisht në lidhje me këtë situatë, por mësohet se ish-futbollisti i njohur i ekipit vlonjat, ka dhënë dorëheqjen pasi plani i tij nuk përputhej me atë të drejtuesve të skuadrës.

Ndonëse Flamurtari ka bërë disa afrime në merkato, skuadra nuk ka planifikuar të zhvillojë fazë përgatitore në pritje të nisjes së kampionatit. Gjithçka ka ardhur për shkak të financave dhe vështirësive që ka klubi, që ka trashëguar borxhe nga sezoni i kaluar.

 Ky shkak mësohet të ketë detyruar Haxhiun dhe ish-futbollistin e sezonit të shkuar, Artim Pollozhani, që të japin dorëheqjen dhe të largohen nga drejtimi i skuadrës, vetëm 9 ditë pasi morën detyrën. Pas largimit të Gerd Haxhiut mbetet për t`u parë se kush do të jetë trajneri i ri që do të marrë drejtimin e skuadrës vlonjate për sezonin e ri të Superligës.

“Trump i paaftë”, jep dorëheqjen ambasadori i Britanisë në SHBA

Të martën Donald Trump deklaroi se “Prej sot, ne nuk do të kemi më marrëdhënie me ambasadorin britanik. Një lajm i mirë në lidhje me Britaninë e Madhe është se nuk do të ketë më Theresa May për Kryeministre. Londra do të çlirohet nga një grua që me Brexit bëri një katastrofë”. Pas kësaj deklarate, i ndodhur në kushte presioni, Ambasadori i Britanisë së Madhe në SHBA, Kim Darroch, ka dhënë dorëheqjen, raporton BBC.

Dorëheqja ka ardhur si pasojë e rredhjes të disa kabllogrameve, të publikuar nga mediat britanike, ku ambasadori i vendit ishullor, shprehej se “Trump dhe administrata e tij është e paaftë”. Pikërisht, ky informacion i një letre, që duhej të ishte sekret, është publikuar në media dhe ka shkaktuar një përplasje të fortë mes Anglisë dhe SHBA-ve.

Më herët, Donald Trump kërkoi haptazi largimin e ambasadorit të Britanisë së Madhe nga SHBA. Megjithëse, Theresa May, dha mbështetjen e saj për ambasadorin, Kim Darroch ka dhënë dorëheqjen, i gjendur përballë një presioni të tillë.

E-mail-et sekrete të ambasadorit britanik në Shtetet e Bashkuara, të botuara në prestigjozen Daily Mail, kritikonin ashpër Trump-in dhe gjithë administratën e tij duke i cilësuar “të paaftë, jofunksional, të pasigurt” kurse fjalimet e presidentit amerikan “ të mbushura plot gënjeshtra”.

Skip to toolbar