50 euro për kalimin e kufirit, 3 në pranga për trafikun e klandestinëve

Policia e Korçës arrestoi 3 shtetas të cilët kryenin trafikun e klandestinëve duke kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin. Në pranga janë vënë tre të rinj, shtetasit M.S., 27 vjeç, D.H., 26 vjeç dhe Q.S., 25 vjeç, të tre banues në Maliq.

“Nga informacione të siguruara në rrugë policore, veprimet hetimore të kryera si edhe gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë pranë fshatit Melçan, Korçë, shtetasi D.H., u kap duke transportuar me një automjet në drejtim të Shkodrës, 10 shtetas të huaj”.

“Shtetasi D.H në bashkëpunim me shtetasit M.S., dhe Q.S., do t’i ndihmonin këta shtetas kundrejt fitimit prej 50 Euro për secilin, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të BE-së”.

“Në cilësinë e provës materiale, Policia bllokoi dy automjete që ishin përdorur nga shtetasit e mësipërm për të realizuar transportimin e klandestinëve në destinacionin e premtuar”.

“Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e policisë.

Skip to toolbar