Haradinaj jep dorëheqjen. Nuk pranon mandatin e deputetit

AKTUALITET


Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk do të jetë deputet i Kuvendit kosovar në legjislaturën e ardhshme. Ndonëse fitoi mandatin në zgjedhjet e 6 tetorit, Haradinaj deklaron se nuk do të ulet në Kuvend, por vendin e tij do ta lërë atë për kolegët. Ai shprehet se tani e tutje do të vijojë të reformojë Aleancën për Ardhërminë e Kosovës, për ta rikthyer atë më të fuqishme.

“Ulësen time në Kuvendin e Kosovës, do ta lë për kolegët, por pandalë, do të vazhdoj të mbaj të hapura dyertë e Aleancës për reformën e nevojshme që e kërkoi sovrani, dhe për mbajtjen e vëmendjes së plotë e të pakursyer tek temat jetike për vendin, pa asnjë kompromis. Ua kam borxh rikthimin e fuqishëm të një Aleance të pjekur, të strukturuar mirë, me kuadro të reja, gjithsesi me rrënjë të forta thellë në tokën e Kosovës”, shkruan Haradinaj.


Duke falënderuar 100 mijë votuesit e AAK-së në zgjedhjet e 6 tetorit, Haradinaj bën thirrje për konstituimin e institucioneve sa më parë. Ndërkohë, Ramush Haradinaj shprehet se për interesin e Kosovës, ai do të jetë krah kundërshtarëve politik.

“Do të vazhdoj të mbetem besnik ndaj vullnetit tuaj politik, besimit që ma keni dhënë dhe përkrahjes së vazhdueshme e të pakursyer për tash e 20 vite, përgjatë të gjitha proceseve që ka kaluar vendi. Fati im personal e politik, asnjëherë nuk ka qenë më i mirë se fati i Kosovës. Në secilin rast, do të vazhdoj punën e pandalshme në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe do t’u qëndroj në krahë edhe kundërshtarëve politik, nëse ata do të vazhdojnë drejtimin që nisëm ne, për mbrojtjen dhe forcimin e interesit strategjik dhe sovranitetit të Kosovës. Uroj që sa më parë të kemi konstituim të institucioneve, me të njejtën pjekuri politike siç e zhvilluam këtë proces zgjedhor”, shkruan Haradinaj.




Skip to toolbar